Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Unë, duke mos qenë shumë i ngarkuar nga pikëpamja teknike, besoj se e kam më të thjeshtë për t’i shkuar problemit në zemër, që do të thotë që ne kemi mundësi fantastike të ndërtojmë mbi disa shembuj shumë kuptimplotë që janë krijuar gjatë këtyre 18 muajve, falë mbështetjes së drejtpërdrejt që qeveria ka dhënë nëpërmjet AZHBR-së. Janë disa shembuj shumë të pakët për të imagjinuar ndryshimin rrënjësor që duam, por janë absolutisht të mjaftueshëm për të kuptuar se sa më shumë ne të jemi në gjendje të mbështesim me financime, ndërtimin, krijimin e sa më shumë shembujve të tillë, aq më pranë jemi në objektivin e ndryshimit rrënjësor në bujqësi.

Unë besoj se këto shembuj na tregojnë që të gjitha ato problematika që nga larg duken të pazgjidhshme si fragmentimi i tokës, dokumentet e me radhë, në fakt nuk ekzistojnë. Mjafton që ne të identifikojmë dhe të mbështesim të gjithë ata sipërmarrës, të cilët kanë idenë e qartë dhe kanë bazën mbi të cilën të fuqizojnë kapacitetet e tyre në infrastrukturë dhe në teknologji dhe zinxhiri i punësimit dhe mbyllja e ciklit të prodhimit është i garantuar.

Këto janë gjëra që unë i kam parë me sytë e mi, nuk mi ka treguar kush, as i kam lexuar në libra. Kam parë me sytë e mi sesi, – një pjesë e konsiderueshme e këtyre shembujve, që i kemi edhe këtu prezent, – kanë arritur që me një mbështetje që në këndvështrimin tim, krahasuar me mbështetjen që mund të japë një instrument financiar i mbështetur nga bankat, ka qenë shumë modeste, të transformojnë shifrat e prodhimit, të përpunimi dhe të eksportit të tyre.

Gjëja që ne duam të bëjmë është të shkojmë një hap më tutje. Për këtë kemi folur me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe i kemi kërkuar që në programin e ri me Shqipërisë të vendosë në qendër të vëmendjen një nga tre prioritet kryesore, nxitjen me instrumente financiare të ciklit të zinxhirit të vlerave dhe të ciklit të mbyllur të prodhimit në bujqësi.

Nga ana tjetër, ne kemi shprehur gatishmërinë që të bëjmë një hap më tutje, duke e transformuar AZHBR-në, agjencinë e pagesave sot, në një ndërmjetës mes sipërmarrësit dhe bankave. Pra, e reja që synojmë në radhë të parë është që marrëdhënia me bankat të mos jetë e drejtpërdrejt mes sipërmarrësit dhe bankave, por të jetë mes bankave dhe agjencisë sonë të pagesave, e cila do të marrë përsipër të gjithë procesin e informimit, të trajnimit, të kontaktit, të mbledhjes së projekteve dhe të depozitimit të kërkesave tek bankat. Kjo do të bëjë që të gjitha vështirësitë e jashtëzakonshme që has deri më sot, një sipërmarrës që është në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, kur kërkon mbështetje nga një bankë, të neutralizohen dhe nga ana tjetër, Agjencia e Pagesave do të ketë edhe rolin jo vetëm të ndërmjetësit, por edhe rolin që shteti dëshiron të marrë në ndarjen e riskut dhe në mbështetjen e uljes drastike të interesave. Kjo është ideja.

Ne besojmë që konfirmimi që BERZH i bëri kësaj ideje, pasi bëri një analizë, duke konsideruar qysh në fillim që kjo ka potencialin për të përbërë një dhjetëfishim të financimit të këtyre sipërmarrjeje. Pra, nëse në vitin e parë, me AZHBR-në, ne kemi mundur të financojmë një numër të kufizuar sipërmarrjesh, që ishin shembuj disa prej të cilëve u sollën në prezantimin paraprak, kapaciteti është për t’i dhjetëfishuar. Ajo që është shumë e rëndësishme është që, nëse kemi një probleme me kreditë sot në vend, pjesa interesante është që nuk ka kredi për t’u ristrukturuar nga sektori i bujqësisë, pra, janë kreditë me më pak ose aspak probleme.

