Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Ministrave për situatën e emergjencës së fatkeqësisë natyrore. Fjala e Kryeministri Edi Rama: 

Me kalimin e buxhetit dje, në parim, dua ta përsëris që kemi në dispozicion një fond domethënës për të vijuar menjëherë me Programimin e Rindërtimit.

Puna përgatitore tanimë ka nisur dhe duhet të intensifikohet në mënyrë që të kemi përfundimisht të qartë kush do bëjë çfarë në territor. Një porosi të parë kam për Belindën dhe për Shkrelin që e ndjek në terren punën, për të bërë planin, pra, të dhënat e mbledhura deri tani për pallatet që do të shemben duhet të futën brenda planit dhe të përditësohen me çfarë shtohet tjetër. Deri ditën e hënë, Shkrel, duhet të jetë plani i punës në tavolinë. Kombinati dhe për evakuimin e inerteve po ashtu, duhet të përcaktohen edhe disa kompani që ta bëjnë këtë punë si kontribut, të mos na kërkojnë financim, po ta bëjnë si kontribut, siç bëmë Lanën njëherë e një kohë.

Ndërkohë që në Durrës kjo gjë është vënë plotësisht në vijë. Thjesht Anila duhet të garantojë gjatë gjithë kohës procesin, në mënyrë që të ecim paralelisht. Edhe Belinda e ka parasysh që duhet ecur paralelisht, sepse inertet e Durrësit, të gjitha duhet të çohen në Porto Romano.

Ndërkohë duhet bërë i gjithë kuadri i nevojshëm për të filluar pa humbur kohë edhe projektin e transformimit të fushës së Porto Romanos në park, që do të thotë duhet ulur menjëherë – Ilir – dhe bërë skema me Bashkinë e Durrësit për përditshmërinë  e derdhjes së plehrave. Plehrat e Durrësit do të shkojnë në landfillin  e Tiranës. Në Durrës nuk ka asnjë kusht. Porto Romano do mbyllet e do kthehet në pak dhe i gjithë procesi do spostohet në Tiranë, siç kemi bërë me Elbasanin, ku bashkitë të gjitha duhet t’i derdhin mbeturinat në një, në qendrën e madhe të përpunimit. Edhe në Durrës po ashtu.

Kjo kërkon një punë me bashkinë për kostot e transportit dhe për kontributet e gjithsecilit në një proces që duhet të vazhdojë normalisht. Sa më shpejt që të jetë e mundur, brenda dhjetorit mundësisht të mbyllet dhe të mos shkojnë më plehra në Porto Romano.

Porto Romano do fillojë të pastrohet dhe plehrat duhet të evakuohen të gjitha. Ndërkohë me inertet e mbledhura duhet bërë seleksionimi dhe njëkohësisht  duhet bërë puna bazë për  transformimin e Porto Romanos në park. Projekti është ai që kemi aprovuar prej kohësh, kështu që tani vazhdon.

Ndërkohë është momenti që bashkë me AKBN-në dhe këtu Iliri të merret me procesin, të merren masa që të realizohet më në fund, projekti i mbylljes së plagës së madhe të maleve të Krujës, për fashimin e plagës dhe gjelbërimin.

Qetësia ka filluar të kthehet, por ka akoma nevojë për disa ditë. Në Tiranë është mbyllur skema për financimin e qirave; 100% të qerasë për një vit për të gjithë ata që nuk kanë strehë për shkak të tërmetit. 65% e njerëzve në nevojë për strehë hyjnë në ditët në vijim.

Ky proces duhet ndjekur nga Ogerta, pavarësisht se Bashkia e Tiranës e ka drejtpërdrejt përgjegjësinë, për të parë ecurinë e  futjes së tyre nëpër shtëpi me qera dhe për të parë çfarë nevojash ka. Thjeshtë një sy nga ana e qeverisë në këtë  proces është i nevojshëm.

Duke e përmbledhur; Prishja e pallateve – Shkreli. Porto Romano dhe  Kruja – Iliri. Belinda në monitorim, që aplikimin e skemës së qerave me të gjitha të dhëna të mblidhen në zyrën drejtuesit te  plotfuqishmit të emergjencës.

Sot e në vazhdim është akomodimi në shtëpitë e reja i personave të prekur nga tërmeti i shtatorit. Janë një  sërë shtëpisë të reja të bëra gati në Tiranë. Ndërkohë duhet të bëjmë planin për shtëpitë individuale, sepse  për lagjet, etj.  është e qartë që do të jetë 100% barra e qeverisë, sëbashku me aktorët e mëdhenj në këtë proces, arkitektë të huaj dhe kompani të mëdha.

