Bashkëbisedim i Kryeministrit me fermerë të Shishtavecit, Kukës:
Shumë faleminderit për mikpritjen dhe diellin që keni porositur sot! Kam ardhur në Shishtavec para disa vitesh dhe më kujtohet si një nga udhëtimet më të vështira për shkak të rrugës që nuk mbaronte kurrë. Nuk mbaronte sepse ishte e mbushur me gropa e me gurë e vështirësi. Sot pata mundësinë që të vij nga rruga e re, të cilën ne, që mund të mos kemi bërë shumë gjëra për Kukësin, e bëmë dhe e kemi përfunduar më në fund pas 20 e ca vitesh që ju i keni kaluar me tmerrin e asaj rruge, e cila përveç se e vështirë ishte dhe shumë e rrezikshme dhe siç ju e mbani mend, shkak për aksidente të vazhdueshme.
E meqë e hapëm me rrugën, dua të shtoj pak për këtë temë pasi e kemi dëgjuar rëndom muzikën e gramafonit të SHQUP-it që ne nuk kemi bërë asnjë kilometër rrugë. E nuk po numëroj 17 kilometrat e rrugës së Shishtavecit, por po ju sjell në vëmendje ju dhe ata që na ndjekin nga ekrani se është e vërtetë që qeveria e kaluar hapi gjithandej kantiere dhe lidhi kontrata për kantiere rrugësh gjithandej, por tjetër është të hapësh një kantier pasi ke bërë një tender dhe ke lidhur një kontratë dhe tjetër është të bësh rrugën. E faktikisht ajo që ndodhi është që Saliu numëroi të gjithë kilometrat rrugëve që nisi dhe i quajti kilometra rrugë të ndërtuara nga qeveria e tij. Ndërkohë që asnjë rrugë, as rruga e famshme e Kombit, e cila është në të vërtetë e vetmja vepër serioze dhe me standarte europiane nuk ka përfunduar. Ju jeni dëshmitarë sepse ju e bëni shpesh atë rrugë dhe e dini shumë mirë që ajo rrugë ka ende punë dhe ka jo pak punë, por ka mbi 100 milionë euro punë për t’u përfunduar siç duhet dhe për të bërë që dhe ai segment i papërfunduar të jetë njësoj, si segmenti që vjen nga poshtë, ashtu dhe segmenti që lidhet lart. Pra, si segmenti që vjen nga Miloti, ashtu dhe segmenti që lidhet me rrugën drejt Prishtinës.
Ajo që ka ndodhur është që u lidhën kontrata me vlerë të plotë, por qeveria e atëhershme vuri në dispozicion të kompanive nga 5%, 10% të shumës që duhej për të bërë rrugë. Natyrisht me idenë që me një gur të vrasim 2 zogj. E para të presë sa më shumë shirita dhe t’i japë popullit sa më shumë arsye për të besuar se ky kantier gjigand për të ndërtuar atë që e quante Saliu skeletin e hekurt të Shqipërisë, po behet realitet. E dyta, me kësmet për të bërë edhe rrugët. Sepse kur mbaruan paratë vetëm duke i filluar rrugët, qeveria e mëparshme iu tha kompanive “vazhdojini me lekët tuaja sepse ja u kemi”. Kompanitë shkuan nëpër banka dhe treguan kontratat e punës me shtetin si garanci për të marrë kredi nga bankat. Morën kredi nga bankat, vazhduan edhe disa kilometra të tjera me paratë e tyre dhe ngecën përfundimisht sepse harxhuan tërë paratë e tyre. Bankat nuk iu jepnin më kredi dhe u krijua një zinxhir shumë i rrezikshëm borxhi që ne e gjetëm lidhur te këmbët tona, kur morëm detyrën.
720 milion dollarë borxhe, të cilat hallkat kryesore ishin borxhet për rrugët dhe ne që sipas Saliut s’kemi bërë asnjë kilometër rrugë, e vërteta është që kemi vazhduar të ndërtojmë kilometra e kilometra të tëra rrugësh të nisura të gjitha, të lëna rrugëve. Dhe e kemi bërë këtë pasi i kemi shlyer një më një lekët kompanive, të cilat përndryshe nuk do të vazhdonin dot punën. Nëse ne nuk do të kishim pasur ato borxhe, sot do kishim ndërtuar tre herë më shumë rrugë sesa rrugët që nisëm të ndërtonim, për të cilat kemi akoma nevojë për para për t’i përfunduar.
Kjo është e vërteta! Ndërkohë duke e vazhduar punën për të ndërtuar rrugët, ne nuk kemi harruar njerëzit sepse mos harroni. Jo vetëm na është dashur të shlyejmë dhe kemi shlyer 720 milionë dollarë për rrugët, për kompanitë që furnizonin spitalet me ilaçe, të cilat ndaluan përfundimisht furnizimin dhe ju e mbani mend në vitin 2013 që njerëzit mblidheshin tek gardhet e spitaleve dhe ulërinin se s’kishte asnjë lloj ilaçi; qoftë kompanitë që kishin ndërtuar shkolla, rindërtuar shkolla, furnizuar shkolla dhe qoftë kompani të tjera që nuk kishin marrë mbrapsht TVSH e rimbursueshme, e kështu me radhë.
Paralelisht ulëm taksat. Ulëm taksën mbi rrogën. Për çdo rrogë, nga rroga e pastrueses, deri tek rroga e kryeministrit qeveria e mëparshme merrte një taksë 10%, e cila bënte që në raport me rrogën, pastruesja e kryeministrisë të paguante një taksë më të lartë se kryeministri. Në raport me rrogën, një kamerier paguante një taksë më të lartë se sa pronari i lokalit. Nga ulja e taksës, të dashur miq, që në vitin e parë ne hoqëm nga buxheti i shtetit mbi 100 milionë dollarë, të cilat ia lamë në xhep të gjithë atyre që jetojnë me një rrogë minimale ose mesatare. Po ashtu, sot ne jemi në momentin kur jemi gati si rezultat i reformave, si rezultat i rritjes të qëndrueshme të të ardhurave, në luftë kundër evazionit, korrupsionit, informalitetit, të bëjmë një rritje rrogash dhe pensionesh duke spostuar përsëri nga buxheti i shtetit në buxhetin e familjeve 100 milionë dollarë.
