Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:

 

E dëgjova me shumë interes fjalën e zotit Mediu dhe jam dakord me të, që më e mira do të ishte që ky vend, ky shtet në çështje të një rëndësie madhore, ku hyn edhe çështja që ngriti zoti Mediu, të fliste në një gjuhë. Arsyet pse nuk kemi arritur në këtë ndonjëherë nuk ka nevojë t’i shtjellojmë sepse patjetër që të gjithë kanë një listë arsyesh të ndryshme, por duke qenë se këtu desha të them dy fjalë lidhur me aktin normativ, nuk po zgjatem në këtë pike, por nëse zoti Mediu merr një nismë për të organizuar një tryezë të përbashkët të Partisë Demokratike, ku edhe ai bën pjesë si deputet dhe të Partisë Socialiste, unë garantoj që do të marr pjesë pa kërkuar as kush është që do vijë, as kush nuk do vijë, do ishte vërtetë një nisëm e vyer dhe mbase nuk do dilte asgjë prej saj, por sidoqoftë, nuk kemi pse ta paragjykojmë përpara kohe.

Nga ana tjetër, disa gjëra të thjeshta sepse nga sa munda të dëgjoj, ka një keqkuptim shumë të madh lidhur me aktin normativ dhe me vetë eurobondin.

Eurobondi nuk është një borxh i radhës.

Eurobondi është një mekanizëm financimi me likuiditete i vetë borxhit. Nuk është siç tha zoti Mediu, “marrim borxh të lajmë borxhe”, por është një mekanizëm që na jep mundësi të përballojmë rritjen e shpenzimeve dhe të përballojmë edhe të gjithë procesin e financimit të borxheve të marra në shumë vite, të gjitha sëbashku.

Tani, këtu u fol, çfarë nuk u tha, por e vërteta është që kur përsërisni atë borxhin 80%, borxhin më të lartë në histori, duke u përpjekur t’i thoni njerëzve që këtu ka vetëm marrje borxhi dhe ka një situatë që ka dalë jashtë kontrollit, kujtohuni pak se nuk ka qenë, as 100 vjet më parë, as 50 vjet më parë, as 30 vjet më parë, as 15 vjet më parë dhe nuk kanë qenë të tjerë, kanë qenë ata që diktojnë linjën e fjalimeve të opozitës së sotme, në pushtet dhe borxhi kur ne kemi marrë detyrën ka qenë 74%.

Sot është e vërtetë, është më i lartë se 74%, por ka një pse dhe pse-ja lidhet me faktin që midis momentit, kur ne atë 74% e ulëm në 63% dhe në momentin që flasim sot, kanë ndodhur dy ngjarje shumë të rënda që kanë krijuar nevojën imediate për të marrë borxh; tërmeti dhe pandemia. Borxhi që ju i latë shqiptarëve dhe Shqipërisë kur ata ju larguan nga detyra ishte 74% dhe nuk kishte as pandemi, nuk kishte as tërmet, por qoftë tërmeti, qoftë epidemia, ishin të një forme tjetër në themelet e qeverisjes suaj, tërmeti, e në praktikën e përditshme të saj, epidemia. Se kur flisni ju për ato që flisni, është vërtetë për t’u admiruar guximi me të cilin harroni që ju nuk keni ardhur nga hëna, as nuk keni zbritur në Shqipëri ditën që filloi kjo legjislaturë.

Ju keni qenë këtu, ju keni qeverisur dhe protagonistët e qeverisjes së deri djeshme, sot i keni në krye. Në të dy krerët e zogut që po përpëlitet, se tani është edhe e formalizuar që është një zog dykrenar Partia Demokratike, por jo shqiponjë. Akoma nuk jam i qartë se cilës specie do t’i ngjajë në fund të kësaj kacafytje, por shqiponjës, jo.

