Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Forumin e Biznesit “Sfidat dhe Mundësitë”:  

Iu uroj mirëseardhjen të gjithë miqve nga Mali i Zi!

Do mundohem që ta bëj sa më të shkurtër dhe të qartë daljen time, duke pasur parasysh që shumëçka duhej thënë nga ana jonë, e tha më së miri miku im i dashur, Duško, me të cilin sot kemi diskutuar ndër të tjera, edhe për domosdoshmërinë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, duke u fokusuar tek reduktimi maksimal i barrierave jo tarifore.

E vërteta është që, nëse do të vëmë në një peshore, nga njëra anë nivelin e marrëdhënieve njerëzore dhe politike mes dy vendeve dhe nga ana tjetër, nivelin e marrëdhënieve tregtare, jemi shumë të mirë për dashuri, por jemi shumë dobët me tregtinë. Kthimi i dashurisë në tregti është një proces jo i lehtë, por besoj që dashuria është një bazë shumë e mirë për të zhvilluar edhe tregtinë, në kushte besimi të madh reciprok.

Besoj që hapi i hedhur nga të dy drejtuesit e Dhomave të Tregtisë dhe ardhja këtu e të dy grupeve të biznesit janë një moment i rëndësishëm dhe ajo që unë do propozoja është që Vlasimiri dhe Inesi, sëbashku me të gjithë ata ndër ju që janë të interesuar të marrin pjesë në këtë proces, të na propozojnë një raport rekomandimesh konkrete se çfarë duhet bërë, sipas jush, nga ana jonë si dy qeveri, për të lehtësuar shkëmbimet tregtare dhe çfarë prisni ju nga secila prej qeverive, për të qenë më aktivë dhe për të investuar më shumë në këtë marrëdhënie ekonomike.

Unë e konfirmoj edhe nga ana ime gatishmërinë që me shumë forcë Duško e konfirmoi, për të qenë tërësisht mikpritës ndaj çdo investitori potencial nga Shqipëria në Mal të Zi. Është absolutisht simetrike dhe reciproke edhe për ata që duan të investojnë nga Mali i Zi në Shqipëri. Patjetër që ne kemi bërë dhe do vazhdojmë të bëjmë përpjekje për të gjithë aspektet që kanë të bëjnë me përmirësimin e situatës ekonomike dhe përmirësimin e klimës së biznesit. Por kam bindjen që, nëse arrijmë të ndërtojmë një proces më ndërveprues mes nesh dhe jush, kemi mundësi të mësojmë konkretisht nga ju që e jetoni në jetën reale çdo ditë, atë që ne e themi dhe e materializojmë përmes legjislacionit, në mënyrë që të mësojmë gjithçka duhet mësuar, pa humbur kohë dhe të bashkëpunojmë për të adresuar gjithçka mund dhe duhet të adresohet në funksion të intensifikimit të këtij raporti ekonomik, që është shumë i dobët në raport me marrëdhënien shumë, shumë të mirë njerëzore dhe politike.

Do të ishte shumë e vështirë, nëse kjo e dyta do të ishte e komplikuar, por, për fat të mirë, marrëdhënia politike mes të dy vendeve, mes dy qeverive është e shkëlqyer dhe është një bazë absolutisht e favorshme për të zhvilluar më tutje bashkëpunimin ekonomik dhe në fund të fundit, për të çuar përpara një traditë që ka qenë e pranishme mes komuniteteve në të dy anët e kufirit, përpara sesa të na ndante për së gjalli periudha pas Luftës së Dytë Botërore që për një kohë shumë të gjatë e ndërpreu këtë marrëdhënie e pastaj me të gjitha problematikat dhe hallet që ka pasur secili nga vendet në tranzicionin e vështirë demokratik, ka vonuar shumë ripërtëritjen dhe ringjalljen e plotë të një historie që ka qenë një histori komplet e natyrshme mes dy kombeve tona dhe të dy komuniteteve në të dy anët e kufirit.

Duke e mbyllur, se besoj që e meritojnë të gjithë miqtë që kanë ardhur nga Mali i Zi që ta shijojnë Shkodrën në të gjithë shkëlqimin e diellit të saj, ju falënderoj shumë për praninë që të gjithëve dhe ju kërkoj leje që t’i japim Kryeministrit dhe qeverisë tuaj një drekë të të njëjtit nivel, si ajo që kemi ngrënë kur kemi ardhur në Mal të Zi, se kemi një “hak” për të marrë, sepse janë për momentin në avantazh përsa i përket standardit të mikpritjes.

Shumë faleminderit!

Fjala e Kryeministrit të Malit të Zi, Duško Marković:

I nderuar Kryeministër, zoti Rama,

E nderuar kryetare e Unionit të Dhomave të Tregtisë,

I nderuar kryetar i Dhomës së Ekonomisë,

Zonja dhe zotërinj!

Forumi i sotëm organizohet në kontekstin e seancës së parë të përbashkët të qeverive të Malit të Zi dhe të Shqipërisë. Kjo është seanca e parë e përbashkët e Malit të Zi me një vend tjetër. Ftesën e qeverisë së Shqipërisë për të mbajtur një seancë të përbashkët e kemi parë si një mundësi të duhur dhe një mekanizëm të shkëlqyer për të folur për tema të rëndësishme të interesit për dy vendet fqinje, miqësore, qytetarët e tyre dhe komunitetet e biznesit.

Në seancë e përbashkët kemi konstatuar nivelin e lartë të marrëdhënieve bilaterale politike, veçanërisht në kontekstin e anëtarësimit në NATO, si dhe në kontekstin e integrimit në Bashkimin Europian, ku Mali i Zi, si vend i cili ka hapur 31 kapituj të negociatave, ndër të cilat 3 i kemi mbyllur përkohësisht dhe që pret që deri në fund të vitit do t’i hapë dy kapituj që kanë mbetur, mundet dhe është e gatshme që këtë vit të ofrojë mbështetje konkrete për institucionet e Republikës së Shqipërisë në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në procesin e negociatave me Bashkimin Europian.

Kemi folur dhe për mundësitë e përdorimit dhe shfrytëzimit të fondeve të para-aderimit për zbatimin e projekteve ndërkufitare, veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me krijimin e lidhjeve më të mira ekonomike që janë jetësore për Procesin e Berlinit.

Javën e ardhshme, në Samitin e Londrës, i cili mbahet më 9 dhe 10 korrik, Kryeministri Rama dhe unë me kolegët nga vende të tjera të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor do të kemi rastin që të avokojmë për realizmin e këtyre masave, duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtyre projekteve për të gjithë industrinë e vendit tonë. Duke mbajtur parasysh bashkëpunimin ekonomik, kemi konstatuar se potencialet e saj nuk janë të shfrytëzuara dhe se në të ardhmen duhet të bëjmë më shumë dhe të krijojmë parakushte për të siguruar lëvizshmërinë e tranzitit dhe lehtësuar procedurat doganore, për të mundësuar shkëmbimin tregtar dhe të mallrave.

Nga ana ime, unë i kam bërë lutje Kryeministrit Rama për zgjidhjen urgjente, në kontekstin e anëtarësimit të dy vendeve në marrëveshjen e CEFTA-s dhe Organizatën Botërore të Tregtisë, të një problem shumëvjeçar, i cili ka të bëjë me barrierat jo doganore, veçanërisht kur është fjala për eksportin e birrave dhe verërave shqiptare.

Këtu dua të kaloj atë që më kanë përgatitur bashkëpunëtorët e mi. Për këtë kanë folur kryetarët e Dhomave të Ekonomisë. Unë dua ta rrumbullakësoj këtë me një fjali; Marrëdhëniet tona të shkëlqyera politike, shoqërore tejkalojnë nivelin e marrëdhënieve ekonomike. Vendet tona, këto marrëdhënie mund t’i fisnikërojnë më tej, nëse e avancojnë bashkëpunimin tonë ekonomik. Potenciali ekziston, është aty, para nesh dhe do ta shfrytëzojmë.

Prandaj, të nderuar biznesmenë jam i sigurt se ju këtë e shihni më mirë se ne politikanët. Ne duhet të përcjellim vizionin tuaj të zhvillimit ekonomik të të dy vendeve. Prandaj jeni dhe këtu në këtë forum të biznesit. Ajo që veçanërisht më gëzon është fakti se mes biznesmenëve të Malit të Zi shoh shumë përfaqësues nga sektori i IT-së që kanë intensifikuar potencialin për bashkëpunim me partnerët nga Shqipëria. Do ju rikujtoj mundësinë e pjesëmarrjes në tendera në aleancën e NATO-s, sepse duke përmbushur standardet, ju keni mundësi për këtë. Mali i Zi është i integruar në sistemin e kodifikimit të NATO-s, pas konduktimit të testimit në sistemin e kodifikimit. Ministria e Mbrojtjes nga viti 2010 ka dhënë 160 kode, ka kodifikuar mbi 100 produkte, 60 për nevojat e ushtrisë. Për agjencitë që japin shërbime nautike, firmat e software-t e kështu me radhë, kompanitë e kodifikuara nga këto sektorë duhet të vendosin bashkëpunim, duke përdorur partneritetin në kontekstin e anëtarësimit në NATO.

Unë dua t’ju inkurajoj të gjithëve që me ambiciet tuaja t’i avanconi marrëdhëniet e mira politike, cilësore të dy vendeve dhe të gjeni hapësirën për realizimin e interesave tuaja të biznesit në sektorët komplementarë, me qëllim të rritjes së ekonomisë së dy vendeve.

Mali i Zi dhe Shqipëria, sëbashku me Kosovën janë 3 ekonomi të Ballkanit Perëndimor, të cilat në vitin 2017 kanë shënuar një rritje të GDP-së. Gjatë raportit të pranverës për vendet e Ballkanit Perëndimor rritja është ngadalësuar për Serbinë dhe Maqedoninë, Bosnja Hercegovina është rritur me një shkallë të ngjashme si vitet e kaluara. Mali i Zi në kuartalin e parë [katërmujorin e parë] ka shënuar një rritje të GDB prej 4.5%, sipas të dhënave paraprake kuartale është realizuar një GDB prej 4 miliardë e 236 milion euro, me një rritje reale prej 3.4%. Kjo rritje është realizuar në mënyrë primare me realizimin e aktiviteteve në fushën infrastrukturale të autostradës, por edhe projekteve në turizëm dhe energjetikë.

Në fund, dua t’iu bëj ftesë investitorëve shqiptarë që të siguroni që të shfrytëzoni ambientin e volitshëm të biznesit të Malit të Zi. Suksese tuaja janë sukseset tona. Gjatë panelit, sot do keni mundësi që të njiheni me mundësitë e investimit në Mal të Zi dhe me nxitje që ofrohen nga niveli lokal dhe kombëtar. Dua t’ju ftoj që në çdo moment, interesimet tuaja në drejtim të investimit t’i dërgoni përmes ambasadës në Tiranë, apo përmes sektorit ekonomik në Ministrinë e Jashtme, ose përmes Agjencisë për Promovimin e Investimeve të Huaja, ose drejtpërdrejtë tek kabineti im. Unë ju siguroj që propozimet serioze do të kenë mbështetjen e plotë të institucioneve dhe qeverisë në tërësi.

Të nderuar biznesmenë, shpresoj se do t’i njihni mesazhet e qarta dhe se do t’i identifikoni shanset për shkëmbim. Shpresojmë se bashkëpunimin do ta zhvilloni në një klimë pozitive të biznesit. Kjo është në interes të dy vendeve tona dhe të qytetarëve tanë.

Ju faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.