100 milionë dollarë është shuma më e madhe që një qeveri në 25 vjet ka nxjerrë nga buxheti për t’ia dhënë njerëzve në formë rroge ose pensioni. E bëjeni pak llogarinë tani, të dashur miq. Janë 100 milionë dollarë që do të dalin nga ky buxhet dhe që nga 1 marsi do të shkojnë në buxhetet familjare. Janë edhe 440 milionë dollarë që vazhdojnë shkojnë nga buxheti si pasojë e taksave të ulëta për të gjithë ata që kanë rroga minimale dhe mesatare. 540 milionë dollarë në 4 vjet të hequra nga buxheti, me të cilat sigurisht që mund të kishin përfunduar të gjitha rrugët dhe mund të ishin hapur edhe disa rrugë të reja, por ka një ekuilibër për tu bërë sepse vërtetë absolutisht rrugët sjellin zhvillim, por edhe njerëzit nuk janë duke jetuar me rroga e me pensione të atilla sa të vazhdojnë të përpëliten deri sa zhvillimi i duhur të vijë. Kështu që me rritjen e rrogave ne nuk i kalojmë njerëzit nga përpëlitja në lumturi, por iu japim një frymëmarrje të thellë më shumë. 540 milionë dollarë në 4 vjet si rezultat i reformave dhe si rezultat i kësaj politike të bazuar tek parimi “më shumë për atë që fiton më pak”.
Në 8 vjet qeveria e mëparshme nxori nga buxheti i shtetit për familjet, për rroga e pensione 124 milionë dollarë. Nuk po llogaris këtu që për ato 124 milionë dollarë e kishe 10% taksën, pra merrte mbrapsht një pjesë 10% të asaj shume. Ndërkohë që ne për këto 540 milionë dollarë kemi një taksë shumë të ulët poshtë, që shkon duke u rritur lart. E për rrogën minimale në shtet ne do të bëjmë një rritje 35% sepse me rrogat aktuale, ne kemi vërtetë taksat më të ulëta mbi rrogat në rajon, por kemi rrogën minimale më të ulët në gjithë rajonin. Më të ulët se Kosova, më të ulet se Serbia, më të ulët se Mali i Zi, më të ulët se Maqedonia, e kështu me radhë. Në vitin e ardhshëm do të kemi një rogë minimale në shtet më të lartë se sa Kosova, më të lartë se sa Serbia, më të lartë sesa Maqedonia. Dhe do t’i afrohemi rrogës minimale të Malit të Zi. Po kështu për rrogën mesatare e kemi sot më të ulëtën në rajon. Unë e kuptoj shumë mirë, të gjithë e kuptojnë, ne nuk mund të pretendojmë të kemi rroga si Turqia e si Greqia e lëre më pastaj si Gjermania e si Franca, por nuk mund të kemi më të ulëtat në rajon dhe t’ju themi njerëzve vazhdoni prisni se ne do përfundojmë rrugët e Saliut. Tek rroga mesatare dalim mbi Kosovën, mbi Serbinë, i afrohemi shumë afër Maqedonisë, pra bëjmë një hap. Bëjmë një hap në kushtet ku jemi. Po parafytyroni tani 2 gjëra. E para, çfarë do të ishim ne sot, shqiptarët në Shqipëri, sikur këto reforma të ishin bërë 20 vjet përpara. Çfarë do të ishim ne sot, sikur 20 vjet përpara shteti t’i kishte thënë prindërve dhe të rinjve, jo çdokush mund të shkojë në universitet dhe s’ka pse të shkojë në universitet, se ky vend nuk ka nevojë vetëm për juristë dhe për ekonomistë. Ky vend ka nevojë edhe për këpucarë edhe për hidraulikë edhe për elektricist edhe për teknik bujqësie, e me radhë. Sot do të ishim një vend ku papunësia do të ishte shumë më e ulët. Ku shumë vajza dhe djem që lindën në vitin ‘90 nuk do të detyroheshin të merrnin rrugët e emigrimit sepse me zanatin e tyre do hapnin një biznes të vogël, do punësoheshin në një kompani. E një nga arsyet që i pengon kompanitë e huaja të vinë masivisht jo këtu, por në gjithë rajonin, është niveli i ulët i krahut të punës, mungesa e kualifikimit.
Çfarë do kishte ndodhur sikur 20 vjet më parë shteti të kishte marrë masa që mos bllokoheshin kanalet vaditëse, që mos ndërtohej mbi kanalet kulluese, që mos shkatërrohej pasuria e madhe e tokës bujqësore duke ndërtuar kuturu pa kriter e pa karar. Ku do ishim ne sot? Sikur gjithë ndërtimtaria pa leje të ishte bllokuar kohë më parë e njerëzve t’u ishte dhënë mundësi që të ndërtonin, por me rregulla, e aty ku ndërtohet, jo mbi lumë, duke u thënë ndërtimi është bereqet e pastaj njerëzit i merr lumi me gjithë shtëpi.
Kanë qënë shqiptarët shumë më pak të shkolluar, shumë më pak të lidhur me botën para 500 vjetësh, po nuk kanë ndërtuar ndonjëherë në lumë.
Nuk i ndërtonin një këtu e një atje, por i ndërtonin sëbashku, në një vend, kursenin, bashkëjetonin e kështu me radhë. Si ka mundësi kjo çorodi? Çfarë do ishim ne sot, sikur para 20 vjetësh, kur u bë ligji i famshëm 7501, dhe e bëmë të gjithë bashkë, të kishte filluar zbatimi i ligjit?! Ti jepej çdo njeriu në fshat titulli i pronësisë, jo ai akti i marrjes në përdorim të tokës, “mbaje një copë letër, ti e ke, por po të më duhet mua unë ta marr”. Sot do kishim tregun e tokës, do kishim tokë që shitet, blihet, trashëgohet, bashkohet, sipas interesave të pronës. E sot, fëmijët e njerëzve që jetojnë në fshat, nuk do ishin prej 25 vitesh me mendjen si të ikim në qytet e si të ikim fare, duke parë babën si rraskapitet tek toka që se ka as të vetën për të mbijetuar, por do thoshin këtu është toka ime, këtu është prona ime, do ta shes, do ta blej tokën, do ta jap me qera, etj, e do bëj ekonominë time.
