Intervistë e Kryeministrit Edi Rama për Sky News
– Ju keni parë dhe dëgjuar zhurmat që dalin nga Britania e Madhe për emigrantët shqiptarë, fjalët për pushtim, fjalët për shqiptarët e përfshirë në kriminalitet. Si ju bën të ndiheni kur dëgjoni atë lloj gjuhe?
-Kryeministri Edi Rama: Dëgjo, më duhet të them që në ditët e sotme në politikë, ndonjëherë mund të ndodhin edhe të tilla gjëra. Ajo që më bën të reflektoj më shumë është se nuk kam dëgjuar kurrë një ndjesë, gjë që më bën të mendoj se në vend të një shprehjeje të ekzagjeruar zhgënjimi, ky ishte një sulm i llogaritur dhe ky është më i keqi.
– A mendoni se Shqipëria ka nevojë për një ndjesë nga Britania e Madhe?
– Kryeministri Edi Rama: Ne nuk kemi nevojë për të, në kuptimin që mund të jetojmë edhe pa të. Mirëpo, kur kërkon falje, është në rregull, ndodhi. Kur nuk e bën dhe kur e shmang atë, atëherë do të thotë se doni diçka nga ajo që keni thënë, pra do të thotë se është një llogaritje pas saj, do të thotë që ju me të vërtetë po flisni me një numër të caktuar votuesish që duan të dëgjojnë këtë dhe ju po i ushqeni pikërisht me këtë, sepse keni nevojë për votat e tyre, por pasojat e kësaj mund të jenë shkatërruese për njerëzit, për njerëzit tanë në Britani dhe për vetë Britaninë.
– Ju e keni bërë të qartë pikëpamjen tuaj për mënyrën se si po e trajton Mbretëria e Bashkuar këtë, por le të flasim për ju. Sa faj keni për këtë? Ju jeni kryeministër për nëntë vjet. Po dëgjojmë njerëz, sa herë që flet me ta, thonë se nuk kanë të ardhme, nuk kanë shpresë, vendi është i korruptuar dhe nuk ka asgjë për ta këtu, ndaj duhet të ikin. Ju jeni në krye; sa është kjo përgjegjësia juaj?
-Kryeministri Edi Rama: Është e vërtetë që mund të dëgjosh njerëzit që thonë kështu dhe është gjithashtu e vërtetë që tani është një periudhë kohe, kur ka shumë ndikim të keq në përgjithësi në botë, për shkak të luftës, për shkak të krizës, për shkak të pas pandemisë menjëherë një situatë tjetër, sepse, sepse, sepse… Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë, duhet të bëjmë gjithçka për të përmirësuar situatën këtu dhe për ta bërë atë gjithnjë e më të mirë për të gjithë, por e dimë gjithashtu se çfarëdo të bëjmë, Shqipëria nuk do të jetë Londër, nuk do të jetë Parisi, nuk do të jetë Berlini.