Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar: 

 

Që prej vitit 1930, kur është nënshkruar Traktati i parë për Tregtinë mes Shqipërisë dhe Japonisë, qeveria japoneze ka qenë gjatë gjithë periudhave, kur e ka pasur të mundur, një partner i besueshëm dhe një ndihmës, i gatshëm për të ndikuar pozitivisht zhvillimet në vendin tonë.

Asistenca zyrtare për zhvillim që Shqipëria ka përfituar prej qeverisë japoneze i tejkalon 200 milionë euro dhe e rendit Japoninë ndër vendet kryesore që kanë ndihmuar drejtpërdrejtë vendin tonë, posaçërisht në periudhën pas rënies së regjimit komunist.

Për më tepër, çelja e ambasadës së Japonisë në Tiranë, në 1 Janar të këtij viti, është shprehje kuptimplotë e faktit se, pavarësisht dimensioneve të pakrahasueshme mbase në çdo aspekt mes Japonisë dhe Shqipërisë, Japonia dhe qeveria japoneze rezervojnë respekt dhe një qasje realisht bujare ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Ka qenë qysh në krye të herës, bindja ime dhe bindja jonë se është në dorën tonë që ta thellojmë këtë bashkëpunim dhe varet nga aftësitë tona për të mundur të thithim më shumë kontribut nga Japonia, duke qenë në gjendje të prezantojmë idetë e duhura dhe projekte të besueshme.

Ky është një projekt që nuk e teproj aspak po të them se mund të quhet fantastik. Është një projekt që na jep mundësinë të vendosim një kufi ndarës mes çerekshekulli ngatërresa, rrëmujë, konflikte në gjithë fushën e të drejtave të pronës, që kanë ardhur përveç të tjerash, edhe si rezultat i mungesës së një informacioni të integruar dhe të besueshëm të pronës në territor.

Ka dëshmi të pafundme për viktimat e këtij kaosi, por më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj, një dëshmi të një familjeje, e cila humbi pronën në gjyq për shkak se harta në zonën ku gjendjet prona e kësaj familjeje ishte me vrimë. Bëhet fjalë për harta në letër, të përdorura, të ripërdorura, të stërpërdorura, të palosura, të ripalosura, të stërpalosura, të hapura, të rihapura, të stërhapura, që nga gjithë ky përdorim i gjatë kanë vrima.

Prona e asaj familjeje humbi në një nga këto vrima. Në vendimin e gjykatës thuhet: “Gjykata nuk mund të vendosë për pronën në fjalë, pasi ajo gjendet në vrimën e hartës.”

Janë të pafundmë edhe shembujt e humbjes së informacionit mbi infrastrukturën nëntokësore të këtij shteti. Sa herë ndodh që mjafton një ekskavator të fillojë punën për një investim publik ose privat dhe të dëmtojë infrastrukturën nëntokësore (tela, kabllo, rrjete), për shkak se nuk ka asnjë informacion se çfarë gjendet poshtë. I gjithë informacioni i trashëguar në vitin 1990 është shkatërruar dhe ngatërruar nga investime pas investimesh, për të bërë e për të ribërë harta e për të bërë e për të ribërë regjistrime që kanë sjellë edhe konflikte të mëdha mes familjeve, mes pronarëve, për mbivendosje të pronave.

Sot janë me mijëra raste kur disa pronarë kanë një dokument shtetëror të firmosur dhe të vulosur që thotë se prona në “x” vend është e tyre dhe disa pronarë të tjerë kanë një dokument të firmosur dhe të vulosur që thotë se prona në po atë vend është e tyre. Kush e gjen këtë?

Këtë e gjen vetëm ky sistem i ri, modern, i bazuar tek një proces që ne e nisëm qysh në ditët e para të fotografimit të plotë ajror të të gjithë territorit të Republikës, që vazhdon me skanimin e plotë të të gjithë elementëve në këtë territor dhe që përshihet përmes këtij projekti, në inventarin dixhital ku çdo gjë do jetë në vendin e vet dhe ku të gjithë, që nga një familje, një kompani, një njësi vendore, tek agjencitë shtetërore të mund të gjejnë atë që ju duhet lidhur me kryerjen e detyrave, apo plotësimin e nevojave të tyre.

Sigurisht që do kishte qenë mirë që ky proces të fillonte kohë më parë. Do kishte qenë mirë që të kishim evituar konflikte e dëme pafund që u janë shkaktuar individëve apo shtetit, duke ndërtuar këtë kadastër, që nuk është thjesht një përfshirje e informacionit në kompjuter, por është një instrument në dispozicion të kujtdo.

Kjo kadastër, e cila do të përmbajë të gjitha ndërtesat, rrugët, veprat e tjera të infrastrukturës, infrastrukturën nëntokësore, monumentet e kulturës, zonat e mbrojtura, territoret ku investohet, volumet e investimeve e me radhë, do na bëjë një popull që jetojmë në një shtet. Në fund të fundit, në qoftë se shteti nuk ka inventar as për sa njerëz jetojnë në territorin e vet, as për ku banojnë ata që jetojnë në territorin e vet, as për çfarë pronash ka në territorin e vet, as për çfarë pasurish natyrore dhe kulturore trashëgohen në territorin e vet, çfarë shteti është?! Vetëm shtet nuk mund të quhet. Të mendosh dhe të thuash se ke shtet, kur s’ke inventar, është njësoj si të thuash, kam një shtëpi, po s’kam asnjë informacion ku gjendet, si gjendjet e pse gjendet, çfarë ka e s’ka kjo shtëpi. Është një hap kolosal në rrugën për të bërë shtet.

