Kolegji i Europës në Tiranë çeli sot zyrtarisht vitin e ri akademik 2025 -2026, i cili shënon njëkohësisht vitin e dytë të prezencës së Kolegjit të Tiranës, me një interesim në rritje të studentëve nga rajoni dhe vendet anëtare të BE.
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në ceremoninë e organizuar me këtë rast, të cilën e hapi rektorja e Kolegjit të Europës në Tiranë Federica Mogherini.
Duke folur mbi ecurinë e Institucionit, ajo ilustroi përmes shifrave përbërjen e Kolegjit, ku sivjet studiojnë 41 studentë, të përzgjedhur pas një procesi të gjatë dhe sfidues mes 196 aplikuesve dhe shumë intervistave. Studentët, 52 % e të cilëve janë vajza dhe 48 % djem, vijnë nga 24 kombësi të ndryshme, ku 1/4 janë nga rajoni dhe pjesa tjetër nga shtetet anëtare të BE, dhe ku mosha mesatare është 26 vjeç.
“Ende nuk e kemi kampusin e ri të bukur gati, por falë jush kemi këtu një pikë horizonti midis asaj çfarë Europa është dhe asaj çfarë Europa ende duhet të bëhet.” – tha ndër të tjera Kryeministri Rama, në përshëndetjen drejtuar studentëve dhe pedagogëve të pranishëm.
* * *
Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Mirë se erdhët në Tiranë dhe faleminderit që më mirëpritet në kolegjin e Europës. Ende nuk e kemi kampusin e ri të bukur gati, por falë jush kemi këtu një pikë horizonti midis asaj çfarë Europa është dhe asaj çfarë Europa ende duhet të bëhet.
Ky është viti i dytë kur të rinj europianë mblidhen këtu në Shqipëri për të mësuar si mendon Europa, si debaton Europa dhe si transformon Europa vetveten dhe nuk mund të imagjinoja një vend kaq simbolik me gjithë respektin e mundshëm për Bryzh dhe Natolinën e meqë ra fjala duke qenë se shqetësohemi për ta, për miqtë tuaj në Bryzh dhe Natolin, që iu duhet të jetojnë nëpër qiej gri gjatë tërë kohës, u siguruam që dhe ju të kishit një qiell gri sot, si shenjë solidariteti me ta.
Shqipëria është një vend shumë i rrallë në Europën e sotme ku ëndrra europiane është ende e freskët, urgjente, emocionale, e pa marrë për të mirëqenë, ende e pa burokratizuar, ende e pa katandisur në një zhurmë të bezdisur në sfond të jetës së përditshme. Një vend që siç ua thashë homologëve të mi udhëheqës të mbledhur sot nga rajoni për samitin për Planin e ri të Rritjes, besimi për Europën është në një nivel kaq të lartë saqë edhe një veteran i vjetër i BE, si eurobarometri nuk bën dot gjë pos të skuqet si një adoleshent i dashuruar.
Europa nuk është gjeografi, është një zgjedhje. Europa nuk është një vend, Europa është vendim. Vendimi për të zgjedhur bashkëpunimin përkundrejt përplasjes, ligjin përkundrejt forcës, dialogun në vend të bërtiturave dhe me duhet të shtoj të vërteten në vend të stereotipave.
Më lini t’ju përmend një shembull të vogël,por që besoj thotë shumë. Pak ditë më parë sekretarja e brendshme e Mbretërisë së Bashkuar përmendi publikisht rreth 700 familje shqiptare që jetojnë në strehime të financuara nga paratë e tatim paguesve pas refuzimit të aplikimeve të tyre për azil. Për të justifikuar një valë të re të kthimeve familjare, 700 familje në një vend prej 67 milionë banorësh, një pëshpërime statistikore e fryrë në një sirenë politike. Tani pse po e përmend këtu këtë në Kolegjin e Europës në Tiranë? Aspak për tu ankuar, as për të dramatizuar e jo më për ta ngatërruar me BE me të divorcuarën kaq të hidhur, por pikërisht se është ky lloj refleksi politik të cilit Europa duhet ti rezistojë nëse do ti mbetet besnike vetes e tja dalë në një botë që po ndryshon në mënyrë dramatike. Kur një ministër europian edhe pas BREXIT që mund edhe ta kuptojmë se pse ka traumë atje, zgjedh të veçojë një bashkësi të vogël për të fituar pikë politike, ka diçka shumë të rëndësishme që tregohet qartë. Frika flet më fort sesa faktet. Stereotipat udhëtojnë ende më shpejtë sesa e vërteta dhe demagogjia ende vijon të gjejë një audiencë, të madhe madje.