Sa shumë gjëra do kishin ndodhur sikur 20 vjet më parë të kishim bërë këto reforma? Të kishim bërë reformën në drejtësi? U bënë reforma në drejtësi me demek, vetëm për ta bërë më keq, ashtu sikundër u bënë ligje për pronën, 8 ligje për pronën, lloj-lloj çudirash e prona sot erdhi e u bë “lesh e lia” më e madhe. 8000 vrasje e plagosje për pronën në Shqipëri në 25 vjet. Masakër! Jo për faj të njerëzve, por për faj të shtetit. Për faj të gjithë këtyre që sot na bëjnë teori, që sot na tregojnë me gisht ne, për plagët që hapën vet, që sot duan ta marrin prapë për budalla këtë popull, a thua se nuk ishin 20 e ca vjet në pushtet, e kishin në dorë gjithçka. Pse nuk i bënë këto gjëra? E tani, mendoni se çfarë mund të bëjmë ende në 4 vjet të tjera, nëse në këto 4 vjet super të vështira, sepse na u desh të merremi me borxhet, na u desh të merremi me ndërtimet pa leje, na u desh të merremi me universitetet që grabisnin para dhe vrisnin ëndrra, na u desh të merremi me furnizimin elementar të spitaleve, na u desh të merremi me tekstet e shkollës. 600 tekste shkolle të prodhuara vit pas viti me lloj-lloj budallaqesh, që i mësoheshin nxënësve nga mësues që nuk i kuptonin as vetë tekstet. I hoqën mësuesit tekstet se ne pyetëm mësuesit, vendosni ju kush tekste janë për ju të papranueshme. 600!
E sot futëm, – viti i dytë- tekstet më të mira të Europës. Shkojnë fëmijët tanë në shkollë sot, në klasën e parë e të dytë, studiojnë me tekstet e Oxfordit, të Cambridge, Pearson-it, njësoj si fëmijët në Angli, me të njëjtat tekste dhe mësuesit kanë rënë rehat se kuptojnë çfarë thuhet dhe dine çfarë thonë. Po sikur kjo të ishte bërë 20 vjet më parë? Po arsimi profesional, që e gjetëm copë-cope? Ka 20 vjet që flasim për bujqësinë. Këtu bujqësinë e mbajnë në këmbë ata që kanë qënë agronomë, punëtorë kooperative në kohën e vjetër se ata kuptojnë. Kush kupton këtu nga bujqësia, nga këta të demokracisë së Saliut? Nëse do të flasësh me specialistë, janë ata, edhe ata që ishin dje punëtorë kooperative janë sot që punojnë tokën dhe kuptojnë 5 gjëra nga toka, nuk janë “elif matrak” si ata të Saliut në Universitetin Bujqësor, që ka qënë një qendër ekselence dhe sot të vjen keq ta shohësh. Aty te livadhi ku mbanin gjithë atë kope delesh për eksperimente dhe ku i shërbenin gjithë drejtorisë së Shqipërisë, kanë mbetur 5 dele që vijnë vërdallë, në ndërtime pa leje dhe që shkojnë hanë çfarë mbetet nga mbeturinat e atyre kafeneve e restoranteve brenda në universitetin bujqësor. Ky është Universiteti Bujqësor sot, i Shqipërisë. Kur ne flasim për integrim evropian, kur ne e dimë se në BE element kyç është bujqësia, kur e kemi të qartë që nëpërmjet BE mund të përfitojmë shumë e shumë, po si do t’i përfitojmë ne shumë e shumë pa pasur dije? Kush do t’i shkruajë projektet? Kush do aplikojë? Fermerët e shkretë që rropaten deri natën për të mbijetuar dhe që deri dje s’kishin ujë për të vaditur tokën. Kemi shtuar buxhetin për bujqësinë. Sado ta shtojmë ne buxhetin nuk mjafton, nuk del për të plotësuar gjithë nevojat. Duhet të financojmë më shumë. Si ta financojmë më shumë? Siç bën gjithë bota. Nuk e bën me buxhet, e bën me linja të tjera financimi, bankat, BE dhe sigurisht me linja financimi të favorshme, se nuk mund të financoje sipërmarrjen e vet në fshat një fermer me të njëjtat kushte, si një biznesmen që ndërton hotel. I duhet një kredi e arsyeshme që mund t’i dalë llogaria dhe prandaj ne kemi ndërtuar Fondin Kombëtar të Garancisë për bujqësinë. Nuk garanton fermeri, garanton shteti. Ndërkohë që kur shkon biznesmeni garanton vetë ai me sa ka pare në bankë, sa asete ka që nëqoftëse kredia nuk ecën , i marrin asetet. Kurse sot ne vendosim këtë garanci shtetërore që kushdo që aplikon është i garantuar nga shteti. Po na duhen titujt e pronësisë. Na duhet uji. Flasim sot në vitin 2016 për ujin në parcelë, a thua se jemi në Sahara. Vendi i dytë më i pasur me ujë në Europë, që ujin e kemi vetëm për përmbytje, 20 e ca vjet, vetëm për t’u përmbytur e kemi ujin se ujë në shtëpi jo, ujë në tokë jo, drita jo. Çfarë do ishte sikur 20 vjet më parë ti kishte thënë njerëzve: “Dritat nuk vijnë nga dielli natën, janë mall, blihen”, s’do ishin zhytur njerëzit të gjithë sëbashku në borxhin e madh, skandaloz, miliarda dhe nuk do paguanin njerëzit e ndershëm ata që paguajnë dritat, nuk do paguanin edhe për ata që s’paguajnë. E shteti pastaj nga taksat e tyre 150 milionë euro çdo vit, për të mbushur gropën se ndryshe do fikeshin dritat në të gjithë Shqipërinë. Një çorodi e paimagjinueshme në mes të Europës, dhe ata që e çoroditen këtë vend vazhdojnë të bëjnë të njëjtën gjë, të përpiqen ta çorodisin.
