Fjala e kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:
Së pari, dëshiroj të shpreh kënaqësinë për formën e jashtëzakonshme fizike të zotit Alimadhi, gjë që besoj është një dëshmi e punës së shkëlqyer të mjekëve dhe të sistemit tonë në vijën e zjarrit ku për fat të keq deputeti Alimadhi u gjend si pasojë e infektimit! Përfitoj nga rasti që ta them sot meqë nuk më është dhënë mundësia se ka pasur dhe nuk është një përjashtim për zotin Alimadhi por për të gjithë ata që shkojnë në duart e mjekëve dhe të infermierëve të sistemit tonë, një përkujdesje fantastike. Forma juaj sot është një dëshmi edhe e kësaj. Ndërsa për sa i përket Ballit Kombëtar tashmë dihet që ka rënë nga forma shumë kohë më parë dhe sado në formë të shkëlqyer të jeni ju zoti Alimadhi nuk arrini dot që të kompensoni një rënie nga forma pa kthim e Ballit Kombëtar. Por duke qenë se unë jam akuzuar si tradhtar nga mbështetësit e palëkundur të PS, por dhe të mitë ndër vite për nderimin që i bëra Mit’hat Frashërit, për të cilin ruaj respekt dhe gjë të cilën do e bëja përsëri pa asnjë rezervë, më besoni që Mit’hat Frashëri po të ishte gjallë sot, do ishte me Myslymin, jo me ju. Natyrisht, në betejën mes jush ka dhe një remineshencë nga lufta e vjetër mes Ballit dhe Legalitetit, por kjo është një çështje e juaja, kështu që duke përfituar nga mungesa e naltmadhnisë së tij, Kujtim Gjuzit në sallë po e konsideroj këtu Myslymin si përfaqësuesin më të lartë të llogores monarkike. Ama, në këtë rast Mit’hat Frashëri do ishte Myslymi 100%.
Sidoqoftë, duke ndjekur disa qëndrime këtu, së këtu s’ka vetëm një Ball Kombëtar, ka disa, kjo ishte dhe një nga karakteristikat e rrënimit të Ballit Kombëtar, që, u bë një Ball me 7 ballë. Pashë një ballist tjetër që foli këtu dhe që mbajti një qëndrim që turpëron Mit’hat Frashërin, turpëron kulturën e Mit’hat Frashërit, turpëron atdhetarinë e Mit’hat Frashërit, turpëron intelektin e Mit’hat Frshërit dhe tregon në fakt se pse kauza e Mit’hat Frashërit nuk kishte shans të kishte sukses, sepse ai që foli këtu është ballisti tipik, nuk i duhet dreqit.
Ndërkohë, pashë edhe disa zonja që klithën këtu për diktaturë, klithën për ilegjitimitetin e parlamentit. Ndërkohë, duke folur në foltoren e këtij parlamenti të cilit i marrin edhe rrogën, tani zonja të nderuara si lidhen këto dy gjëra, që parlameni qenka ilegjitim, ndërsa ju jeni legjitime?! Nuk po shkoj më tutje, se respektoj statusin e të qenit zonja, por sinqerisht keqardhje të madhe për c’edukimin publik që përcillni nga foltorja e këtij parlamenti me ato klithma dhe me ato fjalë të ulëta që janë karakteristikë për shumë nga burrat e mbledhur jashtë këtij parlamenti që sulmojnë këtë parlament.
Sot, pavarësisht se shumëçka ne na ndan, vota e përbashkët është në fakt të qenit në anën e duhur të historisë, të zhvillimit demokratik dhe të përsosjes së plurarizmit dhe në anën e duhur të popullit shqiptar, të zgjedhësve shqiptarë, të cilëve me këtë votë ne u japim mundësinë të zgjedhin, jo vetëm partinë, por dhe deputetin, apo deputeten që duan. Të dalësh kundër kësaj do të thotë të jesh në anën e gabuar të hisorisë dhe të jesh kundër popullit tënd. Të mos kesh besim te populli yt dhe të tregosh se nuk e meriton besimin e tij për sa kohë nuk je në gjendje t’i japësh mudësinë që të bëjë zgjedhjen e vet.