Për shtëpitë individuale duhet bërë harta e rindërtimit, në mënyrë që në Komitetin Kombëtar të Rindërtimit ta ndajmë me organizatat solidare, Fundjavë ndryshe, Shqiptarët për shqiptarët, etj., që t’ju japim hartën, zonën, numrin, në mënyrë që procesi në to, që është një proces më kapilar, por më i thjeshtë nga ana ndërtimore, të vazhdojë.

Anila sëbashku me kryetarin e Komitetit duhet të bëjnë një  skemë paralele. Folëm dje edhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe në Durrës për familje në fshat që janë të gatshme t’i rindërtojnë vetë shtëpitë dhe mos t’i lemë të presin pa fund, t’u japim  një financim. Faktikisht, me një financim në rendin e 20 milionë lekeve të vjetra mesatarisht, ata janë të gatshëm ta bëjnë vetë, sepse fitojnë kohë. Kuptohet me një supervizonim që të garantoje gjithë parametrat, që të mos bëjmë gjëra të pakuptimta. Pra, shtëpitë individuale me Komitetin, sëbashku me organizatat e solidaritetit, njëra rrugë.

Rruga tjetër me para në dorë për subjektet që kanë humbur shtëpinë dhe që janë të gatshme t’i rindërtojnë vetë, jo me detyrim. Kush paraqitet dhe thotë më jepni lekët se e rindërtoj vetë dhe nga ana tjetër, me subvencionimin tonë mund të shkojë fare mirë procesi edhe në këtë drejtim.

E treta, siç e shikojmë edhe me grupin e planifikimit, pjesën tjetër të shtëpive. Në Tiranë dhe në Durrës po ashtu është gati të fillojë procesi i riparimeve, i meremetimeve.

Durrësi ka 12 kompani, të cilat kanë bërë gati gjithçka. Duhet që të unifikoni procedurën me Tiranën, 24 orë lejen pa u zgjatur, por supervizionim i rreptë nga ana jonë. Shkrel ke përgjegjësi, bashkë me Institutin e Ndërtimit, për të garantuar një plan supervizionimi të meremetimeve. 60 kompani, firma më saktë, në Durrës, sipas informacionit, janë të regjistruara nga policia dhe hetimi përkatës, si kompani që lidhen me godinat e dëmtuara. 12 tani janë gati. Një apel tjetër të tjerave, që të bëhen gati dhe të vijnë nëse duan të lajnë  një pjesë të shpirtit të tyre në këtë proces.

Ndërkohë që procesi i hetimit vazhdon paralelisht, intensivisht. Janë 30 persona në grupin e hetimit të Policisë Kriminale, sëbashku me prokurorët që po mbledhin të gjithë dokumentacionin. Edhe njëherë e përsëris se po dëgjoj njerëz që thonë po pastrohen se “po fshihen provat”. S’ka asnjë provë që fshihet. Të gjitha hotspotet ku kanë ndodhur ngjarjet dhe aty ku po fillon pastrimi janë të mbyllura nga pikëpamja e dokumentacionit hetimor, marrja e mostrave, marrja e lejeve aty ku ka leje ndërtimi, fotografimi i situatës. Kështu që s’ka asgjë të kësaj natyre.

Duhet bërë edhe lista e kompanive të ndërtimit që përmbushin parametrat e sigurisë, bazuar edhe në këtë test që është bërë, që do të jenë pjesë e shortestimit, për t’i ftuar më pas për të marrë pjesë në Programin e Rindërtimit.

Programi i Rindërtimit kërkon një fuqi punëtore të madhe. Nga eksperienca, por edhe nga çfarë kam parë këto ditë, të dhëna të mbledhura nga kompanitë, kemi një problem me fuqinë punëtore në ndërtim. Kështu që duhet përfituar maksimalisht nga lehtësimet që bëmë për marrjen e fuqisë punëtore edhe nga jashtë. Ta çojmë në Parlament dhe ta mbyllim aksesin e menjëhershëm në fuqi punëtore të huaj, në rast se del nevoja për fuqi punëtore, sepse duhen mijëra njerëz që do të përfshihen në punë.

Në datën 19 duhet të kalojë e gjithë paketa që kemi bërë gati për aksesin në fuqi punëtore, në mënyrë që në rast se ka boshllëqe në fuqi punëtore, kompanitë të jenë në gjendje që të marrin fuqi punëtore nga jashtë, menjëherë, pa humbur kohë.

Projektet besoj se tani janë identifikuar pak a shumë se kush bën çfarë.

