Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Përshëndetje dhe faleminderit për këtë mundësi, ndërkohë respekt për punën e bërë në këtë situatë aspak të lehtë për të gjithë, por edhe për ju në mënyrë të posaçme.

Mendoj që është momenti për të bërë një bashkëbisedim, duke u nisur kryesisht nga pyetjet tuaja. Mund të pyesni gjithçka që dëshironi, thjesht duhet të ruajmë një radhë, në mënyrë që secili të ketë mundësinë të bëjë pyetjen e vet dhe ndërkohë që unë mund t’i përgjigjem të gjithëve.

Jam në dispozicion.

Syri TV: Zoti Kryeministër, vitet e fundit të qeverisjes suaj, por edhe gjatë kësaj periudhe të pandemisë, ju jeni sulmuar disa herë nga opozita për lidhje me ata që cilësohen biznesmenë të mëdhenj, duke i pagëzuar si oligarkë. Si ndiheni kur këto kritika vijnë nga Ditmir Bushati, njeriu të cilit ju i keni besuar për 5 vite Ministrinë e Jashtme, i cili u kujtoi dhe premtimin për anulimin e koncesioneve? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Nuk kam asnjë ndjenjë të posaçme, të them të drejtën. Është një hapësirë e lirë diskutimi, qasjesh, pozicionesh dhe unë i mbetem asaj që kam thënë jo sepse e kam thënë unë, por sepse e besoj edhe sot, siç e kam besuar që ditën e parë. Në Shqipëri nuk ka oligarkë. Mjafton të referohemi tek termi dhe të nxjerrim konkluzione. Oligarkë nuk janë ata sipërmarrës të pasur, nuk janë ata që përmes biznesit realizojnë të ardhura më shumë se të tjerët. Oligarkë janë ata që influencojnë drejtpërdrejtë vendimmarrjet e qeverisë, apo të parlamentit dhe diktojnë axhenda të caktuara politike në funksion të interesave të tyre. Nuk kam njohur deri më sot, asnjë person që ta ketë këtë pushtet në Shqipëri dhe nuk kemi marrë asnjëherë, asnjë vendim që nuk ka qenë i diktuar nga bindjet tona dhe sigurisht, nga qasja jonë në raport me interesat e vendit. Është një term që përdoret në mënyrë të gabuar, përsëritet pa pushim për të krijuar një ide të gabuar lidhur me një numër të caktuar njerëzish, që nuk janë bërë të pasur nga hiçi pas ardhjes tonë në qeveri, por kanë pasurinë e tyre në shumë vite dhe që me ardhjen tonë në qeveri paguajnë më shumë taksa për shtetin shqiptar.

Dosja.al: Zoti Kryeministër, si e vlerësoni deklaratën e Delegacionit të BE-së, e cila pak minuta pasi ju mbaruat fjalën, Ambasadori Soreca u shpreh se nuk ka marrë pjesë në procesin e ligjit për legalizimin e hashashit në Shqipëri. E vlerësoni si një distancim, apo dështim të nismës suaj?

Kryeministri Edi Rama: Ka thënë të vërtetën. Nuk jemi konsultuar me Delegacionin e BE-së për të hartuar projektin. Nuk e tha askush këtë, as unë. Unë thjesht iu përgjigja një pyetjeje që u bë në atë konferencë, ku gazetarët kishin shënuar emrat dhe pyetjet e tyre dhe që unë isha i ftuar në Shtëpinë e Europës. Nuk ka asnjë vlerësim të posaçëm për të bërë në këtë rast, sepse e vërteta është se nuk ka asnjë konsultim të bërë me Delagacionin e BE-së lidhur me këtë projekt. Konsultimet, ne i kemi bërë dhe po i bëjmë me ekspertë të fushës në disa vende ku ka patur eksperienca, jo të legalizimit të hashashit, por të futjes në jetën ekonomike dhe në veprimtarinë sipërmarrëse të vendit të përpunimit të kanabisit mjekësor.

Deutche Welle: Zoti Rama, çfarë po bëhet për lëvrimin e  fondit për rindërtimitn [… e pakuptueshme]. Deri tani njoftimet janë që nuk ka filluar ende të lëvrohet. Për të qenë më eksplicite, [e pakuptueshme]… pra, ka filluar komunikimi mes donatorëve me bankat, çfarë po ndodh me këtë fond? A kemi të bëjmë me kredi të pastërta, apo donatorët kërkojnë të vijnë në Shqipëri, të monitorojnë fondin që do të japin, të shikojnë transparencën e tij? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Nëse do t’i kishit ndjekur me vëmendje edhe informacionet e ditëve të fundit, mbase nuk do të kishit harxhuar fishekun tuaj për të bërë këtë pyetje, sepse ne jemi në një proces të pandërprerë pune me të gjithë donatorët, specifikisht me Komisionin Europian puna është në një stad shumë të avancuar, madje kemi thënë qartësisht, edhe në konferencën e përbashkët me Ambasadorin e BE-së, se ku do të kanalizohet mbështetja financiare e BE-së. Nuk ka asnjë lloj  ngecje, situate të veçantë lidhur me fondet e rindërtimit. Ne jemi në proces. Kemi patur një vonesë objektive të shkaktuar nga situata e pandemisë, por jo në anën tonë, por thjesht për ndërveprimet e nevojshme me të tjerët. Këtë javë, në dijeninë time, finalizohet gara e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për shtëpitë individuale dhe besoj që fillon puna. Gara për shkollat është në fazë të avancuar. Ka mbaruar faza e parë, fillojnë përzgjedhjet e fazës së dytë për të filluar nga ndërtimi i shkollave. Kemi prezantuar në vijimësi planet e rindërtimit edhe për lagjet. Kemi një sërë planesh të miratuara zhvillimore, të cilat po punohen për fazën e detajimit të nevojshëm, për të kaluar në fazën e zbatimit. Nuk ka asnjë problem me fondet, nuk kemi prekur asnjë qindarkë të dedikuar për rindërtimin në kushtet kur pandemia na ka detyruar të rishikojmë financiarisht zëra të caktuar të buxhetit të shtetit. Jam shumë optimist që sëshpejti do të fillojmë të ngremë kantieret e para.

