Rruga Kardhiq-Delvinë, një aks strategjik për zhvillimin e turizmit dhe ekonominë do të jetë dëshmia e radhës e standardeve të Programit Kombëtar të Rrugëve. Kryeministri Edi Rama inspektoi lotet 5 dhe 6 të rrugës, e cila në projektin e rishikuar përfshin edhe ndërtimin e tunelit. Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro tha se ecuria e punimeve është e mirë. “Këtu jemi tek dy lotet e tjera. Është një gjatësi gati 8 kilometra. Kemi rrugë të standardizuar tashmë me 9 metra asfalt. Kemi një ecuri shumë të mirë të kontratave. Kemi terrenin më të vështirë të mundshëm. Është e gjithë zona malore. Nga Shijani deri te hyrja e Sarandës është një 6 kilometërsh që nuk ishte parashikuar fare në projekt që në fazën e parë. Pasi të mbarojë pjesa ndërtimore ne do bëjmë gjithë sinjalistikën dhe pak riparim në hyrje në Kardhiq, sepse kushtet e sigurisë si futesh atje janë gjërat që duhen rregulluar,” informoi Qendro.
Kryeministri Rama u shpreh se një kujdes i veçantë edhe në këtë rrugë po i kushtohet standardeve të ndërtimit dhe sigurisë, çka përbën edhe thelbin e ndryshimit me projektet e deridjeshme, duke shtuar se, me standardet e qeverisë së mëparshme ky aks konsiderohej i përfunduar. “Ata bënë dy sheshe inaugurimesh, i futën dhe në listë që i mbaruam dhe këto, edhe kilometrat e Delvinë-Kardhiqit ishin me atë listën e 10 mijë kilometrave,” u shpreh ai.
Ministri Gjiknuri shtoi se kjo është pjesa më e vështirë e projektit, pasi fillon me zonën malore dhe e konsideroi “një sfidë nga pikëpamja inxhinierike, se kjo është pjesa më e vështirë, të çash malin.” Por projekti ka nisur të japë efektet pozitive tashmë, sipas ministrit Gjiknuri, pasi ka krijuar një situatë të favorshme punësimi në qytetin e Sarandës, por gjithsesi, nënvizoi ai, sfidë vijon të mbetet gjetja e punonjësve të kualifikuar. “Këtu janë punësuar gati të gjitha kompanitë lokale. Ka krijuar edhe punësim. Të gjitha firmat janë futur në punë. Janë shumë të kënaqura. Unë i kam takuar vetë njerëzit në Sarandë. Impakti është i jashtëzakonshëm, zinxhir, përfshirë dhe banorët e zonës. I gjithë problemi është ajo sfida që ndjehet, e thonë vetë kompanitë, që mungojnë teknikë, p.sh, vështirë të gjesh manovratorë,” deklaroi ministri Gjiknuri.
Kryeministri Rama theksoi faktin se me këtë kantier merr impuls të ri jo vetëm ekonomia lokale, por edhe ajo kombëtare. “Këto kantiere e futin në zinxhir ekonominë dhe nga ana tjetër do na japë patjetër efekt të konsiderueshëm me rritjen ekonomike. Përsa i përket punësimit, pozitive është që janë përfshirë të gjitha kompanitë lokale në zinxhirin e procesit, por duhet të vazhdojmë me shkollat profesionale dhe kurset profesionale. Kompanitë e infrastrukturës duhet t’i përfshijmë në programin e kualifikimeve profesionale, që të marrin njerëz t’i trajnojnë dhe pastaj t’i fusin në punë,” u shpreh Kryeministri.