E sidoqoftë faktet janë të qarta kristal. Që nga viti 2022 falë një pune intensive të përbashkët, mbërritjet e parregullta nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar thuajse janë zhdukur. Shqiptarët janë kontribuues neto në mbretërinë britanike. Shqiptarët që marrin përfitime nga Mbretëria e Bashkuar janë të papërfillshëm në numër krahasuar me komunitete të tjera, megjithatë e njëjta histori vazhdon sepse historia është e dobishme.
Këtu vjen lidhja të dashur studentë të Kolegjit të Europës në Tiranë. Zgjerimi që unë e shikoj si ribashkim, dështon kurdo herë kur stereotipet lulëzojnë dhe ribashkimi shuhet, kurdo frika bërtet më fortë sesa dija dhe Europa dobësohet sa herë që faktet iu dorëzohen narrativave, historive të sajuara. Dhe ja pse prania juaj në këtë kolegj ka kaq shumë rendësi sepse e ardhmja e Europës, administratorët e ardhshëm të Europës, diplomatët, negociatorët, komisioneret duhen formuar jo vetëm në të drejtë e politika, por formuar me kurajën për t’i rezistuar tundimit të lehtë të të gjeturit të kokave të turkut, për të njohur njerëzimin, përtej statistikave të emigracionit dhe për të mbrojtur të vërteten kur politika përpiqet ta shtrembërojë atë.
Po pse ka vlerë ribashkimi? Jo për Shqipërinë, por për Europën. Nëse Shqipëria beson thellësisht te projekti europian është sepse ne e dimë, ne nuk e dimë se e kemi lexuar në libra, e dimë në lëkurë se nga çfarë ju ruan, ju shpëton Europa. Ishim diktatura e fundit fare në Europë dhe ndjemë të gjithë peshën mizorë të izolimit si kurrë kush tjetër. Ne kuptojmë terrin që vjen kur një vend veçohet nga rrjedha europiane e gjakut por është një botë e re. Kur ishim në atë lloj zymtësie, bota nuk ishte kaq e ndërlidhur. Kur na kishin veçuar nga gjithë limfa europiane, nga gjithë organizmi europian, ai nuk ishte ndërveprues, nuk reagonte rreth gjakut tonë.
Sot kjo është e pashmangshme. Ja pse kur zgjerimi mbetet në vend, ashtu siç na ka treguar historia, nuk shohim vetëm vonesë politike, shohim një paralajmërim dhe kur një ministre europiane vë në shënjestër një bashkësi të vogël për të ushqyer emocione politike nuk shohim thjesht një titull apo një akt të vogël demagogjie, por shohim një simptomë sepse një Europë e cila normalizon padrejtësi të vogla ditë pas dite, dikur do jetë krejt e paaftë të përballet me padrejtësitë e mëdha.
Më lini t’ju paraqes 5 të vërteta sipas këndvështrimit tim që duhet të drejtojnë brezin e ardhshëm të europianeve, që do të thotë dhe ju mes brezave të ardhshëm.
E vërteta e parë, ribashkimi shëron historinë. Dhe e kemi parë, nisi me ribashkimin që shëroi historikun midis Francës dhe Gjermanisë, vazhdoi me shumë ribashkime edhe nga ai midis Gjermanisë e Gjermanisë ishte mëshirues i madh, sepse ribashkimi lidh e rilidh fate të cilat totalitarizmi dhe ndasitë i kanë gjymtuar.
E vërteta e dytë, ribashkimi zgjeron paqen. Pa shihini historinë e zgjerimit, çdo zgjerim nuk ka zgjeruar vetëm gjeografinë, por ka zgjedhur hapësirën e paqes dhe e ka bërë luftën shumë më pak të imagjinueshme midis vendesh, të cilat ishin përballur me shumë luftëra e përplasje me njeri- tjetrin.
E vërteta e tretë: Ribashkimi përmbush premtimin e Europës. Selanik 2003 nuk ishte një moment poetik, ishte një angazhim.
E vërteta e katërt, ribashkimi sjell energji, sjell rini e mundësi të reja. Kështu ka ndodhur me valën e mëparshme të zgjerimit dhe kështu do të jetë me ribashkimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në sepse asnjë vend që bëhet anëtar nuk është një barrë përpara se të jetë një motor i pashfrytëzuar energjie, rinie e mundësie.
E vërteta e pestë, ribashkimi mbron Europën nga vetja. Sepse një Europë e përçarë është më e lehtë për t’u manipuluar, një Europë e bashkuar është e pamundur të mposhtet, është çështje zgjedhjeje.
E të gjitha këto të vërteta janë në sy të të gjithëve, në faqet e historisë, të ilustruara me gjithmonë e më shumë fakte në varësi të vullnetit që kemi për t’i hyrë në thellësi, për mënyrën se si kemi ardhur deri këtu.