Meqë ne këtu po mbyllim sot, një fazë jo të lehtë të një reforme që falë këtij parlamenti u bë reformë, se deri në 5 qershor ishte formalinë, dua që t’i falenderj të gjithë deputetët pa përjashtim për kontributin e dhënë për ta sjellë këtë ditë këtu në parlament dhe dua të falenderoj dhe miqtë dhe partnerët që janë përfshirë në këtë process, por do më lejoni që t’ua përcjell një mesazh nga kjo foltore të gjithë miqve dhe partnerëve dhe uroj që ta lexojnë këtë mesazh ashtu siç është, mesazhi nga foltorja e një parlamenti sovran, e një qeverie sovrane dhe e një kryeministri që përfaqëson një shtet sovran.
Po e nis me çfarë thotë Komisioni i Venecias për sistemet zgjedhore: Shtetet kanë marzh të gjerë vlerësimi në përzgjedhjen e sistemeve zgjedhore; shtetet gëzojnë këtë marzh të gjerë vlerësimi pasi këto zgjedhje janë vendime politike. Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR nuk rekomandojnë ndonjë sistem të veçantë. Në mënyrë të ngjashme nuk ka standarde ndërkombëtare që rekomandojnë një metodë specifike, ose shkallë proporcionaliteti në lidhje me shpërndarjen e mandateve. Ky është standardi që ka vendosur në unison i gjithë grupi i organizmave ndërkombëtarë që garantojnë votën e lirë: OSBE/ODIHR, Këshilli i Europës, Komisioni i Venecias, Gjykata e Strasburgut.
Prandaj, miqtë dhe partnerët tanë duhet ta dëgjojnë mirë se ky është vendim i parlamentit të Shqipërisë dhe i takon shtetit shqiptar të vendosë përmes parlamentit të vet se çfarë bën me sistemin zgjedhor. Nuk është një zgjedhje që kemi detyrimin ta ndajmë as me ambasadoren amerikane as me ambasadorin e Bashkimit Europian as me askënd tjetër, duke i respektuar maksimalisht dhe duke i konsideruar këtu Zot në vendin e tyre. E them këtë, sepse u bënë 30 vjet dhe nuk mund të bëhen dhe 30 të tjera nëse ne vazhdojmë të mos i themi gjërat siç janë.
Natyrisht nuk është përgjegjësia e ambasadores amerikane, e ambasadorit të BE, e Uashingtonit apo e Brukselit, e Berlinit apo e Parisit që ne prej 30 vitesh kërkojmë në anglisht zgjidhjen e problemeve tona që janë probleme shqitare, që ne prej 30 vitesh kërkojmë shahid për të komunikuar me njëri-tjetrin dhe për të zgjidhur problemet që i krijojmë vetë, apo që na takon t’i zgjidhim së bashku. Nuk është përgjegjësia e tyre dhe për këtë ata meritojnë falenderim dhe respekt. Por kur dëgjoj ambasadoren amerikane që thotë: “do i ndjekim me vëmendje drejtuesit politikë, a do e mbajnë fjalën, a s’do e mbajnë fjalën”, sinqerisht nuk më vjen mirë, jo për veten time, por për të gjithë ne. Ajo fjali është një arsye për çdo person këtu në këtë vend, qoftë socialist, qoftë demokrat, qoftë legalist, qoftë ballist madje, që, kur merr përsipër të përfaqësojë popullin e vet në këtë sallë, apo në çdo rang tjetër përfaqësimi të mos e bëjë qesharak popullin e vet, të mos e bëjë qesharak vendin e vet, të mos bëjë qesharak shtetin e vet, sepse e kemi krijuar ne këtë trashëgimi të ulët e cila është vazhdim i një historie të gjatë moskuptimesh mes shqiptarëve që kanë çuar shqiptarët në situata të pajustifikueshme fare dhe që nuk e kanë lënë këtë vend të bekuar të bëhet ai që Zoti ka krijuar me bujari të madhe duke i dhënë të gjitha ato që i duhen që populli të jetojë me dinjitet. Këtu, sot, kjo votë është me dinjitet. Është vendimmarrja jonë tërësisht e përputhur me standardet ndërkombëtare, tërësisht e përputhur me ambicien për ta bërë Shqipërinë një vend më demokratik, një vend me më shumë përgjegjësi të të zgjedhurve ndaj zgjedhësve, një vend ku përgjegjësia përkthehet në punë për Shqipërinë dhe jo në sherr mes shqiptarësh.
