E ndoqa me pezmatim këtë interpelancë, jo se është e para, por sepse faktikisht duke u përgatitur për të folur për raportin e progresit të BE-sw, siç është detyrimi në agjendën e sotme, përsëri po mendoja lidhur me një debat që bëmë bashkarisht zoti Valteri, në një nga herët e shkuara, kur ju, me të drejtë, ishit shumë i shqetësuar për dhunën dhe në fakt këtu, ju përsëri bëtë dhunë. Ju përsëri stimuluat dhunën, ju përsëri frymëzuat dhunën, ju përsëri i’u dhatë të gjithë të rejave dhe të rinjve që mund të ishin duke ndjekur fjalën tuaj shembullin më të keq të mundshëm për se si njeriu qëndron në një mjedis publik dhe mbron bindjet e tij.
Është e paimagjinueshme, që një deputet të dalë në foltoren e Kuvendit, të bëjë akuza penale, të japë deri dhe detaje që lidhen me një hetim, duke u shprehur se njeh vrasësit, njeh atentatorët, njeh viktimat, njeh kush është me kapele, njeh kush është pa kapele dhe ndërkohë ende nuk keni shkuar në Prokurori, që të viheni në dispozicion të hetimit dhe të ndihmoni për zbardhjen e krimit. Por ju nuk jeni, në fakt, as i vetmi dhe as i pari. Ju jeni thjesht zgjatimi i një falange që ka vite e vite që e ka marrë peng debatin publik, e ka marrë peng edhe kulturën e parlamentarizmit në Shqipëri, duke mos e lënë të zhvillohet sipas standardeve europiane, për të cilat të gjithë flasin, dhe duke faktikisht kriminalizuar dynjanë.
Ka një fjalë, zoti Valteri, që thotë: “Politika me krimin është mbështetja më e madhe që i bëhet krimit”.
Të bësh politikë me krimin do të thotë të mbështesësh krimin.
Të flasësh në këtë farë feje do të thotë thjesht e vetëm të ushqesh mitin e kriminelit, të dekurajosh forcat që e luftojnë krimin dhe mbi të gjitha, të fajësosh dhe përbaltësh ata, të cilët në fakt meritojnë respekt e mbështetje.
Patjetër që opinionet e ndryshme janë ato që na ndihmojnë që të kuptojmë më mirë dhe të ecim më drejt përpara, por faktet nuk janë opinione. Doni, s’doni ju dhe të gjithë ata që flasin si ju, nuk ka asnjë krahasim të mundshëm mes Shqipërisë sot dhe Shqipërisë dje dhe jo dje 100 vjet përpara, por dje, 5-6 vjet përpara, në aspektin e luftës me krimin.
Partia Socialiste është sulmuar dhe është përbaltur në mënyrë të shfrenuar nga një strategji e tërë politike kriminalizuese dhe e dini pse, pikërisht sepse ka qenë forca që i ka dhënë këtij vendi për afro 7 vite sot, qeveri që e kanë zhvilluar luftën me krimin si asnjëherë më parë dhe është fakt i njohur, nuk është opinion, që, kush e lufton seriozisht krimin, akuzohet pikërisht për të kundërtën; kush përballet seriozisht me krimin merr baltë dhe merr goditje pikërisht si bashkëpunëtor i krimit. Kjo është e njohur botërisht. Kjo ka ndodhur kudo, në çdo vend ku krimi është luftuar seriozisht. Kjo i ka ndodhur të gjitha forcave pozitive dhe kurajoze të shoqërisë, qofshin në drejtësi, qofshin në qeveri që kanë vendosur të përballen me krimin.
Nuk është opinion, është fakt që Shqipëria sot ka një bilanc pozitiv në luftën me krimin. Lufta me krimin nuk matet me përrallat dhe gjysmë të vërtetat që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha, – në fakt, s’ka gënjeshtër më të madhe sesa gjysmë e vërteta, – që i’u tregohen shqiptarëve ditë e përditë, por matet me statistika, matet me fakte, matet me shifra.
Sigurisht që ajo që thoni ju, zerimi i vrasjeve, i vëllavrasjes siç e quani ju, është një përrallë pa mbret, sepse nuk ka asnjë vend demokratik që të ketë zeruar vrasjet. Nuk ekziston! Nuk ka asnjë vend demokratik, edhe vendet më të zhvilluara, më të sofistikuara, edhe SHBA-të që kanë kthyer në art luftën kundër krimit, nuk i kanë zeruar as vrasjet, as trafiqet, as kriminelët, as policët e korruptuar.