Gazeta Panorama: Zoti Kryeministër, pandemia e Covid-19 duket se ishte një katalizator […e pakuptueshme]  për të qenë në një linjë, për të qenë në një zë [… e pakuptueshme] ekziston një bashkëpunim, apo një koalicion në zgjedhjet e ardhshme? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Në politikë kurrë mos thuaj kurrë, por nuk shoh asnjë perspektivë për një rikthim në koalicion me partinë e Presidentit, sepse konteksti i sotëm, degradimi i vazhdueshëm i asaj force politike dhe detyrimet tona programore, ashtu sikundër edhe bindja jonë se për  ne është e mjaftueshme të flasë puna dhe falë punës, një aleancë  me popullin na e bëjnë lehtësisht pa asnjë interes këtë temë diskutimi për sa i takon perspektivës së një koalicioni. Nuk kemi asnjë arsye të mendojmë në këtë drejtim. E përjashtoj, po.

Grupi mediatik “Fjala”: Çështja e integrimit kërkon sakrifica dhe njëra prej këtyre sakrificave janë zgjedhjet sa me të lira dhe të ndershme, zgjedhjet e ardhshme parlamentare. A jeni ju i gatshëm të bëni sakrifica për të bashkëpunuar dhe për të rënë dakord me kërkesat e opozitës, si për shembull me qeveri kujdestare përpara zgjedhjeve?

Kryeministri Edi Rama: Zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk janë një sakrificë, janë një detyrim. Zgjedhje të lira të ndershme, Shqipëria ka patur prej disa raundesh. Sigurisht, cilësia e tyre ka qenë në përmirësim dhe duhet përmirësuar më tutje. Këtu nuk bëhet fjalë për të pranuar propozime të opozitës, këtu bëhet fjalë për të dakortësuar mbi rekomandimet e OSBE-ODHIR-it. Nuk di që të ketë një rekomandim të OSBE-ODIHR-it që përputhet me çka ju thatë. Di që rekomandimet janë shumë të qarta, puna po shkon në atë drejtim. Di po ashtu që dy pika janë të panegociueshme lidhur me këto rekomandime.

E para; depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore. Një histori i vjetër dhe një burim kryesor i problematikave zgjedhore në Shqipëri, që kanë qenë vazhdimisht të lidhura me politizimin deri në ekstrem të administratës zgjedhore, gjë për të cilën ODIHR-i në mënyrë të vazhdueshme në të gjitha raportet e veta ka rekomanduar depolitizimin. Në këtë pikë, ne jemi të gatshëm dhe të vendosur ta bëjmë më në fund dhe që administrata zgjedhore t’u takojë qytetarëve, jo partive, t’i takojë ligjit, jo interesit partiak dhe përgjegjësia e administratorëve zgjedhorë të jetë një përgjegjësi qytetare dhe ligjore e cilitdo individ që në zgjedhje do të përfshihet në administratë në shërbim të vendit, edhe në krye të një detyre qytetare.

E dyta; përfshirja në Kolegjin Zgjedhor e gjyqtarëve që nuk kanë kaluar vetingun. Ky është një tjetër propozimin, nëse unë nuk gabohem, se mbase ka rënë në ditët e fundit dhe unë nuk jam realisht i informuar, sepse është bashkëkryetari  i Komisionit Zgjedhor që e ndjek këtë proces dhe që ka mandat për ta ndjekur këtë proces dhe që informon në mënyrë të vazhdueshme kryetarin e Grupit Parlamentar, por e përsëris që gjykatës që nuk kanë kaluar vettingun, ne nuk do të pranojmë të jenë pjesë e kolegjeve Zgjedhore. Këto të dyja janë pika kyçe, në këndvështrimin tonë, një administratë zgjedhore e depolitizuar dhe një gjykatë zgjedhore e pastër. Kaq! Për të tjerat, janë pjesë e rekomandimeve dhe gjithçka që është pjesë e rekomandimeve është pjesë e diskutimeve. Sigurisht në këtë rast, ne presim që dhe ODIHR-i të japë kontributin e vet, siç e ka dhënë dhe ta japë deri në fund dhe ne të dalim me një draft që të çojë përpara pikërisht procesin në drejtim të më shumë transparence, më shumë garancish dhe të një cilësie më të mirë.

