Integrimi gradual i shoqërisë civile nga vendet kandidate në BE do t’u japë atyre aftësinë për t’u bërë aq të fortë sa duhet në momentin e anëtarësimit, shkruajnë Oliver Röpke, Milojko Spajić dhe Edi Rama.
Oliver Röpke është President i Komitetit Ekonomik dhe Social Europian. Z. Milojko Spajić është Kryeministër i Malit të Zi dhe Edi Rama është Kryeministër i Shqipërisë.
Për ata që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, vitit 2023 ishte i rëndësishëm.
Ishte një vit në të cilin vrulli u rrit për herë të parë pas vitesh stanjacioni. “Plotësimi i Bashkimit tonë është thirrja historike”, tha Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Europian, në fjalimin e saj në vitin 2023 State of The Union: “Është horizonti natyror i Bashkimit Europian”.
Kishte një fije shprese në fjalët e saj për qytetarët e vendeve që presin anëtarësimin.
Në realitet, procesi i zgjerimit mund të jetë i mundimshëm dhe kërkon kohë.
Sidomos, pasi një BE e zgjeruar me 30 ose më shumë anëtarë kërkon përgatitje të plotë si nga vendet kandidate ashtu edhe nga BE.
Teksa Komisioni Europian punon për planin e tij të reformës së para-zgjerimit, që do të prezantohet përgjatë këtij muaji, mbeten disa pyetje të rëndësishme, si për shembull si do të funksionojnë institucionet e BE-së ose si do të financohet buxheti.
Por, nëse politika do të jetë e qëndrueshme ndaj së ardhmes dhe reforma do të jetë e suksesshme, anëtarët e vjetër dhe të ardhshëm do të duhet të kontribuojnë njësoj.
Për qytetarët e vendeve kandidate, durimi është testuar herë pas here. Mesazhi i Presidentes së Komisionit ishte bindës në këtë drejtim. Plotësimi i kritereve të anëtarësimit nuk do të ndodhë brenda natës, por ndërkohë, ka kaq shumë gjëra që ne mund dhe duhet të bëjmë së bashku.
Nisma e fundit nga Komiteti Ekonomik dhe Social Europian (KESE) – një organ këshillues për Bashkimin Evropian – është një rast i tillë.
Që nga sot, 15 shkurt 2024, vendet kandidate mund të dërgojnë delegatë në KESE.
Ky do të jetë forumi i parë zyrtar ku vendet kandidate do të kenë një zë. Është një shembull i shkëlqyer i integrimit gradual, të cilin KESE-ja po e përkrah.
Kandidatët e sapoemëruar për zgjerim do të mund të ndajnë ide me kolegët e tyre rreth politikave që kanë rëndësi për të gjithë, si nxitja e dialogut social dhe civil, krijimi i vendeve të punës dhe strehimit të denjë, nxitja e një industrie konkurruese apo edhe e ardhmja e bujqësisë.
Këto shkëmbime me vendet kandidate do të jenë po aq të rëndësishme për vendet anëtare të BE-së, duke ofruar një përvojë të vlefshme. Merrni parasysh Malin e Zi, i cili sanksionoi një ‘shtet ekologjik’ në kushtetutën e tij, ose reformat gjyqësore të Shqipërisë, të cilat përfshijnë verifikime të rrepta për gjyqtarët.
Ka shumë për të mësuar mbi njëri-tjetrin përpara anëtarësimit zyrtar të vendeve kandidate në BE.
Integrimi gradual fillon në rrënjë, njëlloj si ushqyerja e një fidani për t’u rritur. KESE beson se shoqëria civile e organizuar përbën rrënjët tona: punëdhënësit, sindikatat dhe organizatat e shoqërisë civile në tërësi.
Ato shpesh anashkalohen në manualin e anëtarësimit, por nuk duhet të jetë kështu.
Një shoqëri civile e gjallë dhe një dialog i fortë social janë të domosdoshëm për demokracitë funksionale.
Integrimi gradual i shoqërisë civile nga vendet kandidate në BE do t’u japë atyre aftësinë për t’u bërë aq të fortë sa duhet të jenë në kohën e anëtarësimit.
2024 do të jetë një vit ndryshimesh politike në Europë. Njerëzit do të votojnë për Parlamentin Evropian dhe për zgjedhjet kombëtare në një të tretën e vendeve anëtare të BE-së, si dhe në shumë vende kandidate.
Ata qytetarë duhet të dinë se opinionet e tyre kanë rëndësi tani më shumë se kurrë më parë. Ata gjithashtu duhet të dinë se institucionet në të cilat ata besojnë, do të punojnë për ta përtej kutisë së votimit.
Si zëri i shoqërisë civile në Bashkimin Evropian, KESE-ja përpiqet pa u lodhur për ta arritur këtë çdo ditë. Mirëpritja e vendeve kandidate është një hap pozitiv dhe logjik përpara, për demokracinë në Europë.