I dashur Myslym [Murrizi], kur po shihja që po flisje për popullin, i prekur siç jam nga e gjithë kjo dashuri e beftë për Teatrin që ka shpërthyer në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë, papritur fytyra jote mu zëvendësua me fytyrën e Sandër Prosit që thoshte në një rol të tij, “eh, sa gjëra thuhen në emrin tënd o popull”.
E meqë kështu erdhi kjo punë dhe Shqipëria, papritur u kthye në arenën ku përplasen bijtë e Shekspirit me një regjim të imagjinuar në filxhanin e ledit Makbeth e duke qenë se ndërkohë jemi edhe në një kohë, kur përballemi me një sëmundje ngjitëse, po ju kujtoj fjalët e Shekspirit, juve këtu dhe të gjithë atyre që kanë zgjedhur të përfshihen jo për një plan politik, por për një lëndim shpirtëror:
“Budallallëku dhe mençuria ngjiten kollaj, njësoj si sëmundjet infektive. Prandaj zgjidhni me kujdes ata që dëgjoni”, – thotë Shekspiri.
Meqë teatrin e politikës, sot e ka pushtuar politika për teatrin, atëherë më lejoni t’ju them se ky është një lajm shumë i mirë në këtë moment kur, nëse nuk do të kishim bërë të gjitha gjërat e duhura, do të ishim këtu, ose mund të mos takoheshim dot fare këtu, por mund të përjetonim një hall të madh duke numëruar humbjet e jetës, plagët e rënda dhe kolapsin e sistemit tonë shëndetësor në kushtet e një përballjeje që shumë shtete shumë më të fuqishme, shumë më të ditura, shumë më të zhvilluara se ne e humbën.
Jeta më ka çuar dikur, pa dashjen time, pranë një njeriu të zemrës në një spital amerikan në Masacusets. Kur kam hyrë në atë spital dhe kam parë se çfarë ndodhte, kam menduar që kjo këtu është dora e Zotit, se s’ka mundësi dhe përpara syve të mi kam parë atë qenie për të cilën do jepja jetën time të kthehej nga koma. E sot, në atë vend ku gjendet ai spital numërohen deri tani 6 mijë të vdekur, me vetëm dyfishin e popullsisë së Shqipërisë.
Si çdo sukses, edhe ky sukses ka koston e vet dhe kostoja e këtij suksesi është pikërisht rritja e përditshme e numrit të atyre që thonë “kjo ishte lojë”, rritja e përditshme e numrit të atyre që përqeshin, që tallen dhe të atyre që tek gjithë ajo që bëmë, shohin fytyrën e vërtetë të diktaturës dhe të diktatorit që mbylli shqiptarët sepse i do brenda, që krijoi një zinxhir autorizimesh e lejesh e që i detyroi me pahir të hynin në botën digjitale e të vuanin padrejtësisht internimin në kolltuqet e tyre para ekraneve të televizorit, të vuanin padrejtësisht sakrificat e mëdha të një lufte të përgjakshme në krevat, duke fjetur pa nevojën për të shkuar në punë. E kështu me radhë.
Kjo është kostoja e suksesit!
Përderisa ne ia dolëm, natyrisht që shumëkush, duke bërë zgjedhjen e gabuar dhe duke mos dëgjuar këshillën e Shekspirit që të zgjedhë ata që dëgjon, të bjerë pre e zinxhirit të infektimit të budallallëkut që kalon gojë më vesh e vesh më gojë.
Brenda majit, Shqipëria do të jetë e hapur tërësisht. Kufijtë e Shqipërisë do të jenë të hapur dhe ne do të përgatitemi për sezonin turistik. Natyrisht, jo duke iu kërkuar atyre që bëjnë zgjedhjen e gabuar, duke i kthyer shpinën të madhit Shekspir, ndërkohë që i kanë sytë të ngulur te Teatri, pro duke u përgatitur ne vetë, që në rast se do të vijë një valë tjetër, që do të jetë më e rëndë, po jua them sot, sesa ajo që kaluam, edhe për ne, edhe sikur të përsërisim të njëjtat gjëra, sidoqoftë ta përballojmë përsëri me atë dinjitet dhe me atë seriozitet që e përballuam, duke vendosur Shqipërinë në atë grup shumë të vogël vendesh që sot shihen me admirim për rezultatin e arritur.
