Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Fjala e Kryeministrit Rama në takimin me ministra, kryebashkiakë dhe  përfaqësues të industrisë së riciklimit:

 

Beteja e radhës është  një betejë shumë e rëndësishme, e barazvlefshme për nga ambicia dhe vështirësitë me çka kemi bërë lidhur me energjinë, lidhur me ndërtimet pa leje dhe në disa fusha të tjera, ku ka dhe një domosdoshmëri jetike për të imponuar një kthesë rrënjësore, në radhë të parë duke filluar të ndalojmë inercinë e së shkuarës. Por sigurisht kjo është një beteje edhe më komplekse sepse kërkon me patjetër rritjen e ndjeshmërisë dhe përfshirjen e qytetarëve. E kam fjalën për betejën për të pastruar më tej Shqipërinë duke siguruar një marrëdhënie të re me mbetjet, që do të thotë një marrëdhënie e re me mjedisin.

Ne miratuam përpara pak ditësh një ligj që siç e dini është një ligj që hapi një debat të madh, të cilin unë e konsideroj një mundësi të madhe për të nisur këtë punë dhe për ta çuar në një nivel të ri, për shkak edhe të këtij sensibiliteti që e ushqen debatin. Një sensibilitet tërësisht të justifikuar po të kemi parasysh se çfarë ka ndodhur në vendin tonë, në vitet e tranzicionit me plehrat, me mbetjet dhe për pasojë me fushat e bashkive për grumbullimin dhe administrimin e mbetjeve, me lumenjtë, me plazhet, me zonat turistike, me zonat e trashëgimisë kulturore, e me radhë.

Së pari, duhet të jete e qartë për të gjithë që ky ligj harmonizon legjislacionin tonë me direktivën 1013 të BE për menaxhimin e mbetjeve.  Është një ligj për të cilin jemi të vetëdijshëm që jemi jo në përputhje të plotë me direktivën e BE, pasi ligji ka kufizime specifike të vetëdijshme nga ana jonë që nuk i ka në asnjë vend tjetër të BE ose të zonës që aspiron për t’u bërë pjesë e BE në rajonin tonë.

Pra, ligji është më i kufizuar sesa ç’është në Kosovë, Mal të zi, në Serbi, në Bosnje dhe shumë më i kufizuar se ç’është në Maqedoni ku ka një hapësirë më të madhe.

Sidoqoftë me ligin e ri është e qartë që nga një anë ndalohet rreptësisht importi i plehrave për djegie apo groposje dhe lejohen  vetëm ato kode materialesh për të cilat ka kapacitete përpunimi në Shqipëri dhe të cilat krijojnë një vlerë të shtuar për industrinë e riciklimit, që nga ana e vet, e dinë të gjithë, është në një moment dramatik; ose të pranojë fundin e ekzistencës së vet në Shqipëri, duke shpallur falimentin ose duke u spostuar në vende të tjera të rajonit, ose të marrë frymë dhe të jetë motori i këtij procesi që nuk mund dot të ketë asnjë shans suksesi pa industrinë e riciklimit.

Kodet e lejuara janë të njehsuara mes konventës së Bazelit, kodit tarifor dhe doganor dhe katalogut të mbetjeve, të treja këto dokumente të BE. Importin, ligji e sheh të kufizuar në deri tre pika doganore, ku patjetër do të jenë të përqendruara edhe kapacitetet e nevojshme njerëzore dhe teknike për të monitoruar procesin, i cili duhet thënë në vetvete nuk paraqet asnjë lloj rrezikshmërie, zero.

Autorizimi për importin e mbetjeve iu jepet vetëm subjekteve që kanë aktivitet riciklues. Pra, kush nuk ka një fabrikë riciklimi nuk merr dot autorizim për të importuar këto lëndë të para. Ligji autorizon ministrin si autoriteti përgjegjës për dhënien e autorizimeve, ndryshe nga më parë kur këtë e bënte Këshilli i Ministrave, sepse ne besojmë  që përgjegjësia për këtë proces duhet të jetë ligjërisht e qartë, në raport me domosdoshmërinë që askush mos të fshihet pas përgjegjësisë kolektive, përgjegjësisë së organit kolegjial dhe kush shkel ligjin të jetë përgjegjës para ligjit.

Sigurisht që në aspektin ekonomik është e qartë si drita e diellit se, nëse ne nuk do ndërmerrnim këtë hap, do të shkonim me papërgjegjshmëri drejt një humbjeje të madhe në disa plane.

