Në kuadër të vizitës në Tiranë të Kryeministres së Polonisë Beata Szydlo u mbajt Forumi Ekonomik Poloni-Shqipëri. Kryeministrja Szydlo shoqërohej në këtë vizitë edhe nga një grup përfaqësuesish të biznesit e sipërmarrjes polake. Gjatë punimeve të Forumit u nënshkruan edhe dy marrëveshje në fushën e ekonomisë; Marrëveshja mes Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, AIDA dhe agjencisë polake dhe Marrëveshja mes uninit të dhomave të tregtisë të dy vendeve.
Forumi u përshëndet nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministrja Beata Szydlo.
Kryeministri Edi Rama:
E nderuara Zonja Kryeministre e Polonisë!
Të nderuar miq, të ardhur nga Polonia dhe partnerë të biznesit shqiptar!
Është një kënaqësi e veçantë për mua që sot të mirëpres në Shqipëri, Kryeministren e Republikës së Polonisë. Besoj se kjo vizitë në Shqipëri është një dëshmi e marrëdhënieve të afërta miqësore që lidhin Shqipërinë me Poloninë. Këto, për ne janë marrëdhënie të një rëndësie të veçantë.
Ne, Shqipëria, jemi të vendosur që të eksplorojmë të gjithë potencialin e marrëdhënies sonë me Poloninë dhe të gjejmë rrugë të reja për ta forcuar këtë marrëdhënie.
Unë besoj se, – pa dashur të mbaj një fjalim të gjatë dhe të ndjek gjithë tekstin e përgatitur për këtë rast, me hapat që ne kemi ndërmarrë për të lehtësuar e nxitur biznesin, për të fuqizuar prezencën e investitorëve të huaj, – ka një fakt që është mjaft domethënës, numri i qytetarëve polakë që vizitojnë Shqipërinë, si turistë, po shkon duke u rritur në mënyrë të ndjeshme, vit pas viti. Pra, është një zgjedhje e lirë e tyre, që duhet të përbëjë për ne një tregues kuptimplotë të një potenciali të madh në fushën e turizmit.
Për këtë arsye, – unë e kam diskutuar edhe me Kryeministren në takimin shumë miqësor që patëm, – ne jemi të gatshëm që t’i ofrojmë të gjitha lehtësitë e nevojshme dhe t’i shoqërojmë në një proces njohjeje dhe mundësisht investimi në Shqipëri, gjithë sipërmarrësit nga Polonia që do dëshirojnë të jenë pjesë e zhvillimit të vazhdueshëm të Shqipërisë në fushën e turizmit.
Shqipëria ka qenë një destinacion tërheqës turistik, por vit pas viti, ajo po zbulohet si e tillë dhe vit pas viti, shifrat po flasin për një atraksion real, të ri, në Mesdhe. Nuk është një destinacion i eksploruar gjerësisht më parë dhe kjo e bën edhe më tërheqës, por sigurisht, ne kemi nevojë që të investojmë në mënyrë cilësore, për të krijuar kushte optimale që ky destinacion t’i shërbejë sa më shumë turistëve.
Në vitin që po mbyllet, në Shqipëri patëm 25% më shumë kërkesë, sesa mundësi akomodimi, ndërkohë që potenciali i zhvillimit turistik të Shqipërisë, qoftë në zonën bregdetare, qoftë në zonë malore është gjerësisht për t’u shfrytëzuar. Ka pasur një zhvillim në këto vite, por pjesa që mbetet për t’u konsideruar dhe për t’u zhvilluar në mënyrë cilësore, është ende shumë më e madhe, sesa pjesa që është shfrytëzuar deri më sot dhe jo gjithmonë me cilësinë e duhur.
Patjetër që turizmi nuk është vetmja fushë.
Ne jemi një vend me një potencial hidroenergjetik shumë të madh. Jemi vendi i dytë më pasur në burime ujore në Europë, pas Norvegjisë. Faktikisht, potenciali ynë hidroenergjetik është ende gjerësisht i pashfrytëzuar. Në këtë fushë është bërë një progres i konsiderueshëm. Kompani të mëdha janë prezent, ashtu sikundër, edhe përfshirja e Shqipërisë në projektin e gazsjellësit Transadriatik e bën edhe më tërheqës vendin në pikëpamje të investimeve në energji.
Por pa harruar edhe faktin se Shqipëria është një vend i pasur me naftë, jo vetëm offshore, por edhe onshore. Edhe në këtë sektor, ne kemi parë zhvillime të rëndësishme dhe prezencë investitorësh të mëdhenj dhe shumë të rëndësishëm. Mjafton t’ju sjell si shembull, faktin që ndërkohë që kompania “Shell” ka mbyllur për shkak të rënies së çmimit të naftës, pjesën më të madhe të programeve të veta të eksplorimit për një periudhë kohe, programet e eksplorimit të kësaj kompanie në Shqipëri, jo vetëm nuk janë mbyllur, por janë zhvilluar më tutje me kontrata të reja.
