Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferenca për shtyp e Kryeministrit Edi Rama para nisjes së jetësimit të fushatës “Shqipëria buzëqesh” me vaksinimin antiCOVID:

 

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita! Faleminderit për praninë tuaj! Është një ditë e veçantë, sepse nisim jetësimin e fushatës “Shqipëria Buzëqesh” me vaksinimin antiCOVID. Jam këtu, sëbashku me ministren e Shëndetësisë, e cila do të bëjë një panoramë të strategjisë dhe planit të vaksinimit.

Ndjehem vërtetë i lehtësuar për faktin se jo vetëm kemi arritur në kushte aspak të lehta të garantojmë 500 mijë dozat e para të Pfizer, sikundër e kam bërë publike në 1 janar, por edhe të sigurojmë fillimin e vaksinimit para afatit falë marrëdhënieve bilaterale dhe sikundër, – dhe këtë e kam bërë me dije publikisht, – janë kyce në këtë proces të çuditshëm ku strategjia dhe drejtimi i përcaktuar nga BE-ja, për t’u investuar në skemën e COVAX, ka rezultuar që të jetë ende sot që flasim një drejtim i papërcaktuar në kohë. Pavarësisht angazhimin me COVAX të Shqipërisë dhe të plot vendeve të tjera jashtë Bashkimit Europian, nëse do të qëndronim në pritje të COVAX, do ishim akoma duke pritur dhe nuk dihet ende sot, sesa do të zgjaste kjo pritje. Për këtë arsye, ne jemi angazhuar qysh në krye të herës, intensivisht, me kanale të tjera, siç bëjnë edhe vende të tjera. Ia kemi dalë të kontaktojmë drejtpërdrejtë, në New York, Pfizer dhe të hapim me ta një kanal negociatash intensive, të vështira, për shkak të pamundësive objektive.

Njëkohësiht kemi hapur 4 kanale të tjera bilaterale me 4 vende. Vaksinimi që fillojmë sot është rezultati i parë i një prej kanaleve bilaterale me një vend të Bashkimit Europian, të cilit nuk jam i autorizuar ta bëj me dije se cili vend është dhe kjo për shkak të kërkesës së tyre vetë. Meqë është thënë krejt gabimisht se ky vend është Greqia, mund t’ju them që jo nuk është Greqia.

Jemi në kontakt, sepse ne kemi sot të siguruar rrugën e vaksinës me doza të parashikuara muaj pas muaji, duke filluar nga java e tretë e janarit drejtpërdrejtë me kompaninë Pfizer, por qëllimi ynë është të rrisim në ndërkohë kapacitetin vaksinues, duke rritur prurjet e vaksinës Pfizer. Me shpresë, së shpejti, duke hapur rrugën edhe për vaksinën AstraZeneca, përmes këtyre kanaleve.

Dua t’ju shpjegoj që ky është një funksionim krejt normal dhe këtë nuk e bëjmë vetëm ne, por e bëjnë të gjitha vendet. Nëse do të shikoni sesi BE-ja e ka konceptuar këtë proces, në momentin kur ka vendosur të mendojë vetëm për veten e vet, është lënë në diskrecionin e vendeve anëtare që të ndërtojë në rrugë bilaterale me vendet jo anëtare, procese ndërveprimi për vaksinën, të cilat janë të llojeve të ndryshme. Ka proces ku një vend X është i gatshëm të japë një pjesë të dozave që ka në dispozicion për shkak se nuk i përdor dot të gjitha menjëherë dhe ato t’i shesë. Për fat të mirë, në gjithë kanalet ku tregtohet vaksina Pfizer nuk ka negociata mbi çmimin. Çmimi është i njëjtë për të gjithë. Ka kanale ku veprohet me këmbim, pra, një vend ka nevojë që të garantojë më shumë doza në X kohë dhe një vend tjetër i krijon mundësinë që këto doza t’i garantojë me shkëmbim, pra, në momentin që vendi i parë merr këto doza në një kohë të caktuar, i kthen në një moment të dytë kur ka më shumë. Është e gjitha një punë që zhvillohet si në një lloj burse, le të themi, por e vetmja gjë që ndryshon në këtë rast është që nuk lëviz çmimi.

