Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama gjatë prezantimit të projekteve të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve:

Një pyetje do të doja t’i bëja të gjithë atyre që po e ndjekin këtë aktivitet: “A ju ka rënë rasti të shihni ndonjëherë ndonjë qytet, ndonjë lagje apo ndonjë vendbanim të shëmtuar ku njerëzit jetojnë mirë?!”

Nëse secili e ndjek me mend filmin e imagjinatës, për të gërmuar në kujtesën e vetë çka ka parë, besoj që do ta ketë të pamundur që të thotë “Po! Unë kam parë një qytet, unë kam parë një lagje, unë kam parë një vendbanim të shëmtuar, të papastër, ku njerëzit ishin të pasur, jetonin mirë dhe buzëqeshnin!”

Nga ana tjetër, vjen një pyetje e radhës: “A është paraja që e sjell bukurinë e një qyteti, e një lagjeje, e një vendbanimi apo është bukuria që sjell paranë?”

Unë besoj që të dyja sjellin njëra-tjetrën dhe vazhdimisht më mundon një pyetje: “Si shpjegohet që stërgjyshërit tanë, që kishin shumë më pak para, shumë më pak njohje të botës që ndodhej përtej kufijve, ndërtuan vendbanime dhe godina që sot kanë një vlerë të pakrasueshme, jo vetëm estetike po edhe pasurore në raport me gjithçka u ndërtua në rrumpallën e tranzicionit, pavarësisht se u investuan shumë para. Stërgjyshërit tanë nuk kishin informacionin që kemi ne sot, por askush prej tyre nuk ndërtoi mbi lumë. Askush prej tyre nuk i gdhendi gurët e shtëpisë dhe nuk ia vuri asaj dritaret, duke i bërë karshillëk natyrës. Askush prej tyre, nëse do ta kishin marrë këshilltar për zhvillimin urban në fillim të viteve ’90, nuk do të na këshillonte që të ndërtonim “Zvicrën” në buzët e Lanës, në Tiranë. Ju e mbani mend mirë se si në buzët e Lanës u predikua model i një kapitalizmi agresiv, vibrant shqiptar, një model i panjohur në botë. Apo e keni parë sesi ndërtimi, lagja informale e Bathores, u quajt zyrtarisht nga një Kryeministër “Mrekullia e 8-të e botës”. E para shëmbëlltyrë e zhvillimit urban që u bë pa leje, tha Kryeministri.

Ndërkohë, duke u rikthyer përsëri te raporti i bukurës me mirëqenien dhe i qytetit si një element përbashkues për një komunitet që bashkëjeton në një hapësirë urbane me mirëqenien dhe me të ardhurat që ai gjeneron, unë kam dëshirë të sjell një shembull shumë modest dhe të thjeshtë. Në kohën kur filloi operacioni që u bë pastaj botërisht i famshëm i ngjyrosjes së fasadave të shkatërruara të Tiranës, të gjithë e mbajnë mend mirë se çfarë përqeshjeje dhe se çfarë cinizmi u derdh nga ata që i dinë të gjitha, pikërisht, sepse nuk dinë asgjë, por ndërkohë një fakt i thjeshtë ndodhi aty për aty. Në rrugët apo në minisheshet ku u bë kjo ndërhyrje, vlera e apartamenteve dhe e dyqaneve menjëherë u dyfishua apo trefishua. Menjëherë! Pra, me një ndërhyrje, në dukje për t’u dukur, të gjithë banorët e atyre pjesëve ku ndodhi ndërhyrja u bënë menjëherë zotëruesit e një pasurie të patundshme që kishte një vlerë shumë më të madhe. Sigurisht, ka një arsye pse ndodh kjo, ashtu siç ka një arsye të madhe, sepse raporti mes pasurisë dhe bukurisë, në kuptimin e një hapësire publike të organizuar bukur, është kaq i drejtpërdrejtë.

