*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Forumin Ekonomik të Tiranës:
Faleminderit shumë për ftesën dhe që më jepni mundësinë të flas në këtë Forum, në një ditë shumë të mirë për historinë shqiptare. 100 vjet më parë, në 30 janar të vitit 1920 kishim Kongresin e Lushnjës, që është një ngjarje shumë e rëndësishme në rrugëtimin tonë drejt ndërtimit të shtetit tonë dhe jo vetëm kaq, por një shteti që i ka gjithmonë sytë nga perëndimi përsa i përket zhvillimit dhe bashkëpunimit të vet.
Dua të falënderoj me gjithë zemër Zotin Tsomokos dhe të gjithë ata që përzemërsisht i janë bashkuar në drejtimin e këtij Forumi që 2 vite më parë, nëse e mbaj mend mirë, pati një fjalim edhe nga ambasadori i BE-së që është me ne sot, përsëri, këtu. Në fjalën e tij, ai përmendi kohët me të vërtetë të trazuara që po kalonte bota në ato momente dhe që është akoma duke i kaluar me shumë kriza në shumë vende dhe patjetër me BE-në si një pikë të fuqishme reference për ne, këtu në Shqipëri.
Me të vërtetë shpresoj që ky vit të jetë i mirë si për BE-në, ashtu dhe për Shqipërinë, sepse shpresoj me të vërtetë që ky vit të jetë jashtëzakonisht shumë i mirë edhe për rajonin, për fqinjët tanë dhe për marrëdhëniet tona me të gjithë fqinjët tanë. Besoj se kjo mund të shërbejë gjithmonë e më tepër si themel për zhvillimin e ekonomisë tonë dhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.
Së pari, më lejoni të shpreh një dëshirë, duke qenë se kemi praninë e Zotit Tsomokos këtu dhe duke qenë se ai përmendi Forumin shumë prestigjioz të Delphit, që është një nga adresat shumë të rëndësishme në të gjithë hartën tonë kontinentale, kur bëhet fjalë për hapësirë në të cilën ekonomia është në qendër të takimeve dhe diskutimeve dhe ku njerëzit mblidhen për të sjellë ide, për të bërë lidhje dhe për të folur për bashkëpunime të tjera të ardhshme. Faktikisht, ky Forum në Tiranë është modeluar pak a shumë si Forumi i Delphit, por ideja ime e sotme është që të përforcojmë këtë bashkëpunim me Forumin e Delphit dhe të përfitojmë nga dija, njohuritë dhe nga përvoja e Forumit të Delphit dhe ta zmadhojmë Forumin e Tiranës. Gjithashtu të kuptojmë sesi këto dy forume të ndërlidhen e mbase të organizojmë edhe hapa vijues, ku një forum, ai më i vogli, pra, në Tiranë, të shërbejë si platformë për zhvillimin e mëtejshëm të temave apo çështjeve që mund të dalin nga Forumi i Delphit dhe që mund të duhet të zhvillohen më tej, në kuadrin e të njëjtit vit. Kjo është thjesht një ide që shpresoj të merret në konsideratë dhe nëse arrijmë ta bëjmë diçka të tillë, mund ta fusim Forumin e Tiranës më tepër në hartë dhe të krijojmë një forum me një profil që në njëfarë mënyre bëhet destinacion për nëpunësit civilë dhe për aktorët privatë, që do duan të mblidhen për të diskutuar çështje dhe tema të caktuara.
Duke qenë se më keni ftuar të flas për ekonominë dhe meqë e di shumë mirë, qëkur vjen puna te ekonomia, ka gjithmonë disa hile, sepse njerëzit nuk i hanë statistikat, nuk pinë shifrat dhe me të drejtë nuk duan të krahasohen me pikën ku ishin dje, por duan gjithmonë të krahasohen me pikën ku ata duan të jenë nesër dhe kjo nuk është punë e thjeshtë, mund t’ju them që në fjalimin e përgatitur nga ekipi im ka shumë shifra, faktikisht dhe nuk do rrezikoj t’i kaloj këto shifra, sepse do duket sikur po hap një hapësirë tjetër, tek përmend që në çdo shifër kemi pasur përmirësime. Kemi normën më të ulët të papunësisë që prej 25 vitesh, jo bazuar në ato që themi ne, por bazuar në atë që thekson raporti i Bankës Botërore si histori suksesi.