Së pari, do të humbisnim 234 milion euro investime në teknologji, të cilat, faktikisht do të spostoheshin drejt vendeve të tjera.

Së dyti, do të humbisnim 35 mijë vende pune, një pjesë – dhe saktësisht 3273 vende pune të formalizuara, – me taksa e sigurime shoqërore, një pjesë tjetër, 30 mijë, shifra e rrumbullakosur, vende pune të krijuara me vetëpunësim, të një rrjeti njerëzish që janë pjesa më e varfër dhe më në nevojë në Republikën e Shqipërisë.

Ndërkohë që qëllimi është që edhe këtë pjesë ne ta formalizojmë, jo ta lëmë pa bukë. Industria aktualisht punon me pothuajse 30% të kapacitetit, mesatarisht, të përpunimit si pasojë e faktit që lënda e vendit mungon dhe rëndom është e një cilësie mjaft të dobët, për shkak të mënyrës sesi gjithë procesi administrohet.

Nga ana tjetër, është absolutisht e thjeshtë për të bërë llogarinë që duke i dhënë këtë frymëmarrje industrisë, ne mund të fusim në ekonomi një vlere të shtuar prej 150 milionë eurosh, 1% e Prodhimit tonë të Brendshëm Kombëtar.

Por ky impakt pozitiv ekonomik që në fakt pasohet me një efekt domino dhe me industri të lidhura me riciklimin, që nga ulja e kostove të lëndës së parë kur ajo prodhohet në vend sepse faktikisht fabrikat e riciklimit prodhojnë pastaj lëndë të parë për konsumin dhe deri tek rritja e aktivitetit ekonomik për të gjithë ofruesit e shërbimeve.

Pra, siç është në të gjithë Europën, siç është edhe në rajon, kjo industri këtu, duhet të jetë një nga motorët e zhvillimit ekonomik dhe nuk mundet të falimentojë, duke krijuar premisën që Shqipëria të jetë shumë më e ndotur sesa c’është.

Por, ajo që na sjell këtu sot në këtë tryezë dhe që është më e rëndësishmja në këtë proces është që kjo industri nuk mund dot të bëjë atë që është detyra e bashkive dhe detyra e përbashkët e qytetarëve. Kam dëgjuar shumë këto ditë dhe ndër shumë gjëra, kam dëgjuar shpesh që ta bëjë industria gjithë këtë punë, duke mos e lënë të importojë lëndë të para, dytësore nga jashtë, por duke e detyruar të mbledhë gjithë mbetjet e riciklueshme të Shqipërisë. Ky është një absurditet që nuk ka lidhje me realitetin dhe që do të thotë shkatërrim i kësaj industrie.

Kjo industri është dhe duhet ta shohim me prioritet si partneren e patjetërsueshme, të pazëvendësueshme të qeverisë vendore për  këtë proces. Qeveria vendore ka detyrën që të çelë një kapitull të ri për të krijuar një raport të ri të qytetarëve me këtë fushë, të çdo familjeje që konsumon me mbetjet e konsumit të vet, që do të thotë të fillojmë intensivisht ndarjen e mbetjeve në burim, në kazanë.

Sot, ne kemi një situatë në ndryshim, me një ndryshim relativ pasi nga njëra anë kemi bërë investime të konsiderueshme për të stabilizuar situatën dramatike në disa zona. Zona e Elbasanit sot është në një situatë krejt tjetër në raport me atë që ishte, zona e Korçës sot është në një situatë krejt tjetër në raport me atë se çfarë ishte.

Së shpejti, e njëjta gjë do të ndodhë dhe me zonën e Vlorës. Zona e Tiranës është në një situatë krejt tjetër dhe në ditët në vijim bëhet praktikisht pararoja e këtij procesi falë krijimit të kompanisë publike me aksione të ndara mes Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Veronës. Por, pa riciklimin gjithë këto investime faktikisht kanë një vlerë shumë relative sepse fushat sanitare që ne po ndërtojmë e kanë të pamundur të kthejnë investimin, në rast se nuk ka ndarje dhe riciklim.

Fushat sanitare kanë një jetëgjatësi të caktuar, e cila mund të zgjatet dhe do të zgjatet në raport se sa do të heqim ne nga fushat, duke e çuar tek industria.