Jam shumë krenar që shumë kolegë të mi, – jo më larg se mbrëmë, Presidenti i Republikës së Turqisë, – më kanë shprehur këtë admirim për çka ka bërë shteti shqiptar dhe për çfarë rezultatesh janë krahas emrit të Shqipërisë në tabelën e përgjithshme. Por është sigurisht diçka mashtrim, siç sapo e konfirmuan mustaqet e nostalgjisë, sepse, kur njeriu e kalon të keqen, është i prirur ta harrojë shpejt, ndërsa, kur përgatitet për t’u përballur me të keqen dhe e mund atë me lehtësi, ka prirjen e gabuar të mendojë se e keqja që kishte përballë nuk ia vlente mundimin që u bë.
Sidoqoftë kjo është histori. Ka kaluar një fazë dhe unë jam i bindur se në të gjitha rastet kur të kujtohet kjo kohë, të gjithë ata që zgjedhin të dëgjojnë njerëzit e duhur, zgjedhin të lexojnë fjalët e duhura, zgjedhin të arsyetojnë në rrugën e duhur, do të respektojnë çka ne bëmë.
Sigurisht do të hapemi, por jo si tek Teatri, ku papritur u turr turma si sheshi te përsheshi. Turma e përgatitur prej shumë kohësh, që e kishte hipotekuar prej 2 vitesh e gjysmë atë godinë si kështjellën prej ku do të organizonte sulmin final, vendimtar mbi dhe, mbi regjimin. Mirëpo çdo njeri ka një dobësi dhe dobësitë njerëzore dalin me shpirtin. E kur dobësia është që mbi të gjitha vjen gjumi dhe kapesh në gjumë, teksa je duke ëndërruar se tanimë kë triumfuar dhe hap sytë dhe sheh që kalaja ka rënë, ka shumë dhimbje, ka dëshpërim.
Është një dëshpërim i pangushëllueshëm, sepse ngushëllohet dëshpërimi i atij dhe i atyre që humbin një betejë, kur kanë përcaktuar rrugën dhe objektin. Por nuk ngushëllohet dëshpërimi i atyre që kanë zgjedhur një betejë në rrugën e gabuar, me objektin e gabuar. Nuk po shtoj edhe me kundërshtarët e gabuar. Habitem si nuk na kanë njohur akoma dhe habitem si nuk na njihni akoma. Habitem si nuk doni të kuptoni se ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi.
Dikush më çoi mesazh e me tha, mirë nuk u lodhe, po si nuk u mërzite 21 vjet dhe nuk iu ndave derisa e prishe. E pra, përgjigja është shumë e thjeshtë; Unë nuk kam ardhur dhe as nuk rri në politikë për të kap ça të kap. Unë kam ardhur dhe rri në politikë për të bërë sukses dhe për të luftuar për bindjet e mira. Nuk jam shumë i zoti për konsensus dhe nuk më vjen zor për këtë, sepse unë jam i politikës së bindjeve dhe i luftës për bindjet.
Ndërkohë që, duke u kthyer tek dhimbjet e lëndimet, ia vlen të vazhdohet të flitet sepse shumëkush, pafajësisht, që s’ka lidhje fare drejtpërdrejtë as me ata që humbën kështjellën e hipotekuar dhe të zënë me forcë prej 2 vitesh e gjysmë, por as me vetë Teatrin, thotë “pse i bini një godine të vjetër, bota nuk i prish godinat e vjetra, i ruan”. Atëherë kërkon shpjegim.
Së pari; Kam një pyetje për të gjithë ju këtu dhe për të gjithë ata që janë të shqetësuar. A e dini se ai projekti që ka qarkulluar tinëzisht, në formën e një vizatimi poetik të arkitektit italian dhe që është shitur edhe në media dhe në zyrat e huaja si vepra e prishur, nuk është realizuar kurrë? A e dini ju që autori nuk e ka njohur kurrë pjellën e vet si të tijën?
Sepse ai projekt filloi për të qenë ai që duket në vizatimet e arkitektit italian, por nuk vazhdoi. Erdhi lufta dhe tironsit me pus e me carac e me mustaqe hijerënda, që flasin në emër të asaj kohe, a e dinë që në parqet e Tiranës, në kopshtet e Tiranës u mboll grurë në atë kohë?
