Mësuesit në të gjithë Shqipërinë po vijojnë vaksinimin me numra që vijnë në rritje çdo ditë. Procesi po ecën normalisht dhe deri tani nuk është shfaqur asnjë problem shëndetësor në radhët e mësuesve që e kanë marrë vaksinën.
Edhe në Shkodër, procesi po vijon prej dy ditësh dhe sot ishte mes mësuesve që po vaksinohen, Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila bëri të ditur se deri tani, në të gjithë vendin janë vaksinuar 4300 mësues. Ndërkohë që vaksinimi vazhdon. “Në total janë mbi 33 mijë doza të kryera të vaksinimit, ku të aplikuara janë mbi 23 mijë doza në personel shëndetësor, mbi 5 mijë doza tek të moshuarit dhe 4300 doza tashmë janë vaksinuar mësuesit. Edhe këtu po shkon shumë mirë. Nga dita në ditë ka intensifikim të kryerjes së vaksinës”, – u shpreh ministrja Manastirliu.
Ndërsa u interesua për gjendjen e mësuesve të sapovaksinuar, Kryeministri këshilloi se kujdesi duhet të jetë ende i lartë në këtë fazë. “Duhet të ruheni në fazën e parë sa të krijohen antitrupat. Mos kini asnjë shqetësim se do të shkojë çdo gjë mirë. Mesa ne po shohim, edhe vendet, të cilat e pezulluan, me shumë gjasë do të rifillojnë prapë, sepse bëhej fjalë për një seri që s’është kjo. Ishte një seri tjetër dhe nuk kanë gjetur asnjë lidhje mes vaksinës dhe rasteve që kanë patur.“
Ndërsa ministrja Manastirliu theksoi se mësuesve po u jepet i gjithë informacioni i nevojshëm për vaksinën. “Informacioni që ju jepet mësuesve është jo vetëm nga vetë mjekët që janë këtu, por edhe nga formulari që ju jepet ku shpejtohen të gjitha ato atribute që i përkasin vaksinës dhe sigurisht edhe efektet që mund të ketë si çdo medikament. Një gjë është e garantuar, që është shumë e sigurt“, – u shpreh ministrja.