Jo shumë larg në kohë, por pak kohë më parë drejtori i Policisë i njërit prej vendeve që rankohen më lart botërisht prej vitesh, Finlanda, me kriminalitet të ulët dhe me korrupsion thuajse zero, doli se për vite e vite kishte bashkëpunuar me krimin. Çfarë do të thotë kjo? Unë besoj që fakti që gjatë qeverisjes tonë janë në numër të konsiderueshëm punonjësit e policisë të cilët janë arrestuar, apo janë çuar për hetime penale, apo janë përjashtuar nga Policia, apo janë pezulluar, nuk tregon bashkëpunim me krimin, nuk tregon një fakt si ai që përshkruani ju. Tregon të kundërtën! Tregon vullnet dhe angazhim për të luftuar qoftë përballë, qoftë dhe brenda vetes.
Ju duhet ta lexoni raportin e progresit BE, KE janë monitorë të pakorruptueshëm dhe të padiskutueshëm të gjithë proceseve në të gjitha fushat. Nëse shihni se çfarë thonë Raporet e Progresit në ecurinë e tyre për luftën ndaj krimit në Shqipëri do të shihni ndryshimin e madh mes të sotmes dhe të djeshmes.
Sot po ndodh ajo që deri dje ishte e paimagjinueshme; Po ndodh një proces reformimi rrënjësor në sistemin e drejtësisë, që është një proces padiskutim i ndërlikuar, padiskutim i gjatë, padiskutim me defektet e veta. Po ndodh ndjekja këmba-këmbës e aseteve kriminale të të gjithë atyre që kanë kryer një numër të caktuar figurash të krimit në Shqipëri gjatë 30 viteve.
Ju flisni këtu për shoferë, për njerëz me kapele, për njerëz pa kapele, për njërin që doli te kthesa, për tjetrin që ju e njihni që ishte i fshehur pas ferrës, ndërkohë që ne këtu jemi Parlamenti i Shqipërisë. Këtu nuk flitet kështu. Sigurisht që këtu është folur kështu dhe vazhdon të flitet kështu, por këtu nuk duhet të flitet kështu. Mbi të gjitha ju duhet të kuptoni që, është sot kjo që tha ministri, ndodh sot, nuk ndodhte dje, që, doni s’doni ju ministri i Brendshëm nuk është as hetues, as prokuror, as njeriu që mbledh kamerat dhe as njeriu që i tregon Policisë së Shtetit se si duhet të këqyrë kamerat.
Sot, jo dje, Policia e Shtetit është e pavarur në të gjithë aktivitetin e vet profesional zoti Valteri. Ju nuk mund të flisni “policët kështu, policët ashtu”. I keni parë ju policët dhe nuk doni ju t’i shikoni fytyrat e policëve. Ju duhet t’i respektoni dhe ju duhet që sa herë ju jepet mundësia të flisni, t’i nderoni policët e shtetit, sepse as 1, as 2, as 10, as 100, as 200, as 300 po të doni ju, as 500, as 1000 që nuk janë mbase siç ju do të dëshironit të ishin dhe siç unë do dëshiroja të ishin, nuk e bëjnë dot rregullin dhe nuk e bëjnë dot argumentin që, “policët e shtetit…”, se ata janë mijëra dhe janë njerëz që meritojnë respekt. Policia e Shtetit sot, patjetër ka 1000 gjëra për të përmirësuar, 1000 gjëra për të korrigjuar, 1000 gjëra për të ndryshuar, po as mund të krahasohet fare me Policinë e Shtetit që ishte dje dhe çdo vit e më mirë, doni s’doni ju.
Ka një fakt, zoti Valteri, këtu në këtë parlament është bërë nami për ta bërë baltë Policinë e Shtetit. Në të gjitha mediat është bërë nami. Çuditërisht populli shqiptar kur pyetet prej vitesh kush është institucioni më i besueshëm në Shqipëri, thotë Policia e Shtetit, gjë që nuk e thoshte 6-7 vite më parë, thoshte të kundërtën, “Kush është institucioni më i korruptuar në Shqipëri? Policia e Shtetit”. Këtë nuk e them unë. Këtë e thonë raportet dhe anketimet që bën Bashkimi Europian.
Policia e Shtetit nuk bën lajm kur parandalon vrasje. Lajmin e bën vrasja. Por, faktikisht sot, jo zbulueshëmëria, thjesht kush e bëri, por kapja e autorëve të krimeve as nuk krahasohet me më përpara. Sot, ikja në drejtim të paditur e vrasësve dhe humbja e gjurmëve përgjthmonë nuk është më e mundur. E dini këtë ju? Këto janë fakte, nuk janë opinione. Nuk është më e mundur po ju them. Nuk është më mundur, sepse merreni shikojini të gjitha operacionet e bëra nga Policia e Shtetit gjatë këtyre 3-4 viteve të fundit dhe do të shikoni se si edhe krime të kryera dy vjet më parë, 3 vjet më parë, jo janë zbardhur se kush e bëri, por janë kapur autorët.
