Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Jo shumë kohë më parë, qendra shëndetësore në Kolonjë, Lushnje ishte një ngrehinë e rrethuar nga shkurre dhe mbeturina. Sot, panorama është krejt ndryshe. Kjo qendër është rehabilituar, zgjeruar dhe pajisur me aparatura të reja, në kuadër të Programit Kombëtar të Rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore në të gjithë vendin.

Kryeministri Edi Rama ishte ne qendrën e rehabilituar, personeli i së cilës përbëhet nga 2 mjekë dhe 6 infermierë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se në të shumtën e rasteve, mjekët dhe infermierët e kësaj qendre, të detyruar nga kushtet e papërshtatshme, ofronin shërbimin mjekësor në shtëpitë e banorëve. “Qendra Shëndetësore e Kolonjës ka qenë në kushte shumë të vështira. Praktikisht e mbuluar nga shkurret dhe lagështira. Çfarë binte jashtë futej brenda. Stafi nuk e ushtronte dot detyrën dhe më shumë ofronte shërbim në banesa sesa në qendrën shëndetësore. Sot është me kushte të ndryshuara, me standarde, ashtu siç kemi bërë 80 qendra shëndetësore në të gjithë vendin.”

Në kabinetet e reja nuk mungon asnjë mjet i domosdoshëm për të kryer kontrollin bazë, ashtu dhe informacioni që duhet të marrin banorët për shëndetin e tyre.

“Në 14 vjet që unë punoj në Qendrën Shëndetësore Kolonjë, unë nuk e mbaj mend që qendra dhe kushtet të jenë si këto që janë tani,” – dëshmon  një prej pjesëtarëve të personelit mjekësor.

“Ka qenë shumë e rrënuar. Tani është bërë e përsosur. E shkëlqyer,” – shprehet një zonjë, e cila prej vitesh merr shërbimin në këtë qendër.

Një interesim të lartë ka tek banorët për kryerjen e kontrollit bazë, një kulturë kjo e kultivuar vitet e fundit. “Në qendrën shëndetësore Kolonjë ofrohen të gjitha shërbimet e paketës bazë. Tani së fundi edhe kontrolli mjekësor. Në komunitetin tonë pothuajse pjesa më e madhe e kanë kryer këtë kontroll. Ata që e kanë kryer vitin e parë kanë ardhur përsëri çdo vit,” – shprehet një nga mjeket e qendrës.

Një prej arsyeve që ka sensibilizuar njerëzit është fakti që përmes check-up kanë zbuluar dhe parandaluar probleme në shëndetin e tyre. “Njerëzit janë shumë të interesuar për të bërë kontrollin bazë. Duke parë se kanë zbuluar sëmundje nga më të ndryshmet  është rritur dhe interesi për të bërë check-up. Jemi shumë mirë me realizimin e check up,”- shprehet një prej infermiereve.

“E bëj çdo vit check-up. Jam operuar nga zemra dhe kontrollohem rregullisht,” – tregon një qytetar.

Ndërkohë që “më parë nuk ofrohej fare në këtë qendër kontrolli mjekësor bazë, pasi nuk kishte ambiente. Ishin totalisht të degraduara,” – thotë ministrja Manastirliu.

Për herë  të parë në qendrat e kujdesit parësor ofrohet një shërbim i veçantë për gratë, kryerja  e testit HPV, i domosdoshëm për identifikimin e kancerit të qafës së mitrës. “Këtu është një shërbim dedikuar grave, pasi për herë të parë në qendrat e kujdesit  parësor  ofrojmë  testin HPV, një test, i cili parandalon kancerin të qafës së mitrës. Trajnimet janë kryer dhe doktoreshat kanë filluar për të depistuar gratë. Testet vijnë të gjitha janë blerë nga instituti i shërbimit publik,” – shpjegon ministrja Manastirliu.

Mjeket pohojnë se ky kontroll i ri është i mirëpritur nga gratë. “Testet janë sjellë nga ISHP. Ne kemi nisur këtë si procedurë, njoftojmë gratë. Kemi nxjerrë numrin e banorëve sipas regjistrit elektronik. Për vitin 2019, kryhen depistimet tek gratë e datëlindjeve të viteve 70 deri 74. Gratë janë të interesuara,” – shprehet një nga mjeket.

Ndër të tjera, Ministrja Manastirliu informon se “nuk po merremi vetëm me infrastrukturën, por po zgjerojmë edhe paketën bazë të shërbimit shëndetësor për kujdesin parësor. Kontrolli bazë është aktiv në të gjithë vendin. Edhe në sajë të përmirësimit të infrastrukturës akoma më shumë është rritur aksesi. Gjithashtu paketa që ofrojmë për të gjithë injeksionet falas dhe shërbimin 24 orë në qendra të caktuara. Gjithashtu edhe shërbimi që kemi nisur për testin HPV që i shërben grave.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.