Dy gëzime në një ditë për familjen Allaraj në Farkë, e cila hap dyert e shtëpisë së re në ditëlindjen e vajzës, Merisildës, që sot mbush 13 vjeç. Ndërtesa, e pajisur më së miri me gjithçka i nevojitet një familjeje, është ngritur nga themelet në tokën tashmë pronë e familjes, ku janë ende mbetjet e shtëpisë së vjetër, – trarë, teneqe dhe gurë zalli, – të rrënuar nga tërmeti i nëntorit të shkuar.
Kryeministri Edi Rama ishte sot mik në familjen Allaraj. “Shumë faleminderit! U mbarua shumë shpejt!” shprehet kryefamiljari, i cili gjithashtu tregon se tashmë disponon të gjitha dokumentet e rregullta të tokës dhe të shtëpisë njëkohësisht.
“Me këtë rast u zgjidhen letrat e tokës, letrat e shtëpisë. Pra, ka një aset që mund të përdoret në treg, Më përpara nuk kishte as letra toke, as letra shtëpie,” – u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj theksoi se edhe në fshatrat e tjera të Tiranës ka nisur puna për ndërtimin e shtëpive, sipas kontratave të parashikuara. “Momentalisht kemi filluar edhe në Baldushk kontratën. Isha këtë fundjave në Zallherr. Edhe filluar edhe aty shtëpitë, në të njëjtin terren ku ka filluar shtëpia e vjetër. Ndërkohë do të fillojmë me lagjet e përqendruara, edhe me Vaqarrin, edhe me Zallherrin, edhe me Ndroqin, edhe me Pezën.”
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Farkës tha se brenda 1 muaji do të përfundojnë edhe 20 shtëpi të tjera, ndërsa në të gjithë Farkën janë 65 shtëpi për rindërtim.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se përveç afateve, një vëmendje të madhe po I kushtohet edhe dokumentacionit të objekteve, në mënyrë që të shmangen abuzimet apo parregullsi të ndryshme.
“Në të gjithë Tiranën janë 875 shtëpi, nga të cilat 400 janë lidhur kontrata dhe ka filluar puna nëpër territore. Pjesa tjetër janë kryesisht këto të qëndërzuara. Jemi siguruar që t’i bëjmë të gjitha letrat në rregull,” – tha Veliaj, duke sjelle edhe njē rasti konkret në Zallherr. “Këta kolegët e PD-së thonin “ja njëri që nuk i është bërë shtëpia”. Në fakt zbulojmë që nuk kishte shtëpi fare dhe kjo, jo për shkak të tërmetit. Kështu që parimi është kush ka nevoja sociale do të trajtohet me bono qeraje, pra, me këto projektet tona sociale. Ama kush është legjitim i tërmetit, me gjithë dosjen përkatëse do të trajtohet si rast i tërmetit. Kështu që ndoshta kemi marrë pak kohë më shumë, por kemi qenë më të drejtë. E një nga arsyet që kishin dalë të gjithë njerëzit për të na pritur, ishte se kishte një gëzim, sepse realisht u ndihmua një njeri në nevojë dhe jo qoka, siç bëheshin atëherë kur kryetari i komunës i ndante me tarafin e vet. Për këtë arsye, unë them deri në nëntor që mbushet viti do kemi mbaruar shtëpitë individuale,” – u shpreh kryebashkiaku Veliaj. Ndërkohë informoi se sot është hapur gara dhe që për 6 javë do të hidhen edhe themelet e pallateve të para në “5 maji” dhe në Kombinat. Po ashtu lidhur me rindērtimin e shkollave, ai u shpreh se “besoj do kemi përgjigjet javës tjetër. Do të shikojmë dhe me procedurat e ankimimit dhe do të fillojmë me 11 shkolla. Një kantier shkollash të paimagjinueshme”.