Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me temë “Hapja e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit-Eksperienca gjermane në trajtimin e dosjeve të STASI-t”:

Përshëndetje të gjithëve!

Projekti për hapjen e dosjeve ka filluar që në javët e para të punës së qeverisë sonë, në vjeshtën e vitit 2013.

Janë bërë paralelisht edhe të gjitha përpjekjet e nevojshme, për të kuptuar pritshmërinë dhe gatishmërinë e opinionit publik lidhur me këtë nismë. Ndër to, rezultatet e një ankete të organizuar nga Fondacioni “Konrad Adenauer” flasin për justifikimin e plotë të nevojës që ne të merremi sot me trashëgiminë e hidhur të një organi të errët dhe misterioz të diktaturës, Sigurimit të Shtetit. I cili, veç të tjerash kishte tiparin krejt të veçantë të të qenit ilegal, për faktin se as nuk ishte krijuar dhe as nuk kishte funksionuar mbi bazën e ndonjë ligji të shtetit të atëhershëm shqiptar, por vetëm mbi bazën e dokumenteve të Partisë së Punës.

Të gjendur para një trashëgimie komplekse të një ekonomie të mbërthyer nga informaliteti, ku rritja e borxhit publik ishte një vazhdimësi alarmante dhe në kushtet e një vendi me një nivel alarmant paligjshmërie në fushat më jetike të veprimtarisë dhe të qenies së vet, vendimi për të filluar edhe procesin e hapjes së dokumenteve të fshehta të së shkuarës në Shqipëri u pa dhe shihet edhe sot nga shumëkush, jo si një prioritet, por si një shtesë e tepërt në barrën e rëndë të problemeve të trashëguara me të cilat ne duhet të merremi.

Moria e problemeve akute ishte e tillë dhe mbetet e tillë, saqë e bënte të dukej këtë projekt të veçantë të qeverisë shqiptare si një luks të panevojshëm për disa dhe si një përsiatje të padobishme për disa të tjerë. Sigurisht që, hapja ose moshapja e dosjeve nuk ndryshon parametrat ekonomikë të vendit, nuk ndryshon mbase edhe shumëçka tjetër në rrugën e përpjekjeve për të adresuar gjërat që duhet të ndryshojnë, por pa as më të voglin dyshim përbën një ndryshim themelor në raportin me të shkuarën si një pjesë e patjetërsueshme e raportit me të ardhmen, në raportin me vetveten si shoqëri, si një domosdoshmëri për të kuptuar sesi mund të shkojmë aty ku duam të shkojmë.

Nga ana tjetër, sigurisht që kjo nismë kishte edhe një aspekt jo të pa konsiderueshëm, aspektin politik. Pasi, ne e dimë shumë mirë që, për vite të tëra, çështja e dosjeve ka qenë një eksluzivitet politik i Partisë Demokratike, e cila për fat të keq e ka trajtuar këtë çështje si një kalë beteje për politikën e ditës dhe jo si një çështje themelore të moralit shoqëror sot, që i takon, faktikisht, si përgjegjësi të gjitha forcave politike.

Në vendimin e datës 23 mars të vitit 2010, Gjykata Kushtetuese e pat shpallur të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë një përpjekje të bërë për të avancuar një ligj të dosjeve, i cili në atë kohë ndeshi edhe reagimin shumë të fortë të të gjithë komunitetit ndërkombëtar si një projekt i papranueshëm dhe i papajtueshëm me standardet ndërkombëtare dhe mbi të gjitha, me liritë dhe të drejtat e njeriut.

Në këtë mënyrë, edhe një përpjekje dhe e vetmja përpjekje, në fakt, zyrtare për ta çuar kalin e betejës në fushën e legjislacionit dështoi duke krijuar shumë zhurmë dhe duke prodhuar shumë alibi, përsëri të natyrës politike. Në fakt, në vend të merreshin në konsideratë vërejtjet e bëra nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias dhe të shkohej drejt një projekti, i cili të trajtonte me rrënjë problemin, por në të njëjtën kohë t’i shërbente të ardhmes, qeveria e mëparshme preferoi t’i vërë kapak kësaj çështjeje dhe nga ana tjetër të vazhdoi ta trajtojë problemin e dosjeve si një kalë beteje për shantazhe, për kërcënime, për presione, për aludime dhe në tërësi për denigrime të natyrës politikës.

E vërteta është se pas 2010-s, për këtë temë u hesht. Sot e gjithë ditën e vetmja trashëgimi në këtë aspekt prej 20 e kusur vitesh është vetëm përpjekja zyrtare për të cilën fola dhe nga ana tjetër, një mori e tërë aludimesh dhe alibish që nuk kanë bërë asgjë tjetër, veçse kanë shtuar mjegullën lidhur me të shkuarën.

