Fjala e Kryeministrit Rama në Forumin “Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë”:
Ju falenderoj për këtë prezantim!
Si fillim më lejoni që të ndaj me ju diçka konfidenciale. Shqetësimi im kryesor për ardhjen këtu ishte se kush do të bënte përkthimin, sepse ne jetojmë në një rajon, i cili për dekada ka humbur vetveten në përkthim dhe që të përkthehesh në mënyrë të drejtpërdrejtë ka qenë në fakt, një frustrim. Por shpresoj se përkthyesi ka bërë një punë të mire. Ajo që u tha më parë, ajo që thashë unë, në fakt, më përpara, është që në Ballkan, të gjithë ne kemi nevojë për Europën si të ardhmen tonë, por edhe Europa ka nevojë për ne, më shumë se kurrë. Kjo është një bindje që unë e kam bazuar në faktin që pa Ballkanin jo vetëm që Europa nuk është e plotë, por është edhe në rrezik.
Gjithsesi t’i kthehemi tematikës sot, këtu.
Së pari, dëshiroj të falenderoj Forumin për Marrëdhënie me Jashtë dhe të gjithë ata që na ftuan ne që të merrnim pjesë këtu, gjë e cila më jep shansin për të ritheksuar faktin që ne dëshirojmë që të hapim një faqe të re dhe mundësisht edhe një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Unë jam shumë mirënjohës, edhe për faktin, sepse unë mendoj që ky është një vend vërtet i nderuar për të diskutuar se si mund t’i rigjallërojmë marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve dhe sot, më shumë se kurrë, kur të dy këta popuj janë aktorë dhe faktorë për paqen dhe stabilitetin në rajon, por dhe për të ardhmen europiane të këtij rajoni. Sepse unë besoj vërtet se fatet tanë janë të ndërlidhur me njëri-tjetrin. Sfida që ne të jemi të suksesshëm në rrugëtimin tonë drejt integrimit europian është gjithnjë e më e lidhur me suksesin e të tjerëve në rajon. Shanset që ne të jemi të suksesshëm më vete, pa pasur këtë lidhje me njëri-tjetrin, janë në fakt, më të ulëta. Do të ishim, në fakt, më të suksesshëm po të ecnim përpara si grupe vendesh e popujsh, të cilët më së fundi janë të gatshëm t’i bashkohen Bashkimit Europian dhe ta lënë pas historinë, ngjarjet e historisë që kanë ndarë me njëri-tjetrin për dekada, por në fakt tani janë kaq afër me njëri-tjetrin.
Unë mendoj se ne kemi një mundësi fantastike, për të jetuar në një moment fantastik për të gjithë rajonin e Ballkanit. Viti 2014 është 100 vjetori i Luftë së Parë Bbotërore, e cila filloi në Ballkan. Pra, është viti i parë në të cilin nuk ka pasur konflikte në asnjë nga kufijtë këtu.
Pas marrëveshjes së paqes mes Kosovës dhe Serbisë ka mbaruar një epokë e së kaluarës. Ka filluar një epokë e re, me shumë gjëra, natyrisht, për t’u zgjidhur, me shumë probleme për t’u trajtuar, me disa çështje shumë të rëndësishme, të cilat janë ende çështje që përbëjnë bazën e mosmarrëveshjeve me njëri-tjetrin, por, megjithatë, ne kemi hyrë në një epokë të re, në të cilën cilësia e jetës sonë të përbashkët në Ballkan mund të ndryshojë në mënyrë dramatike. Kjo për arsye të marrëdhënieve më të mira që mund të ekzistojnë mes nesh.