Për herë të parë në 25 vjet, bashkitë janë në gjendje të koordinojnë së bashku punën për pastrimin dhe menaxhimin e territorit. Fushat sanitare nuk mund të jenë dot jetëgjata dhe nuk mund dot as të funksionojnë, në rast se bashkitë nuk janë aksionere në atë zonë dhe nëse fushat nuk administrohen bashkërisht.

Rasti i fushës sanitare të Bushatit është tipik, është një investim i kryer që nuk funksionon sepse duhet të përfshihen bashkë të gjitha njësitë vendore. E nëse përpara kjo ishte gati e pamundur dhe faktikisht e pamundur për shkak të gjithë atyre komunave, sot janë pak bashki që mund ta bëjnë këtë siç po bëhet në Korçë, siç do bëhet në Elbasan, siç do bëhet në Vlorë, e kështu me radhë. Pra mendoj që reforma e krijon bazën për një zgjidhje.

Së dyti, bashkitë sot kanë shumë më tepër mundësi se deri dje, të fillonin me ndarjen në burim të të gjitha lëndëve që janë përcaktuara si lëndët bazë të industrisë së riciklimit dhe madje për të nxjerrë përfitime nga ky proces.

Lidhja e marrëveshjeve për të promovuar përpunimin e mbetjeve në vend me operatorët e industrisë së riciklimit, është domosdoshmëri dhe operatorët e industrisë së riciklimit janë të ftuar që të hyjnë në një proces ndërveprimi me njëri-tjetrin për t’u bërë partner të bashkive edhe në procesin e pastrimit, në mënyrë që gjithë procesi i ndarjes, nga ndarja në burim deri tek fusha të jetë një proces i bashkadministruar.

Shumë shpejt ne do të botojmë kodin uniformë të 61 bashkive për procesin e pastrimit dhe do të unifikojmë gjithë procedurën e trajtimit të mbetjeve urbane në gjithë Shqipërinë. I kemi kaluar bashkive kompetenca për arsimin parashkollor, për rrugët rurale, për një pjesë të rrugëve rajonale.

Me inventarin e ri të rrugëve që po përgatitet, ky kalim do të bëhet i plotë dhe përfundimtar, shërbimi zjarrëfikës, pyjet dhe kullotat, ujësjellësit, kanalet vaditëse, qendrat shëndetësore. Por tani është momenti për të shtuar dhe për ta vënë në krye të listës menaxhimin e mbetjeve, për ta bërë Shqipërinë shumë më të pastër që c’është. Shqipëria sot është më e pastër se c’ishte 3 vjet më parë dhe këtë e them bazuar në fakte, por është ende një vend që nuk është i pastër, është larg së qeni vendi i pastër që duhet të jetë.

Neni 21 i ligjit e përcakton qartë përgjegjësinë e menaxhimit të integruar të mbetjeve kur thotë se: kryebashkiakët janë përgjegjës për menaxhimin dhe administrimin e mbetjeve që krijohen brenda kufirit të tyre administrativ.

Ky specifikim e shndërron respektimin dhe zbatimin e suksesshëm të këtij ligji, në një detyrim të drejtpërdrejtë për të zgjedhurit vendorë.

Kushtet kur resurset janë më të pakta, jo më të shumta, riciklimi i mbetjeve për të prodhuar resurse të reja, konsiderohet nga BE si kyç për garantimin e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm në të ardhmen, sado e çuditshme të duket kjo.

Është një proces që edhe në BE ka filluar në vitet ‘90 dhe faktikisht BE po ia sheh çdo vit e më shumë të mirat. BE synon që në vitin 2020 të ketë një mesatare të riciklimit të mbetjeve në gjithë territorin e vet 50 %. Është një ambicie shumë e madhe. Ndërkohë që ne duam që deri në vitin 2020 të jemi mbi 35 %.

Dua që këtë takim ta shfrytëzojmë për të vënë gurin e parë të themelit të urës që duhet lidhë pazgjidhshmërisht bashkitë për industrinë e riciklimit dhe për t’i ftuar të dyja palët që të ulen në tryezë, në marrëdhënie bilaterale mes bashkisë dhe industrisë, por dhe marrëdhënie disapalëshe mes disa bashkive dhe industrisë për të ndërtuar një plan konkret harmonizimi të këtij procesi dhe për të ndërtuar një partneritet që duhet të krijojë premisat e suksesit në këtë betejë kaq të vështirë sepse është një betejë ku çdo qytetar dhe çdo familje duhet të përfshihet.

Është një betejë ku nevoja e gjithsekujt për të pasur një lagje më të pastër, një qytet më të pastër, një Shqipëri më të pastër duhet të përkthehet në kontributin e gjithsekujt.

