Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti u takuan sot, me fermerë dhe investues të Malësisë së Madhe dhe të qarkut Shkodër, nga ku nisi edhe procesi i aplikimit të  skemave mbështetëse në bujqësi, me dorëzimin  dhe firmosjen e kontratave të para të investimit në bujqësi.

Kontratat fituese janë të përzgjedhur pas aplikimeve të vetë fermerëve dhe investuesve, të bëra në Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.

“Sot, ne fillojmë dorëzimin e kontratave të para për 60 investimet e para në bujqësi, që do të bëhen gjatë këtij viti, si investime në zinxhirin e vlerës së shtuar. Çka do të thotë se duke rritur fondin, për të nxitur zhvillimin e bujqësisë, me rreth 70 %, krahasuar me një vit më parë, ne kemi ndaluar njëherë e mirë shpërndarjen e këtij fondi kuturu, lartë e poshtë nëpër Shqipëri, pa kritere dhe pa asnjë karar dhe i jemi drejtuar njerëzve të tokës, duke pritur prej tyre, prej jush dhe shumë të tjerëve si ju, që të aplikojnë për këto projekte që janë bazë nisje për të krijuar një zinxhir vlerash, duke bërë të mundur që nga një investim fillestar të kalohet në rritje të vazhdueshme të punësimit, në rritje të vazhdueshme të përfitimit dhe në rritje të vazhdueshme të eksporteve,” – u shpreh Kryeministri.

Drejtoresha e AZHBR-së Suela Popa theksoi se skema e investimeve ka si fokus kryesor infrastrukturën bashkëkohore që do të mundësojë rritjen e investimeve, eksporteve dhe përafrimin e standardeve dhe kërkesave me tregun e përbashkët evropian.

“Skema e investimeve ka si fokus kryesor, sigurisht, ngritjen e pikave të grumbullimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale; linjat e standardizimit, në mënyrë që produkti vendas të mos të përcillet në eksporte si lëndë e parë, por të japim mundësinë të rrisim vlerën e shtuar dhe mbi të gjitha të ardhurat financiare në vend,” – tha Popa.

Më tej, në bashkëbisedimin që pati Kryeministri Rama dhe Ministri Panariti me fermerët, theksi u vu tek sfidat e ardhshme në bujqësi, rajonalizimi i kulturave, ruajtja e kulturave autoktone dhe investimet për të kaluar në cikël të mbyllur të prodhimit.

Kryeministri i kërkoi t’i kushtohet rëndësi rajonalizimit si një koncept i ri mbi të cilin duhet të ndërtohet një hartë e re e zhvillimit bujqësor.

“Për ne është shumë e rëndësishme që duke u nisur nga tradita e zonave, duke u nisur nga eksperiencat e gjeneratave në çdo zonë dhe duke u nisur, sigurisht, edhe nga potenciali i zhvillimit të një zone, ne të ndërtojmë një hartë të re të zhvillimit bujqësor, bazuar tek rajonalizimi. E, të dihet nga të gjithë, që pa detyruar askënd, sigurisht, që nëse do të drejtohen për të marrë mbështetje nga qeveria për një projekt në këtë zonë, qeveria financon këtë kulturë dhe financon këtë lloj zhvillimi. Kështu, ne do të bëjmë të mundur që jo vetëm të garantojmë që paratë që qeveria shpenzon për mbështetjen e fermerëve të mos shkojnë kot, përkundrazi, nga një qindarkë të gjenerohen shumë qindarka të tjera, falë vlerës së projekteve dhe cilësisë së kësaj politike të re, por të garantojmë edhe vijueshmërinë, gjeneratë pas gjenerate të një eksperience që do t’i kthejë gjeneratat e tjera në, realisht, gjenerata të pasura me një dije të thellë për zonën dhe për kulturat e kultivuara në zonë,” – u shpreh Kryeministri.

Për Ministrin Panariti, edhe pse ky ka qenë një vit i vështirë financiar, investimet për bujqësinë janë 60% më të larta se një vit më parë, por se objektivat janë shumë më ambiciozë.

“Siç patëm premtuar, ne prioritet dhe përparësi i dhamë skemave të investimeve, sepse këto janë skema gjithëpërfshirëse, ku përfitojnë të gjithë. Përfiton prodhuesi, agro-përpunuesi, transportuesi dhe krijohet një zinxhir i mirëfilltë i vlerave. Ne duhet të punojmë për rajonalizimin e kulturave. Filozofia jonë e re e mbështetjes është e bazuar kryesisht tek investimet, tek krijimi i zinxhirit të vlerave, sepse këto gjenerojnë më tepër të ardhura, rrisin potencialet e eksportit,  për rrjedhojë edhe të ardhurat për ekonominë kombëtare dhe për familjet tuaja,”- u shpreh Ministri Panariti.

Një ndër përfituesit e skemës është kompania “AgroAlesio”, një bashkim i disa rinjve shqiptarë që kanë ndërmarrë një nismë sfiduese, për të investuar në bujqësi. Teksa i dorëzoi kontratën, Kryeministri Rama theksoi se qeveria e mbështet me entuziazëm këtë nismë, edhe si një model për të rinjtë, për ta parë fshatin dhe tokën si një mundësi e madhe pune dhe mirëqenie.