Është e qartë që shumë persona nga jashtë, por edhe ata nga brenda kanë vështirësi që të besojnë në qëndrueshmërinë e kësaj paqeje. Edhe ne vetë, për shumë vite kemi ushqyer ide të caktuara në rajon. Në fakt, Maria Teodorova e shpjegon fare qartë në punën e saj mbi Ballkanin dhe për shumë vite, le ta pranojmë, Ballkani ka qenë metaforë për të dalluar pjesët konfliktuale dhe ato të pacivilizuara nga pjesa tjetër. Natyrisht, që janë një familje vendesh të cilat, pasi kanë ecur në rrugëtimin e tyre drejt BE-së, kanë refuzuar që të quhen vende të Ballkanit, pavarësisht se kjo u bë modë pastaj. Unë shpresoj që të hyjë në modë të qenit ballkanas, në të gjithë rajonin e Europës. Asnjë prej nesh, as serbët as shqiptarët, të themi të vërtetën nuk kanë mundur që të largohen nga të qenit pjesë e kategorisë së parë, nga e cila asnjëri prej nesh nuk ka përfituar. Prandaj them që ne sot jetojmë në një moment shumë të rëndësishëm dhe fantastik, kur ne mund ta bëjmë paqen në këtë rajon, një paqe nga e cila mund të përfitojnë të dy popujt tanë. Një paqe, të cilën ia vlen ta jetosh. Pra, lufta, konflikti ka qenë diçka të cilën e kemi parë dhe ka qenë biznesi i disave, i pak vetave dhe nuk ka qenë në fakt, një jetë që ia vlente për shumë vetë.
Kjo paqe në të cilën ne po jetojmë sot, natyrisht që është e thyeshme, e dobët, e cenueshme. Por, ne mund ta transformojmë atë në një paqe në të cilën ia vlen të jetohet. Unë nuk mund të pranoj faktin që marrëdhëniet mes nesh mund të jenë aq të cenueshme, sa mund të dëmtohen nga njerëz, nga grupe apo valë të ndryshme, të cilat i takojnë të shkuarës. E, në veçanti, në këto kohë kur jo vetëm Ballkani, për të cilin të jetuarit në të kaluarën apo me të kaluarën ka qenë një mënyrë jetese, por edhe në të gjithë Europën, ekstremistët, grupet ekstremiste, janë gjithnjë e më tepër, ose po përfitojnë gjithnjë e më tepër nga vështirësitë. Është e qartë se vështirësitë e vërteta në fakt ekzistojnë diku tjetër. Serbia, sot po merret me konsolidimin fiskal, pra, me një politikë të vështirë, me reforma të cilat janë vërtet të nevojshme dhe për të cilat kërkohet kurajë, guxim dhe të cilat nuk mund të shtyhen më tej. Unë besoj se e njëjta gjë vlen edhe për ne, pavarësisht se mund të thuhet nga një këndvështrim tjetër. Por, gjithsesi është e njëjta gjë, edhe për vendet e tjera në rajon.
Por në fund të fundit, ne, të gjithë, duhet të jemi dakord, dhe nuk ka vështirësi për këtë që ekonomitë tona janë ekonomi të vogla dhe që buxhetet tona janë të dobëta, që mundësitë tona, shanset që kemi ne, nuk janë të shumta. Ndaj, ne nuk mund të ecim shumë përpara në rast se ne përpiqemi ta bëjmë çdo gjë vetëm për vete.
Më lejoni t’ju jap një shembull për rajonin dhe për bashkëpunimin në të. M’u desh që të shkoja në Maqedoni, pasi fituam zgjedhjet. Që në fillimet e politikës, – kur mua më kujtohet politika, pas rënies së regjimit dhe më kujtohen Kryeministrat e Maqedonisë dhe të Shqipërisë, të cilët bashkohen në konferencat për shtyp, – mbaj mend një gjë e cila është përsëritur nga hera si një betim: “Ne do të punojmë së bashku për të ndërtuar pjesët lidhëse të hekurudhave tona!”
Ende nuk i shikojmë këto pjesë lidhëse të hekurudhave. Kështu që, kur shkova në Maqedoni i thashë Kryeministrit: “Ju lutem, ta lëmë këtë, sepse nuk dëshiroj ta them në konferencën për shtyp”.
“Pse, – më tha, – është e rëndësishme”.
“Natyrisht, që është e rëndësishme, por ne nuk duhet ta bëjmë”.
