Qeveria shqiptare nënshkroi sot marrëveshjen zbatuese për Parkun Fotovoltaik të Karavastasë me kompaninë prestigjioze frenceze “Voltalia. Kjo marrëveshje i çel udhën kantierit më të madh në Ballkan të energjisë diellore, ku kjo kompani do të investojë 100 milionë Euro, duke nisur nga muaji shtator.
Kryeministri Edi Rama përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjes, e cila finalizon një investim të konsiderueshëm për ekonominë dhe të ardhmen e sektorit energjetik në vend.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama u shpreh:
Përshëndetje të gjithëve!
Është një ditë e shënuar në kalendarin e Shqipërisë kjo e sotmja. Përfitoj nga rasti që të gjithë atyre që na ndjekin t’u uroj dhe njëherë tjetër:
Gëzuar Kurban Bajramin!
Me kërkesën për mirëkuptim që ne e kemi thyer këtë ritual dite pushimi, por e kemi bërë pikërisht sepse na është dukur e udhës, që, e para të mos iu mohojmë miqve francezë mundësinë për të qenë të pranishëm në nivelin më të lartë të drejtimit të kësaj kompanie të madhe dhe nga ana tjetër, të bindur, që, sidoqoftë, ky është një lajm shumë i bukur për ekonominë dhe për imazhin e vendit tonë. Pasi me firmosjen e marrëveshjes së sotme në Shqipëri do fillojë nga puna një emër i madh. “Voltalia” do të na ndihmojë jo vetëm që të diversifikojmë energjinë në Shqipëri duke përdorur diellin, por edhe që të hedhim më shumë dritë mbi Shqipërinë në Francë, ku Shqipëria ende njihet pak dhe në përgjithësi nuk njihet saktë nga njerëzit, të cilët ia kanë dëgjuar emrin përgjithësisht jo për arsyet e duhura, apo më saktë jo për arsyet që ne do donim.
Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Një nga asetet më të çmuara të këtij vendi është se ka një pasuri të jashtëzakonshme në ujë dhe në diell. Pikërisht, mbi këtë pasuri të jashtëzakonshme mund të ngrihet dhe po ngrihet një sektor energjetik gjithnjë e më i forte. Falë edhe këtij investimi, të parë, tek dielli, një sektor energjetik që është jo vetëm i bazuar në masën e vet dërrmuese tek energjitë e rinovueshme po shton me këtë investim edhe energjinë diellore si një potencial i madh, që sapo nisëm ta shfrytëzojmë.
Besoj që vlen të kujtohet fjala e Thomas Edison-it, i cili thoshte shumë vite më parë, që “do të investoja te dielli dhe tek energjia diellore dhe shpresoj të mos na duhet të presim sa të mbarojnë nafta dhe qymyri para se ta zhvillojmë këtë lloj energjie”. Ka kaluar pothuaj një shekull nga kjo shprehje vizionare e njërit prej disa prej shpikjeve më të rëndësishme të njerëzimit, por këto fjalë i janë drejtuar Henry Ford-it. Për të gjithë ata që nuk e kujtojnë, Henry Ford ishte përfaqësues i lartë i botës së zhvillimit eknomik dhe të drejtuar ndaj tij thuajse një shekull më parë janë sot edhe më kuptimplota kur faktikisht bota po ndeshet me sfidën e madhe të ndryshimeve klimatike dhe me nevojën e madhe për të shtuar forcat dhe energjitë, në mënyrë që këto ndryshime klimatike dhe nevoja për energji të pastër të adresohet sa më shpejt dhe në mënyrë sa më të qëndrueshme që të jetë e mundur.
Është një lajm i gëzuar ky edhe për atë që nënvizoi ministrja, sepse vjen në një moment jashtëzakonisht tronditës për botën mbarë në aspektin jo thjesht shëndetësor, por dhe në aspektin ekonomik dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që vjen nga Franca.
Ne e kemi dëshiruar dhe dëshirojmë shumë që Franca të jetë shumë më e pranishme në Shqipëri në aspektin ekonomik dhe kjo është një nga ambiciet e shpallura të vetë Presidentit të Francës, i cili sheh te rajoni ynë një hapësirë ku Europa duhet të investohet në një sërë planesh dhe jo thjesht në planin e procesit të integrimit europian, si i tillë në vetvete.
