Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e flotës së re të autoambulancave të Shërbimit të Urgjencës Mjekësore:

Përpara pak vitesh, shpërtheu një mikrorevoltë në sistemin tonë spitalor, kur ne lajmëruam reformën e Urgjencës Mjekësore. Sot besoj që frytet e kësaj reforme janë të gjitha kuptimplota, nëse marrim parasysh faktet. Faktet që në këtë botë dhe në këtë kohë të antifakteve janë gjithmonë e më të vështira për t’u nxjerrë në pah. Sidoqoftë, ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër, përveçse të mbështetemi tek faktet e punës sonë dhe të krijojmë me punën tonë fakte të reja kuptimplota.

Sesi ishte Urgjenca Mjekësore, kjo është një histori që do të kërkonte kohë të gjatë për t’u treguar dhe vështirësi të mëdha për t’u pranuar, pasi të këqijat thonë se harrohen shpejt, kjo është natyra njerëzore. Ashtu sikundër mjekët e dinë shumë mirë që pacientët e harrojnë atë që heqin sapo dalin nga spitali dhe nuk i kujtojnë këshillat tuaja për të mos u rigjendur në situatën kritike, kur duhet të rikthehen në spital.

Sot, ne me shumë krenari mund të themi se e shkuara është përgjithmonë e shkuar, edhe pse e ardhmja është ende larg për një Urgjencë Kombëtare Mjekësore që të jetë në lartësinë e sfidës, që t’i përgjigjet në një kohë reale çdo familjeje dhe çdo njeriu në nevojë në Republikën e Shqipërisë. Ama sot ka një të dhënë domethënëse, që është thelbi i reformës që ne nisëm dhe që u kundërshtua aq shumë në momentet e para. Për të kërkuar urgjencën, nuk kalon më nëpërmjet spitalit, nuk ka nevojë më që t’i biesh telefonave që nuk përgjigjen dhe të presësh në pafundësi, që, pasi ti e çon fjalën në spital, spitali të çojë fjalën tek Urgjenca dhe pastaj urgjenca të shfaqet në derën tënde.

Sot, Urgjenca Kombëtare Mjekësore është një sistem tërësisht autonom që funksionon i lidhur drejtpërdrejtë me çdo qytetar në nevojë. Është shndërruar nga një shërbim i degraduar dhe me imazhin e një funksioni të pashpresë të shtetit, në një shërbim që garanton asistencën bazë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Ne i dyfishuam investimet në shërbimet shëndetësore përgjatë këtij viti, pavarësisht se çfarë thonë gojët që s’pushojnë dhe pavarësisht sesa shumë ka ende për të bërë në këtë sektor.

Personeli i Urgjencës, krahasuar me 5 vite më parë, sot është i dyfishuar. Kemi 448 mjekë, infermierë dhe personel mbështetës më shumë.

Sot kemi një Urgjencë Kombëtare Mjekësore të digitalizuar e kompjuterizuar, e cila është në gjendje t’i përgjigjet në kohë reale çdo thirrjeje. Parafytyroni vetëm një shifër, 49 mijë njerëz, shqiptarë dhe të huaj, janë shërbyer vetëm në qendrat shëndetësore turistike nga 1 qershori deri në 15 shtator, falë kujdesit të drejtpërdrejtë të Urgjencës Kombëtare Mjekësore që ka dislokuar 17 autoambulanca përgjatë vijës bregdetare shqiptare.

Sot, 900 thirrje në ditë, të cilat shkojnë direkt, përmes sistemit të kompjuterizuar, në veshin e Urgjencës Kombëtare Mjekësore. Nuk ka më histori që bie zilja e telefonit, apo telefoni del gjithmonë i zënë sepse është lënë me atë telin që rrotullohet poshtë. ndërkohë që dezhurni i spitalit gërhet në qeft të vet. Këto, gërhimat e dezhurnit, apo gërhimat e telefonit të zënë tërë kohën, nuk ishin 400 vite përpara, as 40 vite përpara, por vetëm 4-5 vite përpara.

Çdo shërbim sot regjistrohet online, ndërkohë që koha e ndihmës së parë është shkurtuar në mënyrë të ndjeshme. Akoma më e rëndësishme, 50% e shërbimit është i përqendruar nëpër banesa, falë trajnimit dhe gatishmërisë së personelit të Urgjencës. Këto autoambulanca dhe ato të Urgjencës Kombëtare Mjekësore nuk janë thjesht taksi që shkojnë i marrin njerëzit dhe i përplasin tek dera e spitalit, por janë shërbim. Ambulanca që kanë përgjysmuar 50% numrin e atyre pacientëve apo njerëzve në nevojë për shërbim, duke ia dhënë shërbimin në banesë. Deri dje të mblidhnin, të rrotullonin me batanije, të hidhnin në rimorkio dhe të linin tek dera e spitalit. Kjo ishte Urgjenca deri dje. Ka qenë vetëm heroizmi i mjekëve dhe i infermierëve të asaj Urgjence që ka bërë çfarë ka mundur të bëjë në një sistem komplet të degraduar dhe të korruptuar të shërbimit shëndetësor.