Unë jam i sigurt që çdo Kryeministër e ka thënë këtë, me të vërtetë e ka besuar që ai do t’ia arrinte, do t’ia dilte mbanë, natyrisht, bashkë me kolegët maqedonas, por në fakt, kjo nuk ka ndodhur as edhe njëherë, pasi është e pamundur. Është një pjesë e vogël, shumë e vogël, por është e pamundur me buxhetet që kemi ne. Kështu që në fund të vitit, kushdo që merret me shpenzimet e Qeverisë e di që prioritetet janë të ndryshme dhe lidhja e hekurudhave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë shtyhet për një herë tjetër.
Kjo është ajo pjesë e cila mund të shpjegojë ato pjesë që mungojnë në infrastrukturë, në infrastrukturën e energjisë dhe në sektorë të tjerë ndërlidhës në jetën tonë në rajon. Si mund ta arrijmë këtë?! Si mund të arrijmë, më në fund, që Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia e jugut të lidhen me të gjithë rrjetin mesdhetar të jugut, i cili mbaron në Kroacinë veriore, ku janë bërë përpjekje shumë të mëdha me buxhetin e tyre për të ndërtuar autostradë dhe në aspektin praktik do të thosha është një pjesë që mungon dhe që i ndan të gjithë vendet tona nga një zhvillim turistik i qëndrueshëm. Pra, është e pamundur!
Si mund ta bëjmë të mundur me buxhetet tona atë që përmendi Kryeministri Vuçiç si një prioritet i lidhjes në rajon, i hekurudhave nga Beogradi në Nish, pastaj në Podgoricë dhe në Tiranë?! Është e pamundur!
Ka shumë gjëra, që nuk janë thjesht gjëra Ballkani, por janë thjesht çështje të Europës që mund të bëhen të mundura nëse ne lëvizim me shpejtësi nga një epokë moslidhjeje, e të humburit në përkthim, në një epokë të re, së pari, duke u lidhur me njëri – tjetrin, duke komunikuar me njëri – tjetrin, duke u ulur me njëri-tjetrin, duke dëgjuar, të dalim me projekte të mëdha të cilat kanë kredibilitetin, besueshmërinë, e asaj paqeje që ne po ndërtojmë sëbashku. Jo thjesht kredibilitetin e atij projekti, por të një paqeje që ne dëshirojmë ta ndërtojmë me njëri-tjetrin.
Unë besoj që bashkëpunimi ekzistues duhet dhe mund të zhvillohet duke filluar me ekonominë. Ne kemi një shkëmbim rreth 100 milionë euro, kemi rreth 65 ndërmarrje me kapital serb në vend. Nuk janë të shumta. Natyrisht, nuk është shifër e madhe, por nuk janë pak. Është një shifër që tregon se njerëzit, populli ynë, populli juaj kanë qenë më të shpejtë për të kuptuar se ku janë sfidat, sesi mund të transferohet kjo hapësirë e përbashkët në një hapësirë përfitimi të përbashkët dhe sesi mund të krijohen mundësitë, shanset për këtë hapësirë të përbashkët.
Krijimi i një tregu të përbashkët rajonal duhet të jetë synimi i përbashkët! Ne nuk duhet ta mendojmë këtë vetëm sikur është ndonjë gjë tejet e madhe. Sepse shumë studime tregojnë fare qartë që për vendet e Benelux-it, të cilat, ndoshta për ne, nga larg, na duket një gjë e thjeshtë, ka qenë më e vështirë për ta. Por, këto vende ishin të mençura për të mos i ekzagjeruar pengesat, për të mos ngecur përpara këtyre pengesave dhe patën vullnetin, dëshirën e mirë, për të ecur në mënyrë paralele dhe që të ndërtonin, ndërkohë që bisedonin për gjëra për të cilat nuk binin dakord.
Pra, ranë dakord për të mos rënë dakord për disa çështje të caktuara.
Kjo ishte shumë e rëndësishme.