Paralelisht me këtë duhet të punojmë për të përforcuar masat lidhur me respektimin e detyrimeve në këtë proces, respektimit të detyrimeve të bashkive, të industrisë ricikluese, të qytetarëve.

Qeveria do të luajë një rol, patjetër të madh me të gjitha mundësitë tona për ta koordinuar këtë proces.

Paralelisht me punën voluminoze dhe me thënë të drejtën, me rezultate mbresëlënëse të Ministrisë së Mjedisit, – sepse janë faktet që flasin, nuk janë as filmat e viteve ‘90 e as perceptimet që krijohen nga propaganda, – ne besojmë që kemi nevojë edhe të futemi në proces si qeveri tërësisht, edhe zyra e Kryeministrit për të koordinuar sa më shumë mes bashkive dhe industrisë së riciklimit.

Për këtë arsye, unë dëshiroj që fillimisht t’i jap fjalën ministrit të Mjedisit dhe pastaj zonjës Çuçi, e cila do të jetë Koordinatore Kombëtare e zyrës së Kryeministrit për procesin e ndërveprimit mes qeverisë, bashkisë, industrisë dhe qytetarëve, gjë për të cilën ne shumë shpejt do të bëjmë publike gjithë strategjinë dhe planin përkatës të masave.

Së pari, ne në programin e vitit të ardhshëm të Rilindjes Urbane do të përfshijmë edhe zërin e administrimit të mbetjeve nga bashkitë. Është një program i cili është i tëri në shërbim të komuniteteve dhe në dispozicion të bashkive ku përfshirja e këtij zëri do të jetë një stimul për bashkitë që do të bëjnë projekte serioze, të mirë argumentuara dhe do të kërkojnë financa plus për t’iu përgjigjur kësaj sfide.

Së dyti, edhe njëherë duhet nënvizuar, pafundësisht duhet nënvizuar që ajo që thuhet rëndom në këtë debat se po vijnë në Shqipëri plehrat e botës, është një marrëzi.

Ne kemi hapur rrugën që edhe Shqipëria me industrinë e saj të riciklimit të futet në një proces të cilin Bashkimi Europian për vetveten e konsideron kyç të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social.

Mjafton t’ju them dy shifra:

Në krizën globale të periudhës 2007-2009, BE e rriti importin e mbetjeve nga vende të tjera për vetveten, me fokus tek mbetjet metalike, 50%.

E dyta, në periudhën nga kriza deri më sot, punësimi në këtë sektor në BE është rritur me 45%. Parashikimi i BE i përfitueshmërisë nga procesi i riciklimit është rritje e produktivitetit të ekonomisë europiane me 30%.

Pra nuk bëhet fjalë këtu se BE ka ca plehra që s’di ku t’i çojë dhe Shqipëria po hap dyert, – kjo është një fantazi që me të drejtë është e sëmurë për shkak të 20 e kusur viteve katrahurë këtu me mbetjet, – por e kundërta është e vërtetë. Ky është një treg ku konkurrenca është maksimale. Siç e dëshmojnë edhe përfaqësuesit e industrisë tonë të riciklimit, beteja për të marrë diçka nga ky treg është e përditshme, që nga bursa, deri tek përpjekjet e vazhdueshme për partneritete kompani me kompani, midis vendeve.

Brenda Bashkimit Europian, import-eksporti i mbetjeve është një nga aktivitetet më intensive tregtare që zhvillohet sot.

Të përziesh gjithë këtë proces transformues dhe emancipues, – që në Bashkimin Europian ka filluar në vitet ’90, dhe që po sjell çdo vit për BE, fitime financiare dhe përfitim të madh në kuptimin e pastërtisë dhe mbrojtjes së mjedisit, – me mafian, është një tjetër budallallëk. Sepse mafia është armiku më i betuar i riciklimit. Mafia nuk merret me riciklim. Mafia merret me djegie dhe me groposje. Është shumë e thjeshtë për mafien që kontrollon aty ku kontrollon fushat e plehrave, apo industrinë e djegies, duhet që sa më shumë ton të vijnë atje, sepse qytetarët duhet ta kuptojnë që për çdo ton që bashkitë çojnë në fushën sanitare paguajnë nga buxheti i tyre. Çfarë nuk shkon atje, por rikthehet në prodhim është një pjesë e konsiderueshme që i hiqet mafies nga duart.