Kështu që duke vazhdur më tej me çfarë thotë Komisioni i Venecias me deklaratën interpretuese të Kodit të praktikave të mira, dëshiroj që të vazhdojnë ta dëgjojnë këtë mesazh miqtë tanë, partnerët tanë dhe këtu mendoj që duhet ta dëgjojnë me vëmendje edhe ata kolegë tanët që janë në rrugë dhe në rrugë nuk i çuam ne. Shkuan vetë. Ligjëvënësi duhet të jetë i ndërgjegjshëm që në përzgjedhjen e sistemeve zgjedhore dhe të mekanizmave të zbatimit të tyre, të garantojë elementët thelbësorë të sistemit zgjedhor që garantojnë lidhjen e drejtë dhe të ndershme të votës së lirë të qytetarit dhe të kandidatit, subjektit politik që atë e përfaqëson më mirë. E nëse ka një mekanizëm që nuk e garanton lidhjen e drejtë dhe të ndershme të votës së lirë të qytetarit dhe të kandidatit, subjektit politik që atë e përfaqëson më mire, është sistemi unikal – nga Vankuveri në Vladivostok, në të gjithë hapësirën e OSBE, ku jetojnë 1 miliardë banorë, – i koalicioneve të ashtëquajtura të përbëra. Është një shpikje shqiptare, tipike hile, por një hile që rëndon mbi standardin, një hile që nuk e garanton këtë që kodi i praktikave të mira zgjedhore në 2005 i komisionit të Venecias e nënvizon. Lidhjen e drejtë dhe të ndershme mes votës së lirë të qytetarit dhe kandidatit ose subjektit. Çfarë lidhje e drejtë dhe e ndershme është kur ti i thua votuesit ke një tren me 40 parti dhe nuk ke mundësinë t’i shohësh ata që janë futur nëpër vagona. Hidhe votën këtu tek vagoni që do të kapi dora dhe vota jote nuk i shkon atyre që janë në atë vagon, por mblidhet tek lokomotiva ose tek vagoni i dytë dhe vagoni i dytë sillet si lokomotivë pastaj, duke tërhequr zvarrë sa njërin sa tjetrin sipas rastit me gjysmën e votave si deputet që kanë lokomotivat e ketyre trenave pa fund. Cfarë është kjo?! Këtë se ka askush! Këtë sot do ta fshimë! Dhe është një fshirje e vonuar e një hileje që ka karakterizuar zgjedhjet në Shqipëri për vite të tëra dhe që ka deformuar vullnetin e shqiptarëve.
Ballist, – Churchilli thotë “kush nuk ndryshon mendim është budalla” dhe unë jam shumë i qetë sot, që pavarësisht se nuk kam të njëjtin mendim të lartë siç e ka Myslymi, Rudina Hajdari apo të tjerë që çdo bëjnë listat e hapura, ama kjo është ajo që do populli. Këtë do të bëjmë. Shumë e thjeshtë. E sa për “komunistin”, – ballist, – unë nuk kam asnjë lidhje emocionale ose intelektuale me komunizmin. Im atë, po, ka qënë komunist si shumë të tjerë dhe kanë qenë në anën e duhur të historisë, kur “ju”, – tani të të thuash ty “Ju”, – është fyerje për Mit’hat Frashërin, sepse ti je një mbetje e lodhur në një gropë të historisë.