Kjo është një qasje pragmatike në një botë e cila lëviz shumë shpejt për të pritur për ne dhe tepër shpejt që të na lejojë ne që ta kapim, ta arrijmë atë, në rast se ne e humbasim këtë mundësi fantastike që na është krijuar. Ajo që ka ndodhur në vendet e Benelux-it është që ata nuk e ekzagjeruan dhe pranuan që, sido që ne e imagjinojmë veten dhe si e projektojmë madhështinë tonë, në fakt, jemi vende të vogla. Jemi vende të vogla, kështu që projektimi i madhështisë tonë është, në fakt, sëmundje e një vendi të vogël. Na duhet që ta pranojmë këtë. Ta lëmë atë mënjanë dhe ta kuptojmë që vetëm në anën e bashkëpunimit ne mund të përfaqësojmë një treg interesant dhe të konkurueshëm.
Nga ana tjetër, ne, Shqipëria dhe Serbia, jemi dy vende kandidate për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Kjo mund të japë edhe stimuj unikë për këtë proces në rajon. Ne, në një farë mënyre, duhet të flasim për këtë. Duhet të vendosim se si duam që të ndodhë ky proces. A do të lejojmë ne që ky proces të vazhdojë me inerci?! Me inercinë e burokracisë që ka mbetur për në Bruksel dhe për të mbetur në një kurth në një situatë ku shumë gjëra që BE përkufizohen nga kjo frikë nga një zgjerimi, që ka të bëjë me probleme të brendshme në BE?! Apo do të kemi një qasje proaktive dhe të flasim gjuhën europiane tek europianët. Ata janë Bashkimi Europian, por ne duhet të jemi “E” e “BE”. Ne duhet të jemi europianë. Ne duhet të besojmë që vendi ynë është në Europë dhe që ne jemi gati që t’i tregojmë dhe që të japim të gjitha argumentet se përse Bashkimi Europian ka nevojë për ne, sot, të paktën, aq shumë sa ç’kemi ne nevojë për BE-në. Pra, nuk është e njëjtë situata siç ka qenë përpara disa vjetësh, sepse ne shikojmë sesa e thyeshme është bërë Europa, e ndjejmë këtë. Këtu të flasim për disa çështje që gjenden në pragun e Europës. Kështu që humbja e Ballkanit për Europën është në fakt një rrezik i madh dhe është shumë më shumë sesa të mos jetë Ballkani pjesë e BE-së.
Askush nuk pret që serbët dhe shqiptarët do ta sfidojnë Brukselin me projekte, të cilat janë pjesë e një faqeje që po ndërtohet hap pas hapi, por që janë edhe pjesë e një vizioni të ri, e një imagjinate të re për të ardhmen tonë në Bashkimin Europian. Kështu që, ne duhet ta bëjmë këtë hap, të kemi vizionin, të kemi kurajën dhe të ecim së bashku. Sepse ne jo vetëm që do të na shohin si më të fortë, por me të vërtetë do të jemi të fortë. Unë vërtet besoj dhe jam i bindur se fatet tona janë gjithnjë e më të tepër të ndërlidhur me njëri-tjetrin, pra të Shqipërisë dhe të Serbisë. Ne mund të bëjmë diçka historike duke transformuar atë që na ka penguar, na ka parandaluar në të kaluarën të punonim sëbashku në atë që është edhe baza e punës sëbashku. Sepse, ne, tani po jetojmë në një kohë tërësisht tjetër. E në fund të fundit ne nuk mundemi që në këtë rajon thjesht t’i ushqejmë zgjedhësve tanë flamuj dhe fantazma të së shkuarës, me mite, me heronj, etj.. Njerëzit duan një jetë më të mirë. Njerëzit duan një cilësi më të mirë jetë. Njerëzit nuk janë më të ndarë nga pjesa tjetër e botës. Interneti, iphone, çdo gjë që ka ndryshuar e sjellin botën shumë afër në çdo prag dere, në çdo fshat dhe po sjellin një sistem të ri reference.