Kështu që ne kemi bërë atë që bën çdo shtëpi, çdo familje, në momentin kur ndeshet me një situatë që është më e madhe se sa ajo vetë, që është më e madhe se sa fuqia që ajo disponon në momentin kur ajo përballet me të. Nëse një familje, largqoftë për të gjithë ata që janë këtu e që na dëgjojnë, i digjet shtëpia, çfarë bën ajo familje? Shkon merr borxh? Apo rri në diell e në shi? Shkon merr borxh. E njëjta gjë ndodh nëse larg qoftë një familjeje i vjen një fatkeqësi e një lloji tjetër, që kërkon një sforco ekstra financiare, fuqia momentale e familjes nuk e përballon dot. Çfarë bën? Jo këtu, por kudo, në SHBA, në Japoni, në Angli, në Zvicër, kudo, bën të njëjtën gjë. Por ka një problem. Se borxhin ta japin dhe nuk ta japin. Kjo varet nga sa kapacitet ke ti në momentin që shkon kërkon borxh, për të provuar që ti je në gjendje ta lash këtë borxh. Se borxhet dhe veçanërisht Eurobondi, i cili merret në tregjet e kapitaleve, nuk janë hua që ju merren budallenjve dhe bankat, dhe veçanërisht krerët e kapitaleve nuk janë një sportel që mezi pret që t’i shkojnë entitete shtetërore apo shtete që janë duke falimentuar, siç tha zoti Mediu.

Nuk ka bankë që të jep borxh, nëse ti nuk provon që se je në gjendje ta lash borxhin e si e provon një shtet që është në gjendje ta përballojë atë që po kërkon hua? E konkretisht, në këtë rast, si e provon një shtet që është në gjendje t’u përgjigjet tregjeve të kapitaleve të cilat janë pa emër, pa fytyrë, pa lidhje farefisnore, pa lidhje partiake? Njohin vetëm gjuhën e shifrave që kalojnë përmes kompjuterëve dhe kalkulatorëve. Si mendoni ju? Do t’i jepnin tregjet e kapitaleve Shqipërisë, se më thanë që je dhe profesor ekonomie, se fole sikur po ndaje delet përpara gostisë. Cilën akademi? Të flas dhe për atë unë, mos ki merak. Patjetër! Të flas dhe për atë që ju ka mbetur mendja te akademia e barinjve, e çobaneve siç thoni ju.

Akademitë e barinjve, e peshkatarëve, akademitë e fermerëve, pavarësisht moshe, janë në gjithë botën, e nuk janë akademi ashtu siç e kuptoni ju fjalën akademi se ju keni vetëm një kuptim të fjalës akademi, nëse talleni me këtë. Jo, janë hapësira formimi në vazhdim që i ofrohen të gjitha kategorive të njerëzve që punojnë në sektorë të ndryshëm dhe që azhornohen dhe stimulohen përmes informacionesh dhe informimesh për t’u adaptuar me kohën e re. Kështu që, mos qeshni me vete, se këtë “Flet vetë, qesh vetë” e keni si linjë partie ju, që ju vjen nga lart poshtë, por jo.

Që të kalojmë tek kjo akademia e vogël që zhvilloj unë këtu me ju, dhe është turp që ta bëj unë këtë gjë, se burri huaj thotë “Jam profesor ekonomie”, apo jo? Unë jam thjesht një piktor, por për shkak të detyrës, unë mësoj çdo ditë, dëgjoj me shumë vëmendje dhe nuk qesh kur flas vetë, por maksimumi flas që të qeshin të tjerët. Edhe zhgarravis, po. Edhe zhgarravis dhe nuk ka asnjë problem. Ccfarë problemi ke ti me zhgarravinat? Ti duhet të shqetësohesh për imazhin e zhgarravinës që i jep publikut, jo për zhgarravinat që kanë jetën e tyre. Jeta e tyre fillon dhe mbaron tek një copë letër. Rrinë aty për t’u parë nga ata që duan të shohin zhgarravina, kurse njerëzit duhet të shqetësohen që të mos marrin formën e zhgarravinës kur flasin. Kjo duhet të shqetësojë, jo ty personalisht, por të gjithëve kështu që kini më shumë respekt për zhgarravinat e mos u bëni si censura e Komitetit të Partisë së dikurshme, se ju kam thënë “Ju i thoni vetes të djathtë për inerci, por ju me të djathtën nuk keni lidhje fare. Me të majtën jo e jo, kështu që, ju jeni “O i shkretë i punëtuar, bam me këmbë e bam me duar” siç thoshte K.Th.Spiri. Ku të dali, bam me duart këtej, e bam me këmbë andej. Juve ju kemi. Nuk ju kemi zgjedhur ne, ju kanë zgjedhur të tjerët, kemi detyrë t’iu respektojmë dhe t’iu përqafojmë sa herë të kemi mundësi për t’iu dhënë pak dashuri.