E di që menjëherë, njerëz që ndjekin këtë përmes medias mund të thonë “po, sepse popullata është ulur, sepse njerëzit mund të jenë larguar”, por jo, nuk është kështu. Shifra dhe norma e papunësisë dhe përqindja e papunësisë nuk vjen nga numri i personave që jetojnë tani në Shqipëri, por bazuar në të gjithë popullatën. Pra, nëse marrim parasysh vetëm njerëzit që jetojnë në vend sot, kjo normë do të ishte akoma më e ulët.
Një shifër tjetër e rëndësishme lidhet me investimet e huaja. Ka shumë diskutime për këtë, sepse kemi patjetër nevojë që të kemi shumë më tepër investime të huaja, por, duke iu referuar shifrave, kemi progres, kemi rritje të investimeve të huaja e më tej…, por le të mos flasim për arritjet, më lejoni të flasim për sfidat, sepse kjo besoj është diçka më e rëndësishme dhe me interesante. Më lejoni të theksoj që e kuptoj fare mirë që duhet të përmirësojmë klimën e biznesit. Kjo është shumë e rëndësishme dhe kemi nevojë patjetër të përmirësojmë sjelljen dhe kapacitetin e administratës tonë në të gjitha rastet. Kemi gjithashtu një nevojë specifike për të përmirësuar atë pjesë të administratës që lidhet drejtpërdrejtë me veprimtaritë e biznesit.
Jam me të vërtetë optimist që gjatë këtij viti do të kemi rezultate të qenësishme të rëndësishme. Nga njëra anë, me vijimin e mëtejshëm të digjitalizimit të shërbimeve për njerëzit në biznes, duke e bërë shumë më të thjeshtë komunikimi midis qytetarëve dhe sipërmarrjeve me administratën, duke e shkëputur tërësisht komunikimin fizik dhe duke e kthyer atë në tërësisht digjital. Kështu që plani ynë është që brenda vitit 2020 të kemi 95% të shërbimeve të digjitalizuara dhe të jenë në internet në lidhje me dokumentacionin e kërkuar. Kështu që personat që merren me biznes nuk kanë nevojë të shkojnë në vende të ndryshme për të aplikuar për licenca, për leje, apo për shërbime që ata kanë nevojë. Kjo është faza e parë.
Faza tjetër është që gjithçka të transferohet në internet dhe gjithashtu që edhe licencat, certifikatat e dokumentacioni të dorëzohen e të vijnë përmes internetit. Kjo do të ndryshojë tërësisht natyrën e komunikimit midis njerëzve dhe administratës.
Ka diçka tjetër që dua të theksoj, që është me rendësi. Përmes një vendimi të qeverisë, ne kemi arritur në përfundimin se të gjitha aplikimet dhe flasim për miliona aplikime në vit, nga ato më të thjeshtat, për të marrë një certifikatë të thjeshtë, apo të ndërlikuara, për të marrë një licencë, duhet të përpunohen dhe duhet të marrin përgjigje brenda afateve ligjore dhe për çdo shkelje të këtyre afateve ligjore do të ketë një gjobë lidhur me zyrën dhe personin përgjegjës, drejtor, apo shef shërbimi në atë zyrë. Ata do të paguajnë nga xhepi për çdo vonesë që i shkaktohet një shoqërie, apo një personi që kërkon një dokument.
Hapi i dytë, që do të ndryshojë shumë komunikimin midis biznesit me klientët dhe gjithashtu shtetit me bizneset, do të jetë i ashtuquajturi program fiskalizimi që do fillojë të zbatohet së shpejti dhe që do të sjellë rezultate brenda këtij viti, në mënyrë që të gjitha transaksionet në internet të bëhen në internet e të jenë transparente në sytë edhe të administratës, edhe të sipërmarrjeve. Sot jemi larg kësaj, sepse në sistemin tonë, pikë së pari, nuk kemi transparencë përsa i përket transaksioneve nga biznesi në biznes dhe kemi vetëm një raport brenda 24 orëve të transaksioneve nga biznesi, midis biznesit dhe klientëve. Kjo do të thotë që ka shumë hije, le të themi, në këtë veprimtari. Me programin e fiskalizimit, ne do të shohim çdo sekondë të veprimtarive në internet dhe e gjithë veprimtaria do të shkojë, le të themi, përmes një truri dixhital që do të jetë nën monitorimin e administratës fiskale. Kjo do të sigurojë nivel fantastik transparence, por gjithashtu do të parandalojë një masë jashtëzakonisht të madhe keqbërjeje nga vetë administrata.
