Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e reformës në sektorin e ujit të pijshëm:
Shumë faleminderit për praninë tuaj! Një prani që dëshmon të vërtetën e thjeshtë, se në procesin e qeverisjes së vendit dhe kur temat e qeverisjes janë tema kombëtare me interes publik nuk ka dallime partish. Natyrisht, përsa na takon, ne i konsiderojmë të 61 bashkitë e vendit si pjesë e organizmit shtetëror të këtij vendi dhe të 61 kryetarët e bashkive si partnerë në përpjekjen për të avancuar me axhendën progresive të vendit dhe për të vendosur ligjshmërinë në çdo sektor.
E vërteta është se në çështjen e ujit kemi një prapambetje shumë të gjatë. Nga eksperienca e freskët e pas zgjedhjeve, në të gjithë turin e dëgjesave të organizuara prej nesh, ankesat e regjistruara nga qytetarët në të gjithë territorin për furnizimin me ujë përbëjnë një shqetësim parësor.
Sot, ne si vend jemi një dëshmi e gjallë e të vërtetës së thjeshtë se dallimin mes vendeve që zhvillohen dhe vendeve që nuk zhvillohen, mes vendeve më të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim, nuk e bën pasuria natyrore, por e bën dija dhe aftësia për ta kthyer pasurinë natyrore në vlerë që zhvillon vendin, zhvillon shoqërinë, rrit mirëqenien.
Jemi vendi i dytë më i pasur në Europë në burime ujore dhe jemi i vetmi vend në Europë që kemi probleme serioze me furnizim me ujë të pijshëm. Nëse e gjykojmë ujin si një kriter thelbësor për ekzistencën, atëherë, shqiptarët, mbi bazën e këtij kriteri, në shumë pjesë të vendit mbijetojnë dhe nuk jetojnë normalisht. Me përjashtim të banorëve të 7 qyteteve në të gjithë vendin, në shumicën e qendrave të banuara, edhe atyre të mëdha, uji vjen në rubinet vetëm 4-5 orë. Nëpër fshatra, ndonjëherë edhe vetëm 1 ore në ditë.
Është e papranueshme që edhe në mes të kryeqytetit shohim dëshminë rrëqethëse të kësaj prapambetjeje shumë të gjatë, por, mbi të gjitha, të një prapambetjeje të vetë shtetit dhe të të dy niveleve të qeverisjes. Natyrisht, përgjegjësinë më të madhe e ka niveli i parë i qeverisjes, qeverisja qendrore që për 27 vjet nuk ka arritur të zgjidhë një problem kaq flagrant në sytë e të gjithëve. Mjafton të hedhësh sytë në tarracat e Tiranës, për të kuptuar se ku jemi.
Është bërë një përgatitje shumë e detajuar, duke u nisur nga një bazë të dhënash që mjafton t’iu hedhësh një sy dhe janë realisht tronditëse. Mjafton t’ju them se, sipas këtyre të dhënave, mjafton të përdorim vetëm 1% të burimeve tona ujore, për të garantuar furnizim të pandërprere, ditë-natë, për të gjithë popullsinë vendit. Vetëm 1% e burimeve që kemi në dispozicion. Ndërkohë që vende të tjera nuk kanë një pikë ujë nëntokë dhe arrijnë të furnizojnë ditë-natë popullsinë e tyre, me sisteme ujësjellësish perfekt.
Po mbushen 30 vjet që uji është konsideruar si mall pa zot dhe jo si një pasuri kolosale, që mund dhe duhet të përkthehet në zhvillim dhe mirëqenie. Një mall pa zot, sepse në të gjithë territorin, mbi ujin nuk ka pasur shtet në asnjë nivel. Duhet të jemi të gjithë të turpëruar që ndërmarrjet e ujësjellësve, për vite të tëra janë kthyer nga kompani në ndërmarrje punësimi për njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me sektorin dhe për njerëz që nuk sjellin asnjë kontribut për kompanitë, përveçse janë pjesë e një procesi gërryes, degradues, shkatërrues për vetë kompanitë dhe për burimet ujore në dispozicion për qytetarët, me të gjitha pasojat që ne të gjithë i kemi parasysh.
