Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Intervista e Kryeministrit Edi Rama dhënë për televizionin izraelit i24news, në përfundim të vizitës së tij në Izrael:

i24news: Izraeli po celebron 25 vjet marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë, një vend anëtar i NATO-s, ku shumica e popullsisë është myslimane. Një nga faktorët më domethënës në marrëdhëniet tona të ngushta wshtw roli historik i Shqipërisë në shpëtimin e hebrenjve nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me këtë rast, kryeministri Edi Rama u takua me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe presidentin Reuven Rivlin në Jeruzalem. Ndërsa tani kemi kënaqësinë e veçantë ta kemi kryeministrin Rama këtu në studio me ne.

i24news: Zoti Kryeministër, mirëmbrëma dhe faleminderit që jeni këtu me ne sonte.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit ju!

i24news: Le të fillojmë duke përmbledhur takimin e sotëm që patët me kryeministrin Netanyahu. E dimë që folët për marrëveshje dypalëshe midis dy vendeve, në fushën e tregtisë, ujit, etj. Por, a mund të na flisni për marrëveshjet midis dy vendeve sidomos në fushën e sigurisë?

Kryeministri Edi Rama: Ndihem shumë i nderuar që jam këtu në Izrael si Kryeministër i Shqipërisë, sepse ashtu sikurse dhe ju e përmendët, ne jemi krenarë për historinë tonë në lidhje me shpëtimin e hebrenjve. Asnjë hebre nuk i është dorëzuar gjermanëve dhe një rol të madh në këtë mrekulli kanë luajtur familjet myslimane. Në të njëjtën kohë, në këto 25 vjet, vendet tona kanë krijuar përsëri lidhje dhe kanë përforcuar marrëdhëniet, të cilat u shkëputën në mënyrë jo të natyrshme gjatë diktaturës komuniste për 50 vjet.

Sigurisht, me kryeministrin Netanyahu diskutuam në lidhje me terrorizmin dhe kërcënimet ndaj botës sonë që ka si emërues të përbashkët demokracinë, të drejtat e njeriut dhe vlerat humane, si edhe bashkëndamë mendimin se Shqipëria mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm në këtë betejë, sepse ne jemi pjesë e një rajoni ku ka një shoqëri multifetare, por edhe ku sigurisht ka shumë punë për të bërë për sa i përket parandalimit të terrorizmit dhe shërbimit të inteligjencës.

Diskutuam gjithashtu, si të përforcojmë bashkëpunimin ekonomik dhe se si të përfitojmë sa më shumë nga vullneti shumë i qartë i kryeministrit për të ndihmuar Shqipërinë dhe për të mbështetur përpjekjet tona për në rrugën e zhvillimit të vendit tonë. E së fundmi, jemi të lumtur që firmosëm “Deklaratën e Miqësisë” midis dy vendeve tona.

i24news: Dua të ndalem pak mbi çështjen që ju përmendët në lidhje me luftën kundër terrorizmit. Tashmë është gjithnjë e më shumë një kërcënim në gjithë Europën. Edhe në vendin fqinj, Maqedoni, ekziston frika e rritjes së një fuqie islamike. Sa i madh është ky shqetësim brenda Shqipërisë?

Kryeministri Edi Rama: Që të flasim hapur, mendoj se tani jemi në një pozitë të mirë dhe nga pikëpamja rajonale ne jemi në pozitën më të mirë ku kemi qenë ndonjëherë, sepse ka dialog dhe mirëkuptim midis të gjitha vendeve dhe shteteve, si asnjëherë më parë. Por, në të njëjtën kohë, në Shqipëri kemi një situatë specifike, të cilën Papa Françesku gjatë vizitës së tij e quajti “Vëllazëri fetare” midis myslimanëve, katolikëve, të krishterëve ortodoksë dhe komuniteteve të tjera. Në të njëjtën kohë, nëse nuk punojmë siç duhet për të përforcuar dhe promovuar këtë traditë, ne bëhemi të cenueshëm në të gjithë rajonin. Ndaj, lufta kundër terrorizmit nuk është thjesht kundërsulm me çfarëdolloj mjeti, por do të thotë gjithashtu edhe të fitosh zemrat dhe mendjet e njerëzve, të luftosh varfërinë dhe margjinalizmin shoqëror. Konkretisht, me partnerët tanë, ne mundemi dhe jemi të angazhuar të punojmë më fort nga pikëpamja e inteligjencës dhe shkëmbimit të informacionit.