Janë shifra domethënëse ato që janë investuar për Shërbimin e Urgjencës paraspitalore. Nga ana tjetër, uniformat e standardizuara të Urgjencës nuk janë fasadë, por janë shëmbëlltyra e një trupe në gatishmëri për punë, janë uniforma pune. Nuk vjen më urgjenca me pallto, me pardesy dhe me shiringat në xhepin e palltos, apo me ampulat e mbështjella me shall, ose me dorashkat e futura në kasketë, por vjen si një trupë e gatshme në punë, për t’i shërbyer çdokujt që ka nevojë për shërbimin urgjent shëndetësor.

Janë 52 autoambulanca të reja që i janë shtuar flotës dhe 100 sete moderne që i janë integruar në autoambulancat e trashëguara.

Sesi ishte urgjenca dhe sesi është mjafton të shikosh autoambulancën që është bërë gati për të shkuar në muzeun e të shkuarës dhe autoambulancën që sapo është futur në shërbim sot.

Sot kemi një Urgjencë Kombëtare Mjekësore realisht 24 orë në 7 ditë. Ashtu sikundër kemi një urgjencë mjekësore që ka shpëtuar statistikisht, falë sigurimit të funksionit të shërbimit kardiak apo vaskular cerebral, 3 mijë jetë njerëzish, sipas të dhënave të kompjuterizuara nga nëntori i vitit 2015, në këtë shëndetësinë tonë, ku, sipas komentatorëve që falë Zotit mos shkofshin kurrë në spital dhe që e kanë parë derën e spitalit vetëm nëpërmjet televizionit dhe flasin për spitalet, mjekët, apo infermierët vetëm thashethemeve, apo nga rastet që fatkeqësisht ekzistojnë të mjekëve dhe infermierëve halldupë dhe të korruptuar, spitalet janë vende ku njerëzit shkojnë të vdesin. Sigurisht që një vdekje bënë lajm, 3000 mijë jetë të shpëtuara vetëm nga Shërbimi i Urgjencës Kombëtare, që në të shkuarën nuk dihet sa do të mbijetonin, nuk përbën lajm. Sigurisht, një mjek i korruptuar, një infermiere e korruptuar, jo vetëm që përbën lajm, por edhe një arsye për të paragjykuar gjithë trupën. Ndërkohë që mjekë dhe infermierë që punojnë heroikisht sot, për t’ju gjendur njerëzve ditë-natë, nuk përbëjnë lajm.

Por, në fund fare, pavarësisht çfarë përbën lajm dhe çfarë jo, ajo që mbetet për ne, një arsye për t’u krenuar është e vërteta e thjeshtë e jetës së shpëtuar të atyre mijëra njerëzve që i drejtohen Urgjencës Kombëtare sot dhe sigurisë se sot, më shumë se asnjëherë më parë në historinë e këtij vendi, Urgjenca Kombëtare Mjekësore është pranë njerëzve. Duhet të jetë dhe shumë më pranë, pa diskutim. Edhe shumë më e shpejtë, pa dyshim. Edhe shumë më e sofistikuar, natyrisht. Por kurrë nuk ka qenë  më pranë njerëzve se sot dhe kjo falë të gjithë atyre që për zilinë time më të madhe janë  të veshur me ngjyrë portokalli, sot.

Urgjenca Kombëtare Mjekësore, – që ta mësojnë të gjithë ata që derdhin lot krokodili nëpër pasqyrat e mediave për mjekët dhe infermierët që po ikin masivisht, për spitalet që po zbrazen nga mjekët dhe infermierët, për berberët dhe kasapët që po futen nëpër spitale për të bërë punën e mjekëve dhe infermierëve,  drejtohet nga një mjek i nderuar që është kthyer nga jashtë për të reformuar këtë sistem dhe i cili është protagonisti kryesor i këtij transformimi. Duhet të jesh vërtetë pa asnjë vullnet për t’i përdorur sytë, që të mos e shikosh.

Nga ana tjetër, ne po vazhdojmë me shumë vendosmëri të investojmë dhe të përmirësojmë falë investimeve, të gjithë sistemin e shërbimit tonë parësor. Programi i ndërtimit të 300 qendrave shëndetësore dhe ambulancave në të gjithë vendin ka sjellë si rezultat këtë vit 80 qendra të reja shëndetësore. Vitin e ardhshëm 100 të tjera dhe nga këto përfitojnë më shumë se gjysmë milioni qytetarë të këtij vendi, që, nëse do t’u duhet të shkojnë në një qendër shëndetësore apo një ambulancë, nuk do shkojnë më në një vend që nuk dallohet çfarë është dhe ku jo vetëm nuk ke shpresë ku mund të marrësh ndonjë shërim, por del i pangushëllueshëm për gjendjen e mjerë të infrastrukturës.