Nuk them unë që ne kemi bërë mrekulli apo që ato që kemi bërë ne nuk kanë të sharë, s’e pretendoj këtë por keni dëgjuar ju ndonjë ditë, ndonjëherë, tre vjet që ata që merren gjithë ditën me ne thonë : Ndal një minutë, kjo është gabim, bëhet kështu. A keni dëgjuar? Vetëm baltë, shpifje, akuza, gënjeshtra, vetëm e vetëm me një qëllim, njerëzve që kanë te drejtë, kanë të drejtë njerëzit të jenë të stresuar, të kenë mërzi, të ndjehen jo mirë, të ndjejnë zhgënjime. U bënë 20 e ca vjet që ia rrotullojnë thikën çdo ditë, duke u munduar t’i helmojnë sa më shumë. Nuk e kanë menduar ata 20 e ca vjet në pushtet, nuk e kanë menduar se ky vend mund të behet prandaj nuk kanë tentuar asnjëherë që ta bëjnë tamam. Gjithmonë kanë berë vetëm çfarë iu është dashur të bëjnë vetëm që të vazhdojnë të rrinë ngjitur me karrigen, të shtyjnë kohën në pushtet. Reformat kanë dhimbje, kanë dhe koston, do marrësh dhe koston se nuk janë gjëra që ju pëlqejnë, nuk i pëlqen njeriu që të marrë ilaçe të hidhura, i pëlqen të hajë mjaltë, por kur duhet kuruar një sëmundje, s’bën punë mjalti, duhen ilaçe. Kush do që ta çojë fëmijën e vet në operacion, e mos ta çojë në parkun e lodrave? Askush, por kur duhet operuar. Kështu janë dhe reformat dhe natyrisht jo të gjithë janë të gatshëm ta pranojnë dhimbjen, jo të gjithë janë të gatshëm ta kuptojnë dhe jo të gjithë janë të gatshëm të dëgjojnë. Shumë njerëz priren të dëgjojnë lloj-lloj sharlatanësh që flasin në emër të popullit, në emër të të varfërve, në emër të kësaj, në emër të asaj, që nuk e dinë se çfarë është varfëria. E mendojnë, por nuk e dinë dhe aty e kanë pasur mundësinë, 20 e ca vjet që të gjithë ata që flasin. 20 e ca vjet ta kishin bërë. Të dali ndonjë që se ka pasur kurrë atë mundësi e të flasë, hajde ta dëgjojmë, por këta që kanë kaluar nga karrigia në karrige, nga partia në parti, nga sherri në sherr për punët e tyre në emër të popullit, këta do flasin? Këta s’kemi ca i dëgjojmë ne? S’kemi ca i dëgjojmë sepse i kemi parë, i pamë. E kishim mundësinë, çfarë bënë? Bënë më shumë dëm se punë. Unë nuk mund të them se nuk është bërë asnjë gjë, asnjë gjë, janë bërë dhe punë, por është bërë më shumë dëm sesa janë bërë punë po të bësh llogaritë. E po të bësh llogaritë me gjithë ato para që janë harxhuar, që kanë dalë nga xhepi i shqiptarëve, nga taksat, në 25 vjet me punët që janë në oborrin e shtëpisë tonë, Shqipërisë, llogaria s’del.
Po të shikosh sa para janë harxhuar nga viti 1991 për ujësjellësa në Shqipëri, sot neve duhet të kishim shtruar tubat e ujit për të gjithë çezmat e Shqipërisë, të Kosovës edhe të Tetovës. Ky është realiteti dhe këta dinë të bëjmë vetëm të njëjtën gjë, vetëm të helmojmë dhe të marrin për hunde sa më shumë njerëz që dëshpërimi i pengon të shohin shpresë dhe që lodhja ia u ka sosur durimin dhe thonë: Nuk bëhet me asnjë gjë. Jo, jo nuk është kështu fare, se po të ishte kështu nuk do ishim ne sot pak ditë përpara se BE të thotë: Jemi dakord ti hapim negociatat me Shqipërinë. Kur ne e morëm qeverinë ishte viti i katërt që refuzohej statusi kandidat për Shqipërinë , refuzohej. Lere se c ‘thotë Saliu, jo tre ligjet, jo 13 ligjet. Refuzohej! Nuk ia jepnin statusin kandidat që në fund të fundit është një leje për të qëndruar në paradhomë kur shkon për të kërkuar dorën për një fejesë dhe thonë rri në paradhomë, prit, katër vjet.
Ai është statusi dhe as në paradhomë jo, rri te rruga, prit do shohim a do shkosh te paradhoma pastaj të futesh, të flasim për fejesën, të fillojmë negociatat dhe të martohemi kushedi se kur. Kështu është, më vjen keq!