Çfarë lidhje ka, do thoni ju, mbjellja e grurit me godinën e Teatrit?
Ka shumë lidhje, sepse në atë kohë, rendi autarkik që u vendos nga regjimi që na i la veprat dhe plagët në këtë vend, shkurtoi në mënyrë drastike fondet për t’ia kaluar luftës dhe thjeshtoi drastikisht, pa pjesëmarrjen dhe as lejen e autorëve, të gjithë projektet e godinave që kishin nisur të ndërtoheshin dhe faktikisht, godina e Teatrit Kombëtar nuk është fëmija i ligjshëm i autorit italian, por është fëmija bastard i një marrëdhënieje mes autorit dhe autores që ishte lufta fashiste, që duhej ushqyer me para dhe me grurin e mbjellë në parqet e në kopshtet e Tiranës.
Ishte vepër e mbretërisë, po, e vërtetë, u nis, por u ndërpre nga lufta dhe vepra për këtë arsye, kurrë nuk u konsiderua as nga regjimi i vjetër, as nga të gjitha ekspertizat e mëpasme, si një vepër e denjë për t’u futur në Listën e Monumenteve të Kulturës Shqiptare. Nuk ka në asnjë dokument, një rresht ku të figurojë se kemi të bëjmë me një monument kulture. Pra, atë vepër, askush nuk e ka hequr nga Lista e Monumenteve, sepse askush nuk e ka vënë në Listën e Monumenteve.
Nga ana tjetër mua më vjen jashtëzakonisht mirë që, sidoqoftë, prapëseprapë, kur bëhet fjalë për të më luftuar, për të më kundërshtuar, futen elementë si ngjyrat, teatri, bëhet kultura debat, çka as nuk ka qenë më parë, asnjëherë dhe as do jetë më pas. Këtu kemi qenë, këtu keni qenë e këtu kanë qenë të gjithë, kur qeveria e atyre që sot kanë rënë si Faja nga fiku dhe tani iu është këputur dhe llastiku, ishte angazhuar për ta ndërtuar Teatrin e ri Kombëtar tek Piramida. Si kryetar bashkie kam pritur në zyrë një dërgatë të një investitori të njohur shqiptar, miqësor deri në vëllazëri me familjen e Kryeministrit të kohës, por unë nuk e kam zakon të përdor kurrë emra njerëzish, biznesmenësh, sepse unë nuk jam rrugaç. Vetëm rrugaçët e përdorin foltoren, mikrofonin dhe fjalën që e kanë marrë si porosi nga populli, për të sulmuar njerëz me emër e me mbiemër, të cilët janë në punën e tyre si biznesmenë apo qytetarë të këtij vendi.
E pra, ky investitor, sëbashku me një grup të njohur gjerman kanë ardhur në zyrën time si kryetar bashkie dhe më kanë paraqitur projektin e Plaza Shopping në truallin e Teatrit Kombëtar, sepse duhej që bashkia ta mbështeste. Projekti ishte i bukur. Ishte një shesh me dyqane, bare, restorante, aty ku sot është pishina, kështu quhet, por ajo pishinë në mes të Teatrit, thjesht ka shërbyer për bretkosat që për një kohë të gjatë, në kohë të ndryshme, ishin të vetmet spektatorë e për të larë makinat e aktorëve me ujë çezme. Aty kthehej në shesh dhe në formatin e godinave bëheshin 2-3 kate dhe ishte i bukur. I thashë shumë i bukur projekti, por këtu do ndërtohet Teatri i ri Kombëtar.
Teatri i ri Kombëtar do bëhet tek Piramida, thanë.
Teatri tek Piramida mund të bëhet, u thashë, e dyshoj shumë, sepse Teatri nuk është plateja. Teatri është skena dhe teatri që duket është shpeshherë gjysma e teatrit që nuk duket, që është gjithçka ka mbrapa, për të garantuar gjithë suportin teknik dhe logjistik për atë që ne shohim dhe Piramida nuk e ka këtë mundësi, megjithatë i thashë, kjo nuk bëhet. Mirëpo e bukura është se nuk u bë as Teatri tek Piramida, për të cilin nuk u harxhuan miliona imagjinare eurosh, si milionat imagjinare të eurove që ledi Makbeth sheh në filxhanin e saj. Dikur i shihet për veten dhe tash i shesh të shumëfishuara nga sekëlldia se të tjerët janë si ajo e bëjnë si ajo dhe po ia marrin të gjitha dhe kur ajo të vijë bashkë me Hamletin, të jesh, a të mos jesh, në pushtetin e popullit, nuk do ketë mbetur më asgjë. 6 milionë euro të investuara tek Piramida dhe natyrisht, të investuara pa problem e pa zhurmë, sepse bijtë e Shekspirit dhe kurtizanet e komedive franceze në atë kohë kishin punë të tjera më të rëndësishme, nuk kishin kohë të merreshin me Teatrin.