Shembja e pallateve në Laç për t’i hapur rrugë projektit që është në proces. Aty ia kemi kërkuar ndërhyrjen kompanisë turke të rindërtimit, duke u bazuar edhe tek angazhimi i Presidentit për të ndërtuar 500 apartamente. Me ta po merret Elva.

Ndërkohë që duhet të nisim Durrësin në dy aspekte; Lagjen e Re, pra, apartamentet e reja që të jetë një bllok i ri banimi me të gjithë parametrat dhe ndërhyrjet e zonës së vijës bregdetare, aty ku ka nevojë për ndërhyrje që të pastrohen situata vështirësish dhe ngatërresash urbane, që lidhen edhe me sigurinë.

Tirana në zonën e “5 Majit” duhet rishikuar në funksion të situatës, një plan i kahershëm që e kemi pasur dhe duhet bërë gati i gjithë terreni, nëse ka nevojë për shpronësim diku, apo ka nevojë për disa prishje tek ai kompleksi famshëm i superbetonit, ajo katastrofë atje, që të pastrohet komplet dhe është pronë shtet, ku mund të ketë ndonjë KÇK të vogël nëpër këmbë aty.

Pallatet e Kombinatit duhet të hidhen në tokë, të gjithë ato që janë me probleme. Duhen parë edhe pallatet e vjetra sovjetike, nëse kanë probleme edhe ato. Edhe aty kemi një territor të mjaftueshëm për të krijuar një pol të ri urban në Kombinat edhe për t’i dhënë një tjetër dimension të gjithë situatës urbane, qoftë në Kombinat, qoftë tek “5 Maji”, qoftë te ish-Uzina e Autotraktorëve.

Përmbledhje e të gjitha të dhënave:

Dje në mëngjes ishin 4 000 e kusur. Kemi vajtur në 4949 në zonën e Durrësit. Kemi vajtur në 6221 në zonën e Tiranës, 680 në zonën e Lezhës dhe kemi faktikisht 1971 objekte të pabanueshme, kryesisht objekte të vogla në Durrës dhe 660 në Tiranë. Me Tiranën e mbyllim shpejt situatën me qeratë. Edhe në Durrës duhet të bëhet gati plani i qerave, sepse në Durrës nuk ka stok domethënës. Stoku është zero. Janë të shitura të gjitha. Duhet të shohim në Durrës situatën me qeratë, ndërkohë që në Tiranë kjo është e mbyllur.

Duhet disbursuar, – Blendi, – pagesa për hotelet për muajin dhjetor, sepse aty do rrinë edhe për festa dhe në janar, me kujdes, me qetësi duhet filluar spostimi, vetëm për t’i çuar nga hoteli në një shtëpi me qera, përndryshe asnjë lëvizje. Jo nëpër tenda, jo nëpër rrugë, jo nëpër njerëz të tjerë. Ata do jenë të mbrojtur nga shteti deri në fund.

Ndërkohë duhen bërë projektet për shkollat, aty ku shkollat janë të dëmtuara. Dje ishim në një shkollë në Durrës që duhet shembur. Janë 4 shkolla që duhet të hidhen përtokë dhe të tjerat janë me dëmtime të rënda që duhen riparuar. Të shikohen të gjitha dhe edhe në ato që duhen riparuar, nëse është nevoja për të bërë gjëra plus, palestër apo të tjera, duhet shfrytëzuar ky rast për t’i rindërtuar siç duhet, jo thjesht riparime muresh.

Edhe diçka tjetër që u tha në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare me Presidentin dhe që besoj se është e rëndësishme si element, është që të gjitha çadrat do t’i jepen me përgjegjësi personave, jo shko ngul çadra dhe ik dhe pastaj fillon tregtia e çadrave, jepja njëri-tjetrit. Çadrat janë një pasuri që na duhet të jetë aty për çdo emergjencë të nesërme, përmbytje e kështu me radhë dhe do t’i jepen me përgjegjësi personave. Mirëmbajtja e çadrës dhe kthimi i çadrës do të jetë përgjegjësi e çdo personi që merr çadrën, përndryshe nuk mund të vazhdojë historia merre dhe mos e kthe më, e përdor vetë për bagëti,  ose për ta dhënë me qira. Sepse në çdo vend të botës, në situata të tilla shfaqet një faunë njerëzore lloje-lloje dykëmbëshash, që pa pritur e pa kujtuar bëhen me gjashtë këmbe dhe me katër gojë dhe hapet një hulli abuzimesh.