Tani më thoni ju mua, gjithë këto përralla me “gogol”, gogoli jam unë kuptohet. Këtu krimi, këtu hashashi, këtu Kolumbia. Si ka mundësi që BE thotë “bujrum në dhomë për të filluar negociatat”, si ka mundësi? Apo BE në fakt është në periudhë që mezi po pret që të ketë sa më shumë. Jo! Është në periudhë që ku ti mbajë larg. Si ka mundësi atëherë? Nuk i shohim ata? Ata shohin edhe atë që s’duket madje edhe aty ku s’ka kur duan të thonë: ‘’Ndalu beg se ka hendek’’. Ky tmerr i madh dhe ata nuk e shohin? Ata tani na thonë ne “hajdeni, të ulemi dhe të fillojmë negociatat”. Diskutojmë si do bëjmë Shqipërinë anëtare të Be-së dhe ndërkohë duke filluar negociatat fillon program tjetër për Shqipërinë, fillojnë të tjera histori dhe sigurisht të dhimbshme dhe ato se vazhdojnë reformat, por edhe mundësi të tjera për të pasur më shumë akses nëpër fonde, etj, etj. E duke hyrë për negociata në Be, kalohet nga dritë e verdhë, në dritë jeshile, në sy të gjithë atyre që duan të investojnë në Shqipëri se thonë këta “po negociojnë për BE-në, janë vend normal, nuk janë vend perfekt, por janë vend normal”. Si bashkohen këto të dyja? Po iu pyes ju këtu se këtu në Kukës ka shumë tifozë Saliu. Si bashkohen këto të dyja? Si bashkohen? Apo ç’rëndësi ka thuaj. Këtu jemi ndarë …Kukësi dhe Partizani, unë jam me Kukësin edhe sikur gjithë jetën me humb s’ka problem, unë me Partizanin nuk bëhem kurrë. Kështu është kjo lojë këtu? Se s’ka tjetër dhe prapë po iu them, nuk pretendoj unë, nuk e kam dot kurajon t’iu them që “shih sa shumë gjera kemi bërë për Kukësin”. Nuk kemi bërë ne shumë gjëra për Kukësin. Është e vërtetë, nuk kemi bërë ne shumë gjëra për Kukësin. Por ama që njerëzit sot, ata që janë prindër, ta lënë fatin e fëmijëve në dorë të fanellës, “jam unë me këtë fanellë dhe nuk ndërroj ekip”, kjo më duket pak çudi sepse këtu po iu them, këto reforma nuk vendosin fatin e zgjedhjeve të ardhshme. Unë ua kam thënë që ditën e parë të gjithë ministrave. Unë nuk kam ardhur këtu që të rri këtu sa më gjatë me ç’do kusht.
Unë kam ardhur që deri kur të rri, kushti të jetë të bëjmë reforma. Pastaj katër vjet, njerëzit do thonë kaq ishte nuk e mbajmë dot më këtë operacion, ik vëlla se ne do të fillojmë prapë me kamomil, me mjaltë, me rrena, dakord, por ama disa gjëra që bëhen nuk zhbëhen. S’besoj unë që ka prapë qeveri, kushdo që të vijë që të thotë, hajde tani, lidhuni nëpër tela, energjia, kush ta kapi ta kapi. S’e bën dot më. Kjo u mbyll, por u mbyll pas 25 vjetësh të humbura kot.
Nuk ma ha mendja se do vijë njeri mbrapa, do fishkëllejë dhe do thotë: Ku je, bjere pasqyrën, bjere “Vitrinën”, bjere “Kristalin”, hajde diploma. Nuk ma ha mendja. Edhe kjo u vu gardhi këtu. Nuk ma ha mendja që ai që do vijë do të thotë “le të bllokohen prapë ato kanalet që u pastruan, punë e madhe shumë, le të mos shkojë uji”. Se tani sollëm 71 ekskavatorë. Tani do thoni ju, çfarë është ky shtet, 71 ekskavatorë? Po t’iu them unë çfarë është ku shtet? Ky shtet është një shtet që ne e gjetëm me flotën e ekskavatorëve që shumica ishin të kohës së dashurisë shqiptaro-kineze dhe nuk punonin. Ekskavatori i fundit që ka blerë shteti shqiptar për bujqësi është në vitin 2005. A e kuptoni ju? Morëm flotën për ta ndarë. U bënë bashkitë e reja, t’ju japim gjithë bashkive. Çfarë të ndanim? Treçereku i atyre që ndamë nuk punojnë. Ishin kot aty në inventar dhe ekskavatorët që punon e di çfarë bënin? I jepnin me qera. “Ma jep me qera të shkoj të pastroj kanalin tim”. I jepnin me qera, ato bordet e famshme të kullimit, kurse ne do të sjellim flotën. Nuk besoj se tani do vazhdojnë t’i japin me qera. Pra, po them nuk janë zgjedhjet e ardhshme, është një gjeneratë këtu. Këto reforma duhet të vazhdojnë për të bërë shtet. Ne kemi vendos bazën, por nuk kemi ndërtuar shtëpinë. Kemi vënë themelin. Këta janë gati që themelin mund të mos e luajnë, por i fusin një tendë plastmasi si ato që kishin krijuara ata vëllezërit tuaj, miqtë tuaj kur shkuan në Bathore në fillim, një tendë plastmasi dhe iu thonë “rrini tani aty, se ne do vazhdojmë punën tonë, ju punën tuaj, ne punën tonë”. “Ne flasim për ju, punojmë për vete, ju dëgjoni ne edhe Zoti iu ndihmoftë”.
Tani sigurisht që është kënaqësi edhe t’ju dëgjoj edhe ju. Më thoni tani çfarë iu vjen për mbarë s’ka problem, në Kukës jemi. Unë me Partizanin jam kështu që këtu nuk kam shpresë që të ketë tifozllik të madh për mua, por Partizani do fitojë, kjo nuk diskutohet. Urdhëro!
– Jam nga Shishtaveci i Kukësit, fermer, jo 100%, por 90 % i kompletuar. Ju uroj mirëseardhje në fshatin Shishtavec të komunës së Shishtavecit. Është një çështje që na e ngre dhe nga shqetëson neve fermerët. Puna e pronësisë së tokës që e theksove dhe më parë. Me ligjin 7501 kemi pak konflikte, se unë kam aplikuar disa herë dhe nuk kam përfituar aplikim. S’kemi konflikt me njëri tjetrin, e kemi ndarë sipas kuvendit të vjetër tokat, ja ku janë dhe bashkëfshatarët le të flasin. Në lidhje me fermerët dhe zhvillimin e bujqësisë n.q.s. do të ketë mundësi shteti të na subvencionojë farën e patates e thekrës që është vend më i përshtatshëm për këto dy kultura. Ju urojmë shëndet, respekte kryeministër!