Në Shqipëri përdorim 10 herë më shumë energji elektrike sesa në Gjermani, për të sjellë ujë në çezmat e qytetarëve. Në koston e ujit që konsumojmë, 40% e zë vlera e energjisë elektrike për pompat e vendosura në pothuajse çdo pallat, apo ujësjellës anembanë vendit. 12% e energjisë së faturuar përgjatë harkut të një viti në të gjithë vendin shkon për të nxjerrë ujë të pijshëm, afro 30 milionë euro në vit.
Gjatë 4 viteve të fundit është shpenzuar shumë, afro 400 milionë euro, për të ndërtuar ujësjellës të rinj, për të përmirësuar sistemin e shpërndarjes, apo edhe për impiante trajtimi të ujërave të zeza. Megjithatë, siç ju vetë mund të dëshmoni, në çdo bashki të vendit, situata është ekonomikisht e paqëndrueshme. Në çdo 4 litër ujë që prodhon e gjithë kjo makineri e degraduar, me kosto kaq të lartë, vetëm 1 litër faturohet. Kjo bën që shteti të subvencionojë vit pas viti ujësjellësit që të mos falimentojnë.
Është një situatë që nuk ka si bëhet më keq. Vetëm një reformë rrënjësore, me një vendosmëri të hekurt, e ngjashme me reformën dhe me vendosmërinë që patëm të gjithë sëbashku në sistemin e energjisë elektrike, mund të na japë zgjidhjen për të dalë nga ky sistem i falimentuar, që mbahet në agoni vit pas viti, duke shpenzuar para pa fund dhe pa marrë mbrapsht përmirësime të ndjeshme dhe të mundshme në jetën e përditshme të qytetarëve.
Kemi kaluar të gjitha fazat dhe kemi studiuar gjatë gjithë kësaj periudhe gjithçka është bërë për të adresuar problemin. Mund t’ju them një shifër, që është edhe kjo tronditëse; shteti shqiptar, përmes qeverive të ndryshme, ka shpenzuar para, për të pasur në 23 vjet, 27 Strategji Kombëtare për ujin, që tregon se një pjesë e këtyre strategjive thjesht janë financuar dhe njeri s’ka marr vesh se çfarë po financon. Financimi i tyre është bërë në mungesë të plotë koordinimi brenda për brenda vetë qeverive. Pa folur për dokumentet strategjikë që kanë shoqëruar Strategjitë, që janë edhe ato një mal i lartë letrash që jo nuk i ka zbatuar, por, mesa duket, nuk i ka lexuar askush tjetër, përveç autorëve.
Mbi të gjithë eksperiencën e hidhur, mbi të gjitha Strategjitë e shkruara, mbi të gjitha konsultimet e bëra, ne kemi ndërtuar një plan operacional dhe duam që sëbashku me të gjithë ju t’i përvishemi një pune kolosale, ditë për ditë, për të dalë nga ky pozicion turpërues për vendin dhe poshtërues për konsumatorët familjarë në mbarë territorin e Shqipërisë. Nuk mundet ta pranojmë që ky vend me një pasuri kaq të madhe, problemin kryesor ta ketë tek paaftësia dhe mungesa e vullnetit për ta kthyer këtë pasuri natyrore në cilësi jete. Këtë s’mund ta pranojmë, me asnjë çmim.
Ne kemi ndërtuar një plan që nis me një thirrje publike, të cilën ju ftoj të gjithëve ta përsërisim për 90 ditë rresht. Të gjithë ata që furnizohen me ujë në rrugë të paligjshme kanë 90 ditë kohë, që të vetërregullojnë situatën e tyre. Nuk do të fillojmë me penalizime. Vjedhja e ujit, njësoj si vjedhja e energjisë, njësoj si çdo vjedhje tjetër dënohet nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë. Por duke pasur parasysh të gjithë këtë trashëgimi, që është edhe një trashëgimi në mentalitet, ne e shikojmë të udhës që t’iu japim kohë të gjithëve konsumatorëve të ujit që të vetërregullohen.
Në bashkëpunim me bashkinë, me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe të të gjithë strukturave të tjera qendrore, ne do të fillojmë menjëherë prerjen e lidhjeve të paligjshme. Por kjo nuk do të shoqërohet me penalizime. 90 ditë, kushdo që merr dhe kërkon të marrë ujë më pas nga sistemi i ujësjellësit duhet të vetërregullohet, të lidhë kontratën me ndërmarrjen përkatëse, në mënyrë që të mos penalizohet pas 90 ditëve.
