Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama, sëbashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar sot, godinën 6-katëshe të Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, e cila pësoi dëmtime në muraturë nga tërmeti i 26 nëntorit. Ministrja Manastirliu e informoi Kryeministrin se dëmet nuk janë strukturore dhe se dëmtime kanë pësuar godinat e vjetra të mesit të viteve ’50-të e ku prej shumë kohësh nuk është vënë dorë. Ndërkohë që ndërhyrjet riparuese nisën menjëherë, për të siguruar brenda muajit funksionalitet të plotë të godinës, deri në transferimin përfundimtar të shërbimeve që ofrohen në të në spitalin e ri.

“Nuk kishim probleme serioze, por disa dëmtime për të cilat neve na u desh të fillojmë menjëherë ndërhyrjen, kryesisht suva që kanë rënë gjatë tërmetit. Struktura është në rregull. Të rejat [godinat] nuk kanë pësuar asnjë problem, ndërkohë që të gjitha ndërtesat e vjetra, ku prej vitesh nuk është vënë dorë, na kanë shfaqur problematika,” u shpreh ministrja, ndërsa theksoi faktin se pacientët e godinave të prekura menjëherë janë zhvendosur në reparte apo godina të tjera.

Kryeministri Rama u shpreh se në Programin e Rindërtimit do të përfshihen edhe spitalet dhe qendrat shëndetësore dhe për këtë po punohet të arrihet një marrëveshje me një kompani të njohur turke.

“Ne po bëjmë një negocim dhe shpresojmë që do ia dalim me një kompani të madhe turke, e certifikuar ndërkombëtarisht dhe që punon me tregun e ri në Amerikë. Besoj që do bëjmë një super marrëveshje për shtëpitë me standarde fantastike antisizmike, ekologjike dhe i thashë që të na japin disa oferta edhe për qendrat shëndetësore, sepse kanë një kosto shumë më të ulët dhe janë super. Ata bëjnë edhe shkolla, kështu që po bëjmë një punë me ta që besoj do na japë shumë sukses.”

Ndër objektet shëndetësore, Spitali i Laçit është më i dëmtuari në vend nga tërmeti, për të cilin Manastirliu tha se “ka dalë sipas vlerësimit me dëmtime serioze. Aktualisht i kemi transferuar shërbimet në Spitalin Rajonal të Lezhës.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.