Sipas një raporti të Komisionit Europian, Shqipëria në saj të pozitës gjeografike dhe të burimeve natyrore ka një potencial ndër më të lartët për zhvillimin dhe shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme të energjisë. Ne jemi shumë të privilegjuar, sepse zotërojmë një ndër rezervat më të mëdha hidrike në Europë në raport me gjeografinë tonë dhe jemi vendi i dytë më i pasur me ujë pas Norvegjisë. Por, nga ana tjetër, shumë studime flasin për kërcënimin e ngrohjes globale mbi burimet ujore dhe një studim i Bankës Botërore thotë se deri në vitin 2050 prurjet e lumenjve mund të pakësohen me 20%, gjë që e bën edhe më të rëndësishme dhe më të domosdoshme politikën energjetike të fokusuar tek energjia diellore.
Ne jemi të lumtur që jo vetëm kemi kompaninë “Voltalia” që është garanci e padiskutueshme në çdo aspekt, por që kompania “Voltalia” ka ardhur në Shqipëri duke ofruar një çmim që përbën një rekord në fakt krejt të papritur për ne, por edhe të papritur për shumë të tjerë që e kanë parë me vëmendje këtë ankand dhe që vazhdojnë të pyesin lidhur me këtë ankand.
Francezët janë njerëz bujarë, por nuk njihen si bamirës që nuk i bëjnë mirë llogaritë, kështu që jam i sigurt që llogaria është bërë mirë dhe ky çmim që as vetë kinezët nuk do e kishin thyer dot sepse kinezët njihen për oferta anomalisht të ulëta, përbën një arsye shumë të fortë që ne të besojmë se jo vetëm do kemi sukses, por se dhe “Voltalia” do ketë sukses dhe kështu mezi presim që të na kërkojë të shtojë kapacitetet dhe të zgjerohet më shumë në këtë vend ku duket sikur dielli ka beben e syrit, pasi faktikisht kam parë një studim mbi orët e diellit mbi rajonin tonë përfshirë edhe orët e diellit mbi Shqipërinë dhe zona ku do ndërtohet ky park i parë fotovoltaik, është zona me orët më të gjata të diellit në vit, jo vetëm në të gjithë rajonin, por edhe në Shqipëri. Pra, mjafton të spostohemi nga ajo zonë, jo shumë, dhe orët e diellit në vit, ulen.
Në fund, dua të them se më vjen mirë edhe për një arsye tjetër se me “Voltalian” që nënshkruam sot marrëveshjen do të kemi një dëshmitar francez, që do të mundë të thotë se si u gjend se si u ndje se si e kaloi procesin me “qeverinë e korruptuar” shqiptare, me qeverinë që shihet shpesh mes një dylbie tradicionale paragjykimi, që është i lidhur me vetë Shqipërinë. E besoj që edhe për “Voltalian” do të ndodhë njësoj siç ka ndodhur me TAP-in, por edhe me një sërë investimesh të tjera që kur të flasin për eksperiencën e tyre në Shqipëri do të gjenden përballë njerezve që nuk kanë për t’i besuar ato që thonë, sepse paragjykimet janë shumë të forta. Por besoj se qeveria, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë treguar në këtë proces për partnerët tanimë ekonomikë të Shqipërisë, partnerët francezë të “Voltalias”, se ‘qeveria e korruptuar’ dhe ‘Shqipëria e korruptuar’ janë stigma të ndërtuara në kohë, natyrisht jo pa arsye në 30 vite të vështira të një kalimi jo të lehtë nga një regjim jo thjeshtë diktatorial dhe komunist, por nga një regjim që e kish mbyllur Shqipërinë si asnjë vend tjetër të Europës dhe që faktikisht e kishte bërë “Korenë e Veriut” në mes të Europës, – në një sistem funksional, demokratik me institucione të forta dhe të qëndrueshme.
Sigurisht që nuk është një proces i lehtë dhe i shpejtë dhe ne kemi patjetër shumë për të bërë ende në luftën me korrupsionin, edhe në garantimin e një standardi transparence që të karakterizojë të gjitha proceset, jo thjesht proceset e mëdha si ky process me një kompani kaq të madhe dhe kaq prestigjoze.
