Komunikim i Kryeministrit Rama me gazetarët për Këshillimin Kombëtar dhe zgjedhjet pjesore vendore në 6 bashki:
-A i caktuat emrat?
Kryeministri Edi Rama: Jo nuk kemi caktuar emra sepse vendimi është shumë i freskët. Kemi bërë një takim për dy çështje, për këtë çështje dhe për çështjen e Këshillimit Kombëtar, që qysh dje është iniciuar publikisht, zyrtarisht.
Kanë filluar të mbërrijnë pyetësorët nëpër shtëpi, do të shkojnë në të gjitha familjet dhe njëkohësisht dhe nëpërmjet kanalit digjital, smartphone, kompjuteri do të mund të marrin pjesë në këtë këshillim, dhe i ftoj të gjithë ta bëjnë. Është diçka krejtësisht e lirë, krejtësisht e thjeshtë dhe krejtësisht miqësore, një këshillim për disa çështje, ku siç e kam thënë qysh në fillim ne nuk është se na mungojnë kartonat, por na duhet të marrim një opinion qytetarësh përtej partive llogoreve dhe gjithë hapësirës së përbaltur të politikës, lidhur me çështje që prekin drejtpërdrejtë familjet shqiptare, prekin drejtpërdrejtë aspektet të ekonomisë, të drejtësisë, të sigurisë edhe sigurisht edhe aspekte të rëndësishme strategjike të politikës së jashtme.
-Nëse qytetarët thonë “Jo” për “Open Ballkan”, do tërhiqeni nga nisma?
Kryeministri Edi Rama: Do ta shikojmë! Patjetër me shumë vëmendje sepse e përsëris është nevoja jonë për ta marrë këtë opinion. Kështu që nuk është një nevojë taktike po themi, është një nevojë reale për ta marrë këtë opinion për të pasur një ide të qartë se çfarë mendojnë njerëzit pavarësisht partive. Pavarësisht ndasive të përditshme.
Ndërkohë që përsa i përket çështjes së dytë, vendimit për të bërë zgjedhjet në gjashtë bashki kemi zgjedhur për të filluar menjëherë organizimin. Është një proces ku ne sigurisht do të jemi pjesë, do të respektojmë afatet, do paraqesim kandidatët.
–A do të jenë kryesisht gra dhe pse jo nga lista me mandate deputeti?
Kryeministri Edi Rama: Nuk mendoj që do të kemi deputetë, si parim në këtë garë sepse deputetët janë zgjedhur për të bërë deputetin dhe ky është mendimi i gjithë kryesisë me thënë të drejtën. Përsa i përket grave, ju e dini që midis një gruaje dhe dhjetë burrave, unë zgjedh gruan, nuk zgjedh burrat.
-A do të ketë një filtër të shtuar nga ana e partisë në mënyrë që të mos preken nga dekriminalizimi apo do të ekzistojë dhe mundësia për të dhënë një shans të dytë atyre që janë prekur nga dekriminalizimi, por pretendojnë se janë të pastër tashmë?
Kryeministri Edi Rama: Shanset e dyta jepen në marrëdhënie individuale. Shanse të dyta mund t’i japim njëri-tjetrit kur jemi miq dhe kur për një arsye apo për një tjetër miqësia lëndohet dhe shanset e dyta i jep pastaj Zoti ndërsa Paria Socialiste nuk i jep shans të dytë askujt që e ka vënë në pozitë të vështirë në sytë e njerëzve, duke gënjyer lidhur me një aspekt kaq të rëndësishëm të jetës sonë publike. Kështu që s’ka shanse të dyta për askënd që bën deklaratë të rreme lidhur me jetën, me veprimtarinë, me gjithë ato aspekte që kanë të bëjnë me atë që quhet ligji i pastërtisë së figurës.
– Ka pasur një kërkesë nga presidenti Erdogan gjatë vizitës në Shqipëri në mënyrë që qeveria shqiptare të marrë masa për strukturën e FETO-s në vendin tonë. A do ta plotësoni juve, a do ta përmbushni këtë kërkesë të presidentit turk duke iu referuar edhe borxheve që ne i kemi pas atyre gjërave që ka bërë në Shqipëri?