Ne duam që brenda 300 ditëve të para të qeverisjes, pak a shumë deri në qershor, të kemi pajisur me matës të gjithë ata që do të vetërregullohen, apo që pastaj do të detyrohen të rregullohen, duke marrë përsipër edhe penalizimet, të cilat do të jenë shumë të renda. Kodi Penal i ka shumë të qarta.
Brenda më pak se një viti, beteja duhet të jetë e fokusuar tek mendësia, tek ndryshimi i mendësisë, sepse, për fat të mirë, njësoj si me energjinë elektrike, shembullin e kemi shumë të qartë. Nuk janë të gjithë që e vjedhin ujin. nuk janë të gjithë që nuk paguajnë. Ka një pjesë të konsiderueshme qytetarësh që paguajnë rregullisht. Ajo pjesë, as nuk mund të vazhdojë të paguajë më edhe për ata që s’paguajnë, që të mbajë në këmbë ndërmarrjet e ujësjellësit dhe as nuk mund të penalizohet me furnizim më të paktë, për shkak se pjesa tjetër nuk paguan. Fakti që në çdo qytet, në çdo zonë, nga zonat më të varfra tek zonat më të pasura ka konsumatorë që paguajnë rregullisht, mjafton për t’iu thënë të tjerëve se nuk jeni ndryshe nga këta dhe ju duhet të paguani njësoj si këta.
Operacioni kombëtar për pastrimin e rrjetit nga lidhjet e paligjshme dhe të gjithë ata që janë në shkelje të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë do të fillojë menjëherë dhe – këtë do t’iu lutesha të gjithë kryetarëve të bashkive, të gjithë prefektëve, të gjithë drejtorëve përgjegjës për ndërmarrjet ta përsërisin çdo ditë, – do të bazohet në domosdoshmërinë që njerëzit vetë të angazhohen me vullnet të lirë, brenda 90 ditëve për të rregulluar gjendjen e tyre, por ama do të fillojë menjëherë si operacion.
Në 1 shkurt të vitit 2018, të gjithë ata konsumatorë familjarë apo biznese, që do të identifikohen se kanë ende lidhje të paligjshme, do të procedohen penalisht dhe sipas ligjeve në fuqi rrezikojnë masa shumë më të rënda, sesa fatura e pagesës së ujit, që, për hir të së vërtetës, në të gjithë territorin e vendit është shumë e ulët krahasuar me koston e prodhimit të ujit. Po ashtu, konsumatorët që kanë detyrime të prapambetura duhen të marrin masa për të likuiduar faturat e papaguara, përpara se të fillojë ndërprerja e shërbimit.
Nga data 21 tetor, operatorët e shërbimit në të gjithë vendin kanë urdhër të prerë, të mos lidhin asnjë kontratë të re, nëse aplikuesi nuk është i pajisur me matës. Natyrisht, në këtë përpjekje, barra e bashkive është e posaçme, nuk është njësoj si në rastin e operacionit për energjinë elektrike, pasi në këtë rast bashkitë kanë një përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Nga ana tjetër, edhe mirëkuptimi i qeverisë është i posaçëm, duke pasur parasysh se bashkitë nuk i kanë të gjitha mundësitë e nevojshme, për të operuar në pavarësi nga mbështetja e qeverisë.
Qeveria nuk do të subvencionojë asnjë qindarkë për asnjë ndërmarrje që nuk i nënshtrohet kësaj përpjekjeje të përbashkët dhe nuk bën detyrën në këtë përpjekje të përbashkët. Nëse ndërmarrja nuk përfshihet në këtë operacion, nuk ka për të marrë asnjë qindarkë subvencion. Nëse ndërmarrja përfshihet në këtë operacion, bën punën e vet, bashkia bën punën e vet, sigurisht që i takon qeverisë që të mbështesë, për të siguruar vazhdimësinë. Nuk mundet që t’i referohemi ligjit në mënyrë të verbër, duke thënë kjo është puna juaj, ndaj bëjeni ju, pasi furnizimi me ujë i popullsisë është një përgjegjësi e plotë, e përbashkët, se vetëdija jonë për mundësitë e bashkive është e qartë se janë mundësi të kufizuara dhe se në këtë operacion, ne jemi partnerë. Nuk jemi për t’i lënë topin njëri-tjetrit dhe as për t’i lënë fajin njëri-tjetrit.