Ky është një fakt i zhdërvjelltësisë dhe efektshmërisë sonë diplomatike dhe i aftësisë sonë për të bërë atë që duam, duke shfrytëzuar kapacitetet tona diplomatike, duke shfrytëzuar aftësinë tonë për të influencuar në marrëdhënie të caktuara dhe natyrisht, duke shfrytëzuar respektin që kemi krijuar në këto vite tek partnerët tanë. Ky është fakt dhe patjetër është fakt që në një garë lypësash për vendin e tyre, unë jam pretendent për vendin e parë.

Pyetje [e padëgjueshme]

Kryeministri Edi Rama: …duhet besueshmëria dhe duhet aftësia për të influencuar, sepse këtë që bëjmë ne, e bëjnë dhe vende të tjera që nuk janë anëtare të BE-së. Fakti që ne ia dalim në një kohë kaq të shpejtë dhe nuk jemi më mbrapa vendeve të BE-së, veçse me ditë, është tregues i eficencës sonë.

Përsa i përket kësaj partie të parë, kjo është dhuratë. Nuk është e blerë, – jua thashë më parë, por pak më shumë vëmendje kur dëgjoni, – që janë mundësira të ndryshme. Është mundësia që një vend jep për një mijë e një arsye, është mundësia që i mban, është mundësia që i shet. Në rastin konkret, sot nis vaksinimi. Lajmi i mirë është që me dozat që kemi siguruar në këtë hap të parë do të garantojmë vaksinimin e të gjithë mjekëve, infermierëve, epidemiologëve të Infektivit, të antiCOVID. Nuk e kam harruar atë që kam thënë, menjëherë dhe pavarësisht faktit që dozat e kësaj jave janë të pakta, në kuptimin në raport me nevojat e përgjithshme, por nevojat e përgjithshme i kemi të siguruara sipas afateve dhe sipas planit të vaksinimit, do të japim një kontribut për Infektivin e Prishtinës. Ministrja është në kontakt me homologun. Është shumë e rëndësishme që Ministria e Shëndetësisë së Kosovës të ketë gati pjesën mbështetëse, pra, zinxhirin ftohës dhe konservimin në temperaturën e duhur të vaksinës Pfizer. Ne e kemi dhe në mos gaboj, pasnesër do të bëjmë publik me pamje vendin, mënyrën e ruajtjes, të gjithë procesin, në mënyrë që të jemi plotësisht transparentë dhe për të treguar që gjithçka është e mirëpërgatitur, siç ka qenë që nga dita e parë e kësaj lufte.

Ne nuk jemi as më të pasurit, as më të zotët, por në këtë luftë, që nga dita e parë nuk jemi mbrapa askujt, në asgjë. Kjo është një arsye për të qenë krenarë për punën dhe kapacitetin e posaçëm që është vënë në dispozicion, duke filluar nga ata që janë në vijën e parë, nga mjekët, infermierët, njerëz, të cilët janë parë me sy të shtrembër, gabimisht, për shumë kohë dhe që kanë treguar që janë heronjtë e këtij vendi. Ja, zonjat që shikoni këtu mbrapa dhe të tjera si ato dhe të tjerë, janë ata. Patjetër, edhe falë largpamësisë dhe aftësisë së kësaj qeverie, të autoriteteve tona shëndetësore, të Ministrisë së Shëndetësië, të ministres, që në kushtet e konfuzionit të madh, të krijuar botërisht, nuk e kanë humbur për asnjë moment fokusin dhe nuk kanë ceduar në asnjë hap nga objektivi, duke arritur të ndërtojnë një plan shumë efikas të provuar në vijim.

