Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Shqipëria po kalon një fazë transformimi të gjithanshëm, ku reformat strukturore, investimet strategjike dhe procesi i integrimit europian po ecin paralelisht për të ndërtuar një shtet më modern, më konkurrues dhe më afër standardeve të Bashkimit Europian. Nga infrastruktura, energjia dhe sektori i ujit, te shëndetësia, arsimi, inovacioni, zhvillimi ekonomik dhe forcimi i institucioneve, ndryshimet e viteve të fundit kanë krijuar baza të reja për rritje të qëndrueshme dhe përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve.

* * *

Nga tunelet pa dritë të infrastrukturave të amortizuara, drejt një sistemi modern, të elektrifikuar dhe të integruar me korridoret rajonale dhe europiane

Sektori hekurudhor shqiptar ka hyrë në një proces transformimi të thellë, duke dalë përfundimisht nga amortizimi i dekadave të tëra, kjo, përmes projekteve strategjike, që synojnë ndërtimin e një rrjeti modern prej rreth 530 km, tërësisht në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Projektet në fjalë kanë të bëjnë, jo vetëm me rehabilitimin e linjave ekzistuese, por edhe me krijimin e një infrastrukture të re, të elektrifikuar, të sigurt dhe të integruar me rrjetet rajonale, duke e kthyer transportin hekurudhor në një alternativë konkurruese dhe të qëndrueshme.

Një nga projektet më të rëndësishme në këtë drejtim është hekurudha Durrës–Tiranë–Aeroporti i Rinasit, aktualisht në ndërtim, e cila do të jetë linja e parë e elektrifikuar në vend. Me 12 stacione përgjatë saj dhe me nisjen e operimeve të planifikuar në fillim të vitit 2027, kjo linjë përfaqëson një hap konkret drejt standardeve europiane të transportit publik, duke lidhur portin më të madh të vendit me kryeqytetin dhe aeroportin ndërkombëtar.

Gjithashtu, projekti Vorë–Hani i Hotit, që siguron lidhjen me Malin e Zi, është në proces prokurimi, me ndërtimin që pritet të nisë në fund të vitit 2026 dhe të përfundojë në vitin 2030. Ky segment është tejet i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në rrjetin hekurudhor rajonal dhe më gjerë në atë europian.

Një rol strategjik luan edhe zhvillimi i Korridorit VIII, ku përfshihet rehabilitimi i linjës Durrës–Rrogozhinë, që pritet të nisë ndërtimin në fund të vitit 2026 dhe të përfundojë në 2028, si dhe projekti Rrogozhinë–Pogradec–kufi me Maqedoninë e Veriut, aktualisht në fazë studim-projektimi. Këto investime synojnë të krijojnë një aks të rëndësishëm lindje–perëndim, duke lidhur portet shqiptare me rajonin dhe më tej me rrjetet europiane.

Në të njëjtën kohë, janë hedhur themelet për projekte të reja strategjike që pritet ta çojnë sektorin në një nivel edhe më të lartë. Linja hekurudhore Porto Romano – Sukth – Rrogozhinë – Vlorë, së bashku me lidhjen me aeroportin e Vlorës, do të krijojë një bosht të ri zhvillimi që integron portet dhe aeroportet me rrjetin hekurudhor, duke përmbushur standardet europiane të ndërveprimit ndërmodal.

Një nga projektet më ambicioze mbetet Hekurudha e Kombit, linja Durrës–Prishtinë, për të cilën ka përfunduar studimi i fizibilitetit dhe projekti paraprak. Me një gjatësi prej 105 km, 14 tunele dhe 43 ura, ky projekt konsiderohet “xhevahiri i kurorës” i infrastrukturës hekurudhore shqiptare. Në bashkëpunim me qeverinë e Republikës së Kosovës, synohet sigurimi i financimit dhe më pas nisja e ndërtimit të kësaj linje strategjike, që do të lidhë drejtpërdrejt dy vendet dhe do të forcojë ndjeshëm integrimin ekonomik dhe rajonal.

Ndërkohë, ka nisur hartimi i projekteve të detajuara për linjat Vlorë–Aeroporti i Vlorës dhe Sukth–Porto Romano, të cilat do të shërbejnë për lidhjen efikase të porteve dhe aeroporteve me rrjetin hekurudhor, sipas praktikave më të mira europiane të transportit të integruar.

Transformimi i sektorit hekurudhor shqiptar po ndërtohet mbi një qasje të re zhvillimi, ku çdo investim udhëhiqet nga standardet e Bashkimit Europian për elektrifikim, siguri, qëndrueshmëri dhe ndërveprim. Ky transformim synon të krijojë një rrjet modern, të besueshëm dhe të integruar, që jo vetëm përmirëson lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave, por edhe përforcon rolin e Shqipërisë si nyje e rëndësishme në hartën e transportit europian.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.