Ka një arsye të madhe që është e njëjta arsye që sot në Korçë çon disa dhjetëra herë më shumë vizitorë dhe turistë, sesa çonte përpara sesa ky operacion të fillonte. Është e njëjta arsye që, ju siguroj, në Kavajë do të çojë dhjetëra herë më shumë vizitorë dhe turistë nga ata që do të vijnë për në plazh, por me siguri do të dëshirojnë që një pasdite apo një darkë, ta kalojnë në një qytet të rilindur që për kë nuk e ka parë është i falur të nënqeshë, por për mua që e kam ndjekur procesin e transformimit është një nga surprizat më të mëdha, se si një shëmbëlltyrë e transformuar në një quasi qenef nga një politikë e verbër dhe tërësisht idiote, mund të transformohet papritur nëpërmjet një ndërhyrje në zemrën e vetë, në një qytet të vogël mesdhetar, që ju siguroj, nuk ka asgjë më pak sesa plot qytete të vegjël mesdhetar të Mesdheut Perëndimor, që ne e shikojmë me aq admirim.

Më kujtohet, në fund të viteve ’90, unë isha Ministër i Kulturës dhe erdhi në Tiranë një gazetare shumë dashamirëse e një revistë të madhe italiane dhe në fund, pas ikjes së saj bëri një shkrim dashamirës për Shqipërinë. Dhe kur u rikthyer në Tiranën e rilindur përmes ngjyrave më tha një shprehje që më ka mbetur në mend: “Kam hequr një ankth shumë të madh, sepse kur jam larguar nga Tirana nuk më është ndarë për javë të tëra pezmi që vizitova një kryeqytet në mes të Europës ku nuk mund të bëja dot as edhe një fotografi për t’ia treguar të tjerëve, sepse thjeshtë do t’i rrisja perceptimin negativ për Shqipërinë”.

Filmi që patë është një sintezë që nuk bën drejtësi për atë që ka ndodhur në fakt në territor në vetëm 18 muaj. Në 18 muaj ku gjithçka është filluar nga zero, në këtë aspekt, pasi ajo që trashëguam si një tryezë vendimmarrje për projekte në mbështetje të bashkive dhe komunave s’ishte asgjë tjetër përveçse një tryezë ku verbëria, mediokriteti dhe injoranca e plotë lidhur me hapësirën publike dhe me rrugën e zhvillimit urban ishin ulur këmbëkryq dhe projekte që vetëm projekte nuk mund të quheshin, sepse ishin, nganjëherë as me një fletë vizatimi, por vetëm me shkrim dore se çfarë do bëheshin. Miratohej thjeshtë dhe vetëm politikisht, përmes një politike që i trajtoi qytetet kryesore të qeverisura nga socialistët si kështjella armiqsh për t’u asfiksuar dhe për t’u pushtuar.

Historitë e bashkive të Durrësit,- të Tiranës për një periudhë kohe,- por të Elbasanit, të Korçës, të Vlorës dhe me radhë përfshirë edhe Lezhën, ku as ajo paqja e përkohshme e koalicionit nuk bëri fajde, të kujtojnë historinë e përshkruar nga Ismail Kadareja tek libri “Kështjella”.

Një qeveri, një pushtet, një lukuni e tërë zyrtarësh nga më të lartët, deri tek më qesharakët atje nëpër qytete të impenjuar në një rreth antidemokratik për të marrë peng kështjellën dhe për ta shembur me çdo kusht kryetarin e bashkisë.