Vaksinimin do ta bëjnë ata që janë në vijën e parë. Unë do ta bëj vetëm për të dhënë mesazhin e qartë që vaksina jo vetëm është e sigurtë, por vaksina është arma asgjësuese e këtij armiku të padukshëm dhe dokrrat me çipat e me manipulime të geneve e me transformime të ilirëve në vikingë apo aziatikë, janë qesharake. Siç e kanë bërë edhe kolegë të mi, do ta bëj dhe unë. Ndërsa ministrja e Shëndetësisë dhe anëtarët e kabitetit qeveritar janë si gjithë të tjerët dhe nuk kanë nevojë të hyjnë dhe të marrin përpara ditës që ju takon, atë që ju takon mjekëve, infermierëve, mësuesve, punonjësve të policisë dhe më të moshuarve. Nuk mund ta bëjë ministrja e Shëndetësisë përpara të ëmës apo cilido qoftë. As unë normalisht nuk do duhej, por, meqë kemi në këtë vend një grup konspiracioni dhe një pjesë të afektuar nga llumi i rrjeteve sociale, do ta bëj siç e kanë bërë kolegët e mi që drejtojnë vendet e tjera. Do ta bëj vetëm për këtë arsye. Nuk do dëshiroja t’i zija radhën askujt nga ata, të cilët duhet ta bëjnë më parë, por do ta bej sot, patjetër, vetëm për këtë arsye, meqë shumëkush këtu, fatmirësisht janë pak nga çfarë ne kemi anketuar, por janë shqiptarë që nuk mund t’i lejojmë të mendojnë dhe të privojnë veten nga vaksina për shkak se Bill Gates do t’i vendosë një çip për të përgjuar thashethemet që bëni nëpër kafene.

Vaksina nuk është e detyrueshme, askush nuk është i detyruar ta bëjë me ligj apo me pahir, secili e zgjedh vetë, por është shumë e këshillueshme sepse është arma që e mbron njeriun nga ky armik dhe bën që gjithë këto mrrokullat tona të kësaj kohe të bëhen të panevojshme.

Duam të dimë konkretisht në çfarë ore do të nisë vaksinimi?

Kryeministri Edi Rama: Në ora 15:00 do të jemi këtu dhe do të fillojmë procesin.

Përsa i përket deklaratave të vaksinave COVAX… 

Kryeministri Edi Rama: COVAX nuk është vaksinë, është platformë për të garantuar që vendet të kenë akses tek vaksina.

Ju keni lajmëruar që keni bërë një parapagesë prej 3,9 milionë dollarësh. Duke qenë se nuk kanë mbërritur akoma, do prisni që të mbërrijnë dozat nga COVAX, apo do kthehen paratë mbrapsht? Pse nuk është bërë publik, siç është bërë në vendet e tjera, procesi i ardhjes të vaksinave në vendin tonë, pse u mbajt i fshehtë dhe në çfarë kushtesh po mbahen këto vaksina, pasi ju thatë që do të publikohen pas dy ditësh kushtet ku po mbahen?

Kryeministri Edi Rama: Siç thashë, COVAX nuk është vaksinë. Është sistem i ngritur për të garantuar aksesin në vaksinë të shumë vendeve që kanë parapaguar te COVAX. Ne nuk kemi arsye pse të tërheqim paratë nga COVAX, sepse COVAX do të funksionojë në një kohë të caktuar. Se kur është kjo kohë, nuk e dimë, nuk e di askush. Siç e keni parë, vendet kanë rendur të bëjnë çka munden me parimin secili për vete, Zoti për të gjithë. Këtë ka bërë Bashkimi Europian, për fat të keq. E kam thënë që ditën e parë që është jo vetëm e papranueshme moralisht dhe politikisht, por edhe e pajustifikueshme logjikisht për një arsye shumë të thjeshtë; sepse Bashkimit Europian nuk i kushtonte asgjë që, ndërkohë që X vend merr X doza dhe i mban aty sepse nuk mund të bëjë vaksinimin me shpejtësinë që të ezaurojë të gjithë dozat që ka, fare mirë mund të linte një pjesë, sado të vogël, për vendet e rajonit dhe të thoshte se nga të gjitha këto, 6 vende të rajonit do marrin dozat për mjekët e Infektivit. Qoftë dhe vetëm për mjekët e Infektivit. Ne nuk jemi të fortë si Bashkimi Europian dhe ne nuk i kemi sot, të gjitha dozat që na duhen për të gjithë mjekët e Shqipërisë, por edhe po t’i kishim, nuk mund t’i bëjmë në një ditë. Pavarësisht se nuk i kemi të gjitha ato që na duhen, nga këto që kemi, një pjesë, sado të vogël, do t’ia çojmë Kosovës, se ne nuk jemi në kushtet që mund ta harrojmë që në radhë të parë jemi njerëz dhe e para është solidariteti.