Kryeministri Rama: Nuk është hera e parë që e dëgjoj këtë situatë. Nuk jeni vetëm ju, ka disa zona që konfliktin e kanë me ligjin 7501, nuk e kanë me njëri tjetrin. Pra janë në kufijtë e pranuar, por po u fut 7501 i bën çorap. Nuk të premtoj, se mua më thonë ky s’mban premtimet. Unë me timen bëj vetëm premtime që jam i bindur që do i mbaj dhe premtimet që kam bërë do t’i mbaj një më një. Pastaj se për 1 premtim duhet më shumë kohë për arsye, etj etj është çështje fytyre. Njerëzit dëgjojnë shohin, ju shihni, shihni kush flet tjetër dhe ndajeni, kush nga këta ka fytyrën me të besueshme, duke i njohur. Pra nuk të premtoj, por unë kam filluar të ndjek një grup pune për këtë çështje që ta zgjidhim këtë punë “sipas vendit bëhet kuvendi”. Nuk të premtoj për çfarë arsye se unë nuk jam jurist dhe nuk pretendoj të di -ose të jap mend aty ku dijenia dhe mend i kanë më shumë të tjerët, – sa kjo mund të jetë ligjërisht e bëshme, por ajo që unë ju siguroj është që unë do të bëj një propozim mbasi të kemi mbaruar punë që parlamenti ta vendosi aty komuniteti, nuk ka probleme me kufijtë të marri tokën siç e ka. Por mos ma shkruaj si premtim se të thashë mund të bëhet mund të mos bëhet. Se unë dua të vij përsëri këtu, s’ka rëndësi, unë vij përsëri këtu. Dhe për gjatësinë që kam nuk mund të gënjej sepse pastaj, kurse të shkurtrit gënjejnë më kollaj. Gënjejnë më kollaj, jo nuk e kisha me ty, flas për politikën unë, nuk flas për të shkurtrit në jetë se në jetë e kam mësuar, i gjatë është shërbëtori i të shkurtrit, por flas për politikën, të shkurtrit gënjejnë më kollaj përgjithësisht sepse fshihen, kanë si të fshihen. Kurse me këtë lloj karabinaje është vështirë për tu fshehur.
Unë me timen skam gjë tjetër kam vetëm mundësinë të them atë që unë mendoj. Gjykoni ju, kush po ju gënjen kush po ju thotë të vërtetën se shyqyr Zotit e thash, s’kemi ardhur sot, çfarë shohim në këtë fushë si ata që janë besnikërisht të vjetër, si ata të vjetrit që bëjnë sikur janë të rinj, njihen të gjithë. Këtu kanë qënë. Kur të shohim një që se kemi parë dhe të na dali të na thotë “shiko se unë kam një alternativë”, atëherë do të them prit ta dëgjojmë se s’jemi as të pagabueshëm dhe siç thotë ajo reklama, Partia Socialiste, “ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë nuk kemi parë”. Ne, kur të dalin më të mirë do të themi “ok” i pame, tërhiqemi ne. Por për tu krahasuar me ata që kemi sot, jo. Këtë ia lë të gjithë atyre që nuk duan të shohin, nuk duan të dëgjojnë. Unë vetë nuk e bëj dot krahasimin me të thënë të drejtën.
Për çështjen e titullit të pronësisë, ky rasti juaj është specifik, por në rastin e 7501 janë bashkitë që e kanë 100% në dorë. Ju jeni komune, por jeni njësi administrative e bashkisë Kukës. Prefekti ja ku është, 100% në dorë ta nxisin atë proces. Unë i kam nxitur sa kam mundur kryetarët e bashkive. Të them të drejtën ka bërë punë ajo e fushatës që thoja që kanë frikë për të më takuar. Disa erdhën dhe i ka dal frika e dikurshme, bashkëpunoj me ta. Edhe kryetari i bashkisë së Kukësit e kam takuar një herë të të them të drejtën, nuk di, se kam parë më. Erdhi vetë në zyrë, më tha këto janë problemet, për çdo gjë që ne kemi mundësi ne jemi në dispozicion, kaq. Kjo kërkon ligj të veçantë për mua se s’ka rrugë tjetër, nuk mund ta bëj bashkia sepse nesër i thonë pse shkele ligjin. As ne se bëjmë dot kështu. Për punën tjetër të subvencioneve. Ne e kemi vënë një fond që është më i madh se çdo fond subvencioni për të rimbursuar prodhimin 20%. Pra e prodhon pataten ti, kur ta shesësh ke dy rrugë. Ose ta shesësh me metodën e vjetër kur ishe i kompletuar 50%, pra pa letra ose ta shesësh me letra tani që je i kompletuar 90%. Dhe n.q.s. ti sjell letrat e shitjes, ti merr 20% lekë nga shteti në dorë rimbushim për atë që ke shitur. 20% që ti merr ty t’i mbulon dhe ti të kalon kostot e farërave dhe këtyre që më the. Si të del llogaria? Pra këto të farërave, këto ti tejkalon, koston pastaj e punës i ke te çmimi, por atë që ti kërkon nga unë, shteti si subvencion unë ta jap, por ta jap me rimbushim, nuk ta jap përpara. Sepse bëjmë një lojë kukafshehuri bashkë.
