Sistemi i ri ultramodern i laboratorëve të analizave ka nisur implementimin prej pak muajsh në QSUT, për t’u shtrirë së shpejti në të gjithë territorin, me të njëjtën cilësi, si rrjet kombëtar i laboratorëve publikë shëndetësore në vend.
Për të vizituar hapësirën e re ku është instaluar teknologjia më e përparuar laboratorike, ishte sot në Qendrën Spitalore Universitare, në Tiranë, kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.
Ky projekt gjigand dhe i rëndësishëm i partneritetit publik, privat që hap një kapitull tjetër të modernizimit të shërbimit shëndetësor, do të zbatohet së shpejti edhe në spitalet e tjera të vendit, duke ofruar një gamë të larmishme analizash me nivel të lartë saktësie.
“Në QSUT prej pak muaj ka filluar edhe implementimi i projektit të partneritetit publik privat për laboratorët. Jo vetëm në QSUT, por janë planifikuar të 18 spitalet në të gjithë vendin. Aktualisht janë 5 spitale në Tiranë në të cilat ka filluar zbatimi i këtij partneriteti, duke ofruar një gamë të gjerë të analizave, duke rritur me mbi 50 % edhe në spitalet rajonale llojshmërinë e analizave laboratorike që kryhen në spitalet tona, duke krijuar mundësinë edhe të diagnostifikimit më të hershëm, të ndjekjes më të mirë të pacientëve. Ndërkohë që përveç 5 spitaleve të Tiranës që janë spitale universitare ka filluar edhe spitali i Fierit dhe i Beratit të zbatojë këtë projekt të ri. Ndërkohë që brenda muajit korrik do të jetë edhe spitali i Elbasanit, Lezhës dhe Durrësit që fillojnë aktivitetin me të gjithë llojet e analizave.” – u shpreh Ministrja Manastirliu, e cila shtoi se “brenda muajit tetor shtrihet në të gjithë spitale, ku janë përfshirë edhe dy spitale bashkiake që është Lushnja dhe Saranda, të cilat janë pjesë e këtij programi për sigurimin e nivelit më të lartë të cilësisë së analizave.”
Laboratori i ri ku është instaluar teknologjia moderne e kohës, ofron jo vetëm saktësi në analiza dhe diagnostifikim të mirë, por shërben edhe si një mjedis inovativ dhe edukues. “Kjo është një risi teknologjike në fakt, që shumë pak vende në Europë e kanë. Është një revolucion që ka ndodhur në këtë pjesë, që shkurton kohën e përpunimit dhe ul përqindjen e gabimeve. Laboratori është ndërtuar me konceptin jo vetëm diagnozë, por edhe inovacion dhe edukim, pra i përfshin të gjithë elementët së bashku.” – u shpreh drejtuesja e këtij laboratori.
Në sajë të sistemit të kompjuterizuar të të gjitha analizave, kryerja e tyre do të bëhet me të njëjtin standard në të gjitha spitalet. “Për herë të parë vendosim një sistem të kompjuterizuar të të gjitha analizave dhe përfshirja e këtij sistemi, jo vetëm në QSUT, por në të gjithë spitalet që janë përfshirë në këtë partneritet, krijon më shumë lehtësi për të certifikuar analizat sepse tani analizat do të jenë të të njëjtit standard në të gjitha spitalet. Jemi duke certifikuar tashmë laboratorët sipas standardeve ndërkombëtare duke garantuar më shumë siguri.” – u shpreh Ministrja Manastirliu.