Kështu ndodhi që në gjithë këto vite qytete me një rëndësi strategjike apo zona me rëndësi strategjike për Shqipërinë për zhvillimin e ekonomisë, për zhvillimin e ekonomisë, për zhvillimin e turizmit u lanë në mëshirë të fatit. Kështu ndodhi që qytetet në tërësi u lanë në mëshirë të fatit. Kështu ndodhi që sot, në këto qytete jo vetëm ato që përmenda, por dhe në shumë të tjera, investimi i bërë nga kjo qeveri në vetëm 18 muaj, është më i madh se ç’është bërë në 20 vjet, nga kontributet e qeverisë qendrore për qytetin. Por kjo ka dhe një arsye tjetër që është në fakt arsyeja, se përse duhet refuzuar në 21 qershor nga çdo shqiptar dhe shqiptare që e do sot qytetin e vet -dhe kur them sot qytetin e vet, nuk kam parasysh vetëm ata që jetojnë në bashkinë e dikurshme, por kam parasysh të gjithë ata që jetonin komunave, sot jetojnë në bashkinë e re të Lezhës, apo të Elbasanit e me rradhë – dhe kjo arsye është që forca që paraqitet si alternative. Është një forcë antiqytet, në kuptimin antiurbanizim, në kuptimin antiestetik, në kuptimin vulgaritet demokratik. Flasin faktet. Mjafton të shikojmë vijën bregdetare të Jonit, një perlë për të cilën të gjithë kanë folur, për të cilën kemi thënë qysh në fillim të viteve 90 se këtu është potenciali i madh i zhvillimit. Një perlë, një vijë e madhe bregdetare, që populli shqiptar si sovran deshi, duke bërë atë, që bën ajo thënia, “Zoti e desh” ta shpëtonim në momentin që po e kapte flama e bathorizimit dhe ku po shfaqeshin gjatë gjithë trupit të vet ato zhvillime, që mund të mirëkuptohen në një zonë informale ku njerëzit ndërtojnë si jua pret mendja, sepse askush nuk ju thotë se si mund të ndërtojnë më mirë. Por si mund të falen kur bëhet fjalë për një nga thesaret e vendit. E si është e mundur që nga njëra anë, për vite të tëra kanë tundur flamurin nacionalizmit, të patriotizmit të dashurisë, të atdhedashurisë, të dashurisë për figurat e historisë që nga Teuta e ilirëve për të cilën flasin sikur e kanë patur shoqe klase e deri tek Ismail Qemali, me të cilin kanë qënë në konkurrencë të vazhdueshme, pavarësisht se nuk e thonin dhe ta linin Gjirokastrën për 20 e kusur vite, pa asnjë kokërr leku investim dhe ta linin atë xhevahir të vërtetë të trashëgimisë kulturore të rrënohej në sytë e të gjithëve me shtëpitë që binin njëra pas tjetrës sikur ishte skena gjigande e një morti. Po Beratin? – për të njëjtat arsye. Sepse ishin kështjellat të socialistëve dhe dashuria, nostalgjia apo përkatësia në klasë me Teutën e ilirëve ishte këtu në Tiranë, kurse atje vazhdonte lufta e barbarëve, për të marrë peng këto qytete që në fakt janë burimet më të mëdha të zhvillimit tonë të qëndrueshëm drejt të ardhmes, për arsye thjesht dhe vetëm politike.

Nga ana tjetër, dua ta nënvizoj fort se këtu nuk është çështja e një përplasjeje tradicionale, se kush bën më shumë “rrugë, rrugë, rrugë”. Këtu çështja është e një përplasjeje mes dy botësh që nuk kanë fare lidhje me njëra-tjetrën, mes dy filozofish që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, mes dy vizionesh zhvillimi të qëndrueshëm, që nuk kanë lidhje fare me njëri tjetrin dhe mes dy rrugësh që janë krejtësisht të kundërta me njëra-tjetrën. Rruga jonë është rruga në drejtimin e duhur dhe rruga e tyre është rruga në drejtimin e gabuar se nuk po e them atë fjalën tjetër.

Pra, bëhet fjalë për një ndryshim në filozofi që ne kemi sjellë. Sigurisht, në 18 muaj ne nuk mund të kuronim të gjitha plagët e Shqipërisë. Nga ana tjetër, sigurisht që Shqipëria sot nuk është më territori i 25 viteve më parë, ku mund të fillohej me sira dhe me formën tradicionale të të kuptuarit të zhvillimit urban dhe me ato planet klasike rregulluese, të cilat nuk kanë patur, nuk kanë dhe nuk kanë asnjë gjasë që të kenë sukses, në një realitet si realiteti ynë, që për kaq vite është zhvilluar paralelisht me letrat, njësoj si me të gjithë ligjet e tjera.

Shqipëria me kohë ka patur shumë ligje që në realitet kanë patur si pasqyrë një tjetër sistem të ligjëruar. Po kështu, nëse planet rregulluese janë ligje, atëherë njësoj planet rregulluese, studimet pjesore dhe të gjitha këto histori kanë bashkëjetuar në një dy korsi paralele; Shqipëria e ndërtimtarisë ka bërë punën e vet, Shqipëria e burokracisë ka vazhduar në të vetën.