TVSH: Në 6 muajt e fundit, vendi është përballur me dy ngjarje, tërmeti dhe pandemia. A do e shohë qeveria juaj mundësinë e hartimit të një plani strategjik për të mbështetur ekonominë? Nëse po, cilët sektorë mendoni se kanë më shumë nevojë për mbështetje financiare?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, kjo nuk është një çështje shikimi mundësie. Kjo është tema jonë e përditshme e diskutimit. Ne jemi shumë të inkurajuar nga fakti që fazën e parë të kësaj lufte me këtë armik të padukshëm e kemi kaluar me sukses. Shqipëria është një histori suksesi në këtë, duan, s’duan ata që e vënë këtë në diskutim dhe është e çuditshme për mua, pse e vënë në diskutim, ndërkohë që të gjithë duhet të jenë të lehtësuar nga ky fakt, sepse, në fund të fundit, këtu nuk bëhet fjalë për suksesin e një partie, bëhet fjalë për suksesin e një vendi që është vendi ynë i përbashkët.

Jam i shqetësuar për fazën e dytë, sepse hapja sjell me vete një sërë rreziqesh. Virusi nuk ka ikur. Virusi është mes nesh dhe do të jetë me ne për një kohë të gjatë, sikundër konstatohet dhe thuhet nga të gjithë, botërisht dhe na duhet shumë kujdes. Ne jemi të përgatitur edhe për mundësinë e një vale të re infektimesh, largqoftë! Vazhdojmë punën me strukturat tona të shëndetësisë për ta fuqizuar gjithë mekanizmin mbrojtës në vijën e zjarrit.

Nga ana tjetër shohim  ecurinë e paketave. Paketa e parë tanimë ka hyrë në rrjedhën e saj dhe është kryer ditë pas dite dhe vazhdon disbursimi i transhit të dytë të pagës luftës për rreth 63 mijë njerëz,  ndërkohë që mbeten ende pak të tjerë që duhet të ndihmohen dhe ne po përpiqemi t’i ndihmojmë për të plotësuar aspektet e dokumentacionit me bankat, në mënyrë që të mund të përfitojnë nga paga e luftës. Paketa e zgjeruar po ashtu ka ecur mirë. Sot kam pasur informacionin më të freskët lidhur me instrumentin e parë të garancisë dhe jemi në situatën kur tanimë, 22 milionë euro janë  alokuar për bizneset nga garancia sovrane. Ka shumë aplikime që vazhdojnë të shqyrtohen nga bankat dhe jemi të bindur që i gjithë instrumenti do të shfrytëzohet nga biznesi, gjë që është një shenjë shumë e mirë dhe jemi të përgatitur për ta shtuar shumën në funksion  të analizës që do bëjmë dhe të nevojave që do të konstatojmë. Instrumenti i dytë sapo është vënë në lëvizje. Do ndihmojë në mënyrë të posaçme të gjithë biznesin prodhues. Do ndihmojë turizmin, fasoneritë dhe besojmë shumë që edhe ky instrument do jetë sukses, siç po duket qartë që do jetë dhe instrumenti i parë.

Thënë gjitha këto, ne jemi të vetëdijshëm që duhet një shtysë e fortë për ekonominë dhe për këtë arsye jemi duke punuar ditë-natë për një plan të përgjithshëm të rimëkëmbjes, që faktikisht bazën e ka në atë që ishte plani sëbashku me rindërtimin, por tanimë kërkon një rishikim të plotë, sepse kushtet kanë ndryshuar në mënyrë dramatike si rezultat i COVID. Kështu që shumë shpejt, ne do të kemi Masterplanin e Rimëkëmbjes dhe jemi të bindur që do ta kalojmë me shumë sukses dhe shumë më shpejt, sesa mund të parashikohet e parë në distancë, të gjithë situatën rënëse të krijuar nga COVID. Jam i bindur që në 2021-shin do fillojmë të shohim rezultate konkrete në këtë drejtim, ndërkohë që kemi shumë besim që brenda disa muajsh do rikuperojmë pjesën dërrmuese të të gjithë humbjeve që kemi pasur në punësim.

Fax News – Zoti Rama, cfarë do të ndodhë me godinën e Teatrit Kombëtar? A do vijojë mazhoranca betejën për ta shembur atë godinë, ndërkohë që Presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar një tjetër padi në Gjykatën Kushtetuese, nëse nuk do ketë reflektim nga ana e mazhorancës?