Ajo që unë dua të nënvizoj lidhur me ndihmën japoneze, nuk është komponenti i parasë, që është shumë i rëndësishëm, por është komponenti i dijes. Japonia është një nga shembujt më spektakolarë të faktit seç mund të bëjë një popull përmes dijes, në një territor ku Zoti apo natyra nuk kanë qenë bujarë. E kam dëgjuar, – këtu kam dëshmitarë, nuk e di sa është vërtetë, por dhe në qoftë se nuk është e vërtetë, siç thotë një fjalë, është e gjetur bukur mirë, – që ditën e parë të shkollës në Japoni, fëmijëve u thuhet: “Japonia nuk ka këtë, nuk ka këtë, nuk ka këtë,”  – duke renditur të gjitha ato që nuk i ka nga pikëpamja e pasurive natyrore – “dhe prandaj, çdo japonez duhet të jetë i pasur këtu [në mendje], se, në qoftë se këtu jemi të pasur me dije, gjithçka tjetër, ne jemi në gjendje ta bëjmë të mundur”.

Në qoftë se këtu jemi të varfër me dije, mund të kemi burimet ujore më fantastike, mund të kemi pozicionin gjeografik më fantastik, mund të kemi naftë, gaz, minerale, mund të kemi pyje fantastike, një klimë fantastike për të pasur bujqësi fantastike dhe në fund mund të jemi të varfër. E me duart tona të shkatërrojmë të gjitha këto pasuri që ka dhëne Zoti apo natyra, sepse këtu s’kemi atë që i ndan vendet dhe shtetet, në “të zhvilluar” dhe në “të pazhvilluar”.

Shtetet nuk dallohen “në të zhvilluar” dhe “të pazhvilluar” nga ajo që kanë, por nga ajo që dinë. Mund të kesh dhe s’ke, sepse s’di. Mund të mos kesh dhe ke, sepse di.

Ndihma japoneze është shumë e vyer, sepse sjell dije. Përveç fondeve, sjell një kulturë fantastike të të parit të gjërave dhe të të nxjerrit të asaj që në shqip i thonë “dhjamin nga pleshti”. Nuk e di sesi do e përkthejmë në anglisht dhjamin dhe pleshtin, japonisht e kemi të pamundur, por dihet se ku është kuptimi i kësaj fjale.

Mua nuk më mbetet asgjë tjetër, përveçse të falënderoj miqtë tanë nga Japonia, duke i shprehur mirënjohje dhe konsideratë jo formale. Ky është një vend ku ka shumë partnerë, ku ka shumë donatorë, po ku jo të gjithë donatorët janë në gjendje që me pak të bëjnë shumë. Ka donatorë që me shumë, bëjnë pak. Japonezët janë donatorë që me pak, bëjnë shumë. Me edhe më shumë, do bëjmë edhe shumë më tepër.

Na takon ne që të jemi në lartësinë e këtij partneriteti, të jemi të besueshëm, të mund që gjithë këtë mrekulli që quhet Shqipëri, përsa ka pasur në dorë Zoti apo natyra, që është një arsye shumë e fortë për t’i bërë njerëzit që të vijnë, të mos e zhbëjmë në sytë e miqve dhe partnerëve tanë me paditurinë, me vrazhdësinë dhe me paaftësinë, që shpesh herë ka bërë në gjithë këto vite, por dhe në historinë e këtij vendi, që të humbasim shanse, të humbasim mundësi, të humbasim miq, të humbasim partnerë, të humbasim deri dhe lidhjet me botën, – siç ndodhi për 50 vite me radhë, – në një kohë, të cilës nuk duam t’i kthehemi më për njëmijenjë arsye, por edhe për arsye se në atë kohë, Japonia këtu shikohej me sy shumë  të keq.

Shumë faleminderit!

* * *

Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) nënshkroi sot, një marrëveshje me qeverinë shqiptare për zbatimin e projektit për informacionin Gjeo-hapësinor dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territorit në zonën Tiranë-Durrës. Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në Sallën e Hartave në Kryeministri dhe në të ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama.

Tirana ka pësuar rritje të jashtëzakonshme si urbane, ashtu edhe të popullsisë në dekadat e fundit. Shërbime të tilla si zhvillimi i infrastrukturës së nevojshme, shërbimet për administrimin e territorit, përfshirë ndërtimin e banesave, furnizimin me ujë dhe kanalizime, menaxhimin e mbetjeve si dhe transporti publik, kërkojnë zhvillim mbi planifikime të mirëstudiuara.

Objektivi kryesor i këtij projekti është të rrisë aktivitetet për zhvillimin social dhe ekonomik të zonës Tiranë-Durrës, përmes shfrytëzimit të hartave topografike digjitale të shkallëve të mëdha. Projekti synon të zhvillojë edhe kapacitetet e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeo-hapësinor (ASIG), për të prodhuar harta topografike të shkallëve të mëdha, të përpikta.

JICA është prezentë në Shqipëri në fusha të ndryshme. Aktualisht, sektorët ku JICA është përqendruar përfshijnë mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e industrive lokale, zhvillimin e  sektorit privat dhe promovimin e turizmit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.