Në këtë situatë kemi bërë më të mirën dhe besoj se e kemi bërë mirë. Në vendet e tjera, përjashto Serbinë që ka vepruar në të njejtën mënyrë, nuk janë akoma në gjendje të fillojnë dhe akoma nuk kanë qartësi se kur do fillojnë. Nuk kemi mundësi t’i ndihmojmë të gjithë. Kosovën nuk do ta lëmë veç. Kosova është në COVAX, por nuk dihet se kur mund të fillojë. Ne nuk ja zgjidhim dot hallim, por që t’ia qajmë, jemi jo të detyruar, por jemi shumë të natyrshëm të prirur ta bëjmë këtë gjë.

Përsa i përket zhdoganimit, procesi ka filluar ditën e premte dhe sot në orën 9 është kryer si proces për shkak të gjithë hapave që duheshin ndjekur, sepse vendi që na i ka dhënë vaksinat ka kërkuar konfidencialitet. Si t’ua shpjegoj këtë, në çfarë mënyre? Sigurisht, në një ditë të caktuar më tutje, shpresoj të kem mundësinë ta them dhe ta falenderoj atë vend përpara të gjithë shqiptarëve, por ka kërkuar konfidencialitet për arsyet e veta dhe këtë gjë e kërkojnë të gjitha vendet. Edhe 3 vendet e tjera me të cilat ne jemi shumë afër kanë kërkuar konfidencialitet. Për një arsye shumë të thjeshtë; sepse, nëse një vend sot e bën këtë për Shqipërinë, nuk dëshiron që 3, 4, 5, 10 apo 12 vende të tjera t’i thonë bëje edhe për ne. Pse e bën për Shqipërinë? Nuk më takon mua t’ua shpjegoj, por një nga arsyet është sepse keni Edi Ramën kryeministër, përshembull.

Vaksinat janë aty ku duhet të jenë, në sistemin tonë ftohës. Thashë pasnesër për shkak se nesër kemi një program tjetër me ministren e Shëndetësisë. Duhet të jemi në Fier, sëbashku me përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Turqisë dhe grupin që do të bëjë ndërtimin e spitalit të Fierit, pasi duhet të jemi të gatshëm të mbështesim një nismë që ka një objektiv shumë ambicioz; të kemi Spitalin Rajonal të Fierit që do t’i shërbejë jo vetëm Fierit, por të gjthë Shqipërisë brenda 3 muajve. Për këtë arsye, pasnesër do të shfaqim gjithë infrastrukturën ku mbahet vaksina. Besoj që fakti që unë sot do të jem nga të parët që do të bëj vaksinën i mbyll të gjitha këto konspiracionet dhe kuriozitetet e vrimës së çelësit. Nuk ka asnjë problem.

– Meqënëse përmendët që tashmë strategjia e vaksinimit është e detajuar, a mund të dime se cili është afati kur të gjithë grupet prioritare, që ju përmendët Zonja ministre, do të përfundojnë vaksinimin, kur pritet të vijë vaksina Pfizer dhe sa është fondi total i vënë në dispozicion për blerjen e vaksinës? Flas për blerjen e vaksinës, jo për fondin total të vënë në dispozicion për përballimin e emergjencës COVID.