Kryeministri Edi Rama: Ai është një proces për të cilin unë jam shprehur, tanimë nuk e di më sa vite u bënë dhe jam njeriu i fundit që duhet të pyesni për të kërkuar ndonjë hap mbrapa, sepse jam i pari që e kam thënë qysh prej vitit të largët 1998, ‘99-të, që ajo godinë duhet shembur dhe që Shqipëria duhet të ketë një Teatër Kombëtar të denjë për këtë emër. Kështu që për mua janë të gjitha argumentet të ezauruara me kohë e me vakt e mezi pres të shoh të ndërtohet Teatrin e ri Kombëtar. Pastaj sigurisht që të gjithë kanë të drejtën të kenë opinionet eë tyre, të gjithë kanë të drejtën të kenë kundërshtitë e tyre, por në fund vendos shumica. Ky është parimi bazë i sistemit që kemi zgjedhur; Në fund vendos shumica. Ne jemi shumica dhe e kemi marrë vendim edhe nuk shoh se si pakica të caktuara mund të imponojnë në çfarëdo forme, vendimmarrje që lidhen me kompetencat e drejtpërdrejta të pushtetit të mandatuar nga populli.

TV Klan: Dje kemi dëgjuar të artikulohet nga një prej përfaqësuesve të mazhorancës, nga deputeti Adnor Shameti që nuk është tabu brenda mazhorancës që të diskutohet edhe rishikimi i Reformës në Drejtësi. A ka mundësi vërtetë reale që të kemi një rishikim për shkak edhe të  kritikave të ashpra që ka pasur nga opozita dhe Presidenti, i njohur edhe si mbrojtësi më i flaktë tashmë i Kushtetutës? A ka mundësi reale për t’iu rikthyer edhe njëherë reformës dhe a mund të ishte kjo, edhe një mundësi për të pasur një konsensus edhe me opozitën?

Kryeministri Edi Rama: Ne jetojmë në një vend të lirë dhe tabu nuk është asgjë, me thënë të drejtën. Të gjitha temat mund të diskutohen dhe PS-ja, Grupi Parlamentar janë pasqyrë e këtij vendi të lirë ku jetojmë, vend që ka problemet e veta, nuk diskutohet, por që ka një liri fjale që shkon në vështrimin tim, përtej caqeve të lirisë në shumë vende shumë më të zhvilluara demokratikisht se ne. E dini shumë mirë këtë pikëpamje timen, që Shqipëria është vendi ku shpifet më lirisht se në pothuajse në të gjitha vendet e tjera të botës. Unë nuk i njoh të gjitha, por të paktën në demokracitë që njohim, një liri shpifjeje si në Shqipëri nuk e gëzon askush, që do të thotë që liria për të folur është e plotë, edhe në Grupin Parlamentar të PS-së normal që s’ka tabu, të gjitha diskutohen. Kështu që, thënë kjo, dua t’ju kujtoj që Reforma në Drejtësi nuk është një vepër ekskluzive e politikës shqiptare, është një vepër në proces me bashkëautorësinë e partnerëve tanë ndërkombëtarë, jemi ne, janë SHBA-ja, është BE-ja dhe deri më sot, unë nuk e kam dëgjuar nga bashkëautorët se ka vend për të rishikuar Reformën në Drejtësi, sot për sot. Asgjë nuk është e papërmirësueshme në këtë botë. Perfeksioni nuk ekziston, prandaj jeta është një përpjekje e vazhdueshme në kërkim të perfeksionit dhe siç thotë Salvador Dali, mos u trembni nga perfeksioni se nuk do e arrini kurrë. Por në këto kushte duhet zbatuar në realitet Reforma në Drejtësi. Pastaj, mbrojtësit e flaktë, apo mbrojtësit e akullt janë tema të tjera që nuk hyjnë në thelbin e interesit tuaj. Ndaj përgjigja ime është jo, nuk ka vend për të riparë Reformën në Drejtësi, sot për sot, përderisa duhet ta zbatojmë; e para dhe e dyta; nëse do ketë vend për të riparë, kjo është diçka që do të diskutohet me bashkëautorët.

Vizion Plus: Zoti Kryeministër, opozita prej disa ditësh akuzon Ministren e Shëndetësisë për disa tendera sekretë në lidhje blerjen e pajisjeve shëndetësore gjatë pandemisë. Madje PD-ja ngre edhe dyshimin që një pjesë e këtij dokumentacioni është asgjësuar. Cila është e vërteta juaj mbi këtë problematikë?

Kryeministri Edi Rama: Unë jua lë juve ta gjeni të vërtetën, sepse fjala ime në këtë rast mbase nuk ka peshën e nevojshme, sepse është fjala e një pale. Gjejeni ju të vërtetën. Nëse do të gjeni diçka tjetër nga ajo çka është thënë në mënyrë të vijueshme prej nesh, urdhëroni bëjeni. Unë nuk kam dëshirë, nuk kam vullnet që të vazhdoj dhe të merrem me opozitën. Mendoj që është e turpshme, ajo që opozita ka bërë në mënyrë të vijueshme gjatë kësaj periudhe, duke ngritur akuza ekstreme. Qëndrimet tona janë të qarta. Tenderët sekretë nuk ekzistojnë. Faktikisht dihet se çfarë quhet sekret dhe se si trajtohet një procedurë sekrete në Republikën e Shqipërisë. Nuk ekziston një e tillë. Si mund të jenë sekret tendera që bëhen me pjesëmarrjen e shumë operatorëve, madje edhe ofertat hapen në prani të shumë operatorëve. Këtë e dinë ata, por unë nuk dua të merrem me këtë. Juve investigoni dhe nëse gjeni diçka tjetër, na e bëni me dije.