Prandaj në zonën e Napolit nuk mund të bësh debat normal për riciklimin dhe për ndarjen e mbetjeve në burim. Prandaj në zonën e Napolit industritë e riciklimit janë minimale dhe as nuk mund të zhvillohen normalisht dhe të marrin, të importojnë mbetje të gjelbra, sepse janë ballë për ballë me mafian.

Po ia kaloj fjalën zonjës Ornela Çuçi, e cila në fakt është një zbulim gjatë këtij debati si pedagoge dhe eksperte e kualifikuar brenda e jashtë vendit për mjedisin. E falënderoj që pranoi ftesën time për tu përfshirë në këtë proces si koordinatore kombëtare, në funksion të këtij ndërveprimi për llogari të zyrës së kryeministrit.

Nga ana tjetër, dua ta mbyll duke nënvizuar atë që tha ministri. Ne jemi në gjendje të mirëkuptojmë cdokënd që është sinqerisht refuzues ndaj këtij ligji të ri dhe ndaj këtij procesi deri në momentin kur ka vullnet për të dëgjuar, për tu informuar, për të kuptuar të vërtetën.

Edhe në atë pjesë të shoqërisë civile që është ekzaltuar verbërisht për t’iu kundërvënë pa argumente, pa fakte, pa informacion, pa asnjë lidhje me proceset normale që zhvillohen brenda hapësirës europiane, jemi të gatshëm që të diskutojmë e të ballafaqohemi në fushën e të vërtetave, sepse 25 vjet kanë qenë më shumë se tepër për të rritur përtej racionales ndjeshmërinë e njerëzve për plehrat. Por ama, ajo që ne kemi bërë në gjithë këtë periudhë, ndoshta jo shumë e dukshme për qytetarët, është që sot, ne mund të themi se afro 80% e territorit të Shqipërisë është e mbuluar me investime që garantojnë kalimin nga kthimi i lumenjve në fusha plehrash, në një fazë ku fushat sanitare janë në dispozicion të bashkive.

Këtu shoqëria civile besoj që ka një rol të madh për të luajtur në rritjen e ndjeshmërisë së qytetarëve. Sepse po diskutonim më parë në Bashkinë e Gjirokastrës, para disa kohësh u bë një aksion i madh për një përrua që kalon atje, që ishte i bllokuar nga plehrat, nga të gjitha llojet e mbeturinave që qytetarët i hidhnin në përrua. U angazhuan punonjësit e bashkisë me litarë për t’u futur në përrua e për ta pastruar krejtësisht përroin. Por çfarë ndodhi? Një vit më pas e njëjta situatë. Kjo nuk është që “qytetari i hedh plehrat ku të dojë dhe bashkia duhet t’i pastrojë” e pastaj kjo histori të përsëritet në mënyrë ciklike. Por kjo është që, së bashku, secili të bëjë detyrën e vet.

Qytetari nuk mund të bëjë detyrën e qeverisë. Qeveria ka një detyrë shumë më të madhe, shumë më komplekse. Qytetari nuk mund të bëjë detyrën e Bashkisë, por qytetari duhet të bëjë detyrën e vet, sepse secili mund të jetë ose një kontributor për pastrimin, ose një ndotës. Këtu është beteja jonë në këtë proces që është emancipues.

Vendet e emancipuara e kanë zgjidhur këtë dilemë dhe nuk merren më me këto marrëzira, që “duhet apo s’duhet të importojmë” lëndë të para.

Të bëjmë referendume për të drejtën e kompanive që të funksionojnë në treg. Të bëjmë referendume kundër direktivave të BE dhe kundër procesit të integrimit dhe të jemi i vetmi vend në Europë që jemi ndryshe. Ndërkohë që, ja ku e kemi rreth e rrotull, shembulli që solli ministri është tipik.

Më thoni cfarë kuptimi ka që ajo industri, ajo fabrikë, merr karton dhe letër të përdorur të hedhur në kazanë, e kthen në ambalazh për produkte bujqësore shqiptare, vendase. Produktet bujqësore, vendase shkojnë në Kosovë dhe kompania nuk ka të drejtë që të importojë ato kuti që atje pasi të përdoren, sepse e ka të ndaluar. Çfarë kuptimi ka kjo?! E duhet pastaj të përballojë me kosto shumë më të mëdha një proces normal aktiviteti që krijon punësim, që krijon ekonomi, që krijon kushte për ta pasur më të pastër Shqipërinë.

