Deklaratë për shtyp e ministres së Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito:
Progres Raporti ishte një lajm shumë i mirë për atë se çfarë kemi arritur deri tani, në procesin e reformimit të Administratës Publike në Shqipëri. Është një konfirmim i progresit arritur në këto dy vite qeverisje.
Progresi në Administratën Publike vlerësohet me nivelin më të lartë, ndër 5 prioritetet, si mesatarisht i përgatitur, por është i të njëjtit nivel, ekzaktësisht me Serbinë dhe Malin e Zi, të cilët i kanë çelur tashmë negociatat.
E thënë me thjesht, për çështjet e Administratës Publike jemi në nivelin e nevojshëm për t’i çelur negociatat.
Sigurisht të kesh një administratë profesionalisht, të shkëputur nga ndikimet politike, të përkushtuar në shërbimin ndaj qytetarëve është një nevojë e domosdoshme për zhvillimin e vendit, por edhe një sfidë shumë e vështirë, veçanërisht në kushtet e asaj që trashëguam nga një tranzicion i stërzgjatur 23-vjeçar.
Trashëguam një sistem pa rregulla, një administratë të nëpërkëmbur dhe të politizuar dhe sidomos, një mungesë të plotë të vëmendjes ndaj qytetarit.
Progres Raporti vlerëson ecurinë e mirë jo vetëm me miratimin e një strategjie gjithëpërfshirëse dhe Kodit të ri të Procedurave Administrative, i cili prej vitesh vinte rrotull dhe nuk arrinte të shihte dritën e diellit, por mbi të gjitha, me zbatimin e praktikave në sistemin e rekrutimeve në Administratën Publike. Është kjo që i ka munguar gjithmonë Shqipërisë, zbatimi i ligjeve. Kemi sot një proces tërësisht të hapur, transparent dhe meritokratik, i cili është tashmë, një model i mirë edhe për vendet e rajonit.
Këtë hap thelbësor në reformimin e Administratës Publike në Shqipëri, Progres-raporti e evidenton qartësisht me shprehjen:
“Vazhdoni të demonstroni proces transparent dhe meritokratik në rekrutimet dhe shkarkimet në Shërbimin Civil.”
Por edhe më e rëndësishmja për qeverinë, është se kjo arritje që reflektohet në rikthimin e besimit të publikut në konkurset e zhvilluara nga Departamenti i Administratës Publike, në të cilat përgjatë një viti kanë aplikuar për të marrë pjesë rreth 24 mijë vetë, duke u bërë dëshmitarët e një sistemi që u ofron të gjithëve mundësi të barabarta.
Sidoqoftë, konfirmimi nga Bashkimi Europian është mjaft domethënës edhe për ata që janë ende skeptikë për reformën e ndërmarrë, apo edhe më keq, për ata që synim të vetëm kanë të hedhin baltë mbi punën e bërë.
Sigurisht që ky vlerësim na bën të ndihemi shumë mirë, pasi është një notë pozitive për punën e stërmundimshme të këtyre dy viteve. Por ne jemi të ndërgjegjshëm se nuk ka asnjë vend për vetëkënaqësi, pasi rruga drejt një qëllimi final është ende shumë, shumë e gjatë. Ajo vazhdon me vënien në efiçencë të plotë të sistemit të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, që ne e prezantuam pak ditë më parë, që është tashmë i implementuar në ministritë e linjës, por që do të shtrihet në të gjithë sistemin e administratës publike, si dhe në zbatimin me rigorozitet të Kodit të ri të Procedurave Administrative.
Ne jemi të vendosur të mos humbasim asnjë çast dhe ta thellojmë reformën me ritme sa më të shpejta, për të arritur ato standarde europiane që dëshirojmë të gjithë.
Ju faleminderit!