THIRRJE PËR SHPREHJE INTERESI / KËRKIM TREGU
Project Manager (Key Expert 1) – WP3, Projekti StEP
Agjencia Shtetërore për Programim Strategjik dhe Koordinim të Ndihmës (SASPAC) po zhvillon një proces kërkimi tregu për identifikimin e kandidatëve të mundshëm që mund të angazhohen në rolin e Project Manager (Key Expert 1) për zbatimin e Work Package 3 (WP3) në kuadër të projektit “EUSAIR Stakeholders Engagement Point (StEP)”, financuar nga Programi IPA ADRION 2021–2027.
Projekti StEP përbën një nga tre iniciativat strategjike në mbështetje të qeverisjes së Strategjisë së Bashkimit Evropian për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR) për periudhën 2023–2027. Objektivi i tij kryesor është forcimi i përfshirjes së aktorëve, përmirësimi i mekanizmave të koordinimit dhe mbështetja e zbatimit efektiv të prioriteteve dhe nismave kryesore (flagships) të EUSAIR në vendet pjesëmarrëse.
Në veçanti, projekti kontribuon në zhvillimin dhe forcimin e Platformës së Aktorëve të EUSAIR (EUSAIR Stakeholders Platform – ESP) si një instrument kyç dixhital dhe bashkëpunues, duke promovuar dialog të strukturuar ndërmjet institucioneve publike, partnerëve ndërkombëtarë, akademisë, shoqërisë civile dhe sektorit privat.
Në këtë kuadër, WP3 fokusohet në përfshirjen e aktorëve dhe zhvillimin e proceseve të dialogut shumëpalësh, duke lehtësuar bashkëpunimin në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare.
Project Manager do të luajë një rol kyç në koordinimin, zbatimin dhe monitorimin efektiv të aktiviteteve të WP3, duke mbështetur proceset e angazhimit të aktorëve, mbikëqyrur ofruesit e shërbimeve dhe duke siguruar përputhshmëri me strukturat e qeverisjes së EUSAIR dhe objektivat e projektit.
Detyrat
Eksperti do të kryejë detyrat e mëposhtme:
- Koordinojë zbatimin e aktiviteteve të WP3 në përputhje me planin e projektit dhe afatet përkatëse;
- Sigurojë komunikim dhe koordinim efektiv ndërmjet partnerëve të projektit, aktorëve dhe strukturave të qeverisjes;
- Mbikëqyrë dhe koordinojë ofruesit e shërbimeve të kontraktuar, përfshirë operatorët për organizimin e eventeve;
- Mbështesë dizajnimin dhe zbatimin e proceseve të dialogut shumëpalësh dhe aktiviteteve të grupeve të punës;
- Sigurojë kontroll cilësie dhe realizim në kohë të aktiviteteve të WP3;
- Monitorojë progresin dhe të sigurojë raportim, dokumentim dhe ndjekje të aktiviteteve;
- Përgatisë raporte, minuta takimesh dhe dokumentacion përkatës;
- Kontribuojë në aktivitetet e komunikimit, shpërndarjes dhe vizibilitetit të projektit në përputhje me kërkesat e BE-së;
- Sigurojë koherencë dhe vazhdimësi ndërmjet aktiviteteve të WP3;
- Mbështesë proceset e angazhimit të aktorëve nga institucionet publike, akademia, shoqëria civile dhe organizatat rinore.
Kriteret
Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
- Diplomë universitare në administrim publik, ekonomi, shkenca politike, marrëdhënie ndërkombëtare, menaxhim ose fusha të ngjashme;
- Njohuri shumë të mira të gjuhës angleze (me shkrim dhe me gojë);
- Të paktën 5 vite eksperiencë profesionale në menaxhim ose koordinim projektesh;
- Eksperiencë në projekte të financuara nga BE (IPA, Interreg, ADRION ose të ngjashme);
- Eksperiencë në përfshirjen e aktorëve dhe procese dialogu shumëpalësh;
- Eksperiencë në organizimin ose koordinimin e eventeve, punëtorive apo konferencave;
- Aftësi të mira analitike, raportuese dhe komunikuese;
- Njohuri mbi EUSAIR ose strategji makro-rajonale të BE-së përbëjnë avantazh.
Vendi i Zbatimit
Angazhimi do të zhvillohet kryesisht në Shqipëri, me aktivitete që mund të zhvillohen fizikisht ose online, në varësi të nevojave të projektit.
Afatet
Kjo thirrje për shprehje interesi është e hapur nga data 10 Prill – 24 Prill 2026.
Afati i fundit për paraqitjen e aplikimeve është 24 Prill 2026.
Kohëzgjatja e kontratës pritet të zgjasë deri në fund të vitit 2027.
Aplikimi
Kandidatët e interesuar ftohen të paraqesin:
- Një CV (Curriculum Vitae);
- Një shprehje interesi, që përshkruan eksperiencën dhe përshtatshmërinë për këtë angazhim.
Aplikimet duhet të dërgohen në adresën: info@saspac.gov.al