News 24: [e pakuptueshme]

Kryeministri Rama: Nuk besoj se kam thënë brenda majit do miratohen në Parlament, sepse afatet nuk përputhen. Por kam thënë brenda majit do shkojë në parlament. Jemi duke bërë disa diskutime përmirësuese dhe shumë shpejt, draftin do ta çojmë në parlament. Nuk ka ndryshuar asnjë gjë. Thjesht po bëjmë disa diskutime përmirësuese dhe sigurisht që do t’i qëndrojmë asaj që kemi thënë.  Është e domosdoshme që të kemi një amnisti të përgjithshme fiskale dhe penale, e cila të jetë shumë e qartë, të jetë garantuese për të gjithë, të jetë përjashtuese për ato kategori që i kemi përcaktuar sa herë kemi folur për këtë temë. Sigurisht që në përcaktimin e kategorive dhe në mbylljen e të gjitha hapësirave për devijime të mundshme, apo për manipulime të mundshme të vullnetit të mirë për të formalizuar një shumë të konsiderueshme të ardhurash nga puna, jo nga krimi, jo nga korrupsioni, duhet pak durim. Kështu që jemi në proces, asgjë nuk ka ndryshuar, parlamenti do ta marrë, uroj brenda majit por, sidoqoftë, ne po punojmë intensivisht për ta bërë sa më mirë këtë punë.

EuroNews Albania: Për t’ju rikthyer dhe një herë dy çështjeve që u trajtuan dhe pak më parë. E para; sa i përket çështjes së rindërtimit, a ka ndryshuar afati i përfundimit të banesave individuale?

E dyta; përsa i përket tenderave të cilësuar sekret nga ana e opozitës, përse nuk publikohen kontratat  e tendereva në Fletoren Zyrtare, siç publikohet vendimi për lidhjen e një tenderi?

Kryeministri Rama: Po e filloj nga e dyta. Nuk është procedurë e kërkuar nga ligji publikimi i tenderave në Fletoren Zyrtare.

Ndërkohë që përsa i përket të parës kemi pasur një vonesë. Ambicia jonë ka qenë e mbetet që brenda vitit, ne të strehojmë në shtëpitë individuale pjesën dërmuese të njerëzve. Unë kam besuar që përpara sesa të pengoheshim nga kjo situatë, përshembull, ne u detyruam t’i shtyjmë garat për shtëpitë individuale, janë gara ndërkombëtare, pikërisht sepse u pamundësua ndërveprimi me kompanitë, siç kemi qenë të detyruar të shtyjmë procesin për Aeroportin e Vlorës e kështu me radhë. Pra, kam qenë i bindur që do të arrinim mbi 90%. Sesa do të arrijmë, tani nuk mund ta them sot, sepse do duhet të shikojmë një herë fillimisht fundin e garës dhe fillimin e punës, por mbetem me këtë ambicie, që ne të mundemi të fusim në shtëpi, shumicën dërrmuese të njerëzve që janë në tenda, për vitin e ri. Kjo është ambicia.

ABC News: Më lejoni të rikthehem dhe një herë tek çështja e legalizimit të kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore. A mundet të na thoni ju pse tani, në këtë kohë, jeni investuar me një projekt studimor dhe a ishte kjo një ide e juaja, apo e sugjeruar tek ju nga aktorë të tretë? Faleminderit!

Kryeministri Rama: Unë e kam thënë më parë, kur jam pyetur për këtë temë kohë më parë, që nuk është kjo koha për të folur për këtë çështje, sepse është koha për të vënë nën kontroll plotësisht situatën me kultivimin e paligjshëm e me trafikimin. Situata është vënë plotësisht nën kontroll, tanimë, në mënyrë të konsoliduar. Nuk është thjesht një vit, tanimë jemi në vitin e tretë apo të katërt të konsolidimit dhe nga ana tjetër kemi më shumë se një vit që punojmë për këtë projekt, sepse na është dashur të bëjmë shumë punë kërkimore, të bëjmë analiza, të bëjmë udhëtime pune, të shikojmë si funksionon në vende të ndryshme. E faktikisht, tani janë pjekur kushtet, shumë e thjeshtë. Pastaj nga vijnë idetë, unë nuk jam nga ata që luftoj për copyright, kjo nuk është ndonjë shpikje. Kultivimi i kanabisit për arsye mjekësore, tanimë është një trend botëror, kështu që copyright nuk më intereson. Di që jemi në kohën kur duhet ta shtyjmë përpara këtë proces e do ta shtyjmë përpara dhe brenda këtij sesioni të parlamentit, ambicia është që ta kalojmë.

TV ORA: Dua të rikthehem tek kërkesa e opozitës për qeveri tranzitore. Me të vërtetë nuk është një kërkesë e ODIHR-it, por është një kërkesë e opozitës që ka mbajtur  peng për më shumë se një vit jetën politike. A mendon se mund të sakrifikohet 3 muaj pushtet, për të treguar se jeni i gatshëm në çdo moment për të bërë shtet, apo mendoni se kjo është një kërkesë e pabazë që nuk sjell asgjë të re?