Rezultati; I vunë ca shkallë hekuri nga brenda e ndërkohë, si për çudi u zhvesh Piramida. Të gjitha pllakat e mermerit u morën gjatë ndërtimit. Kanë shkuar për shtëpitë e dyta në brigjet e ngrohta të Adriatikut pranë qytetit, apo kanë shkuar në kodrat e diellit e të hënës për tualetet e reja të elitës teatrale të Shqipërisë, unë këtë nuk e di. Mbase kanë shkuar edhe për pllaka përkujtimore, nga ato të kthesave ku shkruhet këtu cilit i preu rrugën e jetës pabesia. I keni parë ato lapidarët që ishin dikur nëpër rrugë, i kemi hequr në heshtje, sepse ishte i vetmi vend ku rrugëve gjeje lapidarë dhe të huajt kujtonin se buzë rrugëve, ne kemi zhvilluar luftën e dytë botërore. Ka pasur të huaj që ndalonin, ose faleshin, ose respektonin ndërkohë që aty ishte vrarë Xoni nga ca shokë që e prenë në besë, ose ishte vrarë Gazi se i kishte dhënë më shumë gaz sa duhet makinës së tij dhe ia kishte lënë puthjes së pemës me turirin e makinës, jetën e vetë.
E pra, ky është një moment fantastik për ta përsëritur Shekspirin për gjithë njerëzit. Budallëku dhe mençuria janë sëmundje ngjitëse që të kapin shumë shpejt, prandaj zgjidh njerëzit që dëgjon o njeri dhe kur i dëgjon, se njihemi, dihemi, mos mendo llafet që thuhen për ta, por pyet veten, çfarë kanë bërë këta? E këtu vjen protesta e vërtetë e komunitetit teatror kundër projektit të ri të teatrit. Kush ishte protesta e vërtetë?
Protesta e vërtetë ishte ajo që mblodhi aty, të gjithë bashkë e kur çdokush merrte mikrofonin e shfaqej në kamera, nuk kishte poshtë një sigël, apo një fashë lajmesh të shpejta, – banderolë thotë dikush, banderolë digjitale – dhe shkruajnë; Artistët. Dhe aty del një portret që ti thua ku e kam parë, çfarë ushqimi shpirtëror kam marrë nga ky njeri e ndërkohë, ai gjatë fjalës futet në librat e shtëpive tona, sepse është artist.
Ata që dilnin poshtë tek banderola dixhitale kishin emrin e tyre. Robert Ndrenika, jam kundër. Leka Bumbo, jam kundër. Pëllumb Kulla, jam kundër, Gëzim Kame, jam kundër, Viktor Zhusti, jam kundër. Altin Basha, jam kundër. E të tjerë e të tjerë.
E ti nuk kishe nevojë fare të lexoje emrin, sepse ty, fytyra që thoshte jam kundër të thoshte këtu ka një problem, si ka mundësi që kjo qeveri do të bëjë një projekt për shtëpinë e re të këtyre njerëzve dhe këta njerëz janë kundër!
Ku janë këta sot?
Ata janë që të gjithë në pritje të ndërtimit të teatrit të ri.
I madhi Kadri Roshi, që sot na sheh nga lart e ju sheh juve dhe ata dhe thotë, a more qenër, me mjekrën e me mustaqet e veta, e nuk ka gojë të flasë sot, por vetëm ju nënqesh me ato sytë e tij që shpojnë ajrin me mijëra kilometra, e ka lënë amanet ndërtimin e një teatri të ri, me fjalët e veta.
Naim Frashëri i madh, – ju e dini për atë që ka bërë Bagëti e Bujqësi, se nuk e dini që ka pasur edhe një Naim tjetër e kur them ju, nuk e kam thjesht me ju që jeni këtu, se ju nuk e dini e nuk e dini, e kam me ata që nuk janë këtu e nuk e dinë, është fakt që u sëmur dhe humbi jetën në atë skenë si rezultat i ftohmës që nuk e ndali dot që të vazhdonte e të rrinte atje dhe e thonë të gjithë.