Patjetër që grabitja në Rinas do bënte lajm të bujshëm. Nuk diskutohet! Por ama, ju e dini shumë mirë që organizatorët e grabitjes janë kapur sot, janë prapa hekurave zoti Valteri, apo jo? Ah mirë, janë kapur njerëzit, po lekët ku janë?! Ju e keni mendjen tek lekët se e shoh që gjithmonë kur dilni këtu, çdo njeri që i drejtoheni nga ana e maxhorancës e shikoni si një tender, por po ju them, po të shikoni Raportin e Progresit, edhe në aspektin e luftës kundër korrupsionit, edhe në aspektin e tenderave që pa diskutim sot – nuk mund të them kurrë unë që janë një proces që në çdo hap e në të gjitha kategoritë janë për t’u krenuar, – ka një ndryshim si nata me ditën.
Këtu flitet pa pushim, oligarkët,oligarkët. Janë 5 veta, janë 10 veta, të tjerët… po pse nuk i merrni ju zoti Valteri të gjithë faktet, dokumentet, statistikat e tenderave që bëhen në Shqipëri dhe e shpërndarjes së fondeve në funksion të realizimit të punëve dhe pse nuk ndihmoni dhe ju që procesi të përmirësohet më tutje, sepse probleme ka plot, por ndërkohë të merret vesh që e vërteta është komplet ndryshe. Ka dy të vërteta të mëdha lidhur me këtë. Janë fakte, nuk janë opinione.
Së pari, më të mëdhenjtë sot, ata që janë bërë target në mënyrën më të shëmtuar si të ashtuquajtur oligarkë, paguajnë për shtetin shqiptar shumë më tepër se sa paguanin deri dje, sepse i kemi taksuar më shumë, jo sepse kanë marrë shumë më tepër punë se sa merrnin deri dje, se kjo nuk është e vërtetë, nuk e thonë faktet këtë dhe nga ana tjetër, po të shikoni përfituesit, numri i tyre është shumë herë më i madh se dje.
Ne po bëjmë Procesin e Rindërtimit e faktikisht, janë mbyllur procedurat, qoftë për kompanitë që do të ndërtojnë shkollat, qoftë për kompanitë që do të ndërtojnë njësitë individuale. E dini ju se sa kompani janë të përfshira në të dyja këto procese? E dini apo jo? Duzina e duzina kompanish. As 2, as 3, as 5. Duzina kompanish shqiptare, që natyrisht do t’u japin punë njerëzve të tyre, punonjësve të tyre.
I them këto sepse kështu nuk shkohet asgjëkundi. Ju thatë që nuk keni lidhje me qeveritë e shkuara. Unë e di që ju në fakt keni ardhur nga Hëna në momentin kur ata ikën nga Kuvendi e ju nuk keni marrë pjesë në asnjë proces opozitar, apo jo?
Ju keni qenë një qytetar i qetë që respektonte vijat e bardha dhe semaforët e nuk përzihej fare me xhagajdurët e PD-së, çuditërisht jeni gjendur në listën e tyre me firmën e kryetarit të PD-së. Nuk e di për çfarë kontributesh, sepse normalisht në atë parti nuk vlerësohen ata që respektojnë vijat e bardha, por për fat të keq ju flisni këtu njësoj si kryetari juaj, si Lulzim Basha. Njësoj!
Fjalimet tuaja janë po ajo pllakë gramafoni, kuptohet, ju jeni një tenor më i mirë se sa ai për shkak se me ushtrinë nuk keni lidhje, por me melodinë jeni më familjar se sa ai.
E për ta mbyllur, shikojeni se çfarë ndodh me Reformën Zgjedhore.
E njëjta gjë!
Nga një anë kërkojnë gjithçka dhe nga ana tjetër nuk lënë gjë pa thënë. Është habi e madhe! Nga një anë duan çdo gjë, siç e duan ata, nga ana tjetër nuk lënë gjë pa thënë ndaj nesh, se ndaj jush po e po. Ju jeni bijtë e mohuar të PD-së dhe i meritoni në fakt ato që ju thonë me thënë të drejtën se ata ju kanë sjellë këtu e ju u keni dalë nga rreshti, por me ne çfarë kanë? Çfarë kanë me ne? Kanë atë që është pamundësia për të kapërcyer një kulturë komunikimi dhe një kulturë politike që është problemi i madh i këtij vendi së bashku me mënyrën se si pastaj pasqyrohet nëpër media. E, ne të gjithë themi duam Bashkimin Europian, ne të gjithë jemi europianë patjetër, nuk diskutohet. Ne të gjithë themi që ta integrojmë Shqipërinë sa më parë në Europë, ne të gjithë predikojmë që jemi më të zotë se tjetri për ta bërë këtë dhe kur japim argumentet se pse jemi më të zotë, dominon ajo që nuk ka lidhje fare me BE-në, dominon kultura e akuzës, kultura e shpifjes, kultura e fyerjes, kultura e përçarjes, kultura e sakatimit psikologjik të një mileti të tërë që nga këtu merr shembullin më të keq.