Por, po ju them edhe njëherë tjetër që unë nuk kam asnjë problem me komunistë dhe ballistë si persona dhe ju e mësuat këtë nga Enver Hoxha. Sepse ju bëri Enver Hoxha më të zi sesa veten, në mënyrën sesi sulmoni kundërshtarët se ju mësoi Enver Hoxha juve që, “mos u merr me mesazhin, merru me mesazherin”, “mos u merr me mendimin merru me kokën që mendon”. E fatmirësisht nuk keni asnjë gjë në dorë, se po të kishit në dorë diçka më zi se Enver Hoxha do ishit ju. Këtu ndahemi ne, sepse ndarja mes demokratëve në kuptimin e të qenit demokrat dhe mendjeve antidemokratike, këtu është. Demokratët dhe socialistët janë demokratë. Socialistët që ta dish janë antifashistë dhe antikomunistë, nuk janë siç mendoni ju, por nuk merren me personat, merren me ideologjite. Kjo është ndarja e madhe, kurse ju, ti Saliu i pari e të gjithë ata që janë jashtë, janë një kopje e zezë e të shkuarës, që i turreni “të kuqes” si demi, por në fakt jeni “e zeza” kur ktheni politikën në një instrument për të sulmuar njerëz, në një rrugë për të sharë dhe diskretituar njerëz, ndërkohë që politika është përballje opinionesh, është përballje idesh, është përballje alternativash, është sport i vështirë, nuk është sport për ty, por ty të solli këtu ai koalicioni me shumë vagona dhe ti ishe në një vagon mallrash. I ke parë ato trenat me shumë vagona që në fund kishin një vagon mallrash që kishin lopata të hedhura atje që i merrnin ata që ishin në vagonat e tjerë? Ti nuk je përfaqëues i një partie, ti je bishti i një lopate. Lopata quhet; Balli Kombëtar numër dy dhe pretendon ti të vish prapë në parlament. Nuk do të ketë më parlament për ty dhe për bishtat e lopatave. Në parlament vijnë përfaqësuesit e popullit, jo bishtat e lopatave. Kështu që me votimin e sotëm vagonat me lopata do të shkëputen nga treni i pluralizmit. Që këtë e vendos ky parlament sot, kjo siç e sheh dhe ti,ndërkohë që unë po flas, ka vdekur sepse votat janë aty që ta dish dhe kjo nuk ka lidhje me mua fare personalisht. Kjo ka lidhje me domosdoshmërinë që Shqipëria të ketë një sistem që të jetë minimalisht brenda kornizës së gjeografisë së botës nga Vankuveri në Vladivostok, nga Kanadaja në Rusi që janë gjithë vendet anëtare të OSBE/ODIHR e ku nuk ka një sistem si ky këtu, që të solli ty në parlament dhe pikërisht se ti dhe të tjerë si ty erdhën në parlament nga ky sisten, ne këtë system do ta fshimë, që këtij parlamenti të mos i bien më në qafë karikatura si puna jote dhe si puna e të tjerëve si ty, jo si person, por si politikë, karikatura politike, që vini këtu dhe na tregoni ne hajdutët dhe kriminelët, na tregoni komunistët dhe komunizmin, në vitin 2020.
Ju jeni një bashkësi karikaturash bashkë me disa nga ata që janë jashtë.
Ky parlament boll ka qënë hosteni i Shqipërisë për 30 vjet.
Këtu nuk ka më revistë “Hosteni”.
Këtu sistemi i ndërtimit të koalicionit do të jetë si në çdo vend që ka sistemin propocional rajonal ku nuk ka trena fantazëm që nisen me bishta lopatash për të mbledhur vota lartë e poshtë. E pastaj përmbysen normat etike të përfaqësimit sepse ti nuk mban asnjë përgjegjësi. Unë me ty presonalisht nuk kam asgjë. Ti je nje ballist i lodhur. Imagjino të jesh ballist në vitin 2020. Edhe Mit’hat Frashëri nuk do të ishte ballist në vitin 2020. Je ti, që nuk e di se sa mund ta marrësh me mik provimin e gjuhës shqipe, në klasën e 9. Ti dhe disa të tjerë këtu dhe shumë të tjerë jashtë. Në klasën e 9 me mik dhe të duhet një mik komunist se nuk ka mik ballist që të jep notën kaluese ty.