Kryeministri Rama: shteti nuk bëhet duke sakrifikuar parimet themelore dhe duke grisur kontratën me qytetarët që votojnë. Kaq e thjeshtë është kjo. Opozita mund ta kërkojë, është në të drejtën e saj. E kërkoi në forma krejt vulgare, duke përgatitur një zjarrvënie të përgjithshme. U dogj vetë. Nëse duan të vazhdojnë ta kërkojnë, janë në të drejtën e tyre, por kjo nuk ka për të ndodhur.

Dritare.net: Qeveria e Britanisë së Madhe i ka bërë thirrje qytetarëve të saj qartazi që t’i harrojnë pushimet verore jashtë vendit. Është situatë shumë e vështirë për Shqipërinë, duke qenë se kemi dhe vijë të gjatë bregdetare. Cilat janë pritshmëritë tuaja për sezonin turistik dhe a keni një thirrje për gjithë shqiptarët në trojet shqiptare në lidhje me sezonin e verës?

Kryeministri Rama: Kjo është pyetja më e vështirë dhe dilema më e madhe e imja dhe e jona çdo ditë. Është jashtëzakonisht e vështirë dhe është një vendim që është një thikë shumë e mprehtë, me dy presa, sepse rreziku është shumë i madh. Nga ana tjetër, sigurisht që edhe mbyllja përtej një garancie ekuilibri mes ruajtjes së shëndetit dhe mbrojtjes së njerëzve nga katastrofa ekonomike është një domosdoshmëri. Kështu që jemi duke diskutuar me këtë. Edhe dje kemi pasur një diskutim të gjatë. Jemi duke parë me kujdes se çfarë bëjnë vendet e tjera. Me thënë të drejtën, si nga dita e parë dhe në vijim e kësaj situate, asnjë vend nuk ka përgjigje definitive për asgjë. Gjithë ecin pak në mënyrë sonambulike, me duart përpara e me sytë mbyllur, nëse mund ta bëj këtë krahasim dhe jemi duke e përpunuar vendimmarrjen dhe brenda pak ditësh do të dalim me vendimmarrje. Ndërkohë që masat janë lehtësuar ndjeshëm, do vazhdojnë të lehtësohen dhe brenda muajit, – se kur brenda muajit, nuk mund ta them sot, sepse çdo ditë ka rëndësi lidhur me numrat, lidhur me analizat, modelet, – ne duam që edhe kufijtë tokësorë të hapen. Shpresoj që kjo të jetë e mundur. Tanimë kemi hequr detyrimin e karantinimit në hotel dhe gjithsekush që vjen karantinohet në shtëpi. Shengeni është i mbyllur, të paktën deri në datën 15 qershor, që do të thotë që fluturimet ajrore janë shumë të kufizuara. Ne po bëjmë çmos me AirAlbania-n, por ka shumë më tepër kërkesa sesa mundësi, aq më tepër që afron sezoni. Jo më larg se para pak orësh isha duke komunikuar me dikë që më çonte e-mail lidhur me faktin se kishte prenotuar për të ardhur bashkë me familjen nga Europa ku jeton, në qershor, për të bërë pushime këtu dhe si ai, me siguri janë plot. Kështu që është një dilemë e jashtëzakonshme, ndërkohë që mundësia e një përsëritje, e një vale të re nuk është e vogël. Në rast se numrat do të fillojnë të kërcejnë përtej një pritshmërie të arsyeshme dhe do të mund të na fusin në një kornizë të një modeli zhvillimi të epidemisë që kërcënon sistemin tonë shëndetësor, ne do të jemi të detyruar të rimbyllemi, që do të ishte e rëndë shumë për të gjithë. Prandaj është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët të bëjnë çmos, çdonjëri nga ne  të bëjë çmos që të ruajë veten e të tjerët, duke respektuar ato rregullat e thjeshta, jo fort të këndshme, por duke i respektuar, sepse përndryshe mund të kthehemi në situata më të vështira se ato që kaluam, sepse mund të gjendemi jo vetëm të mbyllur, por dhe shumë më seriozisht të ekspozuar.

E di që nuk e dhashë përgjigjen e dëshiruar plotësisht, por përgjigja e sinqertë është kjo, që është dilemë shumë, shumë e madhe. Nuk është thjesht çështja, a do hapet turizmi, por çështja është si? Shikoja vende të ndryshme, me propozime si 5 metra distancë çadra nga çadra, ose pa shezllone fare, sepse edhe ato mund të jenë një burim, jo në mënyrë të parcelizuar, pra, janë shumë improvizime të ndryshme që bëjnë vende të ndryshme, por realisht të gjithë, edhe me çfarë komunikoj në mënyrë të vazhdueshme me kolegë kryeministra në vende të tjera, ecin, si të thuash, me duar përpara, por me sy mbyllur, me shpresën që nuk do takojnë murin.

Asociated Press: Përshëndetje! Duke qenë se përgjigjen lidhur me turizmin, e mora pak a shumë. Diçka lidhur me Europën tani. Në Samitin e fundit u duk se Europa ka shtyrë përsëri përcaktimin e datës së fillimit mbase ta quajmë formal, zyrtar, të takimit qeveritar. Në çfarë fazë ndodhet marrëdhënia e Shqipërisë me Europën? Çfarë duhet të bëjë Shqipëria, apo çfarë pret ajo?