Problemi që kanë sot fermerët është se nuk mund ta bëjnë këtë proces vetëm dhe nuk mund t’i përballojnë interesat aktuale të kredive, sepse faktikisht, financiarisht kjo ju është e pamundur. Por siç dëshmojnë të gjitha rastet që ne kemi analizuar, është pjesa më pa probleme, madje deri në zero probleme, të raportit me bankat, kur vjen fjala për kreditë në bujqësi.

Ne besojmë bazuar tek eksperienca e AZHBR-së, bazuar edhe tek reforma territoriale administrative që sot na jep një transformim rrënjësor të mënyrës së organizimit në territor, pasi nuk kemi më 400 bashki e komuna, por kemi 61 bashki, duke filluar nga Tirana deri tek bashkitë më të vogla, që kanë një dimension komplet tjetër nga pikëpamja e territorit jo si gjeografi, por si përmbajtje.

Faktikisht, të gjitha bashkitë e vendit sot e kanë të pamundur ti shmangen përgjegjësisë së drejtpërdrejtë për të pasur edhe një dimension të zhvillimit rural. Këtu ne jemi duke përpunuar rrugën se si do t’i ndajmë këto përgjegjësi, pasi ne besojmë shumë që një nga problemet kryesore, që nuk na e zgjidhin dot bankat, që ka sot në këtë moment kthese zhvillimi i bujqësisë është dija. Në fushën e dijes, pra të marrjes së informacionit, të njohjes me të gjithë aspektet që ka informacioni i sotëm për zhvillimin e një ferme, për zhvillimet e sektorit, kemi një prapambetje historike. Një prapambetje që mund të lexohet në mënyrë dramatike kur fjala për të parë se çfarë kapacitetesh ka sot në fshat, në fermë, për të kthyer në projekte të financueshme idetë shumë kurajoze dhe instinktet për të çarë rrugën e zhvillimit të fermerëve.

Në këtë aspekt ne duhet të marrim dhe do të marrim një përgjegjësi. Do të fusim në një reformë rrënjësore të gjithë mënyrën se si është strukturuar sot pjesa shtetërore, duke filluar nga fakti që sot e gjithë ditën që shteti është simbol i dështimit në raport me garancinë kullimit dhe të ujitjes dhe prandaj kanalet ujitëse dhe kulluese janë kërkesat kryesore dhe nganjëherë e vetmja kërkesë e atyre që janë në fshat do të kalojnë në administrimin e bashkive. Duke vazhduar me mbështetjen për imputete dhe garantimin e cilësisë së imputeve që do të jetë një punë e kombinuar mes qeverisë qendrore si përcaktuese e standardeve dhe monitoruese dhe e pushtetit vendor. Duke vazhduar me pjesën themelore që ka të bëjë me njohjen. Drejtoritë tona sot nuk përballojnë dot, nuk kanë asnjë shans ta përballojnë nevojën që kemi ne për t’i kthyer në vatra të dijes, të informacionit, të trajnimit të njerëzve që punojnë me tokën dhe për tu bërë njëkohësisht katalizator të pëlqimit të këtyre shembujve.

Unë besoj që shembujt që janë këtu janë shembuj që duhet t’i njohin të gjithë në fshat dhe kjo do të jetë pjesë e punës dhe e politikës sonë duhet, – dhe kthehem prap te arsyeja pse na kanë mbledhur, – që kapaciteti financues të rritet. Kapacitetin financues të këtyre projekteve ne do ta rrisim vetëm duke synuar fillimisht këtë skemë. Historitë e Bashkimit Europian edhe të mbështetjes nga Bashkimi Europian janë histori shumë më të komplikuara dhe janë histori në të cilat ne jemi të destinuar të dështojmë nëse fillimisht sot nuk do jemi në gjendje të mbjellim në të gjithë territorin këto shembuj suksesi dhe në të gjithë territorin shembujt e suksesit t’i kthejmë në vatra të dijes për të tjerët.