Mirëpo, nuk jemi në kushtet kur duhet të shpikim diçka që nuk ekziston. Jemi në kushtet kur duhet të shohim dhe të mësojmë nga të tjerët, sepse nuk është Shqipëria i vetmi vend që gjendet përballë kësaj sfide të zhvillimit dhe nuk është Shqipëria i vetmi vend ku kjo sfidë e zhvillimit është aq e lidhur, dhe pse në pamje të parë e padukshme, me zhvillimin ekonomik e social. Duke iu referuar shembujve që kanë bërë histori në zhvillimin e qyteteve dhe pastaj të vendeve, ne jemi për një filozofi që është qartësisht një filozofi që të çon nga urbanizimi tek zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe social, duke përdorur jo instrumentin e planifikimit burokratik, si një justifikim dhe pastaj lëre të rrjedhë realitetin në të vetën, por atë që është, ka marrë statusin e qytetarisë në teorinë e zhvillimit urban dhe ekonomik, agupunkturën urbane.

Njësoj si agupunktura që prek në pikat nevralgjike të një trupi të rraskapitur dhe që çliron energji që më pas ripërtërinë gjithë trupin, kështu edhe zhvillimi historik revolucionar dhe fantastik i shumë qyteteve edhe në Mesdhe, edhe në shekullin e 20-të edhe pas Luftës së Dytë Botërore ka ndodhur pas ndërhyrjeve të tilla. Kush i sheh këto ndërhyrje si teka, apo si lajthitje apo si luks, nuk kupton fuqinë që ka qendra për të induktuar periferinë në formën e zhvillimit urban, nuk kupton se çfarë do të thotë t’i japësh Librazhdit, një xhepi fallco,- atje, të lënë që nga koha e Enverit, me një kthesë ku në vend të një sheshi kishte një parkim makinash dhe ku askush nuk kthehej, por të gjithë ndalonin nga ana tjetër afër lumit se aty kishte një byrektore, – një shesh mesdhetar të standardeve europiane, që kthehet në një hapësirë komunikimi dhe bashkëveprimi si e para mundësi graviteti për komunitetin, për një komunitet që 25 vjet e lanë nëpër trotuare. Keni parë ndonjë komunitet në vendet ku keni shkuar që të xhirojë nëpër trotuare se sheshin e kanë zënë makinat.

Ama, nga ana tjetër duhet ta jemi shumë të qartë se këto ndërhyrje nuk janë çelësi magjik, por janë fillimi i çlirimit të energjive që në formë kapilare do të shkojnë dhe do të prekin të gjitha periferitë e sotme të bashkive të reja, do të shkojnë të prekim akset kryesore të qarkullimit të jetës së njerëzve në formën e njerëzve, në formën e mallrave dhe në formën e komunikimit intensiv, që jo domosdoshmërisht janë thjesht e vetëm rrugët. Se, kemi parë gjatë gjithë kësaj kohe në Shqipëri, gjëra të hatashme, shpenzime të hatashme, abuzime të hatashme me të cilat mund të ishin bërë gjërat për së mbari prej shumë e shumë kohësh.

Filmi nuk bën drejtësi për faktin se janë 166 ndërhyrje të tilla. 166 ndërhyrje të tilla, të cilat vetiu krijojnë pastaj atë fenomen për të cilin flitet shumë sot, në debatin e brendshëm të urbanistikës dhe arkitekturës moderne, kur bëhet fjalë për zhvillimin e zonave të rënduara që nga periferia e Nju Jorkut deri në zonat e botës së tretë, metabolizmin urban. Atë formë transformimi të territorit që është njësoj si forma e transformimit të një trupi që ripërtërihet përmes pikërisht ndërhyrjeve precize, që lidhin pika të ndryshme të trupit.