Kjo është një pamje e përgjithshme. E ndërkohë që Ministria e Mjedisit ka bërë hapa të konsiderueshëm në të gjitha aspektet e kësaj pamjeje që lidhen me qeverinë, ajo që vlen për t’u nënvizuar është se nuk mund të thuhet e njëjta gjë për bashkitë. Por nga ana tjetër, bashkitë kanë një justifikim të shëndetshëm për faktin se janë sot, por nuk ishin dje në gjendje të bënin diçka të tillë sepse me njësi aq të vogla dhe me një territor aq të copëzuar është absolutisht e pamundur që një gjë e tillë të bëhet. Për këtë arsye ne e kemi theksuar vazhdimisht gjatë kohës që promovonim reformën administrative, territoriale se një nga pikat kyçe të ndryshimit rrënjësor që sjell reformimi që reforma i bëri nivelit të dytë të qeverisjes, është krijimi i një hapësire krejt të re dhe një potenciali krejt të ri pikërisht në këtë fushë. Sot bashkitë nuk kanë më justifikim për të mos hyrë në këtë proces dhe për të mos mbuluar aspektet e pamjes që parashtroi koordinatorja lidhur me mbetjet.

Patjetër që bashkitë në këtë proces kanë nevojë për mbështetje konkrete dhe të vazhdueshme nga ana e qeverisë dhe për këtë Ministria e Mjedisit ka dhënë të gjithë shembujt, sesi kur ka vullnet për ndërveprim ka dhe mbështetje dhe sukses. Në Elbasan, shumë shpejt fillon të vihet në lëvizje dhe fundi i procesit, pra transformimi i mbetjeve të pariciklueshme, në energji elektrike, -për herë të parë në Shqipëri. Por, nëse në Shqipëri bëhet për herë të parë, në vendet normale kjo është rutinë, tanimë. Në Fier e njëjta gjë, me përfundimin e investimit që është rezultat i iniciativës së ministrisë së mjedisit në bashkëpunim me bashkinë e re të Fierit, edhe në Fier do të kemi të njëjtën situatë, situatë që krijon kushte për një administrim shumë më jetëgjatë të fushës sanitare dhe për kthim në ekonomi edhe të atyre mbetjeve që janë të pariciklueshme.

Në Korçë e njëjta gjë. Fusha sanitare është e standardeve më të larta europiane dhe aty është ndërtuar shembulli ekselent që duhet ndjekur nga të gjitha bashkitë e tjera, sesi të gjitha bashkitë e Korçës pa dallim, të majta e të djathta janë bashkuar dhe janë bërë aksionere. Pra, nëse sot nga ky proces përfiton vetëm industria, nesër duhet të përfitojnë bashkitë. Nëse industria blen mbetje jashtë për t‘i sjellë këtu dhe ndërkohë këtu mbledh mbetje përmes rrjetit të saj kazan më kazan, nesër industria do t’i blejë këto mbetje nga bashkitë, nëse bashkitë do jenë në gjendje që të ndërtojnë këto rrjete dhe të kenë një administrim funksional.

Pra, është një përfitim ekonomik i drejtpërdrejtë për komunitetet vendore sepse shton kapacitetin financiar të bashkive dhe nuk po flasim për ëndrra, por po flasim për gjëra që mjafton të kalosh kufirin dhe janë realitete në bashki, që nga bashkitë e Gjermanisë deri tek bashkitë e Kroacisë apo bashki të tjera kudo ku mund të hedhim sytë. Kjo është një çështje vullneti, jo të gjitha e kanë, sigurisht, në rajon, por kush e ka vullnetin dhe kush e ka këmbënguljen për ta çuar përpara këtë proces, e bën. Prandaj kam dëshirë që të dëgjojmë tani kryetarin e bashkisë së Tiranës sepse bashkia e Tiranës është angazhuar shumë seriozisht në një proces që shënon një moment kapërcimi nga 25 vjet, “merri të gjitha dhe hidhi në Sharrë”, në një kapitull krejt të ri, ku më herët sesa vonë do të jetë përfituese nga shitja e mbetjeve që do të ndajë në burim.