Këta njerëz, shkruan vetë, publikisht, një peticion ku me nënqeshjen… E ju që sillni zërin nga sheshi, me “i ke dhënë para”, pra, në këtë vend blihet gjithsekush, sado që ke dhënë për këtë vend, në këtë vend korruptohet gjithsekush, edhe nëse quhet Robert Ndrenika, por vetëm Luli dhe Monika janë aty për të na luftuar të gjithëve e për ta pastruar Shqipërinë nga korrupsioni, sëbashku me dramaturgun plak dhe me komedianin në zyrën e Presidencës. Këta janë ata të vërtetët. Këta janë ata që duan t’ju shpëtojnë o popull, nga ne, gjakpirësit, kriminelët, mafiozët, njerëzit e sarajeve.
Të kesh një shtëpi që e ndërton vetë, se kështu ta ka qejfi, me një formë që nuk është si të tjerat, në një katund, të jesh i rrethuar nga të tjerë komshinj me shtëpi me dy, tre e me katër kate, je në sarajet e krimit, kurse të shplash Teatrin nga lartë poshtë e nga poshtë lartë, sa në breg e sa në kodër, sa në qytet, në shtëpi që nuk numërohen, je në barrikadën e rezistencës, e qëndresës, e një lufte finale, e revolucionit. Prandaj është shumë e thjeshtë.
E prandaj është shumë e thjeshtë, njerëz Shikojini dhe thoni, ky që flet, kush është?!
Dakord, teatrin e duan, nuk mund të them. Larg qoftë të mendoj unë që plaku dixhital që mbush me banderolën e tij dixhitale të gjithë rrjetin nuk e do teatrin! Ai është një dramaturg i lindur.
Larg qoftë të them unë që nuk e do Lulzim Basha, teatrin. Ai është një artist i lindur, një aktor që i është huazuar politikës, për t’i dhënë asaj shpirtin shekspirian.
Të them unë që nuk do teatrin, Ilir Meta?! Si mund ta them unë këtë?! Ai është gati të vendosë ballin e tij mbi Kushtetutën dhe të bëhet njësh me atë shqiponjën që është në atë kopertinën e Kushtetutës dhe të shfaqet pa pritur dhe pakujtuar në një mal të lartë, duke u parashutuar me Ҫim Peken si çantë në krahë, për të na u turrur dhe për të na ngrënë mëlçinë të gjithëve.
Pse?!
Për teatrin patjetër, për Shekspirin, për Molierin, patjetër dhe për Volterin, por Volteri është i Monikës. Monika është me Volterin. Lëre pastaj një Budinë e madhe dhe një Budinë e vogël, aktorë që, pasi mbajnë fjalimin, turren të përqafojnë artistin, Lulin. Këta janë të pavarur. Këta vijnë në emer të shoqërisë. Këta janë qytetaria e ngritur kundër diktaturës. Këta duan të shembin regjimin. Mbajnë fjalimin dhe për herë të parë, është e vërtetë, kanë emocion, se po i sheh Luli. Budina i madh; Unë jam nënshtetas italian. Unë nuk e njoh si nënshtetas italian. E njoh si autor rolesh në filma të realizmit socialist. Role dytësore përgjithësisht, se ishte njeri i mirë dhe ishte shumë komunist. Në të drejtën e tij, komunist ishte dhe Saliu. Por në fakt, të gjithë këta nuk ishin socialistë. Këta bënin teatër në atë kohë, që të shfaqeshin pastaj si shpëtimtarët e Shqipërisë nga komunizmi. Këta ishin të infiltruar. Ishin futur në Partinë e Punës si diversantë dhe falë aftësisë së tyre aktoriale, ata kërkonin skenën. Nuk kishin skenë në atë kohë. Ajo ishte skena. Njëri merrte një rol andej, që thoshte “eh, shoku filan gabova, por të gjithë gabojnë”. Dhe shoku filan i thoshte “këto nuk janë gabimet e një kuadri në rritje, por të një njeriu në rënie”. Dhe ai mendonte me vete, sa të ngrihemi të gjithë, t’ju shporrim ju komunistëve, unë s’kam çfarë të bëj. Do të jem këtu, do të vazhdoj të bie si njeri, nuk do të rritem si kuadër, deri sa të vijë koha jonë. Por ama, koha jonë dhe e Nikoll Lesit të dytë, se i pari ishte një figurant i vogël tek gazeta e Lezhës, shkruante për rininë, por edhe ai shikonte këta dhe thoshte o Zot, po vjen dita e Shekspirit .