Kryeministri Edi Rama: Ne nuk i kemi asnjë borxh Presidentit të Republikës së Turqisë, sikundër as presidenti i Republikës së Turqisë nuk na ka ne asnjë borxh, sepse mes miqsh dhe me një miqësi vëllazërore nuk ka borxhe, që të jemi të qartë.
-Domethënë nuk do ta plotësoni këtë kërkesë, se nuk ju përgjigjet pyetjes? Nuk do të merrni masa ndaj gylenistëve në Shqipëri?
Kryeministri Edi Rama: Problemi yt është që, ti kërkon edhe pyetjen edhe përgjigjen siç kërkon ti. Nuk ka! Pyetja është e jotja, përgjigjja është e imja!
-Zoti Kryeministër, në Kuç Të Vlorës gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare keni bërë një parashikim për numrin e deputetëve që merrnit, a mund të bëni një parashikim për bashkitë që do të fitoni?
Kryeministri Edi Rama: Ne jemi Partia Socialiste, ne jemi kampionët që gjithmonë kemi për të fituar dhe që nuk kanë rezultat tjetër përveç fitores si opsion, aq më tepër që në politikë nuk ka barazim ose përgjithësisht nuk ka barazim, por në këtë rast këto janë zgjedhje vendore, janë zgjedhje për komunitetet. Ne nuk do bëjmë një luftë për jetë a vdekje në kuptimin e një beteje që do të mbulojë ekranet nga mëngjesi deri në darkë. Unë do të fokusohem te Këshillimi Kombëtar, partia do të fokusohet te Këshillimi Kombëtar, sigurisht do t’i bëjmë të gjithë hyzmetin e nevojshëm këtyre zgjedhjeve, sigurisht do të bëjmë detyrat tona secili sipas kalendarit të organizimit që për të qenë të pranishëm në këto komunitete por nuk jemi në kushtet kur është e nevojshme të bëjmë parashikime të asaj natyre. Ato parashikime ishin të bazuara në analiza shumë të thella shkencore që ne bëjmë. Ne kemi një makineri të tërë që bëjnë analiza e këtë nuk kuptojnë analistët që flasin për cenimin e votës së lirë në Shqipëri. Vota në Shqipëri është më e lirë se sa ka qenë kurrë ndonjëherë më parë.
– A do kërkojë Partia Socialiste aleanca në bashki të caktuara me synim fitoren e tyre? Si për shembull rasti i Shkodrës.
Kryeministri Edi Rama: Dihet botërisht, ne jemi në aleancë me qytetarët dhe Këshillimi Kombëtar është një hap tjetër për të shtrirë këtë aleancë, në funksion të njerëzve, në funksion të vendit, pavarësisht votës, që do të thotë që në Këshillimin Kombëtar, i ftoj të marrin pjesë të gjithë pavarësisht se si kanë votuar se si do votojnë prapë. Këshillimi Kombëtar nuk është një proces regjistrimi në Partinë Socialiste apo atashimi pranë qeverisë, është një proces ndërveprimi mes një qeverie dhe meje që duam të jemi në këtë mandat të tretë sa më shumë pranë të gjithëve pa dallim dhe qytetarëve që i drejtohen qeverisë së tyre, pavarësisht nëse e kanë votuar apo jo dhe pavarësisht nëse nesër do ta votojnë apo jo dhe në këtë sens, ne do shkojmë në këto zgjedhje të pjesshme me të njëjtën frymë. Domethënë do kërkojmë votat nga qytetarët. Qytetarët do vendosin. Nuk është për ne një luftë për jetë apo vdekje, këto janë zgjedhje vendore dhe komunitetet…
– Dukeni më të shqetësuar për Këshillimin Kombëtar se sa për këto zgjedhje apo doni t’i lini fushë të lirë opozitës në këto 6 bashki?
