Kryeministri Edi Rama iu bashkua sot festimeve të qytetarëve të Tiranës me rastin e Ditës së Verës. I shoqëruar nga bashkëshortja Linda, kryeministri si të gjithë qytetarët e Tiranës ka përshkuar në këmbë një pjesë të bulevardit për t’u ndalur në një nga aktivitetet e organizuara, në lulishten “Vëllezërit Frashri”, ku u luajt një ndeshje basketbolli ndërmjet disa ish lojtarëve të skuadrës kombëtare dhe skuadrave të të rinjve.
“Pa e fshehur dot gëzimin që një me një pjesë të bërthamës së skuadrës kombëtare të 30 viteve më parë mundëm dy skuadra rresht të ditëve tona. Besoj që ky është një ngushëllim fantastik për moshën që ikën, në këtë Ditë Vere”, u shpreh Rama, për mediat e pranishme.
Në urimin e tij për Ditën e Verës, Kryeministri vlerësoi se “Kjo ditë çel një verë dhe një pjesë më të mirë të mbetur të vitit, qoftë për të rinjtë, qoftë për të moshuarit”.
Qeveria, nëpërmjet katër Ministrive, me rastin e Ditës së Verës organizoi aktivitete të shumta në kryeqytet, për të gjitha moshat.