Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Deklaratë për mediat e Kryeministrit Edi Rama:

Partia Demokratike e refuzoi edhe formulën e kompromisit të propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, përmes Ndihmës Sekretares, Victoria Nuland.

Pasi u rrokanisi kokën shqiptarëve dhe aleatëve strategjikë të Shqipërisë me nenin 88 dhe mori pikë e presje atë që kërkoi, nxori një bisht tjetër. Duke ngritur pikëpyetjen e pabesueshme mbi besueshmërinë, integritetit dhe rolin e partnerëve ndërkombëtarë në procesin e skanimit të prokurorëve dhe të gjykatësve shqiptarë.

Nuk u befasova unë dhe nuk u befasua askush që e di mirë se në ç’bark fle lepuri i frikës nga drejtësia. I cili, është kryekëshilltari i opozitës për Reformën në Drejtësi, frika. Por, sigurisht, u befasuan dhe zhgënjyen aleatët e Shqipërisë, të cilët janë investuar masivisht si kurrë më parë për një reformë në Shqipërinë e çerekshekullit të fundit.

Kërkesa e re e Partisë Demokratike dhe klithma e djeshme e dëshpërimit në Kuvendin e Shqipërisë për mbrojtjen e sovranitetit të vendit nga “rreziku i ri euroamerikan”, janë dëshmia ulëritëse e të vërtetës se, opozitarët tanë nuk u zhytën në ujin e Venecias për të nxjerrë sistemin e drejtësisë nga goja e peshkaqenit që donte të kapte drejtësinë përmes reformës. Pretendimi i tyre, me nenin 55 në dimër, e pastaj nenin 88 në pranverë, ishte vetëm një alibi e montuar me idenë se ne nuk do të hapim rrugën e një kompromisi, që, sidoqoftë, tek e fundit nuk e cënon thelbin e reformës. Kur kjo alibi ra, si një kështjellë në rërë, me vendosjen në tavolinë të formulës së kompromisit nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit, Partia Demokratike kërkoi 48 orë kohë për të marrë veten dhe për të ndërtuar një alibi të re. Këtë herë edhe më absurde se e para: Rreziku euroamerikan.

E ndihmuar nga sovranistë që varen prej parave të padeklaruara në media, ajo ka nisur një përpjekje të dëshpëruar për të bindur shqiptarët se Vetting-un e prokurorëve dhe gjykatësve Shqipëria sovrane mund ta bëjë më mirë duke ia lënë në dorë Gjin Ndrecës, apo Vladimir Jonuzit, sesa Operimit Ndërkombëtar të Monitorimit. I cili, sipas kësaj opozite, të mbërthyer nga paniku i një fshese të hekurt në sistemin e drejtësisë, në qenka kërcënim për sovranitetin e Shqipërisë.

Në fakt, po! Ka një të vërtetë këtu, përfshirja e partnerëve të Shqipërisë në këtë reformë, përmes procesit të Vetting-ut, është një “rrezik” i papërballueshëm për pushtetin sovran të korrupsionit mbi gjykatat tona; për pushtetin e vrasësve të drejtësisë me çekiç kokës mbi nëna të veshura me të zeza për djemtë e vrarë nga krimi shtetëror, apo krimi ordiner; mbi vajza e gra të dhunuara nga kriminelë të liruar prej gjykatësish po aq kriminelë; mbi familje të grabitura dhe të zhveshura nga të drejtat e pronësisë nga një bandë grabitësish të veshur me togën e zezë të gjykatësit; mbi një popull të tërë që rrëqethet sa herë duhet të marrë rrugën drejt një dere gjykate.

Është e vërtetë!

Është plotësisht e vërtetë!

Vetting-u i mbështetur nga ndërkombëtarët ua heq përgjithmonë çekiçin nga dora këtyre kriminelëve dhe shemb një pjesë të madhe të pushtetit sovran të korrupsionit politik e financiar mbi drejtësinë në Shqipëri. Them një pjesë të madhe, sepse lufta me korrupsionin në drejtësi fillon me Vetting-un, por nuk mbaron me Vetting-un.

Këta opozitarë të tmerruar nga drejtësia deri në pikën që kanë nisur tanimë luftën edhe me aleatët strategjikë të Shqipërisë, nuk duan t’ia dinë fare për një të vërtetë, sa të thjeshtë, aq të rëndësishme për këtë reformë;

Kjo nuk është një reformë sociale, apo sportive, që ne, bashkësia jonë këtu në Shqipëri, mund ta bëjmë vetë dhe mund ta bëjmë për vete.