Këto janë të vërteta dhe vlejnë për t’u thënë njerëzve, shihini kush janë këta artistë, çfarë na kanë dhënë neve. E shyqyr që nuk qe nevoja ta kthenim dhe atë sallë në spital, se aty mund të kishim përballuar koronën, ose pacientëve do ja kishte ngrënë veshin miu. Se ngrënia e veshit atje, vjen edhe si rezultat i bashkimit të minjve në revoltë. Ku kishte për minjtë e Tiranës më mirë se ajo godinë? Në cilin vend në botë, miu ishte njësoj si Artisti i Popullit? Artisti i popullit recitonte, luante dramën e madhe të shoqërisë, miu lëvizte në këmbët e tij dhe i bënte karshillëk figurantëve të tjerë të kopesë së minjve që ishin në vrimat e tjera, poshtë këmbëve të spektatorëve. E ose do i hanin veshin ndonjë pacienti minjtë, ose do t’i kapte ftoma nga nxehtësia. Imagjinoni gjithë këtë nxehtësi që na pushtoi javën e fundit, sikur aty të ishte një pavijon dhe aty të kishim pacientë, çfarë do të ndodhte?
Ne sidoqoftë nuk do ta bënin këtë, se për dy vjet e gjysmë, ajo nuk ishte godina e shtetit. Ajo ishte institucioni i shtetit i zaptuar nga këta që u përgatitën nga Partia e Punës. Ja hodhën Partisë së Punës, por Partia e Punës i përgatiti këta dhe prisnin ditën finale. Këtë e di Myslymi, prandaj nuk shkon atje. Myslymi ka një të mirë, nuk i duron ata të asaj kohe, ka një të mirë që thotë unë linda mbrapa, megjithëse e ka në certifikatë që ka lind përpara. Është e drejtë. Njeriu e thotë mamaja më lindi në kohën e komunizmit, unë u bëra pionier, por unë në fakt vendosa të lind në vitin 1990 tek sheshi “Demokracia” me Saliun dhe me shokët e tjerë.
Mund të vazhdoj të flas se janë 21 vjet që pres momentin kur do të pastrohet ajo fushë, jo për të sjellë Fushën, kompaninë, por për të ndërtuar Teatrin e ri Kombëtar, që do të jetë një teatër i denjë, në radhë të parë, për ata shumë pak njerëz që shkojnë në teatër dhe që duhet të shtohen. Po të shohësh sa bileta shiten për teatër në Republikën e Shqipërisë dhe sa prej tyre i blejnë të njëjtët njerëz, thua me vete, si ka mundësi, aty e kishin teatrin, pse nuk e mbushnin dhe pse nuk ra ky teatër nga dalldia e protestuesve që të hynin dhe të shihnin Desdemonën! Të paktën Desdemonën.
Teatri i ri do të ndërtohet aty.
Kam dhe një lajm tjetër, por nuk do t’jua jap të plotë, se sot do të jem i pandehur tek Sokol Balla, bashkë me viktimat e dhunës policore, që mezi po pres t’i kem përballë. Me gazetarët mbi të cilët, policia ushtroi një dhunë të përbindshme. Jam i pandehur, do të shkoj tek ata. Por gjysma e lajmit është se meqë godina e arkitektit italian nuk u ndërtua kurë dhe meqë ka njerëz – jo këta, se këta as duan ta dinë fare për godinën, – të cilët më kanë bërë të reflektoj në këtë situatë për një mangësi, për një boshllëk, për një mungesë, quajeni çfarë të doni, apo për një lëndim që mbase ka ardhur nga ajo që e ke gjithmonë përpara një gjë dhe nuk ja hedh sytë. Kur të thonë u hodh nga kati i tretë ajo goca, ti thua mos, si iku. Ne do ta marrim projektin origjinal mota mo dhe do t’jua rikthejmë jo aleancës për politikën me teatrin, jo artistëve politikanë dhe politikanëve artistë, që janë mbledhur atje, por fëmijëve, si pjesë e një programi më të madh e përputhen gjërat dhe do ta kemi mes nesh, jo aty dhe jo teatër. Për më shumë do ta shikoni, do e shpjegojmë dhe atëherë do të shihni pelegrinazhin që do të bëhet për të shkuar tek ajo godinë. E tek ajo godinë do të shkojnë vetëm fëmijët, mësuesit e tyre për t’ju mësuar atyre vizatimin, muzikën, aktrimin, poezinë, për konkurset e fëmijëve dhe për t’ju treguar ç’ka qenë Tirana dikur. Mbase edhe ndonjë nostalgjik. Por, mbase, këta që mërziten, kur të marrin vesh se ajo është diku tjetër, nuk do të shkojnë, o thonë boll u morëm ne me atë.