Unë duhet të iki mbas pak, sepse është edhe një histori tjetër që fillon për Shqipërinë dhe për mua e Gentin, që Shqipëria merr Presidencën e OSBE-së dhe unë do të kem edhe një ngarkesë plus, për të qenë në rolin e Charman Office i OSBE-së, pra, për të drejtuar OSBE-në. Duhet të shkoj sot në Bratislave për të marrë detyrën. Nesër do të shkoj në Stamboll, për të marrë pjesë në takimin e madh që ka organizuar Presidenti me investitorë dhe biznesmenë ku do të kemi edhe një panel të veçantë për të adresuar situatën e fatkeqësisë.

Ndërkohë po përgatitemi për konferencën e donatorëve të zonës së rajonit lindor. I kam kërkuar dhe besoj se do të kthehem me çadra me vete, por gjithsesi është e rëndësishme që të kemi parasysh menaxhimin sa më të mirë të të gjithë kësaj logjistike, sepse është një logjistikë që ka vlerë të madhe, jo thjesht materiale, por edhe vlerë të madhe për të qenë pjesë e të gjithë logjistikës tonë në vijim.

Në fund, kam tre gjëra. Së pari, Klotilda Ferhati, në emër të Komisionit të Ligjeve, Etilda si ministre e Drejtësisë dhe Edlira nga Kryeministria, duhet të çojnë përpara procesin dhe sa më shpejt të kenë draftin e ligjit të posaçëm për rindërtimin. E di që koha është shumë e shkurtër. E di që këto procese normal do të kërkonin shumë më tepër kohë, por objektivi është që në datën 19, në seancën e fundit të Parlamentit të çojmë ligjin e posaçëm për rindërtim, me të gjithë parametrat e nevojshëm për të pasur shpejtësi, efikasitet dhe transparencë. Nuk mundet dot rindërtimi të bëhet me procedurat normale, me historitë e pafundme të burokracisë dhe zvarritjeve. Kështu që është shumë e rëndësishme që të kemi një ligj të posaçëm për rindërtimin.

Mendoj që rindërtimin duhet ta koordinojë si agjenci, Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Mendoj që në këtë seancë duhet të përcaktojmë një klauzolë të veçantë në ligjin e antishpifjes, që besoj do të hyjë në seancë në datë 19 më në fund, për gjendjen e jashtëzakonshme. Shpifja në gjendjen e jashtëzakonshme është e dënueshme, shpifja në gjendje të jashtëzakonshme duhet të jetë e super e dënueshme. Lajmet e rreme dhe lodrat mediatike në situata si kjo që kaluam, janë kriminale. Mjafton rasti i Durrësit, një lajm kriminal i shpërndarë se po bie spitali i Durrësit, solli një të vdekur. Pa llogaritur kaosin dhe pa llogaritur të plagosurit, në përpjekjen për të ikur me vrap nga spitali, sepse doli nëpër tendat e medias lajmi që po shembet spitali, ndërkohë spitali nuk kishte asgjë. Këto janë gjëra që duhet të dënohen fort.

Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, për konferencën e dhomave të tregtisë që do bëjmë paralelisht me takimin e tretë të procesit të forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe të zbatimit të angazhimeve të  marra në Procesin e Berlinit, me të gjitha dhomat e tregtisë të të gjithë rajonit, për të pasur një konferencë domethënëse edhe në këtë aspekt, me kompanitë që veprojnë në aspektin rajonal, eksportues, tregtarë e me radhë. Kjo është e rëndësishme.

Edhe diçka që lidhet me vendimin që do kalojmë, një ndryshim në vendimin nr. 929, datë 17/11/2010, të Këshillit të Ministrave për Përdorimin e fondit të veçantë, të ndryshuar, është një vendim që ndalon rreptësisht përdorimin e fondit të veçantë në vitin buxhetor 2019-të për veprimtari social-kulturore dhe shpërblime punonjësish të institucioneve për Vitin e Ri, ato që bëhen zakonisht.

Me këtë rast, unë dua t’i falënderoj të gjithë ata që zemërgjerësisht kanë marrë pjesë në dhurim, kryetarë bashkish, drejtues institucionesh, punonjës. Refuzoj komplet atë shpifjen tjetër, që medemek ne kemi detyruar gjithë punonjësit të japin lekë nga rroga, se nuk kemi lekë për rindërtimin. Kjo është e pavërtetë.