Dua t’ju bëj me dije se janë 270 mijë familje, apo subjekte tregtare, që sot nuk përdorin matës. Kjo nuk mund të tolerohet më dhe të gjithë duhet të ftohen të legalizohen vetë, pa penalitete.
25 mijë puse rezultojnë të hapura në Republikën e Shqipërisë, nga të cilat vetëm 265 kanë leje. Një barbari më vete, por edhe kjo produkt i një tradite thuajse 30-vjeçare braktisjeje të detyrës nga ana e shtetit, në raport me këtë nevojë jetike të qytetarëve. Brenda vitit 2018, çdo konsumator që përdor, apo dëshiron të përdorë ujërat nëntokësorë duhet të jetë i pajisur me leje autorizimi për ta shfrytëzuar këtë pasuri të përbashkët. Formalizimi i të gjitha puseve që plotësojnë kushtet teknike dhe mbyllja e të gjitha puseve që nuk i plotësojnë këto kushte do të jetë pjesë e këtij operacioni. I gjithë sistemi i puseve po ashtu do të kontrollohet me matës.
Ka dhe një element tjetër, për të cilin, kryetarët e bashkive që kanë lumenj në territorin e tyre janë më shumë sesa të vetëdijshëm dhe e kanë ngritur si shqetësim, është historia e shfrytëzimit abuziv dhe devijimit për qejf të shtretërve të lumenjve. Abuzimi me lumenjtë është shndërruar edhe në arsye madhore e përmbytjeve, që kur ndodhin shkaktojnë dhjetëra e dhjetëra miliona dëme anembanë vendit. Ne duam ta ndalojmë menjëherë marrjen e materialeve inerte nga lumenjtë, të largojmë nyjet e inerteve të depozituara në brigjet e lumenjve dhe të fillojmë betejën kundër erozionit dhe mbrojtjen e tokës bujqësore.
Duke filluar nga 15 nëntori, të gjitha subjektet që do të identifikohen në shtretërit dhe brigjet e lumenjve, apo liqeneve, me apo pa ujë në atë zonë, do të procedohen në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi dhe do t’ju sekuestrohen mjetet, sipas ligjeve në fuqi.
Paralelisht, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të nisë një operacion kombëtar, në bashkëpunim me pushtetin vendor, për pastrimin e shtretërve të lumenjve nga inertet, nga mbeturinat, nga derdhjet e lloj-lloj kimikateve industriale që dëmtojnë ekosistemin, dëmtojnë shëndetin dhe janë akumuluar aty prej vitesh e vitesh të tëra.
Brenda vitit 2018 do të merren masa që në tërësi të kemi një përmirësim të kësaj situate, duke e ndaluar rreptësisht depozitimin e mbetjeve urbane dhe atyre të ngurta nëpër lumenj, si dhe duke e ndaluar shkarkimin e ujërave të patrajtuar industrialë nëpër lumenj.
Në këtë betejë, ne e konsiderojmë veten bashkë dhe pa asnjë dallim me të gjithë ju. Natyrisht që eksperienca, nevoja e përditshme e punës së kryetarëve të bashkive bën që ju të jeni jo vetëm partnerë në zbatimin e këtij operacioni masiv, por edhe të mirëpritur për çdo sugjerim dhe ide konkrete në përmirësimin e punës në proces.
Edhe prefektët e sapoemëruar do të jenë pjesë e këtij operacioni, duke koordinuar ngushtësisht punën mes qeverisë dhe kryetareve të bashkive, duke qenë pranë njësive vendore dhe duke garantuar që në çdo moment të jemi sinkron në adresimin e çdo shqetësimi, apo të çdo situate që kërkon ndërhyrje ad-hoc.
Në këtë operacion, ne kemi mbajtur parasysh edhe domosdoshmërinë për të hartuar një paketë solidariteti me kategorinë e njerëzve në nevojë, njësoj siç kemi bërë me energjinë elektrike. Por në ndryshim nga energjia elektrike është fakt i njohur botërisht se uji është një mall shumë më lehtësisht i kursyeshëm nga ana e konsumatorit, sepse nuk është njësoj si me domosdoshmërinë për të pasur dritë, kur bie nata.
