Gjithçka që energjia të jetë një sektor i zhvillimit

Deklarata e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Z. Damian Gjiknuri, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:

Kam kënaqësinë të komunikoj sot, një vendim tjetër shumë të rëndësishëm të Këshillit të Ministrave, i cili ka të bëjë me vazhdimin e ndërtimit të “Unazës së Jugut” dhe shtyrjen e afatit për kredinë me KfW. Një financim ky shumë i rëndësishëm i Republikës Federale të Gjermanisë për Unazën e Jugut të linjës 110 kV të transmetimit të energjisë.

Një investim, i cili do të shtojë sigurinë e furnizimit me energji elektrike. Një investim që do të sigurojë një eficencë më të madhe të sistemit në zonat e jugut të vendit dhe që është në vazhdën e të gjitha atyre projekteve infrastrukturore energjetike që qeveria shqiptare po kryen;

Siç është projekti me Kosovën që tashmë do të fillojë nga konkretizimi shumë i shpejtë. Aktualisht ka përfunduar gjithçka nga pikëpamje kontratuale. Duke vazhduar më pas, me projekte të tjera të interkonjeksionit të Shqipërisë me vendet e tjera te rajonit. Vitin tjetër do të jetë projekti i interkonjeksionit me Maqedoninë apo investimet edhe në pjesën tjetër të jugut, në pjesën e bregut, për të përmirësuar furnizimin me energji elektrike, në të gjithë këto zona.

Rrjeti i transmetimit të energjisë elektrike është një infrastrukturë kritike tepër e nevojshme dhe demonstron vullnetin e kësaj qeverie, që me gjithë vështirësitë që ka sektori energjetik, të vazhdojë në rrugën e investimeve. Kjo, me qëllim që shumë shpejt, energjia nga një sektor problematik, të jetë një promotor i zhvillimit të ekonomisë, me një siguri të qëndrueshme të furnizimit të energjisë dhe me çmime të qëndrueshme, çka e kërkojnë si konsumatorët familjarë, por edhe të gjithë investitorët apo konsumatorët e tjerë industrialë në Shqipëri.