Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Qendra e re e Mirëmbajtjes së Rrjetit të Gazit (QM) në Fier është një investim i standardeve bashkëkohore, funksionimi i së cilës merr një rëndësi të madhe në procesin e gazifikimit të vendit. Kjo qendër është ndërtuar nga Albgaz, në zbatim të marrëveshjes së arritur me TAP-in, sipas të cilës, pala shqiptare siguron mirëmbajtjen e tubacionit dhe impianteve të gazsjellësit gjatë tërë gjatësisë së gjurmës në territorin e Shqipërisë. Kompleksi i ri është projektuar sipas standardeve dhe kritereve më bashkëkohore, duke u mbështetur në modelet industriale të SNAM (Itali), një ndër operatorët e transmetimit më të mëdhenj dhe teknologjikisht më të avancuar në Europë, si dhe një nga më të mëdhenjtë në botë.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Qendrën, ku 36 të rinj e të reja, të përzgjedhur përmes një procesi transparent në bashkëpunim me universitetin dhe të trajnuar në Shqipëri e në Itali, janë angazhuar në operimin e Qendrës.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se ka nisur puna për ndërtimin e një qendre të dytë në Korçë. “Kjo ka qenë një parcelë e një industrie të vjetër, të cilën e kemi kemi risktruturuar nga fillimi. Të njëjtën gjë po bëjmë edhe në Korçë në këto momente. Kemi patur në krah një partner shumë të rëndësishëm, me eksperiencë shumë të madhe në fushën e gazit, siç është SNAM, të cilët jo vetëm na kanë mbështetur në këtë proces, sepse janë 25% aksionerë, por na kanë ndihmuar shumë edhe me trajnimin e të gjithë punonjësve të rinj, që ne kemi marrë përmes një procesi shumë transparent që kemi bërë vitin e kaluar,” – shpjegoi ministrja Balluku.

Fillimisht aplikuan 510 kandidatë, të cilët kaluan nëpër një proces përzgjedhës transparent me 6 faza dhe në fund u përzgjodhën 36 kandidatë fitues, që iu nënshtruan më pas një trajnimi 9 mujor. “Është hera e parë që kryhet një trajnim i kësaj industrie në Shqipëri, me një kosto prej 1,3 milionë euro të financuara nga TAP-i dhe ALBGAZ. Trajnimi është bërë në fillim tek pjesa e teorisë nëpër klasa dhe më pas për një periudhë 9 mujore, të gjithë inxhinierët kanë shkuar në asetet e SNAM,” – u shpreh administratori i Albgaz, Arbër Avrami.

Ndërkohë, Qendra e dytë në Korçë do të shërbejë për pjesën e segmentit juglindor të TAP-it.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.