Albert Cara, i cili i mbijetoi tragjedisë së 26 nëntorit që i mori jetën anëtarëve të tjerë të familjes së tij, vetëm dy ditë më parë u kthye nga Italia ku mori trajtim të specializuar. Zoti Cara është sistemuar në shtëpinë e re, ku sot u vizitua nga Kryeministri Rama.
I shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, Kryeministri Rama tha se ajo 26 nëntori ishte një ditë shumë e rëndë. “Ne do bëjmë maksimumin. Kemi bërë ca gjëra dhe jemi në dispozicion për çdo gjë. Të kemi lidhur një pension të veçantë, të përjetshëm. Ta kesh jetën sa më të gjatë e të të rrojnë gjithë çfarë ke tani rreth e rrotull”, – i tha Kryeministri Albertit, i cili
tregoi mes dhimbjesh historinë e tij, teksa shpreh mirënjohjen edhe për kujdesin e treguar në Itali. Ai tha se është munduar t’i japë forcë vetes, përtej dhimbjes së patregueshme të humbjes së familjes. “Unë kam rilindur, Bari ishte materniteti i dytë për mua. E quaj tamam rilindje. Pjesën time do ta jetoj.”
Kryeministri siguroi se askush nuk do të lihet vetëm. “Ne kemi bërë sa kemi mundur e do bëjmë sa mundemi dhe për të tjerët që kanë mbetur rrugëve pa shtëpi. Do t’ua bëjmë shtëpitë, do t’i bëjmë të gjitha. Do pak durim, kuptohet dhe durimi nuk është një mall që gjendet kollaj, por do t’ia bëjmë të gjithëve atë që mundemi”.
Newsroom
Kamëz, në shtëpinë e re të Albert Carës