Kështu do të ndodhë!
Por mendoj që ia vlen dhe do ta bëjmë.
Pse e vendosim vetë këtë?
Sepse ne jemi zgjedhur që të vendosim. Nuk jemi zgjedhur që të vendosni ju, apo ata që s’janë zgjedhur e që madje ikën edhe nga këtu, për punët tona. Janë të ndara punët. Demokracia është gjithëpërfshirje, thonë dhe unë e pranoj. Ti po thua numra [drejtuar deputetit Ralf Gjoni]. Ti e fillon nga numrat dhe lufton për sistemin, se thua po kap edhe unë ndonjë numër, por unë nuk them demokracia është numra. Demokracia është gjithpërfshirje. Është e drejtë e gjithsecilit të thotë atë që mendon dhe detyrimi i gjithkujt të dëgjojë e të flasë.
Demokracia është përpjekje për mirëkuptim, është përpjekje për konsensus nganjëherë, por demokracia nuk është unanimitet. E nëse ne kemi arritur të kemi mirëkuptimin, mbështetjen e të gjithë atyre që përmenda më parë, nga Robert Ndrenika, tek Pëllumb Kulla, Altin Basha e të tjerë, ne e kemi kryer përtej çdo gjerësie, por të na thuash ti u more vesh me këta, se janë dy veta, – në fakt janë vëllezër, njëri është në Itali dhe tjetri është këtu, – që nuk duan dhe t’i lësh të rrinë dy vjet e gjysëm e ta kthejnë atë në konvikt teatral, i mbajtën edhe të gjitha fjalimet dhe pastaj të thuash dakord, meqë këta nuk duan, të kalojmë në një temë tjetër. Unë nuk kam ardhur këtu që të kaloj në temat e tjera, por kam marrë këtë detyrë që të kaloj në temat e tjera, sepse sigurisht e di që janë kosto, është baltë e madhe.
E meqë jemi tek teatri, e thotë Molieri, me llafe janë të gjithë njësoj, janë veprat që i dallojnë njerëzit nga njëri-tjetri.
E në këtë Shqipëri, me llafe jemi të gjithë njësoj, të gjithë kriminelë, të gjithë hajdutë, të gjithë mafiozë. Ҫ’të thuash e si të rezistosh, kur të del tjetri, një analfabet me doreza të zeza, të flet nga Prishtina e të thotë “mafja, krimi…, mos na dil e mos na fol”. Ҫ’ti thuash atij! Me atë ke dy rrugë. E para; të kthehesh në prift dhe të lutesh për shpirtin e tij. E dyta; t’i besosh vetëm gjërave që mendon dhe të pranosh koston për gjërat që mendon, duke mos e harruar kurrë ustain e madh, Faik Bej Konicën, që thoshte, “shqiptarët” – dhe nuk e kishte për popullin, por për këta që flasin në emër të shqiptarëve, që vdesin për shqiptarët, që janë aty vetëm që t’i ndihmojnë shqiptarët t’i shpëtojnë nga shqiptari i radhës, që në fakt u ka zënë atyre rrugën, – “të falin gjithçka, por nuk të falin suksesin”, thotë beu i madh.
Suksesin mua dhe Partisë Socialiste nuk na e keni falur, nuk presim të na e falni, por një gjë është e sigurtë, llafet dhe emrat e atyre atje do të bëhen pluhur, ndërkohë që veprat tona do të flasin për ne, edhe kur ne të mos jemi më në këtë qytet