Unë nuk e di se çfarë mund t’ju kërkohet të tjerëve, jua thash dhe kur folëm për rastin e asaj të miturës, ku nga këtu ju jepen shembujt më skandalozw dhe si ka mundësi që kur vini këtu, ju ose ata që ishin para jush, silleni ekzaktësisht kundër të gjitha atyre që i kërkoni fëmijëve tuaj në shtëpi? Si ka mundësi? Si shpjegohet kjo?
Sikur fëmijët tuaj të bënin atë që bëni ju këtu apo atë që bëjnë ata, baballarët tuaj të partive që ju kanë lënë këtu jetim, secili prej jush, secili prej tyre si prind do ishte shumë i shqetësuar. Imagjino zoti Valteri të të thërrasi mësuesja e djalit ty apo e vajzës, -nuk e di a ke djalë apo vajzë apo akoma po kërkon një vajzë, por sidoqoftë, fjala që bie, – e t’ju thotë djali juaj ka thënë kështu, kështu, kështu për drejtorin e shkollës. As më shumë e as më pak, por ato që i thatë ju.
Ju do skandalizoheshit, do skuqeshit, do i thonit mësueses të kërkojë ndjesë, do ju dhimbte koka, do shkonit te gruaja do i thonit si do ja bëjmë këtij, nga na doli ky. Ndërkohë që, këtu ju jepni shembuj të gjithë djemve, nxënësve të Shqipërisë që kjo është mënyra për t’u bërë njerëz të mëdhenj. Dil, kap një mikrofon, shaj, akuzo, trego përralla, gënje, mos u merr me fakte, mos respekto njerëzit që janë aty rreth e rrotull, harroje fare që ka gra e ka vajza aty dhe jepi. Kur i thua njerëzve këtu kriminel e kriminel, i sheh gjithë këto gra që janë këtu, minimalisht, i sheh gjithë këto nëna që janë këtu? Parlamenti i kriminelave? Si paska ndodhur kjo? Natyrisht që ne kemi pasur probleme dhe të gjithë kanë pasur probleme, por ama ne jemi ata që kemi bërë të mundur që edhe ato probleme të adresohen në një mënyrë apo një tjetër, mirë apo keq, atëherë çfarë do me thënë kjo? Nuk ka këtu zoti Valteri dy palë shqiptarë, engjëj dhe djaj. Nuk ka!
Ne nuk jemi engjëj, unë jo e jo njëherë, kjo nuk diskutohet, por as djaj. Edhe ju, ti jo e jo engjëll nuk je, padiskutim, se po e pretendove këtë është kot që flasim, por edhe ndonjë djall i madh nuk je. Je një engjëll djallëzor që shfaqesh këtu në formën e një politikani të ri që nuk ka lidhje me të vjetrën, nuk ka lidhje me asnjë, e të tjera e të tjera, është e drejta jote, është në rrugën tënde. Do kesh sukses besoj. Ta uroj suksesin me gjithë shpirt, sepse na duhen forca të reja në politikë. Por, nëse vërtet do të jesh i ri në politikë mos fol njësoj si ata që të kanë sjellë këtu, sepse ajo është gjëja më e vjetër, më e shëmtuar, më e keqe dhe është mëkati më i madh që ky parlament ka bërë 30 vjet. Të tjerat, të gjitha diskutohen. Nuk ka qeveri që nuk bën gabime. Nuk ka qeveri që nuk merr vendime që rezultojnë vendime të gabuara. Nuk ekziston, një asnjë vend të botës. Por ama, Parlament në botë e këtë e them me bindje, në botë, që të jetë një klub ku mblidhen njerëz e pa pasur raki përpara i bëjnë të dehurit të duken esëll, në krahasim me ta, nuk ka, nuk ekziston, është i vetmi ky.
Kështu që mendoj që nëse duam të flasim për integrim europian, duhet të zgjidhim këtë në radhë të parë, duke bërë secili pjesën e vet. Natyrisht edhe unë që po flas nuk e përjashtoj veten nga e gjitha kjo, se nuk jam këtu për t’ju thënë juve që ju e keni këtë dhe unë nuk e kam fare se i thonë asaj shprehjes, po të flesh me komshiun, patjetër që i merr edhe zakonet, por ajo që vlen të mbetet për të gjithë.
Por pavarësisht kësaj, përderi sa jemi në gjendje që të shkëmbejmë dhe batuta miqësore, besoj që jemi në gjendje dhe të mos e trajtojmë njëri-tjetrin sikur jemi në kushtet kur disa këtu i ka sjellë fuqia engjëllore, disa i ka vënë djalli vetë.