E po kështu do të vazhdojmë të investojmë në QSUT, Spitalin e Kirurgjisë, Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme, Spitalin Pediatrik, në Spitalin e Urgjencës dhe të Patologjisë në Elbasan, në Spitalin e Pediatrisë në Durrës, në spitalin e Kukësit që do të zgjerohet. Ashtu sikundër do të rindërtohen spitalet e Gjirokastrës dhe të Lezhës, në maternitetet e Beratit e me radhë, duke patur parasysh se për të gjitha këto janë mbi 1 milionë qytetarë që kanë nevojë të kenë një adresë, ku shërbimi shëndetësor, në rast se u duhet, të jetë shumë më dinjitoz, seç është sot.

Gjatë këtij viti, të braktisjes së Shqipërisë nga të gjithë mjekët dhe infermierët, sipas mediave, – me media është llafi që bie, se ju e dini se çfarë janë, -këtë vit janë punësuar në sistem 153 mjekë dhe 820 infermierë dhe të tjerë janë në radhë për t’u punësuar.

E rëndësishme është që ne kemi garantuar rrugën e meritokracisë për mbi 4 mijë infermierë që duan të hyjnë në sistem, – janë në Shqipëri, nuk janë në Gjermani, janë në portalin “Infermierë për Shqipërinë”, por ndryshe nga çfarë ka ndodhur për 25 e kusur vjet nuk hyn më në punë as përmes partisë, as përmes krushqisë, as përmes parasë, por vetëm përmes pikëve të fituara në testimin kombëtar të infermierëve.

Pas janarit do të kemi 300 mjekë të rinj specialistë, të cilët, po ashtu, në bazë të meritës dhe të rezultateve, do të mund të zgjedhin se ku dhe nëse duan të kontribuojnë. E për të gjithë ata që do të zgjedhin të kontribuojnë në zona jashtë zonës së tyre të banimit, ne do të vazhdojmë të paguajnë aq sa do të merrnin sikur të fillonin punën në Gjermani, që ditën e parë që do arrinin. Aq marrin të gjithë mjeket që shkojnë jashtë Tiranës, apo jashtë qendrës së tyre të banimit, për të shërbyer si specialistë në shërbimin tonë kombëtar mjekësor në të gjithë territorin e Shqipërisë. Marrin rrogën si çdo mjek dhe pastaj marrin mbi rrogën, 2 000 deri në 2500 dollarë në muaj. E po të llogarisësh që taksat që paguajnë këtu janë pesëfish më të ulëta sesa për të njëjtën rrogë në Gjermani, le ta bëjnë vetë llogarinë sesi ju del më mirë. Por një gjë është e sigurt, ne as kemi dhe as do të kemi mungesë mjekësh në sistemin tonë kombëtar shëndetësor. Ndërkohë, të gjithë atyre që do të duan të bëjnë eksperienca jashtë vendit, nuk mundet veçse t’u urojmë me gjithë zemër sukses, sepse janë vlerë e shtuar intelektuale, vlerë e shtuar profesionale, eksperiencë e fituar që herët ose vonë i  rikthehet atdheut.

Patjetër që pagat e mjekëve dhe infermierëve janë ende larg së qeni ato që ne do të donim, por janë larg së qeni ato që ishin. Ashtu sikundër taksat që paguajnë mjekët, infermierët dhe të gjithë punonjësit, në shtet apo në privat në Republikën e Shqipërisë, që marrin deri në 1 milionë e 500 mijë lekë të vjetra janë shumë më të ulëta, sesa ishin në të shkuarën. Vitin e ardhshëm do të rriten përsëri pagat e mjekëve dhe të infermierëve. Ashtu sikundër,vitin e ardhshëm  do të paguajmë jo pak, po 1200 dollarë në vit për studentë ekselentë mjekësie, d.m.th. 100 mijë lekë në muaj bursë dhe do të paguajmë ne si qeveri të gjithë tarifën, të çdo studenti në mjekësi me notën 9 deri në 10. E do na kushtojnë shtrenjtë këto të mirët në mjekësi, sepse janë të gjithë shumë të mirë. Megjithatë, ashtu të jenë dhe ne do ta shpërblejmë këtë që ata bëjnë dhe do t’i mirëpresim në sistem, pasi t’ua kemi paguar vetë tarifat, pasi t’u kemi dhënë dhe bursën mujore dhe pasi t’i bëjmë gati për të zgjedhur Shqipërinë, ose botën, sipas dëshirës së tyre. Por është e sigurt se edhe kjo është një vlerë e shtuar për sistemin kombëtar shëndetësor që ne duam.

Krahas bursës për ekselentët do të japim edhe bursën për ata që vijnë në jetë. Ata që vijnë të parët do ta kenë më të ulët. Ata që vijnë të dytët, pak më shumë. Ata që vijnë të tretët akoma më shumë. 400 të parët, 800 të dytët, 1200 të tretët. E kur vijnë bashkë i marrin bashkë, po njësoj. Binjakët marrin 800 të dy, të tretët marrin 1200 të tre.

Duke ju uruar gëzuar Vitin e Ri dhe duke i uruar çifteve të reja të shtyjnë fort përpara, ju uroj të gjithëve shumë sukses në Urgjencën Kombëtare!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.