Kjo është një reformë për Shqipërinë europiane që duam të ndërtojmë dhe ta anëtarësojmë në Bashkimin Europian. Në reforma të tilla sovraniteti ynë është relativ, jo absolut, sepse nuk ka vend të Bashkimit Europian, apo që kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Europian, që të ketë sovranitet absolut për t’i lexuar dhe kuptuar si të dojë normat, standardet, kërkesat e Bashkimit Europian.

Nuk ka vend ishkomunist që të jetë anëtarësuar në Bashkimin Europian duke zgjedhur çfarë i pëlqen dhe duke refuzuar çfarë nuk i pëlqen nga reformat modernizuese të procesit të anëtarësimit. Kjo është një prej tyre.

Nuk ka reformë drejtësie të zbatuar në vendet e reja të Bashkimit Europian, ku të jetë përdorur shpata e sovranitetit, për të mbajtur jashtë kështjellës së korrupsionit të drejtësisë partnerët ndërkombëtarë.

Pse vallë Bashkimi Europian ka vënë si kusht Reformën në Drejtësi, për të hapur negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian?!

Sepse, pa këtë reformë, ne mund të mbetemi sovranë brenda shtëpisë tonë, por s’ka shans të trokasim për negociata që të hyjmë në shtëpinë e madhe të Europës së Bashkuar.

Pa këtë reformë ne do të mbetemi prapa derës së asaj shtëpie të madhe që ka frymëzuar rrëzimin e diktaturës. A ju kujtohet: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” Kjo është Europa. Ka motivuar kombin tonë në rrugëtimin e mundimshëm të këtij çerekshekulli.

Ndërsa duke refuzuar këtë reformë, ne jo vetëm do mbetemi prapa derës, por do kthehemi në një hije shumë të dyshimtë në mes të Europës. Do të shihemi si një vend i sunduar nga frika e të korruptuarve dhe si një popull i nënshtruar ndaj pushtetit sovran të korrupsionit. Do të humbasim të tjera vite. Askush nuk e llogarit dot sa, për t’u rikthyer këtu ku jemi sot, në këtë moment, në sytë dhe në mendjet e aleatëve tanë strategjikë një hap larg nga hapja e negociatave me Bashkimin Europian.

Kam dëgjuar që sovranistët tanë kanë arritur deri në absurdin që thonë: “Ç’na duhet ne Bashkimi Europian! Pse budallenj janë britanikët që dolën nga BE?!”

I kam dëgjuar të komentojnë të fyer në sedrën e tyre patriotike: “Si ka mundësi të lejohet marrja e pushtetit gjyqësor nga ndërkombëtarët.” Apo madje të ngrenë dhe kore marrëzie, duke predikuar se sa të aftë jemi ne për ta bërë vetë këtë punë. Madje njëri syresh thoshte: “Po sikur ndërkombëtarët të na dalin të korruptuar njësoj si tanët, kujt do t’i ankohemi ne?”

Natyrisht, ndërkombëtarët nuk merren dot në telefon për t’i thënë: “Kaloje Gjonin!” “Ma ki kujdes Gjinin!” “Ma shiko pak Ladin!” “Është një Jonuzaj Jonuzaj, mirë është të kalojw!” E tjera si këto. Këto s’bëhen dot me ndërkombëtarët.

A mund të ma thotë kush pse nuk e bëmë ne 25 vjet rresht këtë punë kaq të dobishme që sot po na thonë që: “E bëjmë vetë!” “Jemi sovranë.” “Kemi njerëzit tanë.” S’mund t’i fyejmë këto koka të mëdha dhe jo pastaj t’ua fusim kokën në morsën e kontrollit ndërkombëtar.

Pse u zvarritëm ne çerek shekulli nëpër arat e nëpër fushat e korrupsionit dhe ndërtuam m’u në mes të sheshit, një sistem që është më i korruptuari, më i diskredituari, drejtësie, në gjithë kontinentin europian?! Kur s’e bëmë dot 25 vjet me radhë si mund ta bëjmë ne tani pastrimin e sistemit të drejtësisë nga kjo koorporatë të pasurish, që po të mblidhen bashkë e blejnë dhe Lionel Messin dhe e sjellin të lozë me Kamzën e Xhelal Mziut?!