Hapi i dytë i lidhur me këtë është sistemi i gjurmimit dhe kërkimit, që do të fillojmë të zbatojmë, duke filluar nga produktet e akcizës dhe duke shkuar më tej me produktet ushqimore. Pikë së pari, ujin e pijshëm dhe barnat. Që do të thotë që çdo produkt që do të hyjë në treg do të gjurmohet. Çdo pikë karburanti që del nga rrjeti i shpërndarjes e që blihet nga qytetari do të gjurmohet. Çdo tabletë barnas,h apo çdo produkt që shitet në një supermarket apo dyqan do të gjurmohet.
Mund të imagjinoni sa ndryshime do të sjellë diçka e tillë dhe sa të ardhura do të sillen në kuadër të kësaj strukture. Këto janë lajme të mira dhe jam me të vërtetë i lumtur, sepse pas kaq shumë vitesh pune për të krijuar, për të hedhur themelet e sistemeve tona të ardhshme dixhitale, tashmë ne jemi gati të marrim frytet e asaj që kemi krijuar, në një pikëpamje që nuk ishte e prekshme për njerëzit deri tani.
Diçka e tillë do të ndryshojë në mënyrë dramatike situatën, lidhur me korrupsionin, me ryshfetet dhe ato që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë e jo të drejtpërdrejtë me këtë. Ajo që do të bëjmë në ditët në vijim, pasi të kemi mbyllur diskutimet e brendshme me partnerët tanë europianë, amerikanë dhe ekspertët e të dyja palëve, lidhur me ndarjen në mënyrë jashtëzakonisht shumë të qartë të bizneseve legjitime dhe bizneseve kriminale. Që do të thotë që nga njëra anë të punojmë sa më shumë që bizneset legjitime të kenë një trajtim më të mirë e një mjedis më të mirë pune, që të kenë shumë më tepër kapacitete për të projektuar për të ardhmen, pa u përballur me ngjarje të paparashikueshme, si nga ana e administratës, apo nga faktorë problematikë dhe e dimë që një nga faktorët më problematikë mund të jetë krimi i organizuar dhe zhvatja. Kështu që do të bisedojmë dhe do të arrijmë marrëveshje për një sulm jashtëzakonisht të madh kundër krimit të organizuar, duke i kërkuar çdo personi të dënuar dhe të akuzuar për krim të organizuar deri tani, të provojë që asetet që ai ose ajo ka, vijnë nga biznese legjitime, ndryshe të gjitha asetet do të konfiskohet e do të merren.
Duam të dërgojmë një mesazh të fortë tek të dy palët, si biznesin e ligjshëm dhe atë kriminal, të paligjshëm. Tek biznesi i ligjshëm duam të çojmë mesazhin që kemi shumë për të bërë, për të përmirësuar mjedisin e të bërit biznes dhe duam që ky biznes i ligjshëm t’i besojë fort këtij vendi e të besojë që çdo ditë do të jetë një ditë më e mirë se e djeshmja për të bërë biznes në Shqipëri dhe biznesit të paligjshëm duam t’i themi thjesht që ky nuk është vendi i tyre dhe do duhet të kalojnë më shumë e më shumë vështirësi për të mbijetuar në këtë vend.
Ka ardhur koha që t’i shkojmë pas tyre seriozisht e të bëjmë të sigurtë që të gjitha këtyre gjërave negative që kanë bërë duke penetruar, infiltruar në shoqëri, në biznes, duke hyrë në administratë e duke hyrë në politikë u ka ardhur fundi. Kjo kohë ka marrë fund.
