Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Gjimnazi i rilindur “16 Shtatori” në Shijak është gati për të pritur nxënësit dhe mësuesit e saj, pothuajse një vit pas tërmetit të vitit të kaluar që i shkaktoi dëme të mëdha. Sot ky gjimnaz, shumë më i madh se ai që tërmeti shkatërroi, është në dispozicion të 350 nxënësve, të cilët procesin e marrjes së dijes do ta zhvillojnë në kushte shumë herë më të mira.

Kryeministri Rama, bashkë me kryebashkiakun e Shijakut Elton Arbana dhe me ministren e Arsimit Evis Kushi ishin në ambientet e këtij gjimnazi, i cili përmbush standardet më të mira europiane. “Diçka interesante në këtë shkollë është që ka pasur 318 nxënës dhe është shtuar numri i nxënësve për shkak se kemi një shkollë të re, më të mirë, më të bukur dhe më të fortë”, – u shpreh kreu i bashkisë së Shijakut.

Ky gjimnaz si dhe të gjitha shkollat e tjera të Programit të Rindërtimit janë konceptuar edhe si qendra komunitare ku mund të zhvillohen aktivitete jashtë shkollore. “Në fillim ishte një projekt me 9 klasa, por duke parë numrin në rritje të nxënësve, të cilët do të frekuentonin mësimin në këtë shkollë, ne ndryshuam projektin dhe e bëmë me 13 klasa. Kjo shkollë sot ka 3 laboratorë, kimie, fizike, biologjie, një sallë multifunksionale që i shërben shkollës, palestrën dhe çdo gjë që i duhet një shkolle sipas standardeve të Bashkimit Europian”, – tha Arbana.

Kryeministri Rama theksoi se këto shkolla janë bërë me cilësi  shumë të lartë ndërtimi. Kryeministri gjithashtu asistoi edhe në një orë fizkulture, ku për pak minuta u shpjegoi nxënësve disa lëvizje bazë në basketboll.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.