Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Spitali rajonal i Vlorës është shtuar me shërbime të reja për qytetarët, të cilat nuk ofroheshin më parë. Kjo falë investimeve të vazhdueshme në infrastrukturë dhe plotësimit të nevojave me mjekë të specializuar. Kryeministri Edi Rama ishte sot në spitalin e Vlorës, ku sëbashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizituan kabinetet e reja me infrastrukturë moderne. “Investimet në spitalin e Vlorës vazhdojnë. Edhe pas përfundimit të poliklinikës, e cila funksionon me standarde dinjitoze, tashmë janë bërë edhe investime të tjera në këtë spital, duke përmirësuar shërbimet për qytetarët afër vendbanimit,” u shpreh ministrja Manastirliu.

Një prej shërbimeve, i cili ka lehtësuar ndjeshëm jetën e pacientëve që kanë nevojë për të, është shërbimi i kemioterapisë, për të cilin shumë qytetarë duhet të udhëtonin drejt Tiranës për ta përfituar. Me riorganizimin e bërë në këtë shërbim, pacientëve ju ofrohet një gamë më e gjerë trajtimi me kemiopreparate. “Kemi zgjeruar dhe riorganizuar shërbimin e kemioterapisë, ku aktualisht nuk trajtohen vetëm 2 nozologji që trajtoheshin më parë, por është zgjeruar edhe 7 nozologji të tjera të sëmundjeve tumorale dhe kabineti i kemioterapisë është një kabinet bashkëkohor. Është e rëndësishme që rritja e financimit për shëndetësinë ka influencuar në rritjen e volumit të barnave për trajtimin me kemiopreparate,” u shpreh Manastirliu.

Për herë të parë në spitalin rajonal të Vlorës ofrohet paketa e lenteve falas për sytë, të cilat deri dje jo vetëm që nuk mund të kryheshin në këtë spital, por edhe duhet të bliheshin vetë nga pacienti me një kosto prej 700 dollarësh, të papërballueshme për shumicën prej tyre. Sot, në kabinetin e ri të okulistikës, operacioni  kryhet nga mjekët profesionistë të spitalit dhe gjithçka është falas për pacientin. “Risia e këtij viti, – nënvizoi ministrja Manastirliu, – është se do të ofrojmë edhe paketën e lenteve falas që e ofruam vjet në QSUT për herë të parë në janar, e shtrimë në Elbasan. Këtë vit është në Vlorë, Durrës dhe Fier gjithashtu.”

Ndërsa mjekët okulistë shprehen të kënaqur me kushtet optimale në të cilat mund të kryejnë ndërhyrjet operatore. “Deri dje, pacienti duhet të shkonte në Tiranë, sepse këtu nuk ofrohej ky shërbim. Ai gjithashtu duhet t’i blinte lentet vetë,” shprehet një nga mjekët.

Në spitalin e Vlorës ushtrojnë profesionin e tyre me përkushtim, edhe shumë mjekë të rinj, të cilët kanë ardhur aty nga qytete të ndryshme, pas përfundimit të periudhës së specializimit.

Kryeministri Rama u ndal edhe në mjediset moderne dhe bashkëkohore të sterilizimit të pajisjeve mjekësore, fryt i partneritetit publik, privat. “I vetmi gabim që kemi bërë është që nuk kemi bërë një muzeun të vogël nëpër spitale, si ishin pseudosterilizatorët dhe si ishin instrumentet, sepse populli dëgjon këto llafet e rrugës dhe të politikës së rrugës “PPP, vjedhja, korrupsioni”, ndërkohë që ja ku është. Të gjitha këto janë investuar nga privati dhe jo nga shteti, sepse shteti nuk ka patur mundësi ta bëjë këtë, sepse po të kishte patur mundësi ta bënte, do ta kishin bërë ata të mençurit që na sulmojnë, ndërkohë që kishin 30 vjet në dorë që ta bënin. Shteti merr shërbimin që e ofron falas për qytetarët – nuk i themi pacientëve që, meqë ka instrumente të reja, nxirr lekë nga xhepi – dhe paguan vit pas viti dhe e shlyen këtë investim e në fund është pronë e shtetit.”

Gjatë vizitës, Ministrja e shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale informoi lidhur me masat që po merren për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. “Përsa i përket masave të marra në lidhje koronavirusin, edhe në kuadër të asaj që Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka cilësuar si emergjencë ndërkombëtare e shëndetit publik, pra, emergjencë globale, jemi duke punuar në porte, aeroporte dhe pika të kalimit kufitar, jo vetëm për shpërndarjen e informacionit, por edhe në përforcimin me ekipe me mjekë epidemiologjistë në të gjitha pikat e kalimit kufitar,” u shpreh ajo.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.