Jemi shqiptarë, me të metat tona, me dëshirat tona, me pasionin tonë, me papërmbajtshmërinë tonë kur mendojmë që kemi të drejtë, por në fund të ditës mendoj që jemi mjaftueshmërisht të rritur për të mos mbetur dyerve të ambasadave, kur vjen puna për t’u marrë vesh për gjëra që duhet t’i zgjidhim këtu e nga ana tjetër kur mblidhemi këtu, për të mos dhënë përditë shembullin që pa ambasada, ne nuk funksionojmë dot.
***
Mbi temat e ngritura nga Opozita Parlamentare për Reformën Zgjedhore:
Zonja Hajdari ju dëgjova me vëmendje dhe nuk mund t’i shmangem replikës. Do doja që në këtë moment të mos shprehesha publikisht, përderisa ka një proces që është ende i pa përfunduar si rezultat i zvarritjes që po i bën opozita jashtëparlamentare detajimit të marrëveshjes që ju personalisht bashku me tre anëtarët e tjerë të ashtuquajturit Këshill Politik, keni firmosur në selinë e një ambasade mike.
Por, natyrisht që përderisa juve, i’u referuat atyre që unë kam thënë është e vërtetë, në këtë sallë, kohë më parë dhe tani më kërkoni mua llogari unë kam detyrimin t’ju jap shpjegimin tim:
• Së pari, ajo çfarë unë kam thënë këtu znj.Hajdari, kohë më parë, kur opozita jashtëparlamentare ishte rrugëve dhe kërcënonte për revolucionin permanent, ka qenë që të mos humbisnim kohë, të uleshim në tavolinë ne dhe ju dhe të diskutonim adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, për të mbyllur një herë detyrimin që buron edhe nga çka ka lënë të shkruar Këshilli Europian. Më pas kam thënë le të diskutojmë në një shkallë të dytë për temën që ju e keni në qendër të vëmendjes tuaj dhe axhendës tuaj.
Ju asnjëherë nuk më dëgjuat, por përkundrazi refuzuat. Këtu e kam me ju personalisht dhe me të gjithë grupin e atyre që mbështesin këtë proces sot, se nëse do të ishim ulur qysh atëherë, kur ata tjerët e kishin ndarë mendjen që do ta merrnin pushtetin me dhunë, sot do të ishim duke bërë biseda të tjera, por jo këtë bisedë. Por ja që eksperienca bën të vetën dhe kur eksperienca mungon atëherë mbrapa vjen edhe fatura.
Ka një gjë në politikë që asnjëherë nuk mund të kapërcehet, që është koha, në të gjitha aspektet. Ju e kapërcyet atë moment kohor, duke menduar nuk e di se çfarë, por duke u mjaftuar thjesht me rënien këtu të daulles me “lista të hapura, lista të hapura” pa bërë asgjë tjetër dhe pa marrë në konsideratë atë, që çuditërisht nuk po e marrin në konsideratë më as të tjerët, askush nuk po e merr më në konsideratë, që Partia Socialiste nuk është fondacioni “Populli”. Ju kujtohet fondacioni “Populli” që shkonin të tërë tek gjenerali Rrapush edhe i kërkonin nënë e babë?!
Partia Socialiste është një forcë politike që ka edhe ajo interesat e veta patjetër dhe që natyrisht si forca më e madhe politike këto interesa i ka më të përputhura me interesat kombëtare dhe publike sesa – me gjithë respektin, – i keni ju, sepse dhe përgjegjësinë e ka shumë më të madhe dhe ndikimin mbi fatet e vendit e ka shumë më të madh.
Megjithatë, kjo temë është në zhvillim e sipër. Mua më vjen keq, sepse e shoh edhe në sjelljen publike të atyre që janë jashtë, që kujtojnë se mund ta kalojnë lumin hipur mbi kalin mbrapsht. Nga njëra anë duke vënë kushte mbas kushtesh e duke marrë gjërat që kërkojnë pa kushte nga ana jonë dhe nga ana tjetër duke dalë përditë e duke na sharë e duke na akuzuar.
Kjo është një nga shprehjet e kulturës politike, këtu flamurtarët e të cilës natyrisht janë ata, por për këtë fola në ndërhyrjen e parë kur ju drejtova njërit prej trashëgimtarëve të Partisë Demokratike në këtë sallë z. Valteri. Ajo që mua më shqetëson është fakti që ju akoma vazhdoni ta kërkoni tek ne atë që duhet të kërkoni tek vetja.
Nga ana tjetër, pse hyri Reforma Zgjedhore në axhendën europiane.
Është hera e parë në historinë e integrimit europian që një vendi i kërkohet diçka që lidhet me Reformën Zgjedhore. Nuk është kërkuar kurrë. Nuk hyn tek temat e integrimit dhe asnjë vendi përpara nesh nuk i ka thënë ndonjëherë Brukseli “bëj reformën zgjedhore”. Hyri si rezultat i gjithë atij presioni skandaloz me dhunë, me kërcënime, me shantazhe, që çuan si gjithmonë në humbjen me sukses Lulzim Bashën, por që krijuan kanalin e një vajtimi të madh me emaile, me mesazhe, me ankesa, me qarje, me qurravitje, në zyra e në adresa ndërkombëtare.
