Fjala e kryeministrit Rama në ceremoninë e formalizimit të Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Itali:
Të nderuar pjesëmarrës,
“Më mirë vonë se kurrë”, i thonë një fjale dhe këtu sot kjo fjalë tingëllon në vendin e vet. Mua të paktën më duket se ky takim mund të mbante këtë titull: “Më mirë vonë se kurrë”.
Duket pak si çudi fakti që një nismë tillë, padyshim e dobishme, por në fakt edhe më shumë se e dobishme, e natyrshme për historinë e gjatë, e cila na bashkon, pavarësisht detit që na ndan , të merrte formë vetëm sot.
Por sidoqoftë “Më mire vonë se kurrë” dhe vërtete përgëzime atyre që e morën këtë nisëm. Padyshim një falënderim i takon në radhë të parë mikut tonë të përbashkët Massimo Gaiani i cili na dha sot mundësinë të mbushim një boshllëk, i cili do përndryshe do të mbushej ende më vonë.
Kërkoj mirëkuptimin tuaj që të mos ta falënderoj zonjën Bregu, të falënderoj Artan Gaçin, i bindur se ambasadori do ta bëjë shumë më mirë falënderimin për zonjën Bregu sesa çdo ta bëja unë.
Fakti që ndërkohë luhet futboll për kupën e botës dhe ne jemi besnikërisht këtu, jo për të bërë tifozllëk për dy skuadra të ndryshme dhe as për të vazhduar atë ndeshjen tonë pa mbarim, por për tu bashkuar që të ndërtojmë një urë të re me anën tjetër të detit, është me të vërtetë shumë kuptimplotë.
Nuk e di a është rastësi apo plan i menduar që ky grup të krijohet pikërisht tani që Italia merr kryesinë e BE, por me siguri vetë pagëzimi i nismës, pikërisht sot në vazhdën e ditëve të përjetuara bashkërisht si të shënuara prej arritjes historikë të statusit të Shqipërisë, si dhe mu në pikënisjen e 6 mujorit të Presidencës Italiane, ka një kuptim të pandashëm nga përafrimi ynë i mëtejshëm me Italinë dhe me Evropën përmes Italisë.
Nuk do të jetë me siguri asnjëherë dot mjaft shprehja e mirënjohjes sonë ndaj Italisë për faktin që erdhëm këtu ku jemi. Por besoj se siç nuk mund që të themi dot sot se u bëmë sa mund të bënim në gjithë këto vite që të ishim sot edhe më pranë, ashtu siç nuk besoj se do të mund të bëjmë dot aq sa do të donim të bënim më tutje, nëse nuk do të jemi më ambicioz dhe më produktiv në marrëdhëniet me njeri-tjetrin.
E këtu sigurisht përgjegjësia është në radhë të parë e jona, e anës tonë shqiptare. Jemi ne që duhet të synojmë më shumë dhe të veprojmë me më shumë kreativitet dhe këmbëngulje për të bërë të mundur kapërcimin e detit, të pengesave të njëpasnjëshme që ndesh ana tjetër për tu afruar me ne.
Unë jam i bindur se Matteo Renzi është një shans i ri dhe i madh për Italinë dhe se Italia e Matteo Renzit është një shans i ri dhe i madh për Europën, por pa dyshim edhe për Shqipërinë.
Energjia e re pozitive që është krijuar nga ndryshimi nga të dyja anët, si dhe ky përkim fatlum i menjëhershëm, i poststatusit me presidencën italiane të BE, duhet shfrytëzuar maksimalisht në muajt shumë të rëndësishëm por dhe shumë interesant në vijim.
Prandaj uroj shumë që ky grup miqësie të mos mbetet më një shprehje virtuale e miqësisë së posaçme që na lidh pazgjidhshmërisht, por të bëhet ura e rritjes dhe arritjes së këmbimeve të shumë dëshiruara mes nesh.
Për këtë arsye lejomëni tu them se ky grup për të cilin shkon shumë mirë shprehja “Më mirë vonë se kurrë, do të mund të lërë vërtetë gjurmë vetëm në se do të mbajë vërtetë parasysh atë shprehjen tjetër që thotë “Il bene e nemico del meglio”. Pra të mos mjaftohemi me faktin që marrëdhëniet mes nesh janë shumë të mira por të kujtohemi gjithnjë për faktin se shumë më të mira mund të jenë.
Së fundi, unë nuk e di se si janë rregullat e këtyre grupeve dhe nëse ka ndonjë rregull, që i heq kryeministrave të drejtën që të bëjnë pjesë në një grup, por nëse përfshirja ime në këtë grup do të ndihmonte për ti bërë dhe edhe shumë më të mira marrëdhëniet tona, padyshim që për mua si deputet kjo do të ishte kënaqësi e posaçme. “Më mirë vonë se kurrë”, por në fund të fundit nuk është kurrë vonë për të bërë gjënë e duhur. Nganjëherë kur bëhet vonë shijon më shumë.
***
Kryeministri Rama përshëndeti sot formalizimin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Itali, krijimi i të cilit është nismë e një grupi deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, me synim zgjerimin dhe forcimin e lidhjeve të ndërsjella të bashkëpunimit ekonomik, kulturor, social, të sipërmarrjes etj. Grupi, zyrtarizimi i të cilit përkon me marrjen nga ana e Italisë të Presidencës së BE, do të angazhohet në nivel parlamentar për përmbushjen e objektivave të përbashkëta, në të gjitha fushat e bashkëpunimit, me interes për të dy vendet.
Kryetarja e Grupit Parlamentar të miqësisë Shqipëri-Itali, deputetja Majlinda Bregu shprehu besimin se nëpërmjet bashkëpunimit me një axhendë të përbashkët, grupi do të jetë jo vetëm funksional, por edhe ambicioz për të përmirësuar dhe për ti dhënë një impuls marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë.
Ndërsa deputeti Artan Gaçi, njëkohësisht nënkryetar i Grupit të Miqësisë shprehu bindjen se puna që do të bëjë grupi në vijim do të sjellë një kontribut të çmuar në fuqizimin e marrëdhënieve dhe në krijimin e hapësirave të reja të bashkëpunimit me Italinë.
Ambasadori Italian në Tiranë, zoti Massimo Gaiani shprehu kënaqësinë që zyrtarizimi i Grupit i Miqësisë Shqipëri-Itali përkon me nisjen e 6 mujorit të Presidencës italiane të BE, dhe se funksionimi i tij do të shërbejë si një urë e fortë bashkëpunimi, në shumë fusha me interes të përbashkët.