Gjatë vizitës së tij në Kukës, Kryeministri u ndal të flasë edhe për aeroportin e Kukësit i cili pritet të përfundojë shumë shpejt. Kryeministri foli lidhur me potencialin e këtij investimi dhe benefitet që do të sjellë në ekonominë e zonës dhe familjeve kuksiane por dhe në turizëm.
“Kam shumë besim që e ardhmja e Kukësit është turizmi. Me aeroportin që do të çelë dyert së shpejti, – faktikisht kemi caktuar një datë për të ulur avionin e parë këtu në Kukës dhe për të sjellë ata që e kam premtuar qysh në krye të herës, që më kanë sharë e përqeshur më shumë, nga Londra, – do të krijomë një platformë ekonomike krejt të re.
Shumëkush kuturiset të thonë ç’na duhen aeroportet, ç’na duhen portet, ne duam bukë, së pari, njëherë për bukë shqiptarët nuk kanë vuajtur qysh nga koha e Skënderbeut, në kuptimin e ngushtë të fjalës bukë. Nuk ka vdekur njeri për bukë, asnjë shqiptar, qysh nga koha e Skëndërbeut, për një mijë e një arsye që nuk ka nevojë t’i shtejllojmë këtu. Por, nëse i referohemi bukës si metaforë që ka të bëjë me mirëqënien, ekonominë, sigurinë e të nesërmes për çdo familje, aeroportet janë fabrika buke në sensin që sjellin konsumtarorë pafund dhe krijojnë kushtet për të patur mundësi ofertash të të gjitha natyrave për ta.
Është fakt i njohur që një aeroport e ka kthimin e investimit në ekonomi 1 euro e shpenzuar 23 euro të kthyera, në një periudhë afatmesme.
Aeroportet sjellin investimet, pasi mundësia për të ardhur në Kukës drejtëpërdrejtë krijon kushtet që shumëkush që do të të eksplorojë bukuritë mahnitëse të Kukësit, që do të skijojë në Shishtavec apo gjetkë, që do të shijojë klimën e jashtëzakonshme të të gjithë kurorës këtu gjatë verërave të nxehta, të vijë, por ndërkohë që kjo nxit investimet, nxit shërbimet, nxit ekonominë dhe punësimin.
Kjo është gjëja më e padiskutueshme, gjëja më e thjeshtë për t’u kuptuar. Kush nuk do ta kuptojë, as ka për ta kuptuar ndonjëherë. Populli shqiptar ka një shprehje të mençur, “nuk ka qorr më të madh sesa ai që i ka sytë në vend, sytë na ballë dhe nuk do të shikojë”. Ne shikojmë në Kukës një potencial të madh. Kemi filluar ta çlirojmë pak e nga pak, por ajo që kemi ende për të çliruar nga ky potencial është ku e ku më e madhe sesa çfarë kemi çliruar deri tani”.