Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me struktura publike dhe kompani të mirëmbajtjes së akseve rrugore në vend, ku u prezantua edhe krijimi i Flotës së Solidaritetit, qëllimi i së cilës është reagimi i shpejtë dhe efikas në çdo situatë:
E vërteta është se nuk kam qenë vërtetë kritik në këtë drejtim, për shkak se tani fillon puna konkrete me financimin masiv që është vënë në dispozicion të mirëmbajtjes. Janë 13 milionë euro në vit, që do të financojnë mirëmbajtjen e akseve kryesore, për një total prej 1332 kilometrash dhe pjesa tjetër, që janë dhe 2600 kilometra, do të mirëmbahen me një financim nga Buxheti i Shtetit prej 3.7 miliardë.
Jemi në kushtet kur kemi mundësi të bëjmë një ndryshim të madh dhe të hapim një kapitull të ri për mirëmbajtjen, që është një nga dramat më të mëdha të trashëguara në të gjitha fushat, sepse mendësia e të qeverisurit dhe të funksionarit ka qenë vazhdimisht: të bëjmë projekte e të bëjmë punë të reja, vepra e objekte të reja, por për mirëmbajtjen shohim e bëjmë. Ndërkohë që mirëmbajtja është pjesë integrale e një projekti apo objekti të ri.
Ajo që dua të nënvizoj është se së pari, ne i qëndrojmë bindjes se, nëse sot nuk kemi as edhe një rrugë kombëtare që mund të certifikohet me standarde sigurie dhe qarkullueshmërie të Bashkimit Euorpian, brenda këtyre katër viteve, kjo situatë do të ndryshojë dhe ne do të kemi akse të rëndësishme kombëtare të certifikueshme me standardet e BE. Për këtë vlen edhe financimi nga qeveria i disa veprave shumë të rëndësishme, duke filluar nga vepra e re në hyrje të Tiranës, që do të transformojë komplet gjithë sistemin e qarkullimit, duke krijuar aty një nyje të re, një vepër arti infrastrukturore për hyrje-daljen nga Tirana dhe për ndarjen e fluksit, qoftë në Unazën e Re nga krahu tanimë i ndërtuar, qoftë në pjesën që do të ndërtohet për t’u lidhur me pikën ku jemi këtu, Bulevardin e Ri.
Të tjera vepra shumë të rëndësishme, siç është by-pass-i poshtë në zonën e Tepelenës; përfundimi i rrugës legjendare Korçe – Ersekë, për të cilën përsëri kemi financuar; fillimi i punës me rrugën e Arbrit nga programi i financimit “1 miliardë për rindërtim”; çuar përpara dhe lidhja e kontratave, besoj brenda pjesës së parë të vitit, për rrugën Thumanë – Kashar, për rrugën Balldren-Milot; më tutje, fillimi i punës, besoj po brenda këtij viti, për rrugën e re Kashar – Rrogozhinë, e cila do të ndërtohet me një skemë financimi me pagesë; rindërtimi dhe përfundimi i rrugës së filluar, e rindërtuar dhe asnjëherë të përfunduar, nga Rrogozhina deri në Fier; tanimë mund ta themi se jemi shumë afër edhe zgjidhjes së nyjës së tmerrshme të dy by-pass-eve, të Fierit dhe të Vlorës, për t’i dhënë edhe atyre nisjen dhe përfundimin pa ndërprerje e pa bllokim më; të gjitha këto, sëbashku me të tjera projekte që nuk po i përmend se fatmirësisht janë shumë, janë njëra anë e medaljes. Ana tjetër është mirëmbajtja.
Më vjen shumë mirë që janë tre kompani serioze dhe nga më të mëdhatë, që tanimë kanë një eksperiencë të madhe në ndërtimin e infrastrukturës rrugore, kompani shqiptare, të cilat kanë marrë përsipër kontratat rajonale të mirëmbajtjes. Mendoj se duhet të përmirësojmë skemën e supervizimit, pasi nuk besoj se me një supervizim të vetëm në shkallë kombëtare jemi në gjendje të ndjekim gjithë këtë proces delikat, që është procesi i mirëmbajtjes. E rëndësishme është që qysh në pranverë, njerëzit do të fillojnë të shikojnë vetë se shumë nga ato pjesë rrugësh kryesore, duke filluar që nga rruga nga Kashari në Durrës që është një problem më vete, do të përmirësohen ndjeshëm, me një mirëmbajtje të standardeve europiane. Unë jam i bindur për këtë, jo thjesht sepse financimi është i mjaftueshëm, por edhe sepse kompanitë janë mjaftueshmërisht të besueshme dhe të besuara për këtë proces.