Patjetër që, edhe në fushën e bujqësisë, ne kemi një potencial të rëndësishëm. Mirëpresim investitorë të huaj, pasi edhe në këtë fushë po shikojmë disa shenja shumë inkurajuese të një transformimi që ka sjellë si rezultat të drejtpërdrejtë, rritjen e rëndësishme të eksporteve të Shqipërisë në vitet e fundit.
Shqipëria është një vend ku ka një zhvillim të rëndësishëm edhe manifaktura, e cila tani ka hyrë në një cikël transformimi për të shkuar nga industria fason në industrinë me cikël të mbyllur dhe mbetet shumë atraktive për shkak se kostot e punës janë ende shumë të ulëta, krahasuar me vendet e tjera të Bashkimit Europian.
Mbi të gjitha, Shqipëria është një vend, siç mundët ta shikonit dhe sot, pasi u nisët në mëngjes me dëborë, që ka një diell shumë bujar në një hark kohor shumë të gjatë të vitit. Është një vend që pa as më të voglin dyshim mund të ketë shumë gjëra që janë ende për t’u rregulluar, por ka një gjë që është e sigurt: Në Shqipëri nuk mërzitesh kurrë, – gjë që nuk është e sigurt që mund të thuhet me siguri për Poloninë, apo për vendet e tjera të Bashkimit Europian. Mbase, kur të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian, do jemi dhe ne “të mërzitshëm”, por për momentin mendoj që duhet shfrytëzuar ky fakt, pasi e vërteta është se ka shumë njerëz që vijnë nga jashtë në Shqipëri me paragjykime nga më të ndryshmet, ka shumë njerëz që ose nuk e marrin fare rrugën për në Shqipëri, ose kur e marrin, e marrin me një skepticizëm të madh, por ju siguroj që nuk ka një njeri të vetëm që, pasi vjen dhe e njeh Shqipërinë, nuk kthehet përsëri.
Jam i bindur që e njëjta gjë do të ndodhë edhe me ju këtu, edhe me vetë Kryeministren, që unë po e ftoj të marrë fjalën dhe ta dëshmojë vetë sesa e bukur është Shqipëria.
Kryeministrja e Polonisë, Beata Szydlo:
Zoti Kryeministër!
Zonja dhe zotërinj ministra!
Vërtet, moti në Shqipëri është tejet i bukur dhe normalisht kjo është një nga arsyet që Shqipëria do të bëhet anëtare e Bashkimit Europian sa më shpejt që të jetë e mundur.
Zonja dhe zotërinj!
Jam shumë e lumtur për këtë vizitë. Jam shumë e lumtur që takohem dhe që flas me Zotin Kryeministër. Kemi folur në fakt për shumë çështje, përfshi edhe bashkëpunimin tonë dypalësh, i cili mund t’i sjellë ekonomitë tona më pranë. Kemi folur gjithashtu, edhe për bashkëpunimin në fushën e kulturës dhe një marrëveshje e rëndësishme është nënshkruar midis ministrive tona përkatëse.
Jam shumë e lumtur që shoqërohem nga ju, përfaqësues të biznesit polak.
Ashtu siç u theksua edhe nga Kryeministri Rama, Shqipëria është një vend i cili është i hapur për investitorët, për idetë, projektet tuaja. Është i hapur për bashkëpunimin tuaj. Unë besoj se duhet të përfitojmë nga kjo mundësi.
Polonia dhe Shqipëria kanë shumë gjëra të përbashkëta. Kemi një histori miqësie dhe bashkëpunimi që ne ndajmë. Diçka tjetër që kemi të përbashkët është edhe e ardhmja jonë e përbashkët. Duhet të bashkëpunojmë dhe shpresoj që ky takim të jetë fillimi i një bashkëpunimi më të thellë dhe më të ngushtë.
Shqipëria ka ambicien për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian dhe Polonia gjithmonë e ka mbështetur dhe do ta mbështesë Shqipërinë.
Do të doja të përfitoja nga rasti që ta përgëzoja qeverinë shqiptare për reformat që ka zbatuar deri tani. Shpresoj që së shpejti, kjo do të marrë vlerësim edhe nga institucionet europiane.
Jam shumë e kënaqur të vë re vendimin e Komisionit Europian që dha opinion pozitiv për reformat që janë ndërmarrë në Shqipëri. Është një hap i madh drejt integrimit, por ende jemi në pritje të vendimit të Këshillit të Bashkimit Europian dhe shpresoj që ky të jetë vendim pozitiv.
Zoti Kryeministër, më lejoni ta konfirmoj edhe njëherë: Polonia do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Sidoqoftë, bashkëpunimi ynë nuk është vetëm kontakt në nivelin politik. Është shumë me rëndësi për ne, që të sigurohemi që lidhjet tona ekonomike të jenë më të forta, në mënyrë që të rritet vlera e qarkullimit tonë tregtar. Kjo është edhe në interes të ekonomisë polake.
Që prej një viti, Polonia është duke zbatuar programin e saj të zhvillimit të përgjegjshëm, që është një program ambicioz dhe shpresojmë që të përshpejtojë rritjen. Ekonomia është përparësia jonë. Jemi mjaft konsistentë në veprimet tona.