Gjëja e fundit që dëshiroj të theksoj,- me shpresën që pyetjet që do të bëhen do ta bëjnë këtë bisedë më interaktive, – është se çfarë do të ndodhë me brezin e ri, me të rinjtë?! Sepse mesa shoh ne shpesh harrojmë që ta bëjmë këtë pyetje. Çfarë po ndodh me brezin e ri?! Me serbët, me shqiptarët. Si do të jenë ata në ardhmen? Cilat do të jenë vlerat e tyre? Cili do të jetë vizioni i tyre për të ardhmen? Si do ta shohin ata njëri-tjetrin? Dhe, mundësisht, si mund të kemi bashkëpunim edhe mes njerëzve të kultivuar në Serbi apo në Shqipëri? Shumë njerëz njohin autorët japonezë, apo kineastët kineze, etj.. Por më thoni për një poet serb. Më thoni emrin e tij apo të saj. Asnjë! Mendoj se do të jetë e njëjta edhe për ju këtu.
Ndoshta vetëm pak emra. Këtu nuk po flasim për diçka që mund të neglizhohet. Po flasim për atë, – sepse ne jetojmë derë më derë me njëri-tjetrin, – me çfarë do të jetojnë brezat e rinj në të ardhmen, të cilët janë europianët e rinj, ata që shkojnë në shkolla sot. Në çfarë shkollash shkojnë ata, çfarë arsimi marrin, çfarë historie mësojnë. Sa mund të bëjmë ne, që të mund t’u japim atyre një bazë të përbashkët, që t’u japim atyre një synim apo objektiv të përbashkët. Sepse, gjithnjë e më shumë, që ne të punojmë me njëri-tjetrin dhe sa më shumë që të punojmë me njëri-tjetrin, aq më pak do të kemi atë cenueshmërinë e së kaluarës dhe aq më pak do të dalë kjo në aktivitete, që do t’i shikojmë se kush në botë do të hapë ndonjë propagandë, për shembull, për një ndeshje futbolli. Vetëm këtu, në Ballkan ndodhin këto gjëra, që të jemi të sinqertë.
Këto ishin me pak fjalë ato çështje që unë dëshiroja të theksoja.
Në mbyllje, dëshiroj të theksoj se kur flasim për të ardhmen, e ardhmja në fakt po ndodh tani. E ardhmja nuk është diçka e projektuar pas nesh. E ardhmja po ndodh pikërisht tani.
Ndaj dëshiroj t’ju falënderoj që më dhatë mundësinë që të flas përpara jush. Do të isha mëse i kënaqur që t’i përgjigjem pyetjeve nga audienca këtu në forum, ndoshta diçka që unë nuk e kam shpjeguar.
Meqë ra fjala, dëgjova herë pas here që më është kërkuar të ndaj me ju informacion, i cili nuk ka qenë për publikun, por ju kërkoj ndjesë, pasi nuk mundem t’ju jap ushqim për kureshtjen tuaj.
Një gjë që mund të them, dhe është një gjë të cilën e dëgjova, dhe jam dakord me Kryeministrin Vuçiç, ne patëm një takim që ishte i vështirë, në fakt. Ishte i vështirë, por për mendim tim ishte shumë i shëndetshëm, sepse ishte i vërtetë, ishte i drejtpërdrejtë dhe ishte një bazë shumë e mirë mbi të cilën ne mund të punojmë në të ardhmen, për të vazhduar në të ardhmen. Ndaj, nëse do të luajmë lojën e të qenit mirë me njëri-tjetrin, për mendim tim, kjo mund të rrezikojë që të jetë thjesht një shfaqje pa një vazhdimësi. Por, në të vërtetë, pavarësisht se patëm një takim të vështirë, pavarësisht se patëm një konferencë shtypi të gjallë, të themi, ne vazhduam që të punonim dhe ramë dakord, për shembull dhe finalizuam marrëveshjen për bashkëpunimin rinor, e cila nuk ishte përfunduar. Kështu që, kjo është një shprehje e një dëshire dhe vullneti të mirë nga të dyja palët. Ne shpresojmë shumë që Kryeministri Vuçiç do të vijë në Tiranë, vitin e ardhshëm dhe natyrisht, ju të gjithë jeni të mirëpritur të vini edhe përpara tij, në mënyrë që ne ta vazhdojmë këtë bashkëbisedim.