Më tutje, dua të them që këto ndryshime kushtetuese që po bëjmë ne, dhe këtë ta dëgjojnë mirë miqtë dhe partnerët tanë, ta dëgjojnë mirë ata që 5 qershorin e bënë si 28 nëntorin. Shqipëria ka 28 nëntorin, ka 29 nëntorin, por 5 qershori është tjeshtë një ditë, 4 ditë pas ditës së fëmijëve. Megjithatë, ne e votuam 5 qershorin, e votuam një për një dhe nuk e prekim 5 qershorin. Por kjo që bëjmë sot e fut sistemin zgjedhor shqiptar në kornizën e botës me 1 miliardë banorë të OSBE/ODIHR se nuk është. Është jashtë. Nuk ka. I pyeta në sallë kur shkova në këshillin politik edhe ekspertët e pavarur. Ata janë të pavarur sot, por ishin të varur tek Partia demokratike dje. Edhe këta të varurit e sotëm. I vetmi vend që degjova ishte në një libër të La Sapienza-s. Nuk e njoh këtë libër, por që të jetë një libër mbase është dhe në ndonjë kapitull që si nuk duhet bërë kjo punë. Por në botën e OSBE/ODIHR këtë sistem nuk e ka askush. Dhe që të jemi shumë të qartë ne nuk po heqim të drejtën për t’u bashkuar Luli me Monën. Ne nuk kemi asnjë interes politik që të ndërhyme tek ai çift. Ai çift ne na duhet bashkë dhe duke patur ata bashkë kemi dhe baba Xhiken bashkë me ta, kemi dhe dixhitalin e Lalzit bashkë, dhe kemi gati bandën e të katërve që do tja tregojmë shqiptarëve mirë. Por ama bashkë me sistemin normal. Thanë “e duam si Letonia”, ok si Letonia. Pastaj thanë të shikojmë Hollandën, dakord si Hollanda. Pastaj si Belgjika, ok si Belgjika. Si Austria, si Sllovenia, si kroacia, si Sllovakia. Si ta duan. Jo po Syriza. “Syriza” është ekzaktësisht siç themi ne, një grumbullim partish në një sigël, në një listë, që t’u tregosh njerezvë se për kë do të votojnë. Jo të shkosh atje dhe t’u shfaqesh ti dhe nga mbrapa ke nje tren me lopata që zbresin dhe futen nëpër ara.
Mblidhen njerezit tek ty që të dëgjojnë programin, andej janë futur ballistët nëpër pula. Si i bëhet kjo? Ai vjen tek ty dhe thotë “unë do të votoj ty për programin”, e pastaj kur kthehet në shtëpi i ka marrë ballisti pulën. Çfarë sistemi është ky?! E vjen pastaj ulesh dhe ha kofsha pule këtu.
Propozimi për ndryshimin e nenit 64, që të jemi të qartë. Ja kam thënë, por nuk dëgjon. Në fakt Myslymi kupton, por bën sikur nuk kupton. Ne nuk po ndryshojmë natyrën e sistemit zgjedhor se të ndryshosh natyrën e sistemit zgjedhor do të thotë të kalosh nga proporcional rajonal, në proporcional kombëtar ose do të thotë të ndryshosh konfiguracionin.