Është fakt që industria e riciklimit për shkak të imponimit të mjedisit ku zhvillohet dhe për pamundësi normaliteti edhe sepse ne me vetëdije bllokuam gjithçka në momentin e parë, duke djegur përkohësisht edhe të njomin bashkë me të thatin, është sot e detyruar të konsiderojë domosdoshmërinë për të institucionalizuar bashkëpunimin me bashkitë dhe për t’u larguar sa më shpejt nga praktika e mbledhjes së çrregullt të mbetjeve nëpër kazanë që pastaj sjellin si efekt anësor të drejtpërdrejtë ndotjen e mjedisit rreth e rrotull pikave ku janë kazanët, por nga ana tjetër është e domosdoshme që bashkitë të mos e shohin më industrinë, si një kundërshtar me të cilën duhet të luftojnë shteg më shteg, pikërisht për shkak të kësaj anomalie që e krijon industria, por që rrënjët nuk i ka tek industria, i ka tek fakti që e gjitha kjo zhvillohet si luftë për mbijetesë mes bashkive dhe industrisë ndërkohë që bashkitë dhe industria duhet të jenë partnerë.

Bashkitë duhet ta kenë industrinë e riciklimit në tavolinë për gjithë këtë proces sepse industria e riciklimit është e interesuar drejtpërdrejtë dhe këtu është një bashkim interesash i domosdoshëm, pa të cilin asnjëra palë, as tjetra nuk do të jenë dot kurrë të qetë dhe mbi të gjitha pala e tretë që është qytetari që meriton respekt, do të jetë viktimë.

Unë me shumë kënaqësi do t jepja fjalën për një ndërhyrje kryetarit të shoqatës këtu të ricikluesve, i cili ka këmbëngulur prej kohësh pranë nesh për domosdoshmërinë që të hapet rruga për industrinë që të importojë lëndën e parë dhe nga ana tjetër ka shprehur gatishmërinë që e gjithë shoqata e kësaj industrie të jetë absolutisht në dispozicion të bashkive për të çelur një kapitull të ri partneriteti.

Fjala është për ju, që përveç tjerave mirë që keni gjithë këto këqija, por më keni dhënë dhe mua 4 milion euro për të hapur këtë debat histerik.

Janë dy momente që vlejnë shumë dhe mbase nuk kanë zënë vendin e duhur në këtë debat. E para, jo vetëm që këtu s’behet fjalë që Europa po na i lë ne këto mbetje të gjelbërta, por kompani europiane kanë në Shqipëri përfaqësues që merren pikërisht me marrjen e këtyre mbetjeve, e shisheve plastike, e kanoçeve, e ambalazheve për t’i çuar jashtë sepse i marrin badjava këtu dhe jashtë bëjnë para.

E dyta, – është shumë e vërtete edhe kjo, – që BE ka marrë masa ndëshkuese për eksportin, pra jo për t’i mbuluar që këto të importohen nga vende të tjera, por për të ndaluar që këto të dalin jashtë vendeve të tyre sepse kjo shishe në momentin që e mbaron funksionin e vet nuk është plehrë, kjo është para, para që duke u ricikluar rifutet në prodhim dhe përveçse para është edhe ose pastërti ose ndotje. Në rast se e marrim dhe e hedhim një shishe plastike në lumë, në ato fushat e improvizuara anës lumenjve do 1000 vjet që të tretet, me të gjitha dëmet që sjell.

Në rast se e marrim dhe e fusim në linjën e riciklimit, kjo bëhet përsëri shishe dhe ndërkohë në gjithë atë cikël ka sjellë punësim, ka sjellë përfitim ekonomik.

Sot ka një diskutim në Komisionin Europian shumë të avancuar dhe parashikimet janë që shumë shpejt Komisioni Europian do t’i heqi fare nga lista si mbetje, nuk do quhen më as mbetje, as lënde e parë, dytësore, por do të quhen lënde e parë dhe pikë! Të gjitha këto që janë në listën që parashikon ligji ynë.

Tani këtu i bie që për hir të paranojës të stimuluar nga kazani i politikës dhe i medias që s’dinë çfarë flasin, ne të jemi më budallenjtë në Europë dhe në emër të mbrojtës së Shqipërisë nga pabesia europiane, ne të jemi te vetmit që dalim si rruar e qethur në një histori, ku natyrisht ne nuk mund të bëhemi fuqi ekonomike në këtë fushë, siç është Gjermania, – që është një superfuqi, që mbledh përqindjen më të madhe të mbetjeve radioaktive nga anembanë dhe i përpunon në Gjermani, – por ne duhet të marrim në këtë treg atë që na takon, atë pikën tonë në oqean dhe gjithë kjo çmenduri nuk ka lidhje fare me realitetit e BE, me realitetin e ekonomisë, me realitetin e punësimit. Por për të avancuar më tutje unë mendoj që kjo marrëdhënie nuk është thjeshtë një marrëdhënie, “hajde t’ju ndihmojmë”. Kjo marrëdhënie duhet të jetë një marrëdhënie institucionale, ku shoqata duhet të shikojë mundësinë e krijimit të një partneriteti në proces.

