Zëdhënësja e Qeverisë, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, komunikon qëndrimin e Qeverisë lidhur me ankesat e panumërta të studentëve dhe prindërve për bllokimin e mësimit në disa Fakultete:
Në adresë të Kryeministrit, të ministrave dhe disa deputetëve prej me shumë se dy javësh vijnë mesazhe të panumërta nga studentë, në pamundësi për të bërë mësim normalisht në fakultetet e tyre.
Për fat të keq, në këtë rast, Kryeministri dhe Qeveria nuk mundën dot të bëjnë aq sa kërkojnë vajzat dhe djemtë e marrë peng në të drejtën e tyre.
Universiteti është autonom dhe garantimi i procesit të mësimit është e drejtë dhe detyrë e universitetit.
Ligji nuk i jep mundësi qeverisë të ndërhyjë më forcë për të zhbllokuar mjediset universitare, por, nga ana tjetër, ligji ngarkon titullarin, pra Rektorin që të garantojë procesin mësimor dhe të kërkojë ndërhyrjen e Policisë.
Me përjashtim të një rasti, kur Qeverisë i është kërkuar ndërhyrja nga Administratori i universitetit, në një rast ekstrem, ne nuk kemi ndërhyrë në asnjë rast në administrimin e universitetit dhe këtë nuk e themi për tu shfajësuar përpara studentëve, por për të bërë të qartë që qeverisë nuk i është kërkuar asnjëherë ndihma për të zhbllokuar mjediset universitare.
Dhe vijmë këtu për të sqaruar djemtë dhe vajzat, se, kuadri ekzistues ligjor ekzistues e bën të pamundur që t’u gjendemi. Sigurisht kemi vullnetin më të mirë për të dialoguar me aktorët dhe faktorët për gjetjen e një zgjidhjeje në të drejtë të studentëve.
Për fatin më të keq, tanimë nuk kemi të bëjmë me një protestë të studentëve.
Ajo që ishte protesta e studentëve i hapi rrugë Paktit për Universitetin dhe një transformimi të vërtetë të jetës universitare dhe cilësisë së arsimit në vend.
Pakti përfshin, jo vetëm ulje të tarifave, por mbi të gjitha një transformim të infrastrukturës universitare, ngritjen e Bibliotekës Digjitale, padyshim krijimin e një partneriteti midis ministrive në fushën e veprimtarisë së tyre dhe fakulteteve që kanë lidhje me to, projektin për punësimin e të rinjve me rezultatet më të mira në administratën publike, përkthimin e titujve botërore dhe padyshim vendosjen një standardi për titujt akademikë dhe arsimin në tërësi.
Ne jemi të vendosur që ta bëjmë këtë ndryshim dhe do bëjmë për universitetin atë që nuk është bërë në 27 vite këtu.
Ajo që ka mbetur nga protesta është një karikaturë e protestës, me angazhimin e drejtpërdrejtë të Partisë Demokratike, LSI-së dhe vetë Sali Berishës, i cili është i angazhuar me gjithsej, së bashku me disa segmente brenda universitetit, të vogla, ama të ushqyera ndër vite me tituj të pamerituar dhe me punësim ta paturpshëm pikërisht aty ku ata kanë rrjetet e tyre të njohura nepotike, militante dhe klanore.
Kjo është një shfaqje ekstreme e brutalitetit të një opozite e cila nuk ka asnjë vizion, nuk ka asnjë ide dhe s’po ka as lidership dhe është gati për të bërë mish për top këdo për të shfryrë dëshpërimin e vetë të pangushëllueshëm.
Për fat të mirë, pjesa më e madhe e fakulteteve dhe universiteteve janë çliruar nga kthetrat e këtyre grupeve ku përzihen studentë dhe jo studentë që kanë marrë peng hapësirat. Kjo është kthyer në plagë, sidomos në Fakultetin e Drejtësisë dhe është kthyer edhe në një konflikt fizik.
Ne iu shprehim të gjithë solidaritetin tonë prindërve dhe studentëve që duan mësim dhe janë në dyert e këtyre fakulteteve përditë dhe i bëjmë thirrje Rektorit për t’iu përgjigjur studentëve, ose nëse ka zgjidhje tjetër, le ta bëjë publike.
Arsyeja pse dal sot është shqetësimi për pengmarrjen e Fakultetit të Drejtësisë dhe ndonjë fakulteti tjetër dhe për të theksuar, që, autonomia universitare që jep ligji parashikon jo vetëm liri, por edhe përgjegjësi dhe detyra të cilat ata duhet t’i ushtrojnë deri në fund!