Një prej elementëve të planit tonë për zhvillimin e përgjegjshëm është bashkëpunimi me vendet e tjera dhe duam ta zgjerojmë dhe ta thellojmë këtë bashkëpunim. Duam që të hapemi në tregje të reja. Duam të kërkojmë fusha të reja e vende të reja ku të mund të zbatojmë programet tona ekonomike.
Kjo është arsyeja, pse do doja ta theksoja sesa e kënaqur jam që jam në gjendje të vizitoj Shqipërinë, e shoqëruar nga biznesmenë polakë dhe përfaqësues të sektorit tonë të biznesit. Shpresoj që Forumi i sotëm, që po zhvillohet në Tiranë, të japë fryte për projekte shumë të mira e sipërmarrje të reja ekonomike.
Polonia ka pasur mundësinë për të prezantuar ofertën e vet të eksportit në fushën e energjisë, prodhimit të makinerive, pajisjeve bujqësore, si dhe të fruta-perimeve e produkteve ushqimore të përpunuara. Shpresoj që kjo ofertë të konsiderohet interesante nga pala shqiptare dhe që të mirat e shërbimet polake të vlerësohen së shpejti nga klientët shqiptarë.
Siç ju thashë, përparësia për qeverinë tonë, kur bëhet fjalë për ekonominë, është zbatimi i strategjisë tonë për zhvillim të përgjegjshëm. Ne duam që produktet polake të jenë më të njohura. Ne duam që të forcojmë eksportet tona dhe të shqyrtojmë drejtime të reja për të zgjeruar biznesin polak.
Agjenci të reja po ngrihen dhe kanë për qëllim për të mbështetur eksportin, investimet. Po punojmë aktualisht shumë intensivisht për të ngritur këtë agjenci dhe duam që të jetë një institucion modern, i cili do të punojë për çështje gjithëpërfshirëse dhe komplekse. Shpresojmë që ajo do të përputhet me nevojat dhe kërkesat e biznesmenëve.
Në fakt, ky drejtim përqendrohet në mbështetjen e bizneseve polake në vendet e huaja, por gjithashtu edhe në tërheqjen e investimeve të tjera. Duam të promovojmë investimet polake jashtë dhe shpresojmë që kjo agjenci do të fillojë operacionet e veta për aktivitet në fund të këtij viti.
Do të ngremë 69 zyra tregtare në shtetet anëtare të Bashkimit Europian, por gjithashtu edhe në vendet fqinje. Kemi për qëllim që të kufizojmë barrierat, të cilat janë pengesë për eksportet polake.
Gjithashtu, do të intensifikojmë bashkëpunimin e Bankës Kombëtare, kur bëhet fjalë për zhvillimin ekonomik. Duam që kjo Bankë të mbështesë investimet nga kompanitë polake, apo grupet e kapitalit.
Po kështu do të mirëprisnim më tepër aktivitet sa i përket ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Në këtë drejtim, Polonia ka përgatitur kushte dhe mbështetje për këtë sektor, që do të bëjë të mundur që të ketë mundësi të reja për rritje dhe për zhvillim.
Zonja dhe zotërinj!
Potenciali për të zhvilluar bashkëpunim ekomomik dypalësh midis Shqipërisë dhe Polonisë ka qenë aty për një kohë të gjatë. Aktualisht, potenciali i mëtejshëm mund të shihet në fushën e minierave, të energjisë, turizmit, mbrojtjes së mjedisit dhe bujqësisë.
Jam shumë e lumtur që bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Polonisë është në zhvillim sistematik. Në të njëjtën kohë, eksporti shqiptar drejt Polonisë është rritur sistematikisht. Gjatë 9 muajve të parë të 2016-ës, ai është rritur me 27%, që në fakt është prova më e mirë sesa konkurruese janë produktet shqiptare.
Eksporti polak në Shqipëri është rritur me 9% këtë vit. Sipas vlerësimeve tona, ende ka potencial që duhet shfrytëzuar.
Të gjitha shifrat që unë përmenda janë të kënaqshme. Megjithatë ka ende hapësirë dhe terren për të zhvilluar dhe thelluar bashkëpunimin, sidomos kur bëhet fjalë për çështjet ekonomike.
Mund të them sot se shifrat që përmenda: Po, janë të kënaqshme. Të gjithë e dimë, sidoqoftë, që mund të bëjmë më shumë dhe mund të arrijmë më tepër. Ka ende potencial për t’u shfrytëzuar. Jam plotësisht e bindur që Forumi i sotëm Ekonomik është vetëm fillimi i një bashkëpunimi shumë të mirë midis vendeve tona.
Më lini të theksoj edhe njëherë: Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është i një rëndësie themelore për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Është përparësia jonë dhe do të bëjmë gjithçka për të mbështetur Shqipërinë në përpjekjet e saj, që synojnë këtë anëtarësim.
Do doja t’ju uroja të gjithëve suksese dhe t’ju përgëzoja për projektet e marrëveshjet që do nënshkruhen sot.
Faleminderit shumë!