Sot kam pasur mundësinë të takoj një mikun tim të vjetër, për të cilin kam dëgjuar akuza në fillim të viteve ’90-të si të qenit ‘proserb’, ‘antishqiptar’, ‘tradhtar’, etj., e keni parasysh se si flitet. Pajic, është një artist fantastik, të cilin e kam njohur gjatë viteve të mia të artit dhe të udhëtimeve në Europë, për të cilin unë kam shkruar një artikull në një gazetë shqiptare dhe ndoshta ishte i pari në fakt, po nuk e di në ishte edhe i fundit, por të paktën ishte artikulli i parë i shkruar nga një shqiptar, që thoshte gjëra të mira për serbët. Bëhet fjalë për vitet ‘93-‘94, një kohë jo e lehtë. Ne ende nuk kemi hapur një ekspozitë të punëve të tij në Shqipëri, gjë që nuk është e mirë dhe duhet ta bëjmë patjetër. Ka artistë fantastikë këtu në Serbi, të cilët duhet të jenë të pranishëm për publikun shqiptar dhe natyrisht ka artistë fantastikë shqiptarë, të cilët duhet të njihen nga publiku serb, sepse ne nuk jemi aq të shumtë në numër, sa të kemi luksin të mos ta njohim njëri-tjetrin, apo se çfarë prodhon secili prej nesh në art dhe kulturë. Duhet ta ndajmë kulturën dhe artin me njëri-tjetrin. Ishte vërtet kënaqësi që kam qenë me ju, këtu, sot.
Ju faleminderit!
Përgjigjet e pyetjeve për Kryeministrin Edi Rama në Forum:
Unë nuk jam në dijeni të asnjë vetoje që Shqipëria ka ushtruar lidhur me Serbinë. Shoqëria civile shqiptare është goxha ngacmuese. Po thoja që nuk kemi ushtruar asnjë veto. Përkundrazi. Do të jemi shumë të lumtur ta shikojmë Serbinë të imbarkuar dhe pjesë të integrimit dhe bashkëpunimit Euro Atlantik.
Por përderisa ma bëtë këtë pyetje, nuk mund ta lë me kaq përgjigjen dhe më duhet të jem tërësisht i sinqertë me ju. Nuk flitet për një veto, por flitet për mënyrën sesi funksionon. Sepse, kjo është mënyra sesi funksion marrëdhënia në familjen e NATO-s. Pra, në NATO kemi të bëjmë me një grup shtetesh të cilët kanë përqafuar disa vlera dhe disa parime dhe që kanë një kuptim të përbashkët, të respektit ndaj njëri tjetrit. Përcaktimi i të cilave u përmendën dhe këtu, kjo thjesht ka qenë pjesë e diskutimeve brenda NATO-s, por nuk ka qenë në asnjë moment veto dhe nuk ka qenë asnjëherë në mendjen tonë dhe nuk ka qenë asnjë moment për të përcaktuar veton.
Në të kundërtën, ne jemi shumë inkurajues dhe do të mbështesim çdo hap që do të ndërmarrë Serbia për t’u bërë pjesë e Familjes Euroatlantike.
Lidhur me pyetjen e parë, jam i çuditur që ndeshja e futbollit vazhdon e vazhdon pa fund. Ndërkohë mendoj që në një tjetër perspektivë mund të gjejmë ca paqe ndërmjet nesh, mund të gjejmë ca paqe me veten.