Ky fond që kemi krijuar është një fond që në vetvete është një instrument transformues dhe në transformim, sepse është fondi i dikurshëm që i dedikohej ai i famshmi grant, që ndahej për qejf në Ministrinë e Brendshme. I ndanin në Ministri të Brendshme këto, gjëra të habitshme dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe të gjitha fondet e tjera, burimet e tjera të financimit nga të tjera institucione financiare, për të vënë në dispozicion të bashkive dhe për të vënë në dispozicion të ekipeve drejtuese të bashkive dhe të vizionit të kryetarëve të bashkive, një instrument financiar që në kushtet tona nuk ka asnjë shans që ta prodhojë bashkia me të ardhurat tona. Por jo vetëm në kushtet tona, por në të gjitha kushtet, nuk ka shans, asnjë bashki, qoftë edhe bashkia e Londrës, që për një ndërhyrje masive urbane të vetëmjaftohet me burimet e veta. Përkundrazi, të gjitha janë financime agregate ku përfshihet rëndon qeveria kombëtare. Një qeveri kombëtare e papërfshirë në fatet e qyteteve, e papërfshirë në fatet e bashkive bën as më shumë e as më pak, atë rrënim që iu bë Shqipërisë në 20 e kusur vite. Është shumë e thjeshtë. Shikoni Shqipërinë e 20 e kusur viteve nga pikëpamja e zhvillimit urban, nga pikëpamja e transformimit e trupit të saj dhe duke kthyer kokën pas, për ata që janë pak më në moshë, kujtoni si ishte trupi i Shqipërisë para 20 e kusur vitesh dhe si është sot. Aty ku s’e preku ky zhvillimi i paqëndrueshëm barbar është magjik, aty ku zhvillimi i paqëndrueshëm barbar hyri është katastrofik.

Për ta mbyllur, pse, si dhe sa, këto ndërhyrje do të stimulojnë drejtpërdrejt ekonominë, pse, si dhe sa, këto ndërhyrje do të stimulojnë drejtpërdrejt ekonominë, e cila nuk mund të jetë e shkëputur nga shpresa dhe nga perspektiva që krijohet përmes shpresës së njerëzve që jetojnë një realitet.

Së pari, sepse këto ndërhyrje krijojnë komunitet. Nuk janë më qytetet dhe territoret si ato konviktet vetëm me një korridor pa drita, me erën e veçantë në fund të korridorit dhe bashkë me atë zhurmën e ujit që rrjedh, se gjithmonë harrohet çezma hapur dhe secili në atë zgafellën e vet, ku edhe aty brenda duhet të kapi cepin e vet, se te cepi tjetër është një tjetër. Këto janë qytetet që krijoi Saliu, këto janë qytete që krijon vizioni barbar i zhvillimit, të hamë sot çfarë kemi për të ngrënë se nesër do të gjejmë. Këto janë qytete dhe territoret që u transformuan nga nevoja e jashtëzakonshme për zhvillim, për ekonomi dhe për pronë private e njerëzve dhe verbëria, shurdhëria dhe injoranca e jashtëzakonshme e atyre forcave qeverisëse që duhet t’i orientonin njerëzit.

E kam thënë kur kam qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës, kështu që askush nuk mund të akuzojë se po e them sot, nuk ka bashki në Shqipëri, as Bashkia e Tiranës që mund të funksionojë nëse nuk ka përputhje në vizion, në program dhe në strategjinë e ecjes përpara, me qeverinë kombëtare. Është e pamundur. Jo për fatin se e bllokon apo s’e bllokon qeveria kombëtare, por për faktin dhe mospërputhja nuk mund të krijojë dot sinergji. Mungesa e sinergjisë nuk mund të krijojë dot zhvillim. Kriza në Tiranë ka filluar kur filloi mospëruthja mes meje dhe qeverisë së kohës, që nuk ishte qeveria e qametit që erdhi më mbrapa, të kuptohemi. Prandaj sot, nuk është çelja e fushatës. Do të kemi kohë të flasim gjatë gjithë fushatës, sepse për ne, kjo është një betejë për në Shqipërinë Europiane, në kuptimin më të vërtetë të fjalës. Më gjeni një vend europian dhe e vini gishtin në një qytet europian, edhe me 5 mijë banorë po të doni, që nuk ka shesh, që nuk ka qendër, që nuk ka pika konvergimi të komunitetit dhe që nuk arrin të ketë asnjë instrument atraksioni për vizitorët. Nuk është e vërtetë që turizmin e prodhon vetëm trashëgimia kulturore, është krejtësisht e pavërtetë. Më besoni se fluksin e vizitorëve në Shqipëri dhe fluksin e turistëve në Shqipëri dhe interesin në Shqipëri, edhe për një sërë vitesh të tjera do ta krijojë qoftë dhe thjeshtë misteri i të panjohurës. Nuk është e mundur që nga çfarë ndodh në Korçë të mos përfitojë edhe Librazhdi, të mos përfitojë rrugës edhe Prrenjasi, Elbasani pa dyshim; Nga çfarë ndodh në Berat të mos përfitojë edhe Lushnja, të mos përfitojë edhe Skrapari më tutje; Nga çfarë ndodh në Gjirokastër të mos përfitojë edhe Tepelena, por të mos përfitojë edhe Këlcyra dhe Përmeti, por edhe Memaliaj.