Gjëja që është më inkurajuesja në këtë proces është ajo të cilën ekspertët akademikët, teoricienët të huaj edhe të brendshëm e kanë konsideruar si problemin numër një në rrugën tonë të zhvillimit që është fragmentimi i tokës në shembujt që unë kam parë ky problem nuk ekziston. Është inekziztent sepse mjafton që sipërmarrja të krijojë një marrëdhënie kontraktuale me të gjithë fermerët, secili sipas pjesës së tokës së vet, duke i bashkuar në rrugën e prodhimit dhe duke ju siguruar që prodhimi është i shitur dhe nga ai moment familja e fermerit që sot ka 5 dynym dhe që me ato 5 dynym nuk bën dot asnjë gjë, mbjell domate, i ha vetë, pjesën tjetër e nxjerr në rrugë me shpresën se do ndalojë makina, të blejë domate kthehet praktikisht në pjesë të zinxhirit dhe kthehet në një biznes të vogël. Dhe kjo na çon , si e vetmja rrugë dhe për ta formalizuar këtë proces për të kaluar nga një situatë ku kemi informalitet të madh në një situatë ku të gjithë këta zinxhirë të jenë të formalizuar.

Sigurisht, çështja është që t’i japim këtij instrumenti përmbajtje të plotë. Unë nuk hyj tek ata që besojnë që mjafton të kesh paratë dhe e ke të sigurt suksesin. Unë besoj të kundërtën. Në qoftë se nuk kemi të qartë rrugën dhe nuk mbështetemi tek dija në këtë sektor dhe tek rritja e kapaciteteve të dijes, ne mund të kemi shumë para, por nuk jemi domosdoshmërisht të destinuar të bëjmë sukses. Por një vit na ka mjaftuar që të kemi arsye të forta për të qenë shumë optimist dhe optimizmi vjen nga shembujt që janë krijuar duke bërë një skemë shumë të thjeshtë mbështetje, 50% me 50% të investimeve, për të rritur kapacitetet dhe për të mbyllur ciklin e prodhimit dhe nuk kemi asnjë rast që të ketë dështuar skema dhe këtë duhet ta dëgjojnë bankat dhe llogariteni që instrumentet tanë nuk janë instrumentet e bankave që janë shumë më të kontrolluar dhe më të sofistikuar. Pra, në të gjitha rastet kur ne u kemi thënë po, projekteve të sipërmarrëseve, duke ndarë me ta 50 % me 50 % investimin dhe duke ua vënë kusht që 50 % jonë do të paguhet në fund të investimit, nuk kemi asnjë rast që të ketë dështuar.

Të gjitha janë aty dhe unë do t’ju sugjeroja një ekskursion, – Ministri Financave t’ju gjejë paratë t’ju paguajë juve një ekskursion nga fondi rezervë, – për të shkuar dhe për t’i parë konkretisht këto raste. Për të parë se ku ishte Kujtim Lika që e takova dje, apo miku im atje nga Dibra, përpara se sa ne të jepnim këtë mbështetje dhe u është sot dhe se si kapaciteti për të prodhuar, për të përpunuar dhe për të eksportuar është rritur. Në vetëm me një projekt që ne mbështetëm Kujtimin, ai ka 5-fishuar eksportin e tij.

Mbështetja që kemi dhënë ne është një skemë shumë e thjeshtë. Problemi ynë është që ne nuk mundemi dot që të përballojmë të gjitha kërkesat, me fondin që kemi në dispozicion. Edhe pse ne e kemi dyfishuar dhe mund ta dyfishojmë prapë vitin tjetër, kjo nuk është e mjaftueshme. Për këtë arsye na duhet ky instrument dhe i jam shumë mirënjohës BERZH-it, për gatishmërinë për t’u futur në këtë proces.