Përsa i përket marrëveshjes duhet të them diçka që mësova gjatë këtij procesi, që ishte një “WOW” e madhe. Ka 17 marrëveshje të përgatitura për t’u nënshkruar nëpërmjet Shqipërisë dhe Serbisë që prej vitit 1978. Asnjë prej këtyre marrëveshjeve nuk është nënshkruar deri më sot. Parashikojmë se sëbashku kemi shumë për të bërë. Ne sot kemi nënshkruar marrëveshjen për doganat, që është një platformë e përbashkët përsa i përket administratës doganore. Jemi të gatshëm gjithashtu për të nënshkruar, pasi kemi rënë dakord për formulimin, marrëveshjen për bashkëpunimin e rinisë. Kemi vendosur të fillojmë të punojmë për njohjen e ndërsjelltë të diplomave universitare, ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, gjë e cila sipas mendimit tonë është e rëndësishme. Ndërkohë kemi përcaktuar afatin kohor bashkërisht me palën serbe, një afat prej 90 ditësh, për të filluar me procesin e njohjes së ndërsjelltë të diplomave. Shpresoj që ta realizojmë këtë proces edhe më shpejt se sa e kemi parashikuar.
Në të njëjtën kohë, do formalizojmë një tjetër marrëveshje për qarkullimin e lirë, bazuar në kartat e identitetit. Zoti Kryeministër Vuçiç ishte shumë i gatshëm për ta zbatuar atë marrëveshje sapo të ketë përfunduar, dhe menjëherë pse jo. Pra, këto janë elementët bazë për të cilët kemi diskutuar.
Ndërkohë, nga ana tjetër, duhet të ulemi dhe të punojmë fort për identifikimin dhe më pas për përgatitjen e projekteve të interesit të përbashkët, përkundrejt procesit të Berlinit dhe përkundrejt marrëdhënies me Brukselin. Ndërkohë hekurudha është një propozim që është bërë prej Kryeministrit tuaj në Berlin. Është një projekt për të cilin jemi krejtësisht dakord. Nga ana tjetër ne kemi hedhur në tryezë një tjetër dokument, që e kemi titulluar në mënyrë ambicioze “Marrëveshja e re për Ballkanin”. Është një dokument i cili përmban elementë ku mund të mbështesim bashkëpunimin tonë të ndërsjelltë. Mendoj që ka një horizont të pafund mundësish të hapura ndaj nesh. Mendoj se kemi të bëjmë me një sfidë të madhe dhe duhet që të jemi në gjendje për ta kapur këtë mundësi. Sepse, megjithëse nuk është e thjeshtë që të thuhet ndërmjet nesh, është e qartë që është më e thjeshtë ta thuash se sa ta bësh.
Më lejoni të përfundoj me një proverb serb që më pëlqen shumë, që thotë shumë për vështirësitë e rrugës njohurisë, drejt dijes. Kam përshtypjen që ne kemi mësuar mënyrën më të vështirë të mundshme. Shpresoj, që megjithëse është e vështirë, rruga drejt njohurisë dhe dijes është e mundur. E njëjta gjë shkon edhe për pakicën shqiptare këtu.
E dëgjova zëvendëskryeministrin me shumë interes dhe thjesht dua të shtoj diçka të vogël. Tha që është e vështirë që të imagjinohet një kuadër ligjor më liberal për pakicat. Do i thoja që nëse do të shikohet kuadri i pakicave në Serbi, është një arritje fantastike. Kjo arritje ka ardhur si rezultat i lidershipit, vizionit dhe kurajos të të dyja palëve lidhur me dialogun ndërmjet vendeve. Ndërkohë që, personalisht besoj fort që mënyra sesi i trajtojmë ne pakicat, mënyra që na përkufizon ne, është mënyra që tregon sesa ambiciozë jemi dhe sesi jemi dhe kush jemi ne. Kështu që sa më mirë t’i trajtojmë pakicat, aq më mirë do të jetë dhe për ne. E kuptoj plotësisht vështirësinë, e kuptoj të gjithë kontekstin, por megjithatë besoj që ka gjëra të cilat me të vërtetë mund të sjellin ndryshime. Në Preshevë, jam i sigurt që në qoftë se do përqendrohemi tek investimi, gjërat do të përmirësohen. Në të njëjtën kohë dua që të besoj fjalët e Kryeministrit. Jam i sigurt që në qoftë se do të bashkëpunojmë dhe mendoj që në qoftë se njerëzit që janë pjesë e pakicave, ne do t’i trajtojmë më mirë do të krijojmë një marrëdhënie shumë të fortë miqësie dhe do të ndërtojmë ura bashkëpunimi.