Mjafton që, ne të krijojmë ato pika gjenerimi të energjisë urbane dhe sociale që pastaj, vetiu rrisin flukset dhe prurjet e njerëzve që shpenzojnë dhe kështu bëjnë ekonomi. Çfarë biznesi të vogël do të zhvillojmë ne në gjithë qytetet tona? Do të zhvillojmë atë biznes që lidhet jo vetëm me çfarë nevojash të përditshme kanë qytetarët që i banojnë ato qytete, por edhe çfarë kërkesash mund të kenë ata që i vizitojnë ato qytete.

Le të jemi të drejtë. Nuk e vizitonin Korçën e përpara Niko Peleshit aq shumë shqiptarë nga Tirana sa ç’e vizitonin pas zgjedhjes dhe pas realizimit të projekteve të Niko Peleshit. Unë njoh plot njerëz të cilët kanë vajtur në Korçë për herë të parë këto vitet e fundit. Ku të shkonin? Përse?! Ku të shkonin dhe kë të takonin?! Nuk mjaftojnë vetëm shtëpitë e vjetra me ato zonjat me lakror, duhen edhe ato gjëra të tjera që sot Korça po i ka dhe do t’i ketë edhe më shumë. Sepse në Korçë po ndodh një fenomen. Një fenomen, që është një model për t’u marrë shembull se si trashëgimia kulturore bashkëjeton me inovacionin dhe me modernitetin. Nuk flasim për gjëra të mëdha që janë përtej mundësive tona. Flasim për gjera që janë plotësisht brenda mundësive tona. Flasim për gjera që janë plotësisht të mundura dhe jo në një hark shumë të gjatë kohor. Kështu që, nëse para një viti e gjysmë Vangjush Dako ishte kthyer në një luftëtar për të mbajtur si të mundej në këmbë një qytet që i dridheshin këmbët, u desh vetëm një vit e gjysmë që sot jo vetëm të kemi bum projektesh, por të kemi edhe disa projekte që do t’i ekspozojmë në javët në vijim të cilat do të ishin të paimagjinueshme vetëm një vit e gjysmë më parë në atë qytet. Në Durrës dhe në Kavajë një artist i madh shqiptar, një artist i kuotuar shumë lartë sot në botën e artit bashkëkohor një durrsak, është kthyer për herë të parë për të vendosur artin e tij. Unë nuk e ekzagjeroj fare nëse them që qoftë edhe ato dy vepra arti “Rrezja e Dritës” në sheshin e rindërtuar të Durrësit dhe Simboli i Demokracisë, – aty pastaj do të shohim vizualisht diferencën mes atyre dy gishtave që vetëm gishta nuk ishin, dhe projektit të ri, – do të jenë edhe një arsye më shumë që njerëzit të shkojnë të shohin këto qytete, që studentët e artit të shkojnë për t’i vizituar këto qytete, që të shkojnë për t’i parë këto vepra. Kështu, pak nga pak, gjerat do të ecin, sepse një gjë mund të jetë pak dhe pak është në krahasim me aspiratat tona, por është plotësisht e sigurtë që ne jemi në drejtimin e duhur. Ka vetëm një mënyrë shumë të thjeshtë për të kuptuar drejtimin: Zgjidh kandidatët e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” dhe ke zgjedhur drejtimin e duhur; Zgjidh kë kanë përballë dhe pastaj ngri duart dhe shih se çfarë mund të ndodhë.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.