Pra, ose duhet të ndryshojë natyra e sistemit ose duhet të ndryshojë madhësia e zonave dhe ka dhe një të tretë që është administrimi i sipërm që ne faktikisht do ta ndryshojmë, por jo këtu sot, por do e ndryshojmë me 5 qershorin KQZ-në. Pra është bërë atje. Kjo vlen për ata që thonë s’bëhen këto ndryshime kur ka kaluar një vit para zgjedhjeve të ardhshme. Po mirë, po 5 qershori, cfarë ishte, me çfarë i bëni llogaritë apo 7 x 7 = 42? Apo qershori është një 7, korriku një 7 tjetër edhe kanë peshë të ndryshme. Jo, është e njëjta gjë. Sistemin ne po e prekim te 5 qershori, jo këtu. Ne këtu po prekim mekanizmat korrektues të sistemit. Është diçka tjetër, e shpjeguar mirë nga Komisioni i Venecias. Por, kështu eshtë kur disa këtu dalin, ose kanë mbetur te leximi i legjendave për Ballin Kombëtar ose marrin e lexojnë këtu ato që ju shkruan opozita presidenciale.
Në Komsion të Venecias janë këto që ju them unë, që nuk i kam ditur më parë, i kam mësuar dhe vij këtu pasi i kam mësuar se nuk i di të gjitha. Ju kujtoni se mjafton të dilni këtu të thoni cfarë dini, që s’dini asgjë në fakt, dhe sa herë dilni këtu, tregoni që s’dini asgjë. Në mbyllje, pragu elektroral, – se u tha këtu, e tha në mos gaboj, Myslymi në shpjegimin që i bëri zonjës matanë që kishte disa pyetje, dhe thoshte “dua përgjigje, por dua përgjigjet që dua unë dhe jo përgjigjet që më dhe ti”. Po, se është çështja e vagonit pra. Unë nuk e di se nga cili vagon vini ju, zonjë! Por, ma ha mendja nga ndonjë vagon nga ata të mallrave keni qënë në zgjedhje. Pragu elektoral nuk është vendosur në Kushtetutë me këto ndryshime, si përqindje.
Kur erdhi nisma, ishte me përqindje, 5 %. Kur erdhi nisma, nisma kërkonte ndalimin e koalicioneve parazgjedhore në Kushtetutë. Të dyja këto ranë, por pse ranë? Ranë se nuk do bënim dot votat ne me ata që sollën nismën. Ranë sepse u tremb diktatori, sipas jush? Diktatori që shikoni në fantazitë tuaja. Ranë sepse Partia Socialiste kërkoi heqjen e tyre dhe kërkoi pikërisht heqjen e tyre se Partia Socialiste nuk ka lidhje me ato që flisni ju. As qeveria e Partisë Socialiste, as unë, nuk kemi lidhje me ato që flisni ju. Ne kemi të plota por jo ato që thoni ju me diktaturë. Por ju ngaqë s’shkrehët një pushkë në luftë, doni luftë imagjinare tani që të gjuani me lopatë. Se ngaqë nuk keni shkrehur një pushkë, duhet që të mbani atë qeleshen me shqiponjë pa yll edhe doni luftë me zor, e doni dikaturën me zor dhe nuk po i hyj, se çfare keni bërë ju kur ishte dikatura këtu. Kësaj s’po i hyj fare, se cfarë keni bërë ju kur këtu ishte diktatura. S’po i hyj fare se unë nuk merrem me dosje. Merret Myslymi me dosje, s’merrem unë. Por, kam frikë se po të hapeshin ato dosje, (jo, nuk e kam me ty personalisht, se nuk të njoh fare personalisht se kush je, nuk të njoh fare. Ti mua më njeh se ti mua më akuzon). Ki parasysh se unë kur komunikoj me ju personalisht nuk e kam me ty si person, e kam me Ballin numer 3, numwr 4 apo 18 që përfaqëson ti, me atë e kam unë. Që vini këtu dhe bëni “Ballist”. Ç’ballist bëni ju, ç’lidhje keni ju, ju jeni pa lidhje fare. Ju pra që vini këtu dhe thoni “ne të ballit”, cfare Balli jeni ju? Cili Ball? Të thuash ne te Ballit, është si të thuash “ne të ikurit”.
Ndryshimet kushtetuese nuk i pengojnë palët politike t’i hapin listat 100%.