i24news: Për sa i përket çështjes së cenueshmërisë, ajo është e lidhur edhe me emigracionin që ka prekur Europën gjatë këtij viti. Maqedonia ka pasur shumë vështirësi në përballimin e situatës. Po për sa i përket Shqipërisë, si po e përballon ajo këtë krizë?

Kryeministri Edi Rama: Ne nuk jemi të prekur, sepse nuk jemi pjesë e korridorit që shtrihet nga Turqia në Greqi, Maqedoni, Serbi dhe deri në veri të Europës, por jemi të përgatitur nëse do të përballeshim. Vendi ynë e di mirë se çdo të thotë të përballosh flukse emigratore të shkaktuara nga luftërat dhe konfliktet e përgjakshme, sepse ne kemi strehuar gjysmë milionë refugjatë nga Kosova, gjatë periudhës së spastrimit etnik të diktatorit të atëhershëm në Beograd. Ndaj, jemi të gatshëm të ndihmojmë dhe angazhohemi për të qenë solidarë siç e do tradita jonë më e mirë.

i24news: Në vitin 2009 Shqipëria iu bashkua NATO-s. Si e ka ndryshuar ky fakt pozitën e vendit tuaj, sidomos tani që me rritjen e konfliktit në Lindjen e Mesme, NATO është duke u bërë një faktor dhe lojtar gjithnjë e më shumë kyç dhe i fuqishëm?

Kryeministri Edi Rama: Renditja në krah të NATO-s ishte për ne një ëndërr që u bë realitet, jo vetëm për faktin se jemi pjesë e aleatëve të NATO-s, por sepse jemi pjesë e një aleance vendesh që janë mbledhur bashkë për të mbrojtur vlera dhe principe të qarta. Në të njëjtën kohë, duke qenë pjesë e NATO-s, ne nuk kemi vetëm përfitime, por japin dhe kontributin tonë dhe jemi shumë aktivë në të gjitha misionet paqeruajtëse dhe do të vazhdojmë në këtë rrugë. E sigurisht, si vend anëtar i NATO-s, edhe ne jemi të kërcënuar nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm. Por kjo është situata dhe ne marrim pjesën tonë të përgjegjësisë.

i24newsE hapëm këtë intervistë duke përmendur historinë dhe duke kujtuar faktin që Shqipëria strehoi hebrenjtë që i iknin nazistëve. Duke parë drejt së ardhmes, si i shikoni marrëdhëniet midis Izraelit dhe Shqipërisë?

Kryeministri Edi Rama: Më pëlqen të shikoj që do të ndodhë më shumë se kaq. Pak minuta më parë përshëndeta Presidentin Peres në Qendrën e tij fantastike për Paqen, ku folëm për të ardhmen më shumë sesa për të kaluarën dhe patëm rastin të shkëmbejmë opinionet dhe emocionet me komunitetin shqiptaro-hebre që jeton këtu, anëtarët e të cilit kanë jetuar një pjesë të rëndësishme të jetës së tyre nën diktaturën komuniste në Shqipëri. Unë besoj fort se ne mund të bëjmë më shumë, por mbi të gjitha jam shumë i angazhuar për të mësuar sa më shumë nga Izraeli dhe nga eksperienca juaj në shumë fusha dhe jo vetëm nga ajo që ju keni, por edhe nga ajo që ju dini.

i24news: Tingëllon si një vizitë plot me shpresë. Edhe një herë kryeministër Rama, mirëserdhët në Izrael dhe faleminderit që ishit këtu me ne.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit që më ftuat! Ishte kënaqësi!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.