Aty ku unë bashkohem me ju është pjesa për të cilën nuk kam sesi të kem një mendim ndryshe. Bënë tërë atë gjullurdi e ngritën tëre këtë balon në ajër dhe një ditë të bukur erdhën na thanë jemi mirë kështu siç jemi, nuk duam gjë, i duam siç i kishim. Pra, s’e paska pasur fajin sistemi i administrimit sipas kësaj që thonë, sepse paska qenë ok. Dhe, në kohën e humbur znj.Hajdari, ne kemi lënë mbrapa dy pika të rëndësishme, një është e juaja sot, por është e jona që dje: Vota e Emigrantëve.
Tjetra është e tyrja, identifikimi biometrik.
Ka arkiva ky parlament. Kanë arkiva mediat. Le t’i kthehen fjalëve të mia, jo sot, por shumë kohë më parë kur thosha Lulzim mos humb kohë rrugëve, por hajde ulu të bëjmë Reformën Zgjedhore që të kemi kohë për sistemin e teknologjisë, që ne jemi dakord ta fusim në proces”. Lulzim mos rri rrugëve se nuk i pengon dot zgjedhjet vendore, hajde që zgjedhjet vendore t’i përdorim për të bërë projektin pilot për teknologjinë, siç rekomandon çdo mëndje e arsyeshme dhe ODIHR-i vetë kur vjen fjala tek teknologjia dhe mbi atë projekt pilot tek zgjedhjet vendore të ngremë sistemin e plotë, duke adresuar edhe problemet që mund të konstatohen në zgjedhjet e ardhshme kombëtare. Por, në atë kohë ishte ideja që “tek sheshi, tek sheshi dhe do ndahet përsheshi” edhe sa nga Astiri, tek Teatri, bum andej, bum këtej siç thoshte K.Th. Spiri: “O i gjori punët tuaj, bam me këmbë e bam me duar” dhe në fund ja ku erdhëm ta lëmë siç e kemi. Si ta lëmë siç e kemi?!
Ajo që sot ka ndodhur është që ne kemi pranuar, falë edhe zonjës Hajdari, – se ishte dhe zonja Hajdari aty, e bëri për integimin, e bëri për popullin, e bëri për atdheun, unë i besoj këto që thotë, por faktikisht e bëri bashkë me të tjerët, – që të mos depolitizohet sistemi i administrimit në komisione. Për ne, nga pikëpamja e interesit partik, ky nuk është një problem.
Për mua, nga pikëpamja e interesit kombëtar dhe nga pikëpamja e shtetit ky është një kthim i madh mbrapa, një humbje e madhe kohe. Sidoqoftë, e kemi pranuar këtë dhe ju, ia thashë edhe në takim përfaqësisë tuaj, duhet të kuptoni se nuk funksinonon, mos mësoni nga Luzim Basha t’i kërkoni të gjitha dhe të mendoni që këtu nuk ka të tjerë. Duhet të akomodoheni me idenë që ka një marrëveshje. Dakord?
Si e qysh e tek, mund ta diskutojmë, por ka një marrëveshje për të adresuar rekomandimet e ODIHR-it. Natyrisht që, ka të drejtë Myslym Murrizi të dalë nëpër ekrane dhe të bëjë talljen e madhe. Ka të drejtë se, faktikisht nuk është absolutisht rekomandim i ODIHR-it, është e kundërta e rekomandimeve të ODIHR-it që të mbahen komisionet, siç janë me anëtarë partie, por ja që dhe ODIHR ka dhënë ok, që do të thotë që, midis dy zgjedhjeve, që ne të shkonim drejt dhe të thonim jo, këtu ne nuk tolerojmë, duke e lënë lepurin e frikës në barkun e Lulit si luan, zgjodhëm që luanin ta bëjmë një mace. Aty është, në bark është frika nga zgjedhjet, se pikërisht se është macja aty vazhdojnë tani vijnë me propozime ekstravagante për KQZ-në. Ndërkohë që KQZ-në kemi rënë dakord që do të jetë e depolitizuar dhe me formulën e re, sikundër kemi rënë dakord që ky Kuvend duhet të votojë edhe depolitizimin në zgjedhjet e ardhshme.