Kryeministri Edi Rama: Po përgjigjen unë në vend të ministres. Nëse ju do të gjeni sot një vend, nga SHBA-ja tek Franca, Britania, Suedia, vijani gishtin vetë, ku ju do merrni përgjigje për pyetjen që bëni, hajde bëjeni pyetjen këtu pastaj. Se kur do mbarojë me datë vaksinimi. Po e gjetët një, ne do jemi të dytët që do ta japim përgjigjen.

Përsa i përket pjesës tjetër, ministrja mund të përgjigjet, por unë po ju them që, siç ka ndodhur në fakt që nga dita e parë e deri më sot, edhe me strategjinë e vaksinimit, edhe me planin e kalendarizuar të vaksinimit, nuk ka, nuk e gjeni dot një vend që ta ketë me ndonjë diferencë nga pikëpamja e konceptimit dhe hartimit nga ne. Jo se jemi më të zotë, por se jemi shumë më të vëmendshëm, lexojmë shumë, analizojmë shumë dhe nuk flemë gjumë e duke mbledhur në kohë reale, është një grup i tërë njerëzish, që nga dita e parë që është shfaqur kjo flame, që merret vetëm me këtë punë, nuk bën asgjë tjetër. Ditë e natë mbledhin të dhëna nga të gjitha vendet, çfarë u bë aty, çfarë bëri ai, si po bëhet atje, si ndodhi këtu. Mbledh të dhëna, i vë në tavolinë, analizohen e pastaj bëhet më e mira. Ka vende shumë më të zhvilluara, me zotësira shumë më të mëdha se tonat, por nuk e kanë modestinë tonë për të mësuar dhe për të pasur vetëdijen, se nuk kanë si ta kenë atë vetëdije që jo vetëm nuk i dimë të gjitha, por në këtë fushë duhet të mësojmë sa më shumë çdo ditë.

Kjo është arsyeja, pse deri më tani, në këtë luftë, Shqipëria ka qenë absolutisht, as më shumë e as më pak sesa çdo vend tjetër i suksesshëm, se ka edhe vende që kanë qenë fatkeqësisht të pasuksesshme.

Ministrja Ogerta Manastirliu: Më lejoni të përsëris dhe një herë elementët kryesore të strategjisë së planit të vaksinimit. Sikurse e thashë në krye të herës, ne kemi arritur që të përputhim kapacitetin vaksinues, sipas standardeve më të mira dhe kapacitetin në raport me produktin, pra, me vaksinën. Kemi bërë një punë shumë të imtësishme, për të përcaktuar grupet dhe prioritetet sipas grupeve.

Është e rëndësishme për të theksuar që përqindja, në raport me popullatën që duhet vaksinuar, gjithmonë shkon në linjë me atë çka ne kemi synim thelbësor, që vaksina si e tillë të luajë një rol thelbësor në kufizimin e përhapjes së virusit. Duhet të kuptojmë që vaksina është “game changer” patjetër, sëbashku me të gjithë elementët e tjerë, që nga vijimi i testimit, gjurmimit dhe izolimit. Të mos harrojmë që janë të gjithë elementë përbërës të asaj që ne duam të bëjmë, të kontrollomë pandeminë dhe kontrolli i pandemisë ka në elementët e rëndësishëm të saj vaksinimin. Vaksinimi i popullatës në përqindje të caktuara, sipas asaj që thonë ekspertët dhe nuk e themi ne si politikanë, lidhet me kapacitetet e vendit dhe me produktin që vjen. Pra, ne i kemi përputhur të dyja këto dhe brenda muajve që tashmë i kemi thënë dhe në strategjinë tonë, ne duam që të vijojmë me vaksinimin e grupeve prioritare, të cilët janë mjekët, infermierët, punonjësit e shëndetësisë, të moshuarit mbi 75 vjeç dhe më tej të gjitha grupet në vijim dhe e gjithë popullata.