Kryeministri Edi Rama: Kjo është tërësisht e vërtetë që unë jam jo më i shqetësuar, por më i angazhuar, në kuptimin që e kam mendjen më shumë tek Këshillimi Kombëtar, sepse është hera e parë që ndodh. Është një nisëm që unë dëshiroj të kthehet në një traditë të qeverisë që çdo vit t’i drejtohet popullit me pyetje që kërkojnë përgjigje prej saj dhe përgjigjet e të cilave janë strategjike dhe në këtë aspekt, kjo është një nismë që ka edhe emocionin e nismës së parë sepse ne si për çdo gjë që bëhet për herë të parë, nuk e dimë se si do shkojë, nuk e dimë se si, por sigurisht që duam dhe të mësojmë nga kjo gjë, por dhe atyre që mund të kenë paragjykime, që i mirëkuptoj, ju them merrni pjesë dhe le të mos e paragjykojmë nismën, por ta gjykojmë në bazë të produktit që jem dhe secili pastaj do ta ndiejnë se kjo është gjëja e duhur për të rimarrë pjesë më tutje. Ndërsa për sa i përket këtyre zgjedhjeve, e thashë, ne jemi Partia Socialiste, ne jemi njëshat, kështu që njëshi nuk hyn kurrë për t’u bërë dysh se i bie pastaj të përkulet, por këto janë zgjedhje që kanë sigurisht rëndësinë e tyre, kanë patjetër nga ana jonë si objektiv fitoren dhe për sa i përket opozitës, unë nuk do doja të merresha me opozitën, i kam thënë ato që kam pasur për të thënë. Opozita është në një proces agonie me dy kufoma mu në mes të mexhlisit, që nuk di ç’ti bëjë a t’i mbajë a t’i qajë, a t’i heqë apo t’i tërheqë, kështu që është për të qarë hallin.
– A keni një koment për dhunën që ka ushtruar Policia e Shteti dje duke i nxjerrë zvarrë banorët e “5 Majit” nga shtëpitë e tyre, sepse duket sikur janë pamje të përsëritur këto sepse sa herë që ka aksione policia ndërhyn.
Kryeministri Edi Rama: Ato janë pamje të përsëritur e do të jenë pamje të përsëritura sa herë që në emër të mbrojtjes së një të drejtë individuale do të shkelet e drejta e përbashkët, do të shkelet ligji. Unë di që të gjithë banorëve u është dhënë qartësisht drejtim dhe qartësisht të gjithë banorët kanë mundësi të përfitojnë të drejta që ju takojnë, asnjë banor nuk hidhet në rrugë, por zhvillimi i këtij vendi dhe e mira e përbashkët nuk merret peng nga askush kështu që sa herë do të ketë banorë që do të bëjnë këtë, aq herë do të shohim policinë që do të bëjë detyrën e vetë dhe nuk është dhunë por është ushtrimi i forcës së ligjit për të gjithë ata që i dalin përpara shtetit, i dalin përpara njerëzve me forcë, kaq e thjeshte është kjo.
– Pse nuk e dëgjuat opinionin e tyre ashtu siç pretendoni se do të bëni me Këshillimin Kombëtar?
Kryeministri Rama: Opinionin e kujt?
– Opinionin e banorëve të “5 Majit”
Kryeministri Edi Rama: Opinioni i të gjithë banorëve është dëgjuar me dhjetëra herë, sa për dijeni dhe ajo që duhet t’ju interesojë juve është të verifikoni këtë që them unë. A janë këta banorë të hedhur në rrugë të madhe apo janë këta banorë secili me një mundësi tjetër siç i takon, këtë duhet të verifikoni ju dhe unë po ju them që është kjo e dyta e sigurisht që ne do rindërtojmë të gjithë apartamentet për të pastrehët, do bëjmë një program kombëtar strehimi shumë më të madh që shkon shumë më tej tërmetit, do t’i japim të gjithëve atë që u takon, por askush nuk mund t’i imponohet një komuniteti e një shteti për të mbajtur atë që nuk i takon sepse bëhet fjalë për ndërtime të paligjshme e pavarësisht kësaj, atyre u është ofruar kompensim kështu që çfarë mund të bëjmë më shumë se kaq ne për këtë? E sigurisht që në demokraci, të gjithë duhet të kenë të drejtën për t’u dëgjuar, por nëse dëgjohen të gjithë atëherë nuk marrim kurrë asnjë vendim.
Faleminderit!