Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në çeljen e Konkursit Ndërkombëtar për Hyrjen e Parkut të Tiranës:

Si fillim, desha të falënderoj të gjithë anëtarët e jurisë, të cilët janë këtu të pranishëm për të na ndihmuar të gjykojmë lidhur me një numër idesh të propozuara për një projekt me një rëndësi strategjike për zhvillimin e kryeqytetit, projektin e Hyrjes së Parkut të Tiranës, që njëkohësisht është një projekt me rëndësi të veçantë për qeverinë shqiptare, pasi në hapësirën e vënë në dispozicion të të gjithë konkurrentëve, për të propozuar idetë e tyre, qeveria synon krijimin e dy hapësirave me rëndësi të veçantë.

Së pari, krijimin e qendrës inovative të shërbimeve publike, një qendër e cila do t’i japë të gjitha shërbimet e përqendruara për publikun përmes një sistemi tërësisht inovativ, që do të përbëje edhe rrëzimin e të gjitha mureve të burokracisë për qytetarët, që sot e gjithë ditën enden nga sporteli në sportel.

Së dyti, qendrën e re moderne për Policinë e Shtetit, që do të jetë një hapësirë në dispozicion të Policisë së Shtetit, për të akomoduar strukturat drejtuese të saj, por njëkohësisht, edhe një hapësirë ku do të gjejë vend gjithë projekti dhe programi i inovacionit për Policinë e Shtetit.

Së treti, për të verifikuar potencialin e zgjerimit të Universitetit të Tiranës, me hapësira të cilat do të jenë në dispozicion të studentëve, por njëkohësisht, në këndvështrimin tonë, do të përbëjnë edhe një vlerë të shtuar për të rejat dhe të rinjtë e qytetit të Tiranës, duke krijuar një pol, ku përmes bashkëpunimit mes Universitetit dhe Bashkisë së Tiranës, të krijohet mundësia që sheshi “Nënë Tereza”, që ka një potencial të madh të pashfrytëzuar, të bëhet një pol jete për më shumë sesa orët e ditës.

Ky është një projekt me një rëndësi të posaçme për ne, i cili i hap rrugë edhe programit të ri transformues për gjithë Parkun e integruar të Tiranës, ku, siç është shprehur edhe në synimet e Bashkisë së re të Tiranës, qëllimi është që të krijojmë një hapësirë të përbashkët mes hapësirave të ndara ekzistuese të Parkut të Liqenit, të Kopshtit Botanik, të Kopshtit Zoologjik dhe të Parkut të Ri Olimpik që ka filluar të ndërtohet në anën perëndimore të hapësirës.

Sidoqoftë, projekti, i cili përfshin një hapësirë të kufizuar brenda hapësirës së madhe ku do të shtrihet programi i Parkut të ri të Tiranës, është kyç sepse do të krijojë kushtet për të hapur një kantier të madh për Tiranën, duke bërë të mundur fillimin e punës në fazën e parë, që është pikërisht faza që lidhet me hyrjen e Parkut.

Ne jemi shumë të inkurajuar nga fakti që në këtë konkurs kanë shprehur interes shumë studio të njohura ndërkombëtare dhe një numër i konsiderueshëm prej tyre janë sot këtu, për të ballafaquar propozimet përballë një jurie prestigjioze, që do të na ndihmojë që të marrim një konkluzion sa më në mbështetje të aspiratës sonë për ta transformuar këtë hapësirë, që sot për sot është një hapësirë me potencial të madh, por tërësisht e vdekur në qendër të kryeqytetit.

Duke i falenderuar pjesëmarrësit në konkurs për ardhjen e tyre këtu, duke falenderuar në mënyrë të posaçme jurinë, ju uroj të gjithëve sukses. Jam i bindur se në fund të ditës së sotme, ne do të kemi në dispozicion një tjetër instrument me vlerë, për të çuar përpara projektin e transformimit të kryeqytetit tonë.

Faleminderit!

 

***

U çel sot Konkursi Ndërkombëtar për Masterplanin e Hyrjes së Parkut të Tiranës. 9 ekipe me arkitektë, peizazhistë dhe urbanistë kanë shprehur idetë për zhvillimin e kësaj hapësire, që ndonëse përbën një potencial të madh zhvillimi për kryeqytetin, është ende i pashfrytëzuar në formën e duhur. Qëllimi i konkursit, i iniciuar nga qeveria, synon të përftojë koncepte inovative për ndërhyrje të karakterit arkitektonik dhe urban për Hyrjen e Parkut dhe për krijimin e një hapësire të shërbimeve moderne publike. Zhvillimi i kësaj hapësire shihet i lidhur edhe potencialin e zgjerimit të Universitetit të Tiranës dhe me rivitalizimin e sheshit “Nënë Tereza”, aktualisht me përdorim të kufizuar dhe pa funksion, për ta kthyer në një pol vital të jetës së qytetit. Projekti i Hyrjes së Parkut konsiderohet me rëndësi të posaçme, pasi shihet edhe si faza e parë në programin transformues për gjithë Parkun e Liqenit. Ky program synon lidhjen harmonike të hapësirave deri më tani të ndara, të Parkut të Liqenit, Kopshtit Botanik, Kopshtit Zoologjik dhe Parkut të Ri Olimpik dhe shndërrimin e saj në një hapësirë të madhe të integruar.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.