Ne duam të bëhemi miq me ju. Do të bëjmë gjithçka duhet që ta bëjmë këtë gjë realitet, megjithëse do të jetë e vështirë. Nga ana tjetër jam i sigurt, sesa më vështirë do të jetë ky proces, aq më i fortë do të jetë procesi i miqësisë në fund.
Faleminderit!
-Desha ta përshëndes Kryeministrin e Shqipërisë, zotin Edi Rama. Dua të shfrytëzoj këtë mbledhje dhe doja të thoja për rezultatet e këtij takimi të zhvilluar, është një moment historik për të dy shtetet dhe për integrimin e tyre drejt Bashkimit Europian. Pavarësisht çkemi dëgjuar se ka qenë një takim i vështirë, për tema me qëndrime të ndryshme, unë dua të ndalem tek pjesa e jetesës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Që të mos jetë gjithmonë i njëjti qëndrim karshi neve, do doja të bëja një pyetje. Sa do jetë ndikimi në zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, pavarësisht asaj ç’ka zonja Ministre ka folur më parë, përsa i përket pjesës së përdorimit të gjuhës dhe institucioneve?
Ajo që mund të them, është që ne patëm një diskutim të plotë me Kryeministrin e Serbisë për këtë çështje. Unë ndjeva që ai është vërtet i interesuar për të dëgjuar mendimet e mia, po ashtu tejet i interesuar edhe për të kuptuar qasjen që kanë shqiptarët në Preshevë dhe që kanë pasur ata kundrejt nesh, përsa i përket problemeve të tyre për kërkesat e tyre. Ai më informoi edhe për përpjekjet që janë bërë nga ai vet dhe nga Qeveria Serbe. Më shpjegoi situatën në përgjegjësi dhe më pas më premtoi që do t’i shihte me hollësi çështjet, problemet që do të ngrihen nga informacioni që unë vetë do të kem pasi të kem dëgjuar qytetarët në Preshevë, përsa i përket kushteve.
Megjithatë, unë vërtet besoj që ne duhet të vëmë një theks shumë të madh tek arsimi në veçanti dhe duhet të tregojmë kujdes të veçantë ndaj të rinjve kudo që janë ata në rajonin tonë, në Shqipëri, në Serbi, aty ku serbët janë në pakicë, aty ku shqiptarët janë në pakicë. Sepse unë vërtetë besoj që këto vende në rajon nuk kanë dallime tejet të mëdha me vendet e zhvilluara kur vjen puna që sa më shumë t’i japim ne të rinjve tanë, fëmijëve tanë, pavarësisht nëse ata janë shqiptarë apo serbë, t’ju japim mundësinë për të qenë të mirëarsimuar, aq më mirë do t’i përgatisim ne ata për të ardhmen. Natyrisht që, nesër do të kemi mundësinë të flasim më me hollësi për gjërat të cilat dëshironi ju të m’i tregoni mua. Unë sinqerisht besoj se ajo që po ndodh sot dhe ajo për të cilën ne jemi të angazhuar ta zhvillojmë më tej nëpërmjet këtij bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë do të jetë edhe për të mirën e shqiptarëve që jetojnë në Serbi. Unë këtë vërtetë e besoj dhe jam i sigurt që ky nuk është vetëm detyrimi im etik, por edhe detyrimi im kushtetues për të përfaqësues dhe për të thënë me zë të lartë, për të folur për të drejtat e shqiptarëve kudo që jetojnë ata, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendeve përkatëse.
Me pak fjalë këtë dëshiroja të thoja për këtë çështje. Nëse dëshironi vërtetë ndjesinë time të sinqertë, unë sot kam më shumë besim sesa ç’kisha dje për të ardhmen.
Faleminderit!