Arsyeja pse ne jemi mbledhur këtu sot është që të hapim një diskutim konkret, duke marrë mendimet tuaja për ta përkufizuar instrumentin, por qëllimi ynë final është që sipërmarrësit të prodhojnë të mbështetur prej nesh dhe të mos rrinë të merren me sa letra duhet të çojnë në bankë. Këtë pjesë do ta bëjmë ne.

Nga ana tjetër, ne të garantojmë, sëbashku me BERZH-in, që risku i bankave praktikisht është minimal, për të mos thënë inekzistent. Kështu që gjithë ato para që keni nëpër arka është koha për t’i nxjerrë dhe për t’i hedhur në bujqësi, sepse është sektori më pa risk sot, në Shqipëri dhe është momenti për t’i dhënë një shtytje historike dhe për të bërë një kapërcim historik, duke shfrytëzuar kapacitetet e jashtëzakonshme infektive, do thosha, që kanë këta shembuj. Problemi është vetëm që t’i mbështesim fuqimisht, bashkërisht, shteti me dijen, me informacionin, me trajnimin dhe duke ndarë riskun me BERZH-in, ndërkohë që bankat thjesht duke fituar lekë. Në fund fare, ju keni një detyrë shumë më të thjeshtë nga të gjithë ne të tjerët. Ne duhet të bëjmë para duke bërë gjëra të tjera, ju e vetmja gjë që bëni, është të bëni para dhe ne, për këtë duam t’ju ndihmojmë në këtë rast. Shumë faleminderit ​

 

Unë jam Kristiani nga banka Raiffeisen. Z. Kryeministër, zotërinj ministra faleminderit për këtë iniciativë. Kam dy pyetje. Ka më shumë se pesë vjet që kemi një departament për çështjet e bujqësisë, por njëri ndër problemet me të cilat hasemi është që shumat janë të vogla, domethënë kemi disa kredi, të cilat janë deri në 1 milionë euro dhe ndërkohë kur flasim për fushën e bujqësisë, ne ju themi fermerëve që duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Por, në qoftë se do të shikojmë kompanitë më të mëdha, kompanitë janë kooperative. Në qoftë se duam që të kemi ekonominë e shkallës, duhet që të kemi tokë më të madhe, duhet të kemi më shumë fermerë në mënyrë që të ketë më shumë tendencë për eksportim dhe jo vetëm prodhim për konsumim të brendshëm. Gjëja e dytë që dua të di është se si mund t’jua bëjmë të mundur këtyre njerëzve që të bashkëpunojnë, në mënyrë që të bëjmë të mundur këtë ekonominë e shkallës që po përmendja më përpara? Së dyti kur do t’i kemi detajet e tjera, domethënë ka ndonjë shumë minimale, do bëhet 50 me 50 %, kur mund të na jepni më shumë detaje lidhur me këtë instrument?

 

Përsa i përket pyetjes së parë, ky është dhe elementi inkurajues që ne kemi konstatuar nga mbështetja e këtyre sipërmarrjeve, që fragmentimi i tokës nuk është më problem, pasi është sipërmarrja e cila vendoset në marrëdhënie kontraktuale me të gjithë fermerët e interesuar. Po të shikoni këto sipërmarrje, do të shikoni që pronësia mbi tokën është e shumëfishtë dhe sipërmarrjet ose e marrin atë me qira nga personat, ose hynë në marrëdhënie të drejtpërdrejt me persona që janë aty dhe që punojnë tokën, duke ju kërkuar llojin e produktit, duke ju vënë në dispozicion farën ose fidanin e duhur dhe duke ju garantuar që do t’jua blejnë prodhimin. Faktikisht është financimi dhe plotësimi i nevojave të sipërmarrjes që e krijon automatikisht “kooperativën”. Pra, nuk nisemi më, siç jemi nisur në 20 vjet, me idenë të bashkojmë njëherë njerëzit bashkë dhe të bashkojmë tokat, pastaj të mendojmë çfarë do të bëjmë me këto. Jo, e kundërta ndodh dhe e kundërta funksionon.