Tani, çudia më e madhe është që thonë, jo në zgjedhjet e ardhshme vendore, por në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, dmth ata mendojnë akoma që do jenë përsëri në opozitë dhe këtë zv/kryetarin që ne thamë ose më saktë Damiani tha – se dihet Myslym që Damiani i bën këto punë, – që tha mbajeni për të ndjekur tenderin, sepse e di shumë mirë si shkon pastaj, jo u bë tenderi, jo nuk u bë tenderi, jo e manipuluan, jo s’e manipuluan, jo dështoi tenderi…, ta marrin dhe ta bëjnë vetë. Një nënkryetar KQZ-je që të ndjekë gjithë procesin, nga fillimi në fund me një ekspert ndërkombëtar dhe që po u bë, bukuri, po nuk u bë, mos kemi fjalë.
Tani edhe për këtë thonin, jo nuk e duam ne këtë deri në zgjedhje, e duam mandat të plotë.
Këta mendojnë vetëm si do humbin dhe çfarë do bëjnë pasi të humbin.
Ama, zvarritja nuk ndihmon.
Kërkesat e përsëritura dhe sharjet që i shoqërojnë ata përditë nuk ndihmojnë.
Natyrisht që, ne kemi bërë një zgjedhje. Unë kam bërë një zgjedhje që në këtë pikë të jemi në dispozicion patjetër dhe përtej faktit që mbase duket shaka dhe është jo gjysma, por është e vërteta që të lehtësojmë barrën e frikës së tyre për hyrjen në zgjedhje. T’ju japim gjithçka që duan. Unë ua them sot mos kujtoni se jemi noterë të çdo teke dhe të çdo kohe që ju vendoni se kur bëhet dhe kur s’bëhet. E t’i ndalojnë sharjet sot, t’i ndalojmë nxjerrjet e atyre të porositurve njëri pas tjetrit që dalin edhe akuzojnë, baltosin, kërcënojnë PS-në, se mësimin ua kemi dhënë disa herë dhe përsëri do ua japim, por në këtë pikë të mos na shqetësojnë se boll jemi tërhequr përtej çdo lloj pritshmërie nga vetë baza e votuesve tanë, që nuk e kuptojnë as sot pse komisionet nuk u depolitizuan. Boll! Stop!
Ndërkohë, zonja Hajdari, unë nuk besoj një sekondë të vetme që listat e hapura sjellin demokraci, sjellin rritje të cilësisë, që do hapen listat dhe këtu do vërshojnë rinia dhe të gjithë të tjerët do goditen nga vota. Nuk e tregon këtë asnjë eksperiencë. Listat e hapura kanë problematikat e tyre, padiskutim, por, për mua nuk janë tabu, që të jemi të qartë.
Është absolutisht e pavërtetë që listat e hapura e kthekan kryetarin e një partie në një njeri si gjithë të tjerët, ia hiqkan përgjegjësinë për listën e deputetëve, ndërkohë që lista e mbyllur na qenka bunkeri që e ngre kryetari. Është e pavërtetë! Është komplet e pavërtetë, sepse në të gjitha rastet përgjegjësia e liderishipit është aty, si u hap, si u mbyll lista. Është përgjegjësia e lidershipit përmbajtja e asaj liste, por ama janë disa pyetje.
Së pari, nëse sot ju jeni në këtë parlament, personalisht dhe gjithë gratë dhe vajzat që janë këtu, kjo ka ardhur nga listat e mbyllura. Nuk ka ardhur nga listat e hapura.
Kuotat e garantuara janë nga listat e mbyllura, nuk janë nga listat e hapura.
Transformimi i madh në përmbajte i parlamentit, në të kundërt të asaj që thonë dhe sidomos balancimi gjinor është nga listat e mbyllura, nuk është nga listat e hapura.
Sidoqoftë, listat e hapura nuk janë tabu për mua.
Doni t’i diskutoni i diskutojmë, patjetër, por as nuk mund të na impononi gjë, as mos na kërcënoni që jo po këtu nuk ka, këtu nuk votohet, këtu nuk bëhet se ndryshe kështu, ndryshe ashtu. Mos u bëni si ata që ikën se me kërcënime dhe me shantazhe Partinë Socialiste vetëm e tundoni që t’ju tregojë se sa të vegjël jeni, ju dhe ata bashkë. Mos na fusni në këtë tundim.
Është koha për t’i dhënë një shembull të gjithëve, vetes në rradhë të parë që ne jemi në gjendje, si shqiptarë, si përfaqësues të politikës nga të gjitha anët, të gjejmë një zgjidhje, në shqip, jo në anglisht. Dakord?
Nga ana tjetër, ju them atyre dhe të gjithë kanakarëve të tyre që dalin në televizor dhe që thonë që këtu parlamenti na qenka i Edi Ramës dhe i Taulant Ballës, se në fakt, kam shumë më tepër respekt për ju që jeni këtu se për ata që janë jashtë, unë personalisht. E nëse erdha dhe në tryezë për të folur, ishte për këtë respekt, le të thonë çfarë të duan ata.