Nëse në vendet më të zhvilluara, në vendet me të ardhurat më të larta, në vendet me mirëqenien më të lartë nuk ka konsumator që nuk garantohet se e mbyll siç duhet rubinetin, nuk mendoj që ne mund të tolerojmë që uji i pijshëm të përdoret për të larë rrugët, siç ndodh rëndom, përpara njësive tregtare të të gjitha qyteteve, duke filluar nga Tirana, pa llogaritur vaditjet e bahçeve me ujë të pijshëm e me radhë.
Kjo është një sfidë e vështirë, por krejt e mundur, pasi nuk jemi në kushtet, kur duhet të fillojmë të kërkojmë pagesë për një mall ku nuk paguan askush, por jemi në kushtet kur një pjesë e rëndësishme e popullsisë paguan rregullisht, pavarësisht se ka të ardhura të larta, apo të ardhura më të ulëta. Edhe në fshatrat me furnizimin më të ulët, jo gjithkush nuk paguan, ka plot që paguajnë. Ka shembuj plot, falë edhe punës së bërë nga disa ndërmarrje ujësjellësi, nga disa drejtues ujësjellësish, ku edhe në fshatin më të largët paguhet rregullisht uji. Që do të thotë se kjo është çështje ligjshmërie, çështje përputhshmërie e sjelljes së çdo konsumatori në raport me ligjin dhe në raport me detyrimet ndaj komunitetit.
Qeveria do të mbështesë me të gjitha mundësitë çdo bashki dhe çdo ndërmarrje ujësjellësi, që do të bëjë detyrën e vet në këtë operacion, por nuk do të subvencionojmë asnjë qindarkë për ata që do vazhdojnë me avazin e vjetër. Këtu e kam kryesisht me ndërmarrjet e ujësjellësit, me drejtorët e ujësjellësve që nxjerrin lloj-lloj arsyesh dhe iu rrokanisin kokën kryetarëve të bashkive me lloj-lloj justifikimesh, duke i vënë në pozitën që ose të besojnë justifikime që nuk kanë asnjë bazë, duke kërkuar pastaj justifikime për veten e tyre, ose të dorëzohen. Këtu s’ka asnjë arsye, as për të besuar në llafe dhe as për t’u dorëzuar.
Drejtorët e ujësjellësit nuk janë punonjës socialë, nuk kanë asnjë detyrim për të bërë politika sociale dhe pas fjalës “sociale” nuk mund të fshehin më vjedhje dhe abuzime, se njësoj si në sektorin e energjisë elektrike, ku në vazhdimësi, edhe sot që flasim, ne shohim që zhvillohet edhe një luftë brenda për brenda sistemit për ata që abuzojnë si faturistë, apo si punonjës të kompanisë, ndodh edhe me ujin. Për të mos thënë se është e vërtetë edhe që punonjësit e ujësjellësit shpesh angazhohen me para në dorë për të bërë lidhjet e paligjshme, se lidhjet e paligjshme kërkojnë teknikë. Teknikët e ujësjellësit që duhet të bëjnë punën e shtetit shkojnë e marrin ryshfet për të bërë lidhjet e paligjshme. Kjo është një histori e vjetër. E kam ndeshur unë, si kryetar Bashkie në Tiranë, për një kohë të gjatë, kur jemi marrë me këtë çështje. Edhe eksperienca ime si kryetar bashkie më ka treguar që në këtë betejë, bashkia dhe kryetari i bashkisë nuk fiton kurrë, nëse nuk ka të gjithë mbështetjen e qeverisë, mbështetjen e policisë, mbështetjen e strukturave shtetërore, që duhet të jenë të përfshira në këtë operacion.