Ne morëm përsipër ta thyejmë këtë heshtje dhe ta ndërmarrim këtë nismë jo për shkak të ndonjë angazhimi specifik elektoral, apo për shkak të një nevoje e aq më pak pastaj, ambicieje për të përfituar kapital elektoral, por ne e ndërmorëm këtë nismë, sepse ne besojmë që kjo nismë është një detyrim që ne e kemi ndaj të gjitha atyre që vuajtën përndjekjen e regjimit të shkuar, por po aq edhe ndaj të gjithë fëmijëve të këtij vendi. Sepse, Shqipëria nuk mund të mbetet në asnjë mënyrë i vetmi vend ndër të gjithë vendet e ish perandorisë komuniste, sëbashku me Rusinë, sot që nuk përfshihet në radhën e vendeve që janë përfshirë plotësisht në proceset e integrimeve euroatlantike dhe pa hapur për publikun arkivat e ish Shërbimit Sekret të periudhës komuniste.

Ballafaqimi me këtë pjesë të panjohur të historisë së diktaturës komuniste, me këtë pjesë të errët dhe misterioze, është një proces që në asnjë mënyrë Shqipëria nuk mund ta shmangë më tutje. Është një proces që i jep dinjitet të plotë aspiratës sonë për të jetuar në një shoqëri të lirë dhe demokratike. Sepse është një proces, i cili kontribuon në dhënien e një vlere të plotë për lirinë në sytë e të gjithë atyre që nuk e kanë jetuar komunizmin, në sytë e gjithë atyre që si djali im apo si fëmijët e shumëkujt këtu, që kanë lindur në momentin e ndryshimit, e kanë të pamundur ta parafytyrojnë çka mund t’i bjerë të dëgjojnë për atë të shkuar është e vërtetë.

Një gjë është e qartë dhe besoj nuk ha diskutim, që opinioni publik shqiptar siç e provojnë ndër të tjera anketime apo sondazhe,- të bëra qoftë prej nesh, qoftë prej të tjera organizatave, anketa e bërë nga Fondacioni “Konrad Adenauer”,- është jo vetëm i gatshëm, por edhe i dëshiruar për ta parë të kurorëzohet me sukses ky proces. Ne nga ana tjetër kemi qenë qysh në fillim të vetëdijshëm se ky nuk është as një proces i lehtë dhe as një proces që mund të kurorëzohet me sukses nëse nuk përzgjidhet me mençuri dhe largpamësi rruga e duhur për ta çuar atë drejt finalizimit.

Për këtë arsye i jemi referuar përvojës së Gjermanisë, pasi jemi konsultuar me një sërë përvojash të tjera, të një sërë vendesh të dala nga rënia e perandorisë komuniste.

Gjermania ka arritur që të kapërcejë me një sukses unikal dhe ta administrojë me një mençuri dhe një largpamësi të pashoqe, në botën ku jetojmë, dy diktatura të tmerrshme që kanë qenë dy anët e medaljes së barbarisë së shekullit të shkuar; nazizmin dhe komunizmin. Në të dyja rastet Gjermania ka qenë e suksesshme më shumë se kushdo tjetër për arsyen e thjeshtë se nuk i është trembur përballjes me vetveten dhe nuk ka pranuar ta shikojë të ardhmen, si një rrugë për t’u përshkuar bashkë me hijen e të shkuarës.

Në këtë rast, jo për formalitet, unë dua t’i shpreh falenderimet e mia më të sinqerta, në radhë të parë ambasadorit të Republikës Federale gjermane, mikut tonë Helmut Hoffman e me radhë Fondacionit “Konrad Adenauer”, të gjithë atyre që falë mbështetjes së ambasadës së Republikës Federale dhe Fondacionit, e asistuan qeverinë shqiptare në trajtimin e këtij problemi kompleks, duke na ofruar në vetë të parë eksperiencën e drejtpërdrejtë të Gjermanisë dhe duke na dhënë referenca shumë të qëndrueshme dhe shumë të besueshme në piketimin e rrugës sonë drejt hartimit të projektligjit.

Projektligji i ri, i miratuar nga qeveria që tanimë është në procesin e debatit parlamentar, synon që në radhë të parë t’u japë qytetarëve, të prekur drejtpërdrejtë nga veprimtaria e ish Sigurimit të Shtetit, mundësinë për të parë me sytë e tyre gjithçka që lidhet drejtpërdrejtë me ta.