Pra, përtej interesit individual të çdo sipërmarrësi dhe të çdo fabrike, vetë gjithë dija e mbledhur për shkak të punës në këtë shoqatë do të jetë shtysa që një sipërmarrje e re të krijohet, një sipërmarrje në nivel bashkiak mes bashkive dhe investitorëve të dalë nga shoqata, por edhe nga fusha të tjera. Sepse unë jam i bindur që nëse hapet ky proces edhe partnerët tuaj në ciklin e riciklimit që janë përfituesit nga bashkëpunimi me ju dhe që janë investitorë në Shqipëri, pra shqiptarë që marrin nga ju kutitë  e ambalazhit, marrin nga ju qeset plastike, marrin nga ju peletin e kështu me radhë, me siguri do të jenë të gatshëm t’u ofrohen bashkive si investitorë në këtë proces. E bashkitë të ikin nga kjo histori e tenderave dhe e kompanive fantazmë të pastrimit, – që bëjnë ekzaktësisht atë që tha Erioni, se unë e kam pasur në kurriz këtë eksperiencë, – hyjnë nëpër tendera me çmime që as nuk mund dot të justifikojnë gjithë atë që iu kërkohet. E pastaj për të fituar me ato çmime të ulëta as nuk bëjnë përpjekje për të pasur një nivel minimal të standardeve teknologjike të makinave, as nuk bëjnë përpjekje për të pasur një nivel minimal trajnimi të njerëzve që merren me këtë punë. Pra është një cikël i mbyllur mizerabël.

Ndërkohë që krijimi i kompanive publike-private, në bashkëpunim kompanitë e bashkisë së re, kompania e bashkisë së re për pastrimin, një kompani me aksione të përbashkëta publike dhe private është zgjidhja.

Sigurisht që zgjidhja e bashkisë së Tiranës është ideale, por kjo nuk është e thënë që është në gjendje ta bëjë çdo bashki sepse nuk është kollaj të gjesh një partner si Verona që të jetë e gatshme që të vijë etj. Por unë mund t’ju them vetëm kaq, që kompania e pastrimit ët Veronës është në treg dhe ofron shërbime edhe në Indi dhe i sjell bashkisë së Veronës para. Ndërkohë që kompanitë e pastrimit në Shqipëri në masën më të madhe janë shushunja që thithin atë pak gjak që kanë bashkitë për të dhënë në këtë fushë dhe që kthejnë mbrapsht një produkt absolutisht të padenjë për një vend që do të behet i pastër, si çdo vend i BE.

Prandaj do t’i ftoja shumë me insistim kryetarët e bashkive që të shikojnë te industria e riciklimit dhe jo vetëm të industria e riciklimit, por tek gjithë industritë që janë rreth industrisë së riciklimit, investitorët potencialë për të ndërtuar kompani publike private të pastrimit dhe për ta marrë këtë punë me themel nga sensibilizimi, ndarja në burim, tek grumbullimi, tek shitja. Pastaj edhe këta siç shkojnë i blejnë jashtë, të mos i marrin në kazan “qyl”, thjeshtë duke paguar ata të vetëpunësuarit që janë shtresa më e varfër, por të vijnë t’i blejnë aty në pikën e grumbullimit si njerëz më standarde, kuptohet sepse kur thuhet në raportin tuaj që mbetjet në Shqipëri janë një cilësi e dobët, jo se është cilësi e dobët shishja plastike, por cilësinë e dobët e krijon fakti që ajo që mblidhet është një proces i ndërmjetëm që duhet sjellë në vete, sepse mblidhet në kushte komplet të papërshtatshme që janë të imponuara faktikisht nga fakti që s’ka pjesëmarrje as bashkia, as qytetari, as qeveria në këtë proces prej 25 vjetësh, apo jo? Ky është edhe thelbi i çështjes.

Në bashkinë e Korçës ka një eksperiencë pozitive lidhur me atë që u tha këtu dhe ne do jemi shumë të angazhuar në këtë proces me të gjithë ju përmes drejtorive arsimore, por bashkia e Korçës ka avancuar në këtë proces tek fëmijët dhe tek shkolla si qendër komunitare.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.