“Ne e mbështesim me shumë entuziazëm këtë nismë, se duam ta kthejmë në një model për shumë vajza e djem, që duhet të shohin në fshat një mundësi të madhe për të jetuar mirë dhe e thënë copë; për të bërë lekë. Për të bërë lekë nëpërmjet punës dhe prodhimit. Fermerë të varfër në Europë nuk ka, nuk ekzistojnë. Familje në fshat, të varfra, në Europë nuk ka, nuk ekzistojnë, sepse fshati është pasuri, toka është pasuri. Por, sigurisht, siç e dinë shumë këtu, është një pasuri që nuk i nxjerr lekët vetë, duhet përpunuar që të nxjerrë lekë. Prandaj, kësaj nisme, ne i japim një mbështetje entuziaste,” – u shpreh Kryeministri, ndërsa i uroi sukses, gjithë atyre që përfituan nga skemat dhe inkurajuar të tjerët që të aplikojnë për të përfituar nga ky fond, por mbi bazë të projekteve të suksesshme të mundësohet edhe thithja e sa më shumëve fondeve nga BE.

“Ne shpresojmë shumë që gjenerimi i këtyre investimeve do të jetë një faktor shumë i rëndësishëm rritjeje për bujqësinë, për punësimin dhe eksportin, sigurisht edhe për mirëqenien. Ju falenderoj për mikpritjen dhe më vjen mirë që po bëjmë realitet zotimet që kemi marrë. Po shkojmë vazhdimisht, për t’i takuar njerëzit e punës aty ku punojnë dhe për t’i mbështetur qoftë në industri, qoftë në bujqësi, qoftë edhe në fusha të tjera, në mënyrë që sëbashku të bëjmë realitet shumë gjëra që janë lehtësisht të mundura, por që shumë vite janë bërë të pamundura, për shkak se nuk ka pasur një qeveri që të ketë menduar për njerëzit e zakonshëm, që të ketë menduar për zhvillimin kombëtar, që të ketë menduar për interesat e përbashkëta. Sot e ka këtë qeveri dhe me ndihmën tuaj, ne, besoj, do jemi gjithmonë të vetëdijshëm se cilat janë detyrat tona. Më lejoni t’ju them ju dhe nëpërmjet jush, atyre më Malësinë e Madhe, në Shkodër dhe në Lezhë, që na besuan në 23 qershor, që në 300 ditë kemi bërë jo pak, po më besoni që kjo është në radhë të parë merita e gjithkujt që vendosi e investoi me votën e vet tek ne. Sinqerisht, unë ju them faleminderit gjithë atyre që na e dhanë votën. Gjithë atyre që s’na e dhanë, u them mos u mërzisni, ne do t’ju bindim që të na e jepni herës tjetër,” – u shpreh Kryeministri, duke garantuar se “Shkodra si qark do të marrë financimin më të madh për bujqësinë dhe blegtorinë, në rang kombëtar. Kështu që demokratëve të Shkodrës po ju vjen mbështetja andej nga se prisnin.

***

Gjatë vizitës në Malësinë e Madhe, Kryeministri Rama dhe Ministri Panariti vizituan edhe fidanishten e kultivimit të sherbelës, një ndër bimët medicinale shqiptare më të kërkuara në tregun e jashtëm, kultivuesi i të cilës është një tjetër aplikues i suksesshëm dhe përfitues i fondit të mbështetjes. Kultivuesi tha se sherbela shqiptare përfaqëson një farë autoktone dhe kërkohet gjithnjë e më shumë, për mënyrën e tradicionale të kultivimit dhe të tipareve të saj cilësisht më të larta, krahasuar me varietet e huaja.

“80% e këtij produkti shkon në Amerikë. Këtu bëhet fjalë për fidanët më të mirë në botë. Tani po kap sipërfaqet më të mëdha të Malësisë së Madhe dhe më tej në Shqipëri,” – u shpreh kultivuesi. Ambiciet e tij flasin për një shtrirje të plantacionit deri në 4 mijë hektarë këtë vjeshtë, krijimin e një marke shqiptare dhe zgjerimin e hartës së vendeve për eksportin e saj.

“Ne po përgatisim një varietet të ri dhe synojmë që brenda dy vjetësh ta regjistrojmë, ta fusim në katalogun shqiptar. Perspektiva e punës janë shumë të mëdha dhe grupi synon që në të ardhmen të krijojë një produkt me markë shqiptare, që të konkurrojë në treg,” – tha kultivuesi.

Edhe Ministri Panariti e vuri theksin në ruajtjen e farave autoktone, si një avantazh krahasues në treg, duke e shoqëruar këtë avantazh në cilësi me investimin në të gjithë ciklin e prodhimit, që nga pikat e grumbullimit deri të paketimi, çka i jep produktit, vlerë të shtuar në treg.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.