Por nga ana tjetër synon t’u japë në dorë atyre që dëshirojnë ta përdorin këtë material për arsye të shkencës dhe të historisë instrumentin e ballafaqimit të drejtpërdrejtë me të vërtetën. Sigurisht, ky ligj i jep mundësi shoqërisë përmes formave të organizmit të saj për të hulumtuar dokumentacionin në interes të një ndriçimi sa më të plotë të zonës më të errët të së shkuarës, mbi të cilën siç e thashë dhe siç e dimë ne të gjithë shqiptarët këtu, të pranishëm, janë mbjellë spekulime të pafund dhe janë bërë deformime pafund.

Ligji i ri po ashtu i jep mundësi institucioneve duke filluar nga Kuvendi, Presidenti, Qeveria, administrata publike, sistemi i drejtësisë dhe padyshim institucioneve të pavarura, që të njohin marrëdhëniet eventuale të personelit të tyre me ish Sigurimin e Shtetit. Me qëllim, në radhë të parë vendosjen e këtyre marrëdhënieve nën dritën e një transparence që siç e thashë dhe që siç dua ta rinënvizoj, i shërben shëndoshjes së marrëdhënieve tona sociale në tërësi dhe mbi të gjitha vendosjes së një raporti të drejtë mes nesh si shoqëri, të shkuarës sonë dhe të ardhmes tonë, në të njëjtën kohë.

Ajo shprehja që “kush nuk ka kontroll mbi të shkuarën, s’ka asnjë mundësi të projektojë me siguri të ardhmen”, vlen pa as më të voglin dyshim, më shumë se në raste të tjera, në këtë rast. Besoj se mjafton t’i referohemi shembullit të Gjermanisë për mënyrën se si Gjermania e vuri nën kontroll të shkuarën e vet dy herë,- një herë si e tërë në raport me nazizmin dhe një herë si një raport mes dy pjesësh, kur erdhi puna për të vënë nën kontroll të shkuarën komuniste, – për të kuptuar dobinë e këtij procesi dhe potencialin e jashtëzakonshëm shërues që ky proces ka sidomos në shoqëri, të cilat janë prekur fort nga deformimet e qëllimshme apo inerciale të së shkuarës së tyre. Dhe rasti i Shqipërisë besoj është tipik.

Pritshmëria e lartë publike për këtë proces besoj që është një argument i mjaftueshëm. Por, përtej pritshmërisë së lartë publike për këtë proces, besoj se është e mjaftueshme që ne të jemi të vetëdijshëm se shtyrja kaq gjatë e këtij procesi ka prodhuar vetëm pasoja negative të dukshme ose të padukshme dhe mbajtja pezull e këtij procesi dhe mospërballja me të shkuarën edhe më gjatë nuk mund të prodhojë asgjë tjetër përveçse pasoja të tjera negative, të dukshme ose të padukshme që mund të bëhen të dukshme në rrugën tonë drejt të ardhmes.

Përdorimi i dosjeve si mjet presioni politik merr fund njëherë e mirë, me vendosjen e shtratit ligjor mbi këtë process. Ashtu sikundër marrin fund njëherë e mirë të gjitha spekulimet e natyrave nga më të ndryshme apo shterojnë moralizimet e skajshme që shpeshherë nuk janë asgjë tjetër veçse një përpjekje e sforcuar për të mbuluar të shkuarën.

Më lejoni të citoj në mbyllje dy zëra të respektuar të shoqërisë sonë, që janë shprehur së fundi në lidhje me këtë çështje.

Në një intervistë të tijën të kohëve të fundit, Ismail kadare thotë: “A është e mirë që njerëzit, të cilët kanë qenë përgjegjës të drejtpërdrejtë për një diktaturë të egër, që kanë qenë masha e saj, duart e saj të përgjakura, ose duart e saj të errëta, të tërhiqen në qoshe dhe të mos përzihen në jetën shqiptare? Unë mendoj se nuk ka asnjë të keqe në këtë gjë. Nga hapja e dosjeve vendi nuk humbet gjë. Gjermania e bëri këtë proces me një forcë shumë të madhe, sepse përmasat e së keqes ishin tepër të mëdha, të tmerrshme. E bëri dhe nuk humbi asgjë. Përkundrazi, një nga sekretet, shpjegimet, misteret e zhvillimit të jashtëzakonshëm gjerman sot në Europë është pikërisht ky guxim për të shqyrtuar ndërgjegjen e vet. Me hapjen e këtyre dosjeve do të ndodhë vetëm një strukje e së keqes dhe kjo do t’i bëjë mirë kombit shqiptar.”