E gjitha kjo është njësoj si të thuash: “Ne duam të luajmë, por duhet të kemi sovranitetin tonë mbi rregullat e lojës. Duhet ta vendosim ne çfarë përmasash duhet të ketë fusha, sa e gjatë duhet të jetë porta, deri ku ka të drejtë portieri ta kapë topin me dorë dhe madje, mundësisht, që, po se bëmë golin vetë, të kemi të drejtë t’ia fusim me dru portierit kundërshtar dhe jo vetëm kaq, por s’mund të na arbitrojnë të huajt. Ne duam arbritrat tanë”.

Unë në fakt e kam ditur që ditën e parë që do të vinte kjo ditë sot. Ua kam thënë të gjithëve, edhe partnerëve tanë, që, kur të vijë drafti te pragu i Kuvendit do shohim ç’do shohim!

E po dëgjojmë, ç’po dëgjojmë!

E kam ditur që do gjendeshim përballë murit të frikës dhe kushtëzimeve absurde të Partisë Demokratike. Por t’ju them të drejtën, s’mund të marr meritën që më ka shkuar mendja se mbi atë mur frike do të vareshin fletërrufe për rrezikun euroamerikan. Këtë nuk e kam parashikuar, sepse gjatë gjithë kohës opozita ka kërkuar përfshirjen e plotë të ndërkombëtarëve, si garanci për të mbrojtur drejtësinë nga “kthetrat” e mia.

Tani na doli që problemi qenkan kthetrat e mëdha të superfuqive që duan të turren mbi qengjat e butë të sistemit të drejtësisë dhe t’i hanë, duke na i marrë nga vatha që mezi e mblodhën, mezi e ngritën, mezi e mbajnë.

Duke dëgjuar të flasin përçart për nevojën për konsensus edhe pasi pranuam pikë për pikë dhe numër për numër gjithçka, që kërkuan në emër të nenit 88, unë kam bërë dje një propozim të ri, të cilin do ta përsëris qartë dhe prerë, se dje ishte me 140 germa në “Twitter”;

Ne jemi gati të votojmë në 21 Korrik çdo gjë që Partia Demokratike do të fusë në draftin e Reformës në Drejtësi, me kushtin që të pranohet nga SHBA dhe BE se është në përputhje të plotë me standardet e kërkuara nga Shqipëria për reformimin e drejtësisë në Shqipëri, në funksion të vijimit të integrimit europian.

Ka më qartë dhe më shumë konsensus se kaq?

Kam marrë një raport të komenteve mbi këtë propozim. Të them të drejtën kam qeshur shumë me sovranistët që kishin rendur të jepnin lajmin se, “më në fund, u dorëzova dhe nderi i Shqipërisë i nëpërkëmbur nga unë, në bashkëpunim me disa zyrtarë të huaj të dorës së fundit, – nënkupto ambasadorët, se këta flasin me kokat e mëdha, që në fakt s’ka kokë të madhe në botë që merr vesh më se ç’po kërkon Partia Demokratike, – tani nderi u vu në vend”. Shumë mirë, s’dua të merrem me ta.

Por kam një mesazh për t’i përcjellë çdo qytetari dhe qytetareje të Shqipërisë që ka të drejtë vote, mes 4.4 milionë shqiptarë, si edhe çdo shqiptari dhe shqiptareje, që nuk e ka nënshtetësinë e Republikës së Shqipërisë, por e do reformimin historik të drejtësisë në këtë vend;

Unë dhe bashkëpunëtorët e mi për Reformën në Drejtësi kemi bërë gjithçka kemi ne në dorë, që reforma të jetë e thellë dhe të jetë çliruese për drejtësinë në Shqipëri dhe mundësisht të miratohet bashkë me opozitën.  Kemi shteruar gjithë fantazinë tonë për të gjetur zgjidhje të pranueshme për opozitën. I kemi bërë të gjitha lëshimet e mundshme pa e prekur thelbin e reformës. Por, pasi kemi bërë dhe lëshimin e fundit, duke e akomoduar plotësisht kërkesën e opozitës për nenin 88 dhe duke ia krijuar kushtet që të dalë nga uji i Venecias, të thahet, të vishet, të vijë në parlament dhe të votojë e lumtur, gjendemi përballë një ftese për të filluar luftën bashkë me Partinë Demokratike, krah për krah, kundër Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. Vetëm kështu e kuptoj unë, dhe e kuptojmë ne, kërkesën në emër të sovranitetit të vendit për të përjashtuar partnerët tanë ndërkombëtarë nga pjesëmarrja në procesin themelor, pa të cilin, reforma mbetet pa themele, të Vetting-ut të prokurorëve dhe gjykatësve. Si shpallje lufte ndaj atyre që nuk po kërkojnë të pushtojnë Shqipërinë në fakt, – se Shqipërinë e kanë pushtuar të tjerët; ata që dridhen nga reforma në drejtësi dhe që udhëhiqen nga frika se do lëshojnë instrumentin themelor të pushtimit të tyre, që është sistemi i korruptuar i drejtësisë. Jo! Partnerët tanë po kërkojnë të na ndihmojnë për të pastruar sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe të na përfshijnë në gjirin e tyre duke na ulur në tavolinë edhe në Bashkimin Europian, njësoj siç jemi të ulur në NATO. Prandaj, këtë ftesë që ne të bëhemi bashkë si shqiptarë, si patriotë, si sovranë dhe t’i vëmë kufirin të thana Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, ne e konsiderojmë një marrëzi, e cila do të hyjë në historinë e marrëzive të politikës shqiptare.