Ti ma merr edhe shef punë tënde. Po puna jonë e përbashkët ku është ? Apo do ta shoh unë? Po si ta shoh unë punë e përbashkët kur është dhe e imja dhe e jotja. Është njësoj si të thuash dielli sjell energjinë, edhe shteti sjell lekët. Jo, fare. Energjia vjen nga puna paratë vijnë nga puna, të shtetit. Nga puna e përbashkët që taksohet prandaj 20% nuk e ka askush. Saliu që i donte shumë fermerët e kësaj zonë e kishte 6%. Ne e kemi 20% dhe e kemi vënë me qëllim, nuk e ka asnjë në rajon. Në fakt 6% është normale, por e kemi vënë 20 % vetëm sepse duam të stimulojmë formalizmin. Formalizimi do të jetë ndihma juaj kryesore nesër me fondet e Bashkimit Europian. Nuk të jep fonde njeri kur ti nuk e siguron. TI thua “unë prodhoj patate”, unë them “po ku e di unë që prodhon patate ti”. Ti thua hajde shihi, unë them jo, mi sill ti provën që prodhon. Ti nuk mund të më sjellësh patate se kush e di kujt ja ke marrë, do të më sjellësh letra. Apo jo? E prandaj dhe NIPT-i është shumë i rëndësishëm. Ju keni marrë NIPT disa, ti po se je 90% i kompletuar, ai 10% të mungon. Tani te NIPT-ju thoshte ky tjetri, Luli, mos merrni NIPT se do të paguani taksa. Është e kundërta. NIPT-i të ndihmon ty të marrësh lekë nga unë, shteti, të marrësh rimbursimin. Pa NIPT s’merr gjë. Kështu që këtu duhet të kuptojnë të gjithë që mos prisni nga ne subvencione përpara. Nuk ja u japim sepse nuk dimë ku shkojnë. Janë dhënë subvencione për naftë këtu, aq sa do të ishte furnizuar gjithë flota e NATO-s dhe nuk shkuan në bujqësi por shkuan për Mercedesa, është kështu apo jo, ma thuaj. Sa herë ta ka mor çuni tollonin e naftës të bujqësisë ka thënë “babë me jep tollonin se kam mercedesin për të shkuar deri në Budva”. Prandaj ne nuk japim subvencion përpara, deklaro prodhimin. 20% i ke në xhep. Pronësinë e tokës e diskutuam. Po shite prodhimin ti do sjellësh faturën e prodhimit nuk të thotë njeri ku e ke tokën. Ti rendësi ka të sjellësh që e ke shitur, ndërkohë që NIPT-in duhet ta kesh, NIPT-i prodhon. Nuk është se prodhon tapia. Se Tapi nuk ka asnjëri këtu. Këtu keni ato letrat e Saliut si ato të piramidave, fut një të marrësh dy.
– Faleminderit zoti kryeministër për ardhjen tuaj këtu. për vizitën, për të na parë dhe problemet tona që kemi. Unë jam mësues pranë shkollës 9 vjeçare dhe kam ardhur këtu sepse ne socialistët njëri tjetrit i themi në sy për problemet që kemi. Unë kam ardhur në emër të 1200 banorëve të 2 fshatrave Cernalev dhe Oreshk që jemi një ndër 2 fshatrat më të varfëra këtu në komunë, thjeshtë për efekt të rrugës. 1200 banorë për 25 vjet jemi pa rrugë fare. Edhe ata që kanë qënë banorët tanë kur vijnë na vizitojnë, kur kthehen na thonë : Mos kalofshim më këtu ; sepse është e tmerrshme. Kërkojmë nga ju si kryeministër sepse pushtetin lokal këtu ka qënë i PD në vazhdimësi.
Kryeministri Rama: Pse ka qënë i PD-së nuk duhet ti bënte rrugët? Rëndësi ka që të merrte votën.
-Nuk është bërë rruga. Edhe unë kam qënë pjesë këtu në pushtet por këtë zgjidhje e duam nga ju.
Kryeministri Rama: Banon në shtëpi private?
– Po.
Kryeministri Rama: Me sa kate e ke ?
– 2 kate
Kryeministri Rama: Pse s’bën dhe një kat tjetër?
-S’kam mundësi.
Kryeministri Rama: E njëjta logjikë është. Pse s’merr borxh?
– Sepse s’mund ta paguaj dot borxhin.
Kryeministri Rama: Në rregull, atëherë ne s’kemi mundës të marrim dot borxh se s’mund të paguajmë dot borxhin dhe prandaj do t’i bëjmë me radhe. Tani midis tre kateve, tani kati i parë është rruga jote apo kjo e
Shishtavecit.?
– Kjo është e Shishtavecit.
Kryeministri Rama: Të gjithë shqiptarët kanë një të drejtë të thotë: Çfarë viti jemi ne tani që thua me radhe, në vitin ’90-të? Ne jemi këtu 25 vjet , është ok, e kuptoj, ka 25 vjet me atë rrugë. Po si mund ta bëj unë për tre vjet atë që ty dhe të gjithë atyre që kanë 25 vjet me atë rrugë nuk ua u bënë për 25 vjet? Borxh nuk marrim dhe po të them dhe një gjë tjetër, po përfitoj nga rasti. Borxh nuk marrim dhe po ju them dhe një gjë tjetër që është shumë e rëndësishme. Është hera e parë, në 25 vjet që qeveria do të rrisë rrogat dhe pensionet pa rritur borxhin. Vitin e ardhshëm ne do rrisim me 100 milionë dollarë buxhetin e familjeve dhe do ulim borxhin me 1%, të paktën. Sepse logjika jote dhe logjika e çdo prindi që mendon është shume e shëndetshme; Me duhet kati i tretë se po më martohet çuni. Atëherë borxhi s’mund të merret sepse s’paguhet dot dhe nesër mund të ndërtosh katin e tretë, por ta marrin gjithë shtëpinë dhe lë fëmijët në rrugë, është e njëjta logjikë e borxhit publik. Merr borxh nga e ardhmja, pra merr borxh nga këta, në të ardhmen, nga ata që lindin sot dhe i thua këtyre: Juve si të doni. Siç bëri Saliu. “Sa të jetë Lala Gjoni hani, pini e këndoni”. “Kur të iki Lala gjoni merrni trasat dhe kërkoni” dhe thotë pse ikin në emigrim, dhe më thotë mua. A thua se në 2013 u bllokuan kanalet, filluan ndërtimet pa leje, u bë vjedhja e energjisë, pllakosi varfëria, u njohën shqiptarët me hashashin në 2013-ën se nuk e dinin çfarë ishte, nuk e njihnin dhe Lazarati ishte në Monte Carlo nuk ishte në Shqipëri.
-Fshati ynë ka rreth 1000 banorë rezidentë, aktualisht ka 170 nxënës që vijnë në shkollën 9 vjeçare dhe 60 nxënës që vijnë në shkollën ë mesme këtu në Shishtavec. Tani ne kemi ardhur 1 orë e gjysmë në këmbë për të marrë pjesë në këtë takim. Para 10 ditësh në emër të komunitetit të fshatit tonë qoftë të prefektit, qoftë të kryeministrit, qoftë të kryetarit të parlamentit ju kemi drejtuar nje peticion lidhur me problemin e rrugës.