Kur bëhet fjalë për Shqipërinë ne vazhdojmë me punën tonë të bërë, që do të thotë rezultatet e dhëna në reforma, forcimi institucionesh, durimin e sprovuar edhe falë disa prej shteteve anëtare të përfaqësuara këtu nga disa prej ambasadorëve, konkretisht Gjermania dhe Holanda që janë në fakt ata që na e kanë sprovuar durimin më shumë se të tjerët, tani jam shumë mirënjohës për këtë, tani, po nuk isha atëherë kur sprovohesha.
Ne nuk kërkojmë asnjë privilegj, vetëm nderin, siç do të thoshte Jean Monnet: t’i shërbejmë Europës në mënyrë që Europa t’i shërbejë paqes. Dhe ka disa që në këndvështrimin tim dhe këtu jam pakicë në këtë rajon, me të drejtë, të cilët pyesnin veten, si mund të marrim më shumë vende, të bëhemi 29, të bëhemi 33, të bëhemi edhe 35 në një kohë që nuk funksionojmë dot normalisht as me 27. Po, sipas meje, kanë një argument, e kësisoj, na duhet t’i paqtojmë, na duhet t’i ndihmojmë, duhet t’i lëmë pas egot tona kombëtare dhe të mendojmë si europian, për një Europë të përbashkët. Një Europë të përbashkët që funksionon më mirë se Europa sot. Nuk ke nevojë për një Shqipëri që të vërë veton, nuk po përmend të tjerët, se është edhe më keq. Nuk duhet të këmbëngulësh, që të sapoardhurit, vendet e reja të kenë komisioner, ka mënyra të tjera, por duhet të ndash mendjen që të qenit brenda, të qenit pjesë e kësaj familjeje është ajo çka vlen, e gjithë pjesa tjetër janë procedura dhe të mbetesh në vend, sepse je fiksuar me gjërat që bëhen fiksimi i tyre dhe pastaj ata nuk munden që t’i përballojnë ato përballë publikut të tyre, kjo është shqetësuese.
Le ta bëjmë të thjeshtë, asnjë veto, asnjë votë kundër shumicës, asnjë komisioner, asnjë justifikim, e asnjë kërkesë, po vetëm përgjegjësi, kontribut dhe vetëm Europë. Atëherë unë besoj se periudha pas negociatave teknike do të jetë më e lehtë, jo e lehtë, por më e lehtë. Më lini ta mbyll me një fjalë në dy drejtime, jo dy ente, sepse Federika nuk është subjekt apo ent. Federika, sollët shkollën më ikonë të Europës në një vend ku vetëm mendojeni, gjatë jetës sonë, kur unë kam qenë edhe më i madh sesa ju, Europa ishte tërësisht e ndaluar, nuk kishte Europë këtu. Muzika e Europës, filmat e Europës, librat, arti i saj, trajtoheshin si diçka e ulët, mos të imagjinoje as ti prekje. Ishte një privim brutal, prej gjysmë shekulli, që na shndërroi në ata që e deshën më me zjarr Europën dhe kur e lamë pas errësirën dhe një prej folësve e përmendi që ky auditor quhet “Liria”, sepse ky ishte vendi ku momentet e para fare të grushtit përfundimtar ndaj regjimit filluan të ndodhnin. Ne nuk ishim të koordinuar, nuk ishim as të orientuar e të orkestruar nga dikush, po befas të gjithë ne, qindra, mijëra njerëz në rrugët e vendit thirrëm e bërtitëm një fjali, e kam parë, nuk kishte asnjë vend që doli nga komunizmi ku përmendej Europa në parullat e tyre. Ne bërtitëm “e duam Shqipërinë si e gjithë Europa”, kjo ishte ajo e jona. Por, kur erdhëm te Europa, tha gjejeni, kuptuam që dashuria nuk ishte tamam, ajo që i shkonte ndërmend Europës kur na shihte ne. Dashuria ishte diçka nga e cila ndiheshin madje edhe të trazuar kur e shihnin në mënyrën tonë të zjarrtë, në mënyrën se si morëm anije, se si morëm përpjetë maleve, se si kaluam të gjitha rreziqet e kufijtë e mundshëm për të shkuar e për të përqafuar Europën tonë të dashur. Hymë kështu në një rrugë ku nisëm të familjarizoheshim me fjalë të padëgjuara më parë.