Ndryshimet kushtetuese përcaktojnë jo për sot, për shumë kohë, deri kur ndoshta palët e tjera do duan t’i prekin prapë që nuk mund të jenë më pak se 2/3. Dhe prapë vij tek unë dhe tek Partia Socialiste. Nëse kjo është një hile e jona, ateherë si shpjegohet që ne i hapkemi listat më shumë se ju të tjerët. Ne nuk dashkemi hapjen e listave, si shpjegohet që i hapim më shumë se ju të tjerët, sepse ne jemi partia më e madhe faktikisht. Kemi qënë, jemi dhe do të jemi, që ta keni të qartë. Atëherë si shpjegohet që ne bëjmë hapjen më të madhe?
Se s’po bëj dhe unë si ballist, që të them “s’kemi frikë nga hapja”. Jo, përkundrazi.
Pra, në proces, kjo me dakordësi të gjerë, mund të shkojë 100%, por duhet të ulemi të vazhdojmë argumentat. Sepse, unë e kam shpjeguar pse ne e filluam nga ky tavan. Për gratë, për përfaqësimin e grave, dhe për faktin që hymë në një sistem administrimi të ri komplet dhe mbase është diçka që duhet menduar të bëhet me 2 apo me tre faza, por këto janë të gjitha për t’u diskutuar, s’kemi problem ne, t’i diskutojmë. Sikundër, u bë gati për tu diskutuar dhe ne jemi gati të diskutojmë. Po bën dy javë që ne shkojmë për të diskutuar këtë, sesi do jetë koalicioni parazgjedhor dhe ata na vijnë na lexojnë parulla.
Faleminderit shumë për durimin!
Faleminderit shumë për qëndrueshmërinë nga fillimi në fund!
Nuk ka qene një process i lehtë. Edhe një herë shumë faleminderit miqve dhe partnerëve ndërkombëtare dhe padyshim faleminderit të gjithë atyre në krahun e opozitës këtu që kanë qënë zëdhënës të fortë të gjithë këtij procesi dhe jini të bindur, ata që kanë votuar sot këtu, të jenë të bindur, që kanë bërë gjënë e duhur. Ndërkohë që ata që s’kanë votuar kanë penguar zbatimin më të mirë të parimit të sistemit proporcional rajonal në konteksin e këtij vendi.
Kanë ndaluar, kanë penguar fuqizimin e ndikimit të votuesve në përzgjedhjen e kandidatëve dhe kufizimin e arsyeshëm të fuqisë së udhëheqjes apo të kryetarit të partisë në përcaktimin e deputetëve.
Kanë penguar uljen e efektit të drejtëpërdrejtë që ka marrëdhënia lidership dhe lista e mbyllur me cilësinë e debatit të brendshëm.
Kanë penguar përfaqësimin më të mirë të komuniteteve në parlament dhe lehtësimin e ndikimit të grupimeve partiake mbi komunitetet kur vjen puna te zgjedhja e individëve.
Kanë ndaluar komunitetet të kenë një njohuri më të mirë për cilësitë së paku të përgjithshmë të kandidaturave, dhe për fytyrën e kandidatëve fizikisht dhe për nga vijnë.
Kanë penguar fuqizimin e platformave dhe rritjen e cilësisë së betejës së ideve në fushatë.
Kanë sabotuar sigurimin e një përfaqësimi të drejtë të të gjithëve bashkë dhe në mënyrë të veçantë të gjinive.
Por, në fakt, nuk keni bërë asnjë gjë. As nuk i keni ndaluar dot, as i keni sabotuar dot, as ju këtu, as ata atje jashtë, se pas pak nga numërimi i votave do dalë që tanimë treni me vagonat fantazmë ka ikur në lumë dhe hapja e listave dhe mundësia për popullin që të zgjedhë dhe deputetin është reale. Kaq!
Herë tjetër jini më të vëmëndshëm që të mos bëni pësëri gabimin që keni bërë që nga Lufta e Dytë Botërore e deri më sot, që gjithmonë ku është ana e gabuar e historisë, aty futeni ju për të kapur ndonjë pulë. Pula më, nuk ka!