Dikush këtu tha “ Po mirë, si ka mundësi që ju e kishit planifikuar për 500 dhe pastaj e bëtë 700” dhe natyrisht që kjo është për t’i thënë njerëzve “Shiko tani se si vjedhin këta, se këta parashikojnë kështu dhe pastaj kur duan të ndajnë lekët nuk i dalin llogaritë dhe thonë “hajde dalim dhe njëherë në treg” se tregjet kapitale aty janë po na presin ne, “po dalin dhe njëherë andej të kapin ndonjë gjë”, se ju aty e keni, “ca të kapim”.

Keni dhe kaq vite që nuk kapni gjë dhe ngaqë ishit mësuar keq, ngaqë ju është bërë syri bakërr dhe shikoni kudo cca po bëhet. Nuk po ndodh ajo që ndodhte kur ishit ju, por ju keni të drejtë që t’iu duket ashtu se ju atë bënit. Ju atë bënit, nuk keni bërë gjë tjetër, që të mos jua përsëris prap Kantin nga e para, se meqë më bëtë vërejtje që e mësuam këtë boll se na mërzite, e unë nuk jam këtu që t’iu mërzis; rëndësi ka që e mësuat. Kujtohuni.

Ai është i paanshëm kështu që doli jashtë… çudi e madhe me këta të Ballit Kombëtar, gjithmonë njësoj, brez pas brezi…

Vetëm për poezinë nuk ka akademi, poezia është si të vjen. Nëse doni që unë të përqëndrohem tek tema, ftojini kolegët të mos më referohen…Po me kë të merrem, po nuk u mora me ju? Unë po nuk u mora me ju po iki fare. Unë për ju vij këtu, pse për kë vi këtu? për shqiptarët juve jua kam thënë. Shqiptarët kujtojini ju kur vini këtu se unë ata kam parasysh kur flas këtu, jua kam thënë. Atje jashtë nuk ka njeri që i bën për budalla. Ju keni menduar se i bëni për budallenj dhe sa herë keni dash t’i bëni për budallenj, jeni zgjuar ditën e hënë në mëngjes pas zgjedhjeve dhe keni thënë “bo, na i vodhën prapë”. Jo mo, nuk ndodh kështu. Kështu që, ata kini parasysh ju kur dilni flisni këtu dhe mos u tregoni atyre broçkulla. Se unë për ju vi. Nëse nuk doni të merrem me ju, ma bëni kërkesën e nuk merrem fare. Nuk kam asnjë problem të mos merrem sepse i kam shqiptarët në kontakt çdo orë, çdo ditë, pa asnjë problem.

Tani, profesori këtu tha “E keni marrë Eurobondin me interes të lartë” që nuk e kemi marrë akoma, por prapë për kujtesën, se kujtesa vlen dhe ju ngaqë nuk punoni me kujtesën, gjendeni gjithmonë në kurthin e mungesës së kujtesës sepse po të punonit me kujtesën, mund t’iu kishin shkuar gjërat ndryshe. E dini sa e keni marrë ju Eurobondin e fundit? Me 12%.

Verifikoje. Keni hyrë për 7,5 dhe ka fluktuar 12%. Se unë këtu flas me përgjegjësi. Nuk flas me ato tabelat që vini ju këtu.

(Thua ti… sepse llogaria juaj me 70,4 nuk e përfshinte atë borxhin e fshehur, i cili u shfaq pastaj në formën e gjithë atyre detyrimeve). E do 70 ti? Në rregull. E latë 70,4 thua ti? Përpara se të vinte tërmeti, ishin në 63% në të borxhit.