Sigurisht që nga lloji i vaksinës përcaktohet edhe skenari. Sot jemi me vaksinë Pfizer, nëse do të vijojmë me vaksinën Moderna apo Astra Zeneca, përpjekjet për të cilat po bëhen në të gjitha drejtimet, ashtu sikurse kryeministri e tha dhe më lejoni të them që kjo është një ditë e madhe për të gjithë ne. Përpjekja e kryeministrit, rezultati i zotëm, pra, fakti që ne, sot fillojmë vaksinimin e atyre njerëzve që janë në frontin e parë të luftës është sukses. Fillon një erë e re në kontrollin e pandemisë nëpërmjet vaksinimit kundër COVID-19 dhe përpjekjet tona do të jenë maksimale që procesi i vaksinimit të vijojë, duke garantuar siguri në të gjithë procesin e administrimit të vaksinës. Dua ta theksoj këtë gjë sepse nuk është një proces si lehtë për të ardhur deri në këtë ditë, deri sot, deri këtu.

Përpos vaksinës që është elementi kyç, janë bërë një seri përgatitjesh të imtësishme, duke filluar nga ekipet që do të vaksinojnë, deri tek elementët e sigurisë së vaksinës që janë thelbësore, në raport me zinxhirin ftohës ku kapacitetet tona sot ekzistojnë dhe vaksinat aktualisht janë të ruajtura sipas temperaturave që kërkohen, pra, është temperatura ultra e ftohtë -70 gradë dhe kemi kapacitete gjithashtu, jo vetëm për këtë vaksinë e do vijojmë të zgjerojmë kapacitetet për këtë vaksinë, të jemi të përgatitur siç kemi qenë në krye të herës në fakt, se nëse rikthehemi dhe një herë për të bërë një rezyme 11 muaj më parë, do të thotë që i kemi qëndruar në mënyrë konsekutive çdo strategjie. Kjo është strategjia e katërt që kemi por çdo strategji ka ecur sipas skenarëve që ne kemi përgatitur dhe nuk e kemi bërë ne, e kanë bërë ekspertët tanë më të mire, duke u konsultuar me planet më të mira të vendeve të Bashkimit Europian.

Duke kaluar në planin e vaksinimit, do të vijojmë që të kemi çdo ditë ecuri të procesit të vaksinimit, jo vetëm në Tiranë, si qendra e parë e vaksinimit të përqendruar, por dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

– Dy pyetje për Zotin Rama. Së pari, a mund të na bëni me dije se sa i ka kushtuar Shqipërisë 1 vaksinë nga Pfizer? Së dyti, transporti i vaksinës Pfizer do të kryet nga kompania Pfizer apo nga shteti shqiptar? Faleminderit! 

Kryeministri Edi Rama: Vaksina Pfizer ka çmim unik për të gjitha vendet. Nuk negocion asnjë vend dhe kompania nuk negocion me asnjë. Është çmim unik dhe është konfidencial. Nuk dua të them këtu më shumë, se edhe këtu, – nëse do të shikoni e me siguri do ta shikoni më pas, pasi shumë gjëra sot janë kështu, por për një periudhë, besoj 2-3 mujore, çdo gjë do të relaksohet pasi besoj që prodhimi do të jetë i majtueshëm për të gjithë, – ne kemi arritur të bëjmë një negociatë për modalitetet, që është shumë e favorshme. Më shumë nuk them dot, është shumë e thjeshtë.

Transportin, me kuaj, me mushka, me varka, me avionë, me çfarëdo që të jetë, vaksina do vijë këtu. Keni parë ju ndonjë kompani që shet dhe të merr përsipër transportin?

– Folët për pjesën e strategjisë së Bashkimit Europian, desha t’ju pyes, që nga fillimi i kësaj pandemie, si do ta vlerësoni ju, e dimë që ka pasur një pjesë ