Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Zëvendëskryeministri vizitoi qytetin e Laçit, ku përuroi përfundimin e rrugës Laç – Milot, një projekt i zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Pjesa më e madhe e diskutimeve me pushtetin vendor dhe banorët e Laçit u përqendrua tek Reforma Territoriale Administrative dhe ndikimi i saj tek rritja e kapaciteteve të pushtetit lokal për të hartuar politika zhvillimi dhe për të menaxhuar më mirë shërbimet ndaj qytetarëve.

Një nga pikat kryesore të diskutimit lidhej me nevojën për hartimin e planeve të zhvillimit të njësive të reja të qeverisjes vendore në mënyrë që të shfrytëzohen sa më me efikasitet mundësitë që krijon Reforma Territoriale Administrative.

“Ne kemi ardhur edhe për të parë rrugën e përfunduar, që është një rrugë e rëndësishme që lidh Milotin me Laçin, por edhe për t’ju thënë që nuk duhet të mjaftohemi vetëm me rrugën, por duhet të bëjmë një plan për bashkinë e re, për bashkinë e zgjeruar.  Unë vi vetë nga pushteti vendor. Kam qenë vetë kryetar bashkie dhe e di se çdo të thotë të rriten kufijtë administrativë të bashkisë, të fuqizohet buxheti, të rritet mundësia dhe aftësia për të projektuar në një anë, por edhe për të investuar nga ana tjetër” – u shpreh Zëvendëskryeministri Peleshi.

Problemi i furnizimit me ujë dhe i menaxhimit të ujësjellësve si një nga shërbimet më jetike që ofron pushteti vendor, ishte një nga shqetësimet kryesore të ngritura gjatë bisedave.  Në reagimin e tij, Zëvendëskryeministri u ndal tek ndikimi pozitiv që do të ketë reforma tek performanca e këtyre shërbimeve.

“Problemi i ujësjellësve është madje edhe më dramatik sesa problemi i energjisë elektrike. Reforma Territoriale edhe në këtë aspekt do të ndihmojë shumë. Nuk do të kemi më borde, përfaqësi komunash, të cilat nuk e shikojnë ujësjellësin si një ndërmarje jetike për t’u menaxhuar, por shohin se kush do të jetë drejtori dhe kë do marrë në punë. Duke krijuar tani bashki të mëdha edhe ndërmarrjet e vogla të ujësjellësve do të fillojnë të grupohen, të integrohen njëra me tjetrë, do të ulin shpenzimet administrative, do të përmirësojnë performancën dhe besoj që reforma do t’i prekë shumë pozitivisht” – tha Zëvendëskryeministri Peleshi

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.