Kryeministri Rama: takimi i Zagrebit nuk ishte për të vendosur datën e çeljes së negociatave. Ky nuk është një atribut i atij formati. Data do të vendoset me propozim të Komisionit dhe me vendim të Këshillit Europian. Ndërkohë ne jemi duke punuar përditë, sëbashku me Komisionin. Tanimë kemi ngritur strukturën e negocimit, kemi emrin e kryenegociatorit, e kemi shumë të qartë se cilat janë gjërat që duhet të bëjmë. Janë po ato gjëra që kemi bërë dhe që do bëjmë e në vijim edhe pasi të vijë data. Pra, procesi është tanimë në hullinë e vetë, kështu që nuk shoh asnjë shqetësim lidhur me datën. Data do vijë në momentin kur të bashkohen yjet, kur të jenë bërë bashkë edhe raporti i Komisionit, edhe mundësia e Këshillit. Por ajo që është e rëndësishme është që puna ka filluar intensivisht e do të vazhdojë intensivisht.

TCH: Përshëndetje Kryeministër! Javë e shkuar, qeveria mori një vendim duke shpërblyer me 55 mijë lekë personelin që shërben në institucionet e përkujdesit shëndetësor rezidenciale publike.  Do doja t’ju pyesja, a është duke e menduar qeveria, apo studiuar mundësinë për të  shpërblyer edhe efektivët e Policisë së Shtetit, apo dhe të Policisë Ushtarake, të cilët, besoj ndajmë të njëjtin mendim, kanë qenë vendimtare në zbatimin e rregullave të karantinës këto muaj?

Kryeministri Rama: Hap pas hapi. Duhet t’i shikojmë të gjitha gjërat sëbashku e jo të ndara veç e veç. Personeli që ju iu referuat ka bërë një sakrificë të jashtëzakonshme, mbyllur brenda pa dalë, sëbashku me të moshuarit dhe ne kemi patur një rezultat të jashtëzakonshëm me shtëpitë e të moshuarve, gjë që nuk ka ndodhur në vende shumë të zhvilluara, ku shtëpitë e të moshuarve janë kthyer praktikisht në vatra të nxehta të humbjeve të jetës. Prandaj mendoj që e meritonin plotësisht këtë vëmendje dhe sigurisht bëhet fjalë për një numër të vogël, që nuk e disbalancon në të përgjithshmen e vet arkën e shtetit. Jam shumë i vetëdijshëm për atë çka ka bërë Policia e Shtetit, edhe për ato që ju keni pare e që keni transmetuar si komunitet mediash, por edhe për ata që nuk kanë qenë në vëmendjen dhe në syrin e opinionit publik, një punë e jashtëzakonshme.

Mjafton të them që në ndërkohë ka vazhduar intensivisht puna e OFL-së dhe sot që flasim jemi në kushtet kur kemi 81 praktika të dërguara në zbatim të nenit 19 të Aktit Normativ, 6 të tjera në zbatim në nenit 18. Janë kryer një sërë sekuestrimesh. Janë praktika të dërguara SPAKUT. Po kështu janë në përpunim dhe në proces një numër i disa qindra praktikave të tjera. 81 janë praktika sekuestroje emergjente prej të cilave një numër i konsiderueshëm lidhen me automjetet, një numër tjetër lidhen me pasuritë e paluajtshme e me radhë. Është vetëm një element, por në tërësinë e vet, po t’i referohemi punës së policisë, për të reaguar në mënyrë imediate ndaj situatave kriminale, ka qenë e shkëlqyer në atë situatë të një dite që ishte një ditë e keqe për rendin dhe me identifikimin dhe kapjen e autorëve në kohë rekord. Mendoj që policia është në një proces jashtëzakonisht të shëndetshëm fuqizimi dhe meriton të gjithë vëmendjen për punën shtesë, sakrificën shtesë që ka bërë gjatë gjithë kësaj periudhe, duke asistuar popullin dhe duke mbrojtur njerëzit nga armiku i padukshëm.

A po bën kontroll qeveria ndaj bankave, të cilat nuk po japin kredi për shlyerjen e pagave për tre muaj, por kërkojnë dorëzanë, pavarësisht garancisë dhe po vonojnë procesin, gjë që mund të jetë shkatërrimtare për bizneset që duhet të rimëkëmben pas krizës së pandemisë. Si po monitorohet procesi, Zoti Kryeministër?

Kryeministri Edi Rama: E vërteta është që procesi po shkon shumë mirë dhe nuk shohim asnjë shqetësim, me thënë të drejtën. Ato janë kredi dhe nuk janë indulgjenca që jepen nëpër sportele pa letra. E fakti që nga instrumenti i pare, deri tani janë alokuar 22 milionë euro dhe rreth 30 milionë dollarë, në mos gabohem, është shumë domethënës në një kohë kaq të shpejtë. Ndërkohë janë me qindra praktika të tjera që po shqyrtohen dhe ne jemi të bindur që brenda muajit qershor, instrumenti mund të jetë tërësisht i ezauruar dhe mund të duhet që të shtojmë një kapacitet të ri financiar, për të rigarantuar në mënyrë që t’i jepet mundësi dhe të tjerëve. Kam parë që ka sipërmarrës që ankohen, që kërkojnë këtë dhe atë, është normale dhe i mirëkuptoj, por instrumenti është duke ju përgjigjur pritshmërive tona më pozitive.

