Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Gramshi është një tjetër qytet, të cilit Rilindja Urbanë i ka ndryshuar krejtësisht pamjen. Investimi prej rreth 40 milionë lekë ka fshirë gjurmët e degradimit urban të qytetit. Ajo që ka qenë një hapësirë pa asnjë funksion publik në qendër të qytetit, dedikuar vetëm makinave, sot është një shesh tërësisht i rikonceptuar si një hapësirë publike dhe rekreacioni për 30 mijë banorët e tij,  fasadat janë restauruar, janë krijuar hapësira të gjelbra dhe sistem i ri ndriçimi. Janë kryer po ashtu, punimet nëntokësore, sistemimin e ujërave të bardha dhe të zeza, furnizimit me ujit të pijshëm.

“Ky shesh nuk ka qenë gjë tjetër veçse një shesh parkimi për makinat. Ndërsa sot, si rezultat i Rilindjes Urbane, ky shesh ka një vizion tjetër, qytetarët e shikojnë si vendin e  tyre. Jemi në proces tenderimi për lagjen Sporti2. Edhe ajo do të ketë ambiente për fëmijë, për të luajtur basketboll e volejboll, por edhe sheshe pushimi e parkimi të makinave. Do të vazhdojmë edhe me pjesën tjetër të qytetit që do ta kthejmë në pedonale,” – u shpreh kryetarja e bashkisë së Gramshit, Luljeta Dollani.

Programi i Rilindjes Urbane është një program me impakt jo vetëm urban, por edhe social dhe ekonomik. Ky program, nënvizoi Kryeministri,  kultivon edhe dëshirën e njerëzve për të vazhduar të investojnë në bizneset e tyre.

“Unë ndjehem mirë, sepse detyra më ka sjellë për vite me radhë këtu dhe realisht ishte një qytet shumë i trishtueshëm, i sunduar nga makinat që praktikisht ishin të vetmet pronare të qendrës së qytetit dhe nga të katër anët i dëmtuar seriozisht nga harresa e braktisja e qeverisë në Tiranë. Besoj se me programin Rilindjen Urbane, qyteti po jeton një transformim real, që sjell më shumë atmosferë sociale, një rritje të vlerës së pasurisë së patundshme, sjell patjetër edhe një nevojë për t’u shtrirë më tutje si transformim, duke kultivuar dëshirën e njerëzve për të vazhduar të investojnë në biznese të vogla, për të parë përtej kufijve të qytetit të vjetër në hapësirën e bashkisë së re, për të krijuar komunitet, bashkësi, atmosferë qetësie në një qytet të vogël, që ka goxha potenciale zhvillimi dhe një natyrë të mrekullueshme. Kjo është një vlerë  e shtuar që ne do të vazhdojmë ta rrisim,” – u shpreh Kryeministri.

Investimet në kuadër të programit të Rilindjes Urbane nuk janë të vetmet për Gramshin. Një investim shumë i rëndësishëm është ndërtimi i rrugës Elbasan- Gramsh. “Edhe rruga në të cilën ju erdhët është bërë një mrekulli. Gramshi, vërtetë, kur kanë ardhur na kanë thanë, tani është bërë qytet,” – u shpreh kryetarja Dollani.

“Është vërtet një rrugë me standarde të shkëlqyera, që ka shkurtuar kohë pa fund. Është hera e parë që unë erdha në Gramsh dhe nuk e ndjeva as rrugë dhe as kohën,” – u shpreh Kryeministri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.