Ata janë 1500 banorë. 1000 banorë jemi ne, bëjmë 2500 banorë që udhëtojmë në atë rrugë dhe na është premtuare stërpremtuar 100 herë. Para jush ka qënë kryeministri Fatos Nano. Ai na i ka premtuar.. Unë kam ardhur për tua parashtruar këtë kërkesë. E bëni apo nuk ë bëni është problemi juaj. Problemi tjetër është ky. Nga fshati Gorë vijojnë shkollën e mesme të gjithë nxënësit që mbarojnë në 9 vjeçare këtu në Shishtavec, udhëtojnë tre orë në këmbë, vajtje ardhje. 50 % e nxënësve të shkollës së mesme është nga Gore, kërkojmë zgjidhjen e problemit, hapjen e shkollës së mesme në Gorë ku ka qënë.
Kryeministri Rama: Bashkia ka marrë paratë për transportin e të gjithë fëmijëve që janë në distancë nga shkolla me shumë sesa 20 minuta. Bashkia ka marrë paratë për transportin e të gjithëve. Bashkia duhet të bëjë transportin, dakord?
-Më dëgjoni kryeministër. Ne jemi viktima të këtij organizimi të pushtetit lokal. Nga ana e partisë që një vit, as edhe një qindarkë nuk është dhënë në shërbim të komunitetit, as për transportin, qoftë për një shërbim më të vogël.
Kryeministri Rama: Miku im, Bashkia ka paratë e transportit sipas nevojave dhe nuk ka lidhje se i pëlqen apo nuk i pëlqen kryetarit të bashkisë që bashkia e re e Kukësit ka dhe fshat. Paratë i ka për nevojat tuaja. Ato para duhet t’i shpenzojë për të çuar mikrobusat, të marrë fëmijët dhe t’i çoj në shkollë. Për ato i ka paratë. Mos kërkoni llogari nga unë për bashkinë. Nuk kemi kontroll ne mbi pushtetin vendor, miku im. E kontrollon kontrolli i shtetit, nuk e kontrollojmë ne. Është pushtet autonom, nuk është pushtet që varet nga ne.
-Për vitin 2017 ne kërkojmë që të vendosni në plan rrugën.
Kryeministri Rama: E kuptova por nuk do vendoset rruga ne plan dhe po ua them që sot. Nuk dua të gënjej unë. Po të duash ‘’rrena të ëmbla’’ ta jap unë adresat edhe i gjen. Do rrena të ëmbla? Ditën e enjte, “praf telekomandës”, parlamenti, ti jap dhe emrat kë të dëgjosh se janë disa, dëgjoji dhe prit se ta sjellin ata parajsën.
Unë nuk premtoj gjëra që nuk bëhen dot. Ajo do bëhet kur t’i vijë radhë dhe radha i vjen kur të kemi mundësi, jo se nuk janë të vlefshme ata njerëz atje, por se këto janë mundësitë.
Kjo është shtëpia jonë, kësaj shtëpie i mungojnë kate, i mungojnë tjegulla, por ne po vëmë themelet dhe mos më kërkoni mua gjëra që nuk janë në mundësi se s’janë paratë. Po të ishin paratë patjetër dhe mos dëgjoni ata sharlatanët që thonë jo u vodhën një miliardë, jo u vodhën 2 miliardë se ata flasim me dhjetë mijë kilometra dhe me miliarda. I kap policia 26 kg hashash në Vlorë, në parlament Saliu i bën 26 ton, flet gjithmonë me lekët e vjetra ai në ç’do shifër. Kështu që miku im të kuptoj shumë mirë, do bëjmë çmos t’i përgjigjemi komuniteteve kudo, por do kohën e vete sepse ta thashë duhet të bëjmë llogari dhe duhet të kemi shumë gjëra parasysh.
Dakord! shumë njerëz me të drejtë mund të thonë, “e di si është puna po të dëgjoj, kam tre vjet që të dëgjoj ty, unë të votova ose ç’rëndësi ka s’të votova, të kam dëgjuar, hap derën e shtëpisë, rrugë nuk ka”. Në qoftë se e sheh kështu, atëherë pretendon se unë të kem një shkop magjik që për tre vjet t’i kem bërë të gjitha rrugët e para shtëpisë që nuk u bënë për 25 vjet. Unë nuk kam shkop magjik. Në qoftë se e sheh ndryshe dhe unë të sugjeroj të shohësh ndryshe, të shohësh ky njeri këta njerëz a po bëjnë ndonjë punë? Po! Çfarë po bëjnë?! Po bëjnë këtë, po bëjnë këtë. Tani këto u bënë, më mbrapa do vijnë të tjerat, po ama punët po bëhen. Me gabime? Patjetër. Me vonesa diku? Patjetër. Diku reformat nuk kanë sjellë rezultate akoma? Sigurisht, por ama një tendencë për të parë njeriu e ka, se jetonim në një vend ku semafori ishte i kuq vetëm për njerëzit e zakonshëm. Ishte jeshil për çdo njeri që kishte pushtet apo jo? Sot, në semafor autokolona ime ndalon. Është e kuqe, nuk ka sirena edhe “ik se erdhi beu”. Po të jap shembuj shumë të thjeshtë që tregojnë se çfarë duam të bëjmë ne. Na kuptoni, faleminderit shumë! S’na kuptoni, shumë faleminderit që na dëgjuat! Kam dëgjuar Salliun kur vinte në fushatë këtu; do bëjmë rrugën, do bëjmë shkollën, do bëjmë dhe një pishinë te shkolla dhe madje meqë bie borë do bëjmë edhe një pistë me patinazh. Merrte votat dhe nuk mbaroi as këtë Rrugën e Kombit këtu, atë të kishte mbaru të paktën që të thoshte e mbarova një punë unë në Shqipëri, një punë e bëra, as atë nuk e mbaroi.
Ju falënderoj!