Asgjë nuk është bërë në mënyrë detyruese, të gjithë kanë qenë të ftuar të japin kontribut vullnetar. Ne vetë i dedikuam rrogën e nëntorit këtij procesi. Kryetarë bashkish bënë të njëjtën gjë, drejtues bënë të njëjtën gjë, punonjësit, jo të gjithë kanë kontribuuar dhe nuk ka problem, nuk ka asgjë me detyrim në këtë proces. Por askush nuk duhet të dedikojë fond nga institucione buxhetore apo jo buxhetore, nga institucione publike të krijuara me ligj të posaçëm, nga institucione të qeverisjes vendore, njësi të fondeve speciale, ndërmarrje apo shoqëri tregtare me kapital mbi 50% shtetëror në varësi të institucioneve qendrore dhe të qeverisje vendore, për Vitin e Ri, për darka e për valle.

Përkundrazi, duhet të organizoheni të gjithë që të gjitha institucionet të ndajnë një pjesë të kohës së festave me njerëzit që janë atje. Të shkojnë, t’i vizitojnë, të çojnë dhurata për Vitin e Ri për fëmijët, me një ndarje e organizim të brendshëm.

Në të gjitha zonat ku ka njerëz të prekur, nëpër hotele, në çadra, në fshat, të ketë solidaritet në këtë drejtim. Të gjitha institucionet të bëjnë këtë gjë, solidaritet, prani. Me qetësimin e situatës, me normalizimin e situatës, sigurisht që fokusi i shoqërisë  në përgjithësi, fokusi i tendave mediatike në veçanti, do të s’postohet e do rikthehet në territorin e gam-gamit.

Ne duhet të mbajmë fokusin këtu dhe është shumë e rëndësishme që duke filluar nga e hëna, të kemi qartësisht të ndarë punën me patronazhimin e territoreve. Jo vetëm shtabet e emergjencave, jo vetëm zyra qendrore e emergjencës, por të gjithë ne këtu duhet të ndajmë orë të çdo dite me këta njerëz nëpër zona. Nuk është e mjaftueshme që Belinda të gdhihet e të ngryset në Vorë, që Sandri të gdhihet e të ngryset në Lezhë, në Laç, apo që zyra qendrore atje, bashkë me Klosin të gdhihen e të ngrysen në Durrës. Duhet të gjithë të përfshihen në këtë proces. Kur them të gjithë, kam parasysh ministrat, zëvendësministrat, drejtues të institucioneve kryesore dhe një pjesë të punës që jemi mësuar ta bëjmë ditën duhet ta bëjmë natën, për pjesën e punës së përditshme të qeverisë dhe një pjesë të ditës, sado pak, por në mënyrë konsistente, do t’ia kushtojmë këtyre njerëzve. Është shumë e rëndësishme kjo.

Kjo nuk është një gjë që do mbarojë kur të mbyllen tendat mediatike, do zgjasë me muaj të tërë dhe rindërtimi do të jetë një proces që do kërkojë kohën e vet. Sidoqoftë, besoj se momenti kyç i kthesës është kur secili do ta dijë se ti dhe  familja jote do jeni në këtë vend, ja ku është vendi, ja ku po ndërtohet. Ti dhe familja jote këtu në fshat, ja kush do e bëjë shtëpinë, ose urdhëro lekët për të bërë shtëpinë. Kjo do kërkojë deri në pranverë intensitet të madh, pastaj gjërat do vijnë duke u normalizuar, duke u qetësuar.

Qëndrimi pranë tyre është fondamental, është A-ja dhe ZH-ja e kësaj pune. Askush nga ata nuk duhet të ndihet i braktisur dhe askush nga ne nuk duhet t’i kthejë kurrizin për asnjë ditë. Prandaj duhet bërë një ndarje organizative, sa territor do mbulojnë, të lënë edhe nr. e telefonit të tyre për çdo gjë që ka nevojë në atë pikë, pavarësisht se shtabet e emergjencave bëjnë punën e tyre. Këtu është puna për kontakt e për çdo gjë kanë kujdestarinë e zonës, marrin shqetësimin dhe e përcjellin tek mbledhja këtu, tek shtabi, në mënyrë që të jemi gjatë gjithë kohës në kujdes të plotë të njerëzve.

Pa bërë asnjë lloj publiciteti për platformën e bashkëqeverisjes, vetëm me një komunikim, 1000 ankesa, kërkesa, apo pyetje për 2-3 ditë janë shumë. Që do të thotë që njerëzit kanë nevojë për informacion, kanë nevojë për komunikim. Kështu që ta bëjmë këtë gjë dhe ditën e hënë t’i kemi gati.

Besoj që detyrat për ditën e hënë janë të qarta. Nesër në ora 7 më keni këtu prapë dhe pastaj do shkoj në Stamboll. Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.