Në këtë aspekt, ne e dimë shumë mirë detyrën tonë. Do t’i jemi pranë çdo njësie vendore. Nga ana tjetër, e vetmja gjë që kërkojmë nga çdo njësi vendore është rezultati në këtë drejtim. Sa më shumë rezultat të kemi në këtë drejtim, aq më shumë, brenda mundësve që ka buxheti i shtetit, ne do të ecim me mbështetjen financiare për ristrukturimin e ndërmarrjeve. Ju takon ju kryetarëve të bashkive, bashkë me këshillat bashkiakë, që këto ndërmarrje t’i pastroni nga parazitët, nga grabitqarët, nga njerëzit që janë aty për të marrë një rrogë. Nuk janë ndërmarrje punësimi dhe nuk mund ta bëjnë dot punën, nëse nuk sillen si kompani në treg, nëse nuk kërkojnë që mallin që shesin, ta shesin në këmbim të çmimit që malli ka. Kështu do fillojë të përmirësohet buxheti i ndërmarrjeve, do fillojë të përmirësohet edhe buxheti i njësive vendore, do fillojë të rritet buxheti i investimeve edhe nga qeveria qendrore për këtë sektor kaq jetik.
Edhe njëherë faleminderit për praninë!
Pyetje: A ka menduar qeveria të rishikojë çmimin e energjisë elektrike, jo çmim biznesi, por një çmim tjetër për ujësjellësit?
Borxhet e TVSH-së dhe të energjisë elektrike të mbartura nga ish komunat dhe ish ndërmarrjet e ujësjellësve, a është menduar që të rimbursohen, a të bëhet diçka nga detyrimet që kanë pasur ish komunat?
Kryeministri Rama: Kur nisi reforma e energjisë, tendenca e përgjithshme dhe nuk e kam këtu vetëm për opozitën, por edhe brenda shumicës dhe qeverisë, por dhe brenda ekipit që punonte për reformën, ishte të falim. Arsyeja pse unë isha kundër, ishte se falja sjell vazhdimësi dhe nevojë për falje tjetër, ndërkohë që koha na dha të drejtë. Ne, në proces ndërtuam qasje pas qasjeje një tërësi mekanizmash lehtësues për ata që u futën në kuadër të plotë ligjor dhe dëshmuan vullnet për të mos vazhduar avazin e vjetër. Hap pas hapi dolën paketat lehtësuese, të cilat garantuan lehtësimin e barrës së të shkuarës, por njëkohësisht vazhdimësinë në vijën e re.
Unë e di shumë mirë e kam shumë të qartë, nëse ne do thoshim, borxhet janë të juaja dhe ju do t’i paguani, çdo kryetar bashkie do çohej e do thoshte, ne nuk kemi asnjë shans të bëjmë asnjë gjë, sepse këto borxhe nuk i paguajmë dot. Nuk është kjo që po themi, është tjetër gjë. Borxhet janë pjesë e një historie që në radhë të parë duhet të ndryshojë në mentalitet. Janë aty, askush nuk ju kërkon juve që t’i paguani sot. Por vlerësimi mbi borxhin do të bëhet duke u nisur nga sot e më pas.
Nëse më pas nuk do të krijohen borxhe të reja, atëherë do ta kemi shumë më të lehtë që të studiojmë bashkërisht rrugën, sesi do të lirohemi nga borxhet e vjetra, që nuk do t’ju mbeten juve në kurriz, ama janë aty dhe i keni në kurriz për sa kohë do të tregoni që u ndamë nga e shkuara, apo do të tregoni që vazhdon njësoj si në të shkuarën. Nëse vazhdon njësoj si në të shkuarën, sigurisht që kjo nuk do të jetë e mundur. Që do të thotë se edhe në ligj, edhe në planin e reformës, ne nuk i kemi vënë të gjitha ndërmarrjet me të ardhme të parashikuar njësoj. Në këtë proces do ketë ndërmarrje që do të bëjnë sukses dhe ndërmarrje që nuk do të bëjnë sukses. Ato ndërmarrje nuk do t’i lëmë më në administrimin vendor. Do t’i marrim. Për shembull, nesër, ndërmarrja e Shkodrës mund të bëjë sukses dhe mund të kërkojë të marri ndërmarrjen e Lezhës. Pra, këto janë kompani e duhet të fillojnë të zhvillohen si kompani. Kompanitë e ujit në shumë vende, po themi, kompania e ujit në Barcelonë jep shërbime në gjithë botën, në Afrikë, në Amerikën Latine, shkon blen ujësjellës dhe administron ujësjellës.