Natyrisht, këtu ka lloj-lloj tipash, nuk diskutohet, por kur unë them që unë vetë personalisht nuk shoh ndonjë ndryshim, nuk më duket sikur nga këtu janë larguar laureatët e Harvardit dhe kanë ardhur ca hamej. Fare! Nuk shoh ndonjë ndryshim unë, për më tepër që kemi dhe ca si Valteri dhe ndonjë tjetër që na e heq mallin e Lulit se ka po atë pllakë, rrotullohet po ai gramafon që vjen nga PD-ja kështu që këtu.
Për ta mbyllur, dua të them që vota e diasporës për ne nuk është e harruar! Më vjen shumë keq që ata që bëjnë lajme dhe ata që bëjnë diskutime kanë arritur deri në pikën që të flasin për mashtrime.
Në fakt, është një sistem i tërë që do kohën e vet, nuk është fjalë goje, por nuk është e harruar. Listat nuk janë tabu dhe nga ana tjetër, kur vjen puna tek koalicionet, mos më bëni të flas dhe do t’i kërkoj ndjesë Murrizit se do t’i kopjoj një shprehje, – ky ka të keqen dhe të mirën që i thotë me emër, – unë do e them pa emër, por është një deputet këtu që është produkti më domethënës i arsyes pse koalicionet nuk janë një unitet demokratik në program.
Është një deputet që nuk ka votuar as për veten e vet, është i pari dhe i fundit në historinë e planetit, nuk ka votuar veten e vet. Ka ardhur këtu deputet i PD-së, ka bërë fushatë për mua, për PS-në e midis dy kohërave, ka kapur dhe ai një drejtori. D.m.th. koalicionet, Gjuz një gjë, unë jam i hapur për referendum, por monarki nuk do ketë sepse fiton ti dhe bëhesh mbret.
E fundit që kam është, zonja Hajdari, më the që të bëjmë një diktaturë duale, unë dhe Luli. Tani, unë, hajde se për shkaqe të ndryshme që unë them që nuk janë të vërteta, hajde dhe po më pikturoni si diktator, por unë me Lulin të bëjmë diktaturë? Unë mendoj që do të ishte e kundërta. Do të ishte një zhvillim i rëndësishëm demokratik dhe e kam seriozisht, e kam shumë seriozisht dhe mos kini asnjë dyshim që Shqipëria nuk është kërcënuar, nuk kërcënohet dhe nuk do kërcënohet nga diktatura si me lista të mbyllura, si me lista të hapura si me koalicione, si pa koalicione, si me votën e Diasporës, si pa votën e Diasporës, si me deputet Strazimirin, si me deputet miristrazon, nuk ka diktaturë në Shqipëri, të rrini të qetë.
Për sa i përket këtij procesi, ne duhet të mbyllim marrëveshjen. Ju keni bërë gabim në këndvështrimin tim që keni braktisur Këshillin. Marrëveshja është marrëveshje e ne do ta respektojmë marrëveshjen. Pastaj, çfarë doni ju të diskutoni këtu me ne për të arritur këtu një mirëkuptim, për të votuar, kjo është temë që pason dhe diskutimet këtu, janë diskutime këtu. Ata që janë jashtë, nuk mund t’i imponojnë këtij parlamenti se çfarë do diskutohet këtu, që të jemi shumë të qartë.
Ajo që unë i them sot edhe një here Luzim Bashës dhe Peço Vasilit është mos vazhdoni të dilni e të shani, mos vazhdoni të dilni e të shantazhoni. Mos nxirrni lloj-lloj të papunësh të kësaj foltoreje që për të siguruar rrogën e tyre punonin si sharës profesionistë këtu, në këtë foltore, për të sulmuar PS-në.
Mos vazhdoni ta bëni këtë! Mos na tundoni se për atë Zot ajo marrëveshje është një marrëveshje që sigurisht ka krijuar kushtet pozitive, në raport me klimën dhe natyrisht dhe në raport me partnerët, por për mua personalisht ajo nuk është reformë. Ai është një kthim i madh mbrapa i vetëdijshëm që kemi bërë të gjithë ne, që jemi në këtë krah dhe e kemi bërë për të njëjtën arsye që thotë dhe zonja Hajdari, në funksion të faktit që Shqipëria të mos bëhet prapë muhabet kafenesh, lart e poshtë nëpër Europë, por një fije peri e ndan realizimin deri në fund të asaj marrëveshjeje nga grisja e asaj marrëveshjeje. E këtë fije peri duhet ta ruaj mirë Lulzim Basha bashkë me Peço Vasilin e me të gjithë ata se nuk ia kemi për borxh që të na sulmojnë çdo ditë, të shpifin çdo ditë, të akuzojnë çdo ditë, ndërkohë që dua apo nuk dua unë personalisht, është fakt që shumica dërrmuese e shqiptarëve as nuk e pëlqejnë atë marrëveshje dhe nuk i duan listat e mbyllura.
Faleminderit!