Nga ana tjetër, ne nuk pranojmë më të qëndrojmë në një proces absurd negociimi vetëm e vetëm që t’i japim Partisë Demokratike mundësinë të vazhdojë të gënjejë shqiptarët se s’jemi ne që duam kompromis, por, përkundrazi, jemi ne që e pengojmë kompromisin.

Jo! Fare!

Fusha është e lirë.

Dhëntë Zoti që lepuri në barkun e tyre të bëhet luan dhe ata të vijnë të votojnë Reformën në Drejtësi, pasi të kenë hequr apo shtuar çfarë të duan në draftin e reformës dhe produkti i kësaj ndërhyrjeje të fundit tw vlerwsohet nga SHBA dhe BE si plotësisht i pranueshëm dhe Shqipëria të duartrokitetndërkombëtarisht dhe të marrë ftesën për të hapur negociatat. Këto po i them si pasojë, jo se duhet që të na e sigurojë lepuri i bërë luan që ne do marrim deklaratë për negociatat. Jo fare. Thjeshtë, kaq; Të pranojnë që “PO, kjo është reforma, jemi në rregull, votojeni”. Në qoftë se Shtete e Bashkuara dhe BE e pranojnë këtë, PD të shkruajë çfarë të dojë aty, çfarë të dojë. Deri në 21 korrik, çfarë të dojë. Do t’ia kalojmë pa procedurë, pa diskutime dhe do i themi madje: “Shumë faleminderit se na shpëtove faqen që po na nxihet përditë për shkakun tënd”.

Unë vetë nuk e besoj që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian janë gati t’i thonë lepurit luan, në qoftë se është lepur dhe nuk është luan. Të pranojnë shtrembërimin e skeletit të reformës, sepse nuk janë ata që duan të integrohen me Shqipërinë, mos ta harrojmë këtë. Nuk ngelën mbrapa nesh duke na u lutur: “Aman na integroni dhe ne, se duam të ikim si britanikët, por s’kemi ku të shkojmë. Të vijmë te ju dhe ta bëjmë Tiranën qendrën e botës.” Por jemi ne që duam të integrohemi në Bashkimin Europian.

Por, nëse Bashkimi Europian do të dorëzohet dhe do të pranojë se ka ardhur koha që të bashkohet me Shqipërinë për të ndërtuar një model të ri drejtësie, të mbështetur mbi korrupsionin atëherë ne do flasim prapë. Patjetër! Do dal unë të them çfarë mendoj, por reformën nuk e pengoj.

Ndërkohë që mund të ndodhë dhe ndryshe dhe këtë e kam shumë sinqerisht. Mbase në kushtet e reja që krijon ky propozim i ri, fusha është e lirë, s’ka asnjë palë që pengon. Partisë Demokratike i ndizet një shkëndijë gjenialiteti dhe na vjen vërtetë ndonjë zgjidhje që deri tani nuk e ka kapur dot askush, që, jo vetëm do të jetë e pranueshme, por do ta përmirësojë draftin, të na gëzojë të gjithëve dhe të gjithë bashkë përpara për të vazhduar me reformën me hapat e tjerë.

Unë e ftoj Lulzim Bashën nga sot dhe deri në orën 10:00 të datës 21 Korrik, kur fillon seanca, të më njoftojë menjëherë, në çdo orë të ditës dhe çdo orë të natës, e ka numrin tim të telefonit, për t’u takuar nëse ka ndonjë të re që konsiderohet e pranueshme nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

Unë do ta votoj, ne do ta votojmë, pa kërkuar ndryshimin e asnjë presjeje.

Ky është konsensus me firmë mbi letër të bardhë.

Të shkruajnë çfarë të duan, mjafton që ajo që do të jetë shkruar të ketë dy vula: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.

Shumë Faleminderit!

Dhe le të presim!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.