Megjithatë, sidoqoftë ajo që unë dua t’i them këtu, drejtuesit të “Voltalias” dhe të gjithë miqve francezë, është ju lutem mos përtoni të tregoni historinë tuaj me qeverinë shqiptare, sepse kjo do të na ndihmojë shumë siç do të na ndihmojë jashtëzakonisht shumë me kompanitë franceze, dhe me kompani të tjera, fakti që tanimë, ju jeni këtu dhe që do të filloni punën këtu. Sepse, ne mund të themi fjalët më tërheqëse për Shqipërinë, ne mund të mbledhim faktet më kuptimplota për Shqipërinë, ne mund të bëjmë fushatat më impresionuese mediatike për turizmin shqiptar dhe mund të harxhojmë edhe lekë pa fund – gjë që nuk e kemi bërë, – por në fund të ditës, nëse dikush, një kompani një sipërmarrës, në Francë apo kudoqoftë në Europë, do të tërhiqej, nga fjalët, nga faktet, nga spotet televizive dhe do të thoshte “pse të mos shkoj në Shqipëri”, para se të merrte vendimin do të ngrinte telefonin dhe do të pyeste kush është në Shqipëri, cilët janë aty që ndërkohë po investojnë. E nëse përgjigja do të ishte që “aty nuk është asnjë”, atëherë sigurisht do të ishte shumë më e vështirë që ta merrje atë vendim. Kështu që, në një sens të caktuar “Voltalia” hyn tek ai grup kompanish të mëdha që unë i quaj “akullthyesit” e ndarjes me akull që karakterizon marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe botës së madhe të biznesit serioz ndërkombëtar, kur vjen puna për të investuar në Shqipëri.
Është një akull që po thyhet gjithmonë e më shumë, në mënyrë gjithmonë e më domethënëse, por ne kemi ende disa vite përpara, kur na duhet durim i madh për ta thyer përfundimisht dhe shkrirë këtë akull. Dhe për këtë arsye, unë ju falenderoj shumë!
Sigurisht, ju keni ardhur këtu për të fituar , nuk keni ardhur për të thyer akullin për ne dhe për të bërë bamirësi. Unë këtë e kam shumë të qartë. Ne do të fitojmë shumë më tepër sesa vetëm një park voltaik, sepse vendosja e flamurit të Francës, në sajë të emrit tuaj, në hartën e investimeve të huaja në Shqipëri është një vlerë shumë më e madhe në sytë e mi sesa vlera jo e vogël e mbi 100 milionë eurove që ju do të investoni.
Nuk dua ta teproj, por jam i bindur që nuk është e tepërt të falenderoj Ambasadoren, e cila në mënyrë të vazhdueshme për hir të së vërtetës ka bërë përpjekjet e veta në këtë drejtim. E di që ka patur punë të vështirë për t’i bindur kompanitë franceze që këtu nuk është një vend ku do të lenë kokën, por është një vend ku mund të bëjnë investime të suksesshme. Por edhe fakti që këtu sot është “Voltalia”, lidhet edhe me ambasadoren, e cila qysh në garën e mëparshme ka bërë të gjithë përpjekjet dhe nuk kam e patur mundësinë t’ja them sepse duhej që “Voltalia” të vinte këto ditë të firmoste marrëveshjen, – që t’i them: Shumë faleminderit!
E po ashtu të falenderoj edhe një agjent francez në Shqipëri, i cili është më shqiptari ndër francezët dhe më francezi ndër shqiptarët, Julien Roche.
Nuk diskutohet që ai vazhdon punon për Francën, por jam i sigurt se ai asnjëherë nuk e harron punën për Shqipërinë. E për këtë arsye, i jam shumë mirënjohës dhe Julien-it, i cili në mënyrë thuaje heroike i ka rezistuar tundimeve në momente të vështira në vendin tonë, sidomos në vitin ‘97, për t’u larguar nga Shqipëria.
Julien-i është një simbol në fakt për të gjithë shqiptarët, që nuk e humbasin durimin me këtë vend, që kush nuk e humbet durimin dhe beson tek puna e tij, këtu, patjetër që bën sukses.
Shumë faleminderit të gjithëve!