Fillimi i punës si kompani do të sjellë në të ardhmen, jo shumë të largët, që një kompani e shëndetshme, që është çliruar nga barra e të shkuarës dhe i ka ripërtërirë plagët e të shkuarës, fare mirë mund të marrë në administrim një kompani tjetër. Kompanie a Malësisë së Madhe, p.sh., mund të marrë në administrim kompaninë e Shkodrës, ose anasjelltas, ose të dyja bashkë mund të bëjnë një kompani të re, që merr nën administrim një pjesë tjetër. Nesër, ujësjellësi i Tiranës mund të shkojë e të marrë ujësjellësin e Sarandës. Kjo është logjika.
Çështja është se ne jemi sjellë me to si ndërmarrje që janë pa zot. Financohen nga shteti, financohen nga vetja, aq sa financohen. Çfarë kemi bërë me ujësjellësit? Fut në punë njerëz. Unë e di që, nëse do flisnin kryetarët e bashkive atë që mendojnë, do thoshin që edhe vetë drejtorin, në të shumtën e herës jua ka sjellë partia, vëre këtë drejtor ujësjellësi, se ky do marrë vota. Secili nga ju si drejtues vendor ka një detyrim, të vendosi një marrëdhënie të re me këtë ndërmarrje dhe të kërkojë që kjo ndërmarrje të sillet si kompani, duke kërkuar nga çdo drejtor, në radhë të parë, që të bëjë drejtorin e kompanisë, jo drejtorin e partisë, as drejtorin e shtëpisë.
Në proces, të gjitha këto do jenë tema të vështira, por rruga do të na tregojë se kush do bëjë çfarë, në varësi nga sa do arrijë të arkëtojë. “A”-ja është të ndalojmë hemorragjinë. Sepse të gjitha ndërmarrjet kanë një hemorragji të fortë, që vjen nga vjedhja e këtij malli. Këtu fillon. Në momentin që ne sistemojmë këtë, ndalojmë hemorragjinë, atëherë do shikojmë potencialet e çdo trupi për t’u ngritur në këmbë, për të ecur, për të vrapuar, për të kërcyer, në varësi nga sa i fortë është. Sigurisht do vijë radha që ndërmarrje të caktuara do të vazhdojnë të subvencionohen, pasi nuk do të arrijnë dot, për arsye objektive, për masën e vogël, për shpenzimet relativisht të mëdha për shkak të energjisë elektrike e kështu me radhë, por ama, pasi të kenë dëshmuar që detyrën e tyre, të mos ketë një tub që jep ujë për qejf pa pagesë, ta kenë kryer.
Sa i përket energjisë elektrike, nëse ndërmarrja do ishte e shëndetshme, ju mund të bënit kontratën tuaj me furnizues privatë, siç bëjnë plot biznese dhe e kanë. Pavarësisht se çmimi i energjisë është ai që thoni, ju mund të shikoni në treg. Ka plot biznes që energjinë e marrin shumë më lirë, sepse bëjnë marrëveshje me furnizuesit privatë. Në kontekstin që ju jeni, nuk ka mundësi që ta bëni këtë gjë, sepse furnizuesi privat do të thotë që të bëhet pjesë e falimentimit, bashkë me ujësjellësin. Se do thotë po e bëj kontratën, po jap lekët dhe në fund do u thoni, shkoni kërkojani qeverisë se ne nuk kemi lekë.
Borxhi i të shkuarës është aty. Ne nuk falim borxhe, por në varësi nga sjellja financiare e çdo ndërmarrjeje do ndërtohen qasje të ndryshme. Një ndërmarrje që bën sukses mund të ketë qasje speciale për borxhin e saj, sepse tregon që borxhi nuk është rezultat i papërgjegjshmërisë, por është një barrë e trashëguar nga një politikë e tërë e papërgjegjshme shtetërore, lokale, menaxheriale etj.. Ajo që është e sigurt, është që, në rast se kompania fillon dhe jep rezultate e nuk akumulon borxh të ri, me borxhin e kësaj kompanie mund të ketë një sjellje komplet tjetër nga ana e qeverisë, sesa me borxhin e një kompanie që mund të vazhdojë të mendojë se partia do e mbajë me hatër. Asnjë hatër, zero! Nuk mund të vazhdojmë t’i kemi ujësjellësit, organizata partie. Është një mall që i duhet të gjithë qytetarëve, pavarësisht se çfarë janë nga pikëpamja politike dhe ne kemi detyrë t’ia garantojmë.