Ne ishim në fabrikën e përpunimit të frutave në Peshkopi. Me mbështetjen që i kemi dhënë ne dhe me asistencë teknike franceze e me teknologji të marrë nga Franca, sot fabrika ka gati të gjitha mundësitë jo vetëm për të prodhuar për vendin, por edhe për të eksportuar lëngun e frutave. Jo vetëm kaq, por tani, përveç fermerëve që janë në Dibër, edhe fermerët nga Korça që prodhojnë mollë, pasi një nga produktet e saj është lëngu i mollës, kanë filluar të hynë në kontakt me fabrikën, sepse është e vetmja pikë ku mund të shkojë molla për përpunim. Faktikisht, ky problem nuk ekziston më. Të gjitha tokat janë vënë në dispozicion të fabrikës, në momentin kur personat që i disponojnë këto toka ose i japin ato me qira, ose prodhimin e nxjerrin me kushtet që ja kërkon fabrika dhe e çojnë në fabrikë për përpunim.

Përsa i përket tjetrës, një detaj Kristian, se mbase interesoheshe për këtë. Në skemat tona, këta shembuj që po flasim, ne i kemi financuar me 150 mijë dollarë. Ky ka qenë financim fiks i joni, që i përgjigjet kësaj skeme dhe pjesa më e madhe e tyre që janë këtu kanë financuar nga ana e tyre, 150 mijë dollarë të tjera. Por në të gjitha rastet që ne kemi konstatuar, nevojat e tyre për financim është me e madhe. Ky ka qenë limiti që kemi vënë ne. Domethënë ajo frika që mos ketë një super fragmentim të financimit nuk ekziston, sepse bëhet fjalë për blloqe financimi që padyshim mund të shkojnë edhe 1 milionë, edhe 2 milionë, varet nga projekti, varet nga besueshmëria dhe nga shtrirja në hapësirë e projektit.

Dua t’iu falënderoj të gjithëve, në radhë të parë dua të falënderoj profesor Hausman-in, të falënderoj bankat këtu të pranishme, padyshim BERZH-in dhe fermerët. Shpresoj shumë që në vijim do të vazhdojë intensivisht dialogu me të gjitha bankat, për të finalizuar produktin dhe për të pasur një dakordësi të plotë mbi kush bën çfarë në këtë proces.

Ambicia jonë dhe unë besoj që nuk është aspak utopike, por e bazuar tek historitë e suksesit, sepse faktikisht juve si banka gjithmonë flisni për riskun, ndërkohë që ky shembull është shembulli se ne kemi financuar suksesin, pasi financimin, ne e kemi kushtëzuar me realizimin dhe asnjëherë nuk kemi paguar përpara realizimit. Besoj që kapaciteti thithës në territor është shumë i madh dhe kapaciteti realizues në territor është shumë i madh. Shembujt që ne kemi arritur të krijojmë janë thjesht dhe vetëm domethënës për çfarë mund të bëjmë, por janë shumë të pamjaftueshëm në numër dhe në sasi, në kuptimin në numër shembujsh dhe në volum në gjithë sektorin. Ndërkohë që kemi bërë një analizë paraprake me Drejtoren e AZHBR-së lidhur me potencialin dhe absolutisht është e mundur që ne të kemi një potencial fillestar, pa filluar me informimin, trajnimin, rritjen e kapacitetit projektues, por të kemi një potencial fillestar që mund të shkojë deri në 100 milionë dollarë në vit.

Kështu që, unë do t’ju lutesha shumë që ta mbajmë intensivisht të hapur këtë kanal dialogu. BERZH-i bashkë me ekipin tonë do t’ju kontaktojë edhe drejtpërdrejt për të hyrë deri në detaje që në fund, produkti i finalizuar të jetë një produkt absolutisht i përbashkët.

Shumë faleminderit edhe një herë. Kam shumë shpresë që ky do të jetë një instrument që në fund ta zhbukosë kanalin e kreditimit, se nuk e di si i përballoni gjithë ato para që i keni dhe i mbani dhe nuk i jepni për kredi. T’ju çlirojmë dhe juve nga ky hall, domethënë, kjo është ideja.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.