Kam bindjen që ashtu sikundër në sprovën e parë me emergjencën e para pak kohë, prefektët e rinj do të provohen si një vlerë e shtuar në këtë proces, për ta ndjekur të gjithë procesin e mirëmbajtjes me sytë e qytetarëve dhe të atyre që shfrytëzojnë rrugën kombëtare dhe për të informuar në kohë reale qeverinë lidhur me problematika të ndryshme.
Pika e fundit, por jo për nga rëndësia, është Flota e Solidaritetit. Ne jemi shumë të kënaqur që me kompanitë kemi mirëkuptim të plotë, që historia legjendare e peripecive të rrugëve që mbyllen se bie borë do përfundojë. Bora mund të vazhdojë të bjerë, por kompanitë duhet të vazhdojnë në kohë reale të zgjidhin problemin, siç zgjidhet në çdo vend ku bie borë, me gjithë atë sistem të parashikuar në kontratat e mirëmbajtjes, me kripëzimin dhe mjetet në dispozicion. Kjo duhet të jetë “A”-ja në raport me garantimin e gjithë shërbimeve dhe gjithë lëvizshmërisë së qytetarëve, edhe në mot të vështirë.
Me prefektët kemi biseduar që kësaj bërthame të Flotës së Solidaritetit, që është një bërthamë stabile, do t’i shtohen jo vetëm kompanitë, rreth 58 kompani, në mos gabohem, që operojnë në pjesën tjetër të territorit për mirëmbajtjen e atyre rreth 2900 kilometrave që janë rrugë më dytësore, por jo dytësore për nga rëndësia, por edhe sipërmarrje të tjera, të cilat do të regjistrohen në këtë Flotë, duke e shprehur paraprakisht atë gatishmëri që gjithmonë shprehin, – është një gjë e madhe dhe shumë pozitive që sa herë kemi probleme me emergjencat, kemi shumë gatishmëri nga biznesi, – për të pasur një skemë organizimi të emergjencave krejt moderne, ku vullnetarizmi nuk shfaqet në ditën ku ka rënë fatkeqësia, por shfaqet kohë përpara si gatishmëri dhe pastaj, çdokush e di se ku e ka pozicionin në hartën ku zhvillohet emergjenca, për të bërë gjënë e duhur.
Ne kemi diskutuar për këtë me prefektët, të cilët kanë filluar punën e do të jenë bashkëpunëtorët tuaj të afërt. Nga ana tjetër që ju të shprehni shqetësime që mund të keni edhe me drejtorinë e rrugëve, se ne e dimë çfarë është drejtoria e rrugëve, – është një agjenci, e cila tani ka hyrë në një proces reformimi, por ka shumë probleme të brendshme e sëmundje të të shkuarës për të zgjidhur. Para pak ditësh, ministri i Infrastrukturës i ka kërkuar prokurorisë hapjen e një procesi penal për një abuzim kolosal. Miliona e dhjetëra milionë euro, si pasojë e papërgjegjshmërisë së kësaj agjencie dhe jo vetëm në euro, por edhe në çfarë kostosh ka krijuar për Buxhetin e Shtetit, për qytetarin, për imazhin tonë si vend, bëhet fjalë për një krim të rëndë e krime të tilla në historinë e Drejtorisë së Rrugëve ju mund të dëshmoni më shumë, seç mund të dëshmoj unë. Jemi të vendosur që t’i japim fund kësaj epoke dhe Drejtorinë e Rrugëve ta kthejmë realisht në një agjenci të standardeve europiane, që realisht garanton procesin jetik për vendin në raport me zhvillimin e infrastrukturës, mirëmbajtjen e saj dhe kontrollin mbi gjithë proceset që kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore.
Shumë faleminderit për praninë tuaj!
Shumë faleminderit për gatishmërinë për të bërë më shumë, sesa thjesht zbatimin e kontratës, sepse atë e keni detyrë ligjore dhe nuk është çështje vullnetarizmi. Me shumë besim e bindje që këtë vit, ne do çelim një kapitull të ri për infrastrukturën e vendit tonë dhe një kapitull të ri për mirëmbajtjen, unë ju uroj të gjithëve që të keni mbarësi e sukses, jo vetëm në këtë detyrë, por në gjithë rrugëtimin e kompanive tuaja, qoftë si ndërtues, qoftë si supervizorë.