Dua të sjell në vëmendje disa pika para se ta mbyllim këtë bashkëbisedim të këndshëm.

Së pari; dua të sjell në vëmendje që masat lehtësuese do të vijojnë. Tirana mbetet një problem ende dhe lehtësimi në Tiranë, apo në zonat e tjera të kuqe për momentin që flasim duket i pamundur edhe këtë javë. Ndërkohë që në pjesën tjetër do të vazhdojmë.

Kemi diskutuar po ashtu, lidhur me mundësinë për hapjen e kopshteve dhe të çerdheve, publikë dhe jopublikë, në datën 1 qershor, përkon edhe me ditën e fëmijëve. Nëse numrat do të vazhdojnë të jenë stabël, ne mund t’i hapim kopshtet dhe çerdhet dhe kjo kohë duhet shfrytëzuar për të krijuar kushtet, siç është shfrytëzuar koha për të krijuar kushtet për maturantët, që në 18 maj do të hyjnë nëpër klasa. Kuptohet me rregulla komplet të tjera nga ato që kanë ekzistuar më parë dhe do të mund të kenë një periudhe trejavore mësimi përpara Maturës Shtetërore.

Nga ana tjetër do të vazhdojmë lehtësimin e qarkullimit gjithmonë jashtë zonave të kuqe, zgjatjen e mëtejshme të orareve. Me këtë rast dua të përfitoj për t’ju përgjigjur shumë prej atyre që komentojnë se nuk i kuptojnë fashat orare, ose i ironizojnë si fasha orare që vendosen kur del virusi dhe kur shkon virusi në shtëpi. Në fakt, shtrirja e fashave orare pas një ore të caktuar, kur mbaron puna, ka shqetësimin që lidhet me nevojën për t’u grumbulluar dhe nevojën për aktivitete të tjera, që pastaj rrit edhe tundimin për të hapur lokalet e kështu me radhë. Prandaj të gjitha këto zhvillohen në mënyrë të balancuar. Kemi parë disa vende që kanë bërë disa hapa më të shpejtë. Serbia, për shembull, ka bërë një hap shumë të shpejtë, edhe për arsye të një procesi zgjedhor që ka. Do ta ndjekim me vëmendje se si do të shkojnë gjërat atje në raport me epideminë, sepse mundohemi të shohim dhe të mësojmë nga të gjitha situatat.

Po ashtu dua të përsëris që të gjitha lokalet të marrin masa që të jenë në rregull, sepse lokalet, transporti dhe turizmi janë tre pika shumë të nxehta dhe shumë të rrezikshme. Lokalet do të monitorohen nga shumë afër dhe unë nuk do të dëshiroja kurrë që të na duhet që t’i penalizojmë. Prandaj duhen marrë masa shumë të rrepta. Lokalet dhe sipërmarrësit e lokaleve duhet të ndjehen në detyrimin për të mbrojtur shëndetin, jo vetëm të tyre dhe të personelit, por dhe të popullit shqiptar, sepse, nëse fillon një zinxhir infeksioni nga lokalet, gjëja bëhet problematike. Koreja e Jugut u detyrua të rikthehet mbrapsht për shkak të një një zinxhiri infeksioni pikërisht nga lokalet. Jordania u detyrua të kthehet mbrapsht për shkak të një zinxhiri infeksioni nga transporti. Kështu që dihet shumë mirë “pse” dhe “si”.

Kemi filluar punën për një strategji adoptimi të transportit, që do ta paraqesim në fillim të qershorit. Adoptimin si do të jetë transporti në vijim, në kushtet jo vetëm kur duhet të mbrohemi nga virusi, i cili do të jetë me ne për një kohë të gjatë, të paktën deri sa të dalë vaksina, minimumi, por sidoqoftë e rëndësishme është që çfarë bëjnë njerëzit vetë.

A2 /CNN: Riatdhesimin e shqiptarëve në kampet e Sirisë pak muaj më parë, ju e quajtët si një operacion kompleks. Ҫfarë është bërë në ato raste, të cilat vijojnë të qëndrojnë në Siri.

Kryeministri Edi Rama: Kemi bërë atë që kemi bërë dhe më parë dhe vazhdojmë ta bëjmë. Siç e thatë ju, është një situatë shumë komplekse. Shpresojmë të kemi rezultate, por nuk mund të them asgjë më shumë, sepse janë operacione shumë të ndërlikuara dhe shumë sensitive. Jam shumë i vetëdijshëm për situatën dhe kemi praktikisht të gjithë regjistrin e të gjithë personave shqiptarë që gjenden në ato situata dhe po punojmë. Shpresojmë të kemi rezultate shpejt.

Ju falenderoj shumë dhe ju uroj punë të mbarë!

Lani duart, hapni dritaret, ruani distancën dhe për të tjerat, ne do të bëjmë çmos të gjithë së bashku.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.