E pesta që dua të ndaj me ju sot është bashkëpunimi rajonal. Do të doja shumë që të zhvilloja një diskutim të mëtejshëm me Zotin Tsomokos dhe të tërë ata që janë të përfshirë në organizimin e këtij forumi, sëbashku me ambasadorët dhe sponsorët dhe të gjithë palët e interesuara, për të këqyrur dhe parë se si mund ta fokusojmë Forumin Ekonomik të Tiranës në çështje të bashkëpunimit rajonal dhe në përmirësimin e ekonomisë sonë të rajonit. E them këtë për arsye se për shumë vite, Forumi Ekonomik i Vjenës është mbështetur mbi këtë parim dhe ka ndihmuar të bëjë bashkë liderë të rajonit, në një kohë ku gjërat kanë ndryshuar së tepërmi, falë Procesit të Berlinit, të nisur nga Kancelarja gjermane në 2014-n, i cili hapi një shteg të ri për rajonin, duke bërë bashkë lidershipin për të folur për të ardhmen e rajonit.
Tashmë ka ardhur koha që të marrim një hap më tej dhe të kalojmë nga qëllimet e mira dhe dëshirat e mira dhe nga idetë fisnike, në diskutime më konkrete dhe hapa konkretë, për arsye se çdo gjë që mund të thonë njerëzit dhe çfarëdo lloj kontradiktash mund të lindin, ne jemi tregje të vegjël, nëse nuk jemi të ndërlidhur. Madje Greqia që është një vend i madh e me shumë ndërlidhje të hershme, në vetvete Greqia përbën një treg të vogël e nuk do të ishte ku është sot, nëse do të ishte e izoluar, ashtu siç janë ekonomitë tona, – sinqerisht e them këtë, – sa i përket ndikimit që ato kanë në rajon dhe të mirat që ato mund të vjelin prej rajonit.
Pra, mund të bëjmë goxha më shumë në këtë drejtim, si me Greqinë që është një vend që i përket familjes së Bashkimit Europian e që ka sakaq ngritur e ndërtuar goxha përvojë e shumë shembuj të mirë ka përçuar për mënyrën sesi të zhvillohemi ekonomikisht dhe me të tjerë shtete që po rreken të bëhen një ditë pjesë e familjes europiane.
Më lejoni ta përmbyll fjalën time, duke thënë sërish dhe shpresoj që fjalimi të ketë bërë të qartë se falënderimet e mia nuk ishin formale në krye të herës, nuk ishin të mbështetur mbi rrethanat e caktuara, por ishin të ndjera. E jam i sigurt që ekziston potencial në këtë formë e që nuk duhet të jemi të kënaqur me atë çka kemi sot, sepse është shumë pak, por duhet të jemi vërtetë shumë, si të thuash, të ngacmuar nga ajo që mund të marrim nesër, nëse bëhemi bashkë dhe bashkojmë forcat.
Qeveria dhe unë bashkë me qeverinë do të jemi shumë të lumtur të jemi pjesë e këtij bashkimi forcash mes nesh dhe do desha që të gjithë aktorët të jenë bashkë. Absolutisht jam tejet pozitiv që dhe rajoni do të jetë pjesë e kësaj përpjekjeje, në mënyrë që të kemi një binjakëzim, apo një binjak të vogël të Forumit të Delfit që, siç e thashë dhe në krye të herës, shumë tema dhe çështje mund të shkojnë të zhvillohen më tej, të shtjellohen më tej, edhe pse nuk është një fjalë e bukur për aktorët globalë, por me një lloj profilizimi në të cilin ne mund të pretendojmë të kemi pak më shumë zë për çështje të caktuara.
Sërish ju faleminderit për ftesën dhe më ndjeni se më duhet të shkoj pas kësaj hyrjeje kaq të këndshme, në Kuvend që ndoshta nuk është mjedis kaq i këndshëm sa ky i këtushmi, por është pjesë e jetës time zyrtare dhe nuk e kemi shansin dhe luksin të përzgjedhim atë që dëshirojmë. Na duhet, siç e dini, të ndjekim rutinën, me gjëra të këndshme dhe më pak të këndshme.
Faleminderit!
*Përkthim simultan