Edhe pse njihnim gjuhë, sepse gjuhët ishin e vetmja mënyrë për të kuptuar çfarë ndodhte përtej ‘’territ’’. Dëgjuam ‘’acqui’’ dhe harmonizim me acqui-në, lejgislacionin europian; dëgjuam për të dhëna faktike, tregues miqësie, rrugë për përputhshmëri; piketat e vendosura për integrimin, çelje, mbyllje, të ndërmjetëm, plus edhe një të famshme piketa të kapacitetit përthithës. Dhe kështu vazhdon me analizë, analizë paraprake, analizë dypalëshe, kuadër i kushtëzuar, mekanizma garancie, garanci për procesin e duhur ligjor, njësi matëse të rezistencës institucionale, mbikqyrje e bazuar në rrisk. Pa imagjinojeni! Keni rënë në dashuri. E thua “të dua’’ , tjetri të thotë ‘’ku e ke njësinë matëse të rezistencës’’?
Ti i thua; ‘’të adhuroj’’ dhe tjetri thotë; ‘’ku i ke mekanizmat e garancisë’’?
-Mekanizma garancie për çfarë? Për adhurimin tim?
-Po, natyrisht.
-Na duhet të bëjmë një vlerësim analitik të mëpasëm, Kështu që truri m’u kthye në një kopësht të madh zoologjik me këtë krijesa të vogla, të cilat filluan të jetonin në kokën tonë dhe vinin piketa të ndërmjetme, analizë, kapitull, kapitull tjetër. Po, është hapur, por ka një tjetër. Po. Dhe ndërkohë mësuam muzikën, ‘’muzikën e Brukselit”. E keni dëgjuar ndonjëherë?
Shënojmë përparimin e arritur që për veshët tanë do të thoshte “shihemi vitin tjetër’’.
Duhen përpjekje të mëtejshme që trashë-trashë përkthehej “shko në shtëpi, i dashur’’.
Përparim thelbësor; duhet të sigurohet një mënyrë interesante për të thënë që ‘’nuk keni asgjë, por do të bëhet edhe më e vështirë për ju’’, prandaj edhe ‘’refreni’’ i përjetshëm.
Po, e zbulova që fjala ekziston edhe në anglisht. Refreni që Federica e ka përsëritur kaq herë kur vinte në Shqipëri , ‘’ju inkurajojmë angazhim të vazhdueshëm’’ dhe është mënyra diplomatike për t’i thënë dikujt që të thotë sa shumë të do, ‘’vazhdo të piqesh, i dashur ‘’.
Përmes gjithë kësaj, për të qenë i drejtë me të, Federika ishte ajo që ruante, na ruante mëndjen dhe fakti që unë nuk u çmenda tërësisht ishte i Federikës që kujdesej për të bërë maksimumin në labirintet e Brukselit, për të mbështetur kauzën tonë dhe në takimet e pafundme të Këshillit të Bashkimit Europian, për t’ju treguar që ne kishim vlerë.
I la më në fund ato korridore pa fund dhe ja ku është. E ku tjetër? Aty ku e duan pa kushte dhe që ju të gjithë ju duan pa kushte në Tiranë, duke ngritur, jo një institucion meqë ra fjala, nuk është thjesht një kolegj më tepër, një shkollë më tepër, një vit tjetër a një vit akademik që çelet sot.
Është një hapësirë besimi.
Unë, aty në hyrje të ndërtesës së re, do të vendosja fjalët e mrekullueshme të Jean Monnet kur lexova përpara se të njihja Europën, mendoja; sa të bukura. Por kur i përjetova, atëherë e kuptova që ishin të mrekullueshme dhe tmerruese. Europa nuk përfundon kurrë. Ajo gjithmonë fillon. Tani enti tjetër janë studentët. Ju nuk jeni këtu të studioni Europën. Ju jeni këtu për të mbrojtur Europën. Ju jeni këtu ta sfidoni kështu siç është, jeni këtu të guxoni dhe ta përmirësoni dhe ndonjëherë ju duhet të përgatiteni për ta shpëtuar Europën nga vetëvetja. Dhe më lejoni t’ju them, ajo për të cilën Europa do të ketë nevojë gjithmonë e më tepër nuk janë armët, nuk është AI, nuk janë paratë. Është kurajo, se stuhitë po mblidhen dhe kapitulli tjetër i BE, nuk do të përcaktohet nga sa shumë armatime do të kemi apo sa më shumë aplikacione të AI do të kemi, sa më shumë fonde a borxhe do të kemi, por do të vendoset në betejën midis atyre që kanë frikë nga zgjerimi dhe atyre që e kuptojnë se Europa është më e fortë kur asnjë europian nuk mbetet jashtë sallës.
Dhe të lësh jashtë hapësire europianët nga Ballkani, është një ide e tmerrrshme.
Mirë se erdhët në Kolegjin e Europës!
Mirë se erdhët në pikën e horizontit të së ardhmes të Europës!
Shijojeni Tiranën dhe shijoni auditoret, por kurrë mos harroni të shijoni diellin jashtë.
Zoti ju bekoftë!
Zoti e bekoftë Europën dhe Zoti e bekoftë Federica Mogherinin!