Patjetër, këto janë shifra. Shifrat nuk janë opinione. Ju e keni opinion aritmetikën, kjo dihet botërisht, ne nuk e kemi opinion. Dhe ne, në kohë pandemie, kemi marrë me 3,5 Eurobondin e fundit, në kohë pandemie. E pse ndodh kjo? Për atë arsye që thashë në fillim. Tregjet e kapitaleve nuk e njohin Edi Ramën, nuk dëgjojnë as Foltoren. Nuk e njohin fare majtas, djathtas, PS, PD, fare. Tregjet e kapitaleve njohin vetëm shifrat dhe punojnë vetëm me kalkulator. Prandaj, kur dolët ju atëherë, herën e fundit, e morët me 12,5 % interes dhe prandaj kur dolëm ne në kohë pandemie e morëm me 3,5. Sepse ccfarë vlerësimi bëhet atje? Vlerësimi është shumë i thjeshtë. Këta na kërkojnë likuiditet për të vazhduar të financojnë borxhin e tyre dhe ne do nxjerrim nga tonat që tua japim këtyre. Po cili është kapaciteti i këtyre që të na kthejnë këto tonat? Cili është? Ai është një kapacitet që shikohet në shifra. Edhe diçka tjetër për profesorin. Ju merrnit borxh me interesa më të larta dhe për 1 lek borxh ju investonit 1.28. Për 1 lek borxh. Ne, për 1 lek borxh, investojmë 1.69 që do të thotë që ne, me borxhin rrisim ekonominë dhe nëse do ishte siç thoni ju, dalja në tregjet e kapitaleve do ishte faliment. Ose do ishin interesat kushedi se në çfarë maje. Por ngaqë nuk është siç thoni ju, tregjet e kapitaleve përgjigjen mbi bazën e fakteve e të shifrave dhe shifrat nuk janë opinione. Ju mund të dilni këtu e të thoni 50% e shqiptarëve jetojnë në varfëri ekstreme. Mund ta thoni. Mund të thoni dhe 60% madje. Pse nuk thoni 60%? Thoni 70%! Por, po të ishte kështu, atëherë kjo do të reflektohej tek shifrat, do të reflektohej tek konsumi. Do të reflektohej tek eksportet. Do të reflektohej tek gjithë zinxhiri i vlerës në ekonomi. Si qenka kjo? Hajde se po themi një shifër? Prandaj nuk është aspak çudi që kur shkoni tek shqiptarët, shqiptarët thonë këta nuk dinë si jemi ne. Llogarite tani tua lëmë këtyre në dorë që të na bëjnë këta ne, siç këta mendojnë se ne duhet të jemi.

Dhe e fundit, lidhur me përsëri borxhet. Përsëri edhe ky eurobond është brenda planifikimit, nuk është jashtë planifikimit. Cilit planifikim? Planifikimit të riuljes së borxhit në proces, pas ngritjes së tij të detyruar e të pashmangshme, se ju shikoni Shqipërinë, por ju ftoj të shikoni të gjitha vendet. Shikoni çfarë ka ndodhur me borxhin në të gjitha vendet që nuk u goditën edhe nga një tërmet që për Shqipërinë e për përmasat e Shqipërisë do të ishte sikur atyre tju goditej nuk e di se sa shumë pjesë e ekonomisë së tyre, por u goditën njësoj si ne nga pandemia. Dhe çfarë bënë, vende shumë më të mëdha, shumë më të fuqishme, vende që drejtojnë botën. Çfarë po bëjnë sot Shtetet e Bashkuara? Për çfarë po diskuton sot Kongresi dhe Senati i Shteteve të Bashkuara, për çfarë? Për krijimin e likuiditetit më të madh në historinë e Shteteve të Bashkuara, që nga koha e depresionit të madh. Për atë po bëhet debati atje. Pse e bëjnë këtë? Sepse nuk është një kohë normale dhe atje pandemia është konsideruar si luftë dhe ata po bëjnë ekzatësisth atë që bënë në periudhën pas luftës së Vietnamit nga pikëpamja e daljes me një mal likuiditeti të paparë ndonjëherë për kaq shumë dekada. Çfarë kanë bërë vendet e tjera rreth e rrotull nesh? Dhe ndërkohë mos harroni dhe një gjë tjetër. Amerika ka Federal Reserve, që i pret dollarët. Vendet e Bashkimit Europian që marrin borxhe, kanë fondin e përbashkët atje që i suporton sepse vërtetë e suportuan, e përballuan pandeminë dhe ne këtu merrenim shembuj si po e bëjnë këta, si po e bëjnë ata, por merreni shikojeni pak sa ju kanë ardhur para likuiditet në buxhetet e tyre drejtpërdrejtë nga Bashkimi Europian të gjitha vendeve anëtare të BE dhe sa nga buxheti i tyre pa këto të ardhura, ata kanë financuar për përballimin e pandemisë. Merreni e shikojeni pak. Po Shqipërisë nga i erdhën këto? Nga i erdhën? Kështu që vazhdoni thuajini njerëzve, do ua thoni prap se është edhe çështje incizimi. Për deri kur pllaka nuk ndërrohet do përsërisi po atë këngë e vazhdon festivali i (jo këtë nuk e kam thënë këtë, se ti më ndjek me vëmendje dhe më regjistron biles, kështu që verifiko kasetat]. Që nga festivali i parë i 2013, deri më tani ju keni të njëjtën muzikë. Update-ni muzikën. Keni dhe uploadues këtu. Fusni ca gjëra të reja se nuk shkon kështu.

Faleminderit shumë për vëmendjen dhe për ndihmën e pa kërkuar që më dhatë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.