Për të njëjtën çështje, Profesor Sami Repishti i mirënjohur për raportet e tij të pamundura me komunizmin dhe për rezistencën e tij intelektuale për më shumë se gjysmë shekulli jashtë kufijëve të Shqipërisë thotë se: “Kërkesa për ‘hapjen e dosjeve’ (1944-1991) ashtë nji çështje me randësi të jashtëzakonshme për vetë natyrën e saj, si dhe për rrjedhimet e paevitueshme. ‘Kërkesa’ nuk muj të jetë me plotësue ‘kuriozitetin’ e lexuesve që kënaqen me intrigat e Sherlock Holmes-it. Nji kuriozitet i këtill ashtë banal, dhe nji fyemje e randë për viktimat. ‘Kërkesa’ duhet të ketë karakterin solemn të çlirimit nga ankthi i së kaluemes, të zbulimit të vërtetës, dhe qëllimin mbarënjerëzor me evitue përsëritjen e nji gjenocidi të ri në vendin tonë, përsëritje që do të ishte nji vetëvrasje kombëtare”.

I zgjodha këto dy shprehje të kohëve të fundit. Mund të kisha zgjedhur dhe plot të tilla që nga personalitete të vendit tonë, ashtu dhe nga personalitete europiane janë thënë dhe stërthënë lidhur më këtë problem, sepse desha të them që shumica dërrmuese e shqiptarëve kanë kohë që e presin këtë moment, kanë kohë që e konsiderojnë këtë orvatje si një domosdoshmëri historike për të përcaktuar raportin tonë me të ardhmen.

Objektivi dhe detyra e qeverisë sonë është që këtij vokacioni të konsoliduar prej kohësh t’i japim një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme. Besoj që e vetmja mençuri që mund t’ia njohim vetes në trajtimin e kësaj çështjeje ka qenë që të mos i qasemi problemit me mendjemadhësinë se ‘e dimë vetë se si do ta trajtojmë’, por t’i qasemi problemit duke u konsultuar qoftë me të gjithë ata, këtu brenda vendit që kanë një kontribut për të dhënë lidhur me trajtimin e këtij problemi, qoftë dhe me më të mirët jashtë vendit që jo rastësisht që qëllojnë të jenë prapë gjermanët. Nuk kemi çfarë t’i bëjmë. Kjo është mënyra se si gjendemi në këtë kontekst historik dhe duam s’duam Gjermania është një pikë referimi e patjetërsueshme edhe në këtë rast. E fatmirësisht, edhe në këtë rast, na u gjend pranë si asnjëherë herë tjetër me gatishmërinë dhe me seriozitetin karakteristik gjerman. Do të ishim shumë të lumtur sikur me po këtë pasion dhe po me ketë vendosmëri, që na ndihmuan ta zgjidhnim këtë problem, të na mbështesin dhe për të hapur negociatat për në BE dhe pastaj edhe për t’u bërë anëtar të BE.

Unë e di përgjigjen. Përgjigjja është tipikisht gjermane: “Këtë e keni në dorë vetë”.

Shumë faleminderit!

***

Qeveria është e vendosur në nismën e saj për hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit të periudhës së regjimit komunist. Ky proces, pas shqyrtimit të praktikave në ish vendet e bllokut komunist që e kanë ndërmarrë këtë hap, do të mbështetet në suksesin e modelit gjerman të trajtimit të dosjeve të STAS-it. Këtij projekti iu kushtua sot takimi me temë “Hapja e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit-Eksperienca gjermane në trajtimin e dosjeve të STASI-t”, e organizuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, me praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe pjesëmarrjen e ministrit të MSR-së Erion Veliaj, e kreut të Institutit të Integrimit të Përndjekurve Politikë, Bilal Kola, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë etj. E ftuar e veçantë në këtë takim ishte edhe Hildigund Neubert, kryetare e Bordit të Fondacionit Konrad Adenauer dhe ish Komisionere e Komisionit Federal për Arkivat e STASIT të Landit të Thüringen në Gjermani, e cila bëri një paraqitje të eksperiencës gjermane në hapjen e dosjeve.

Përfaqësuesja e fondacionit “Konrad Adenauer”, znj. Neubert, duke bërë një prezantim të hollësishëm të përvojës gjermane në fushën e hapjes së dosjeve të ish-shërbimit sekret gjerman “STASI-t” vlerësoi se ky proces duhet t’i shërbejë sqarimit të historisë dhe për t’i mësuar të rinjve sesi funksionojnë diktaturat, por edhe për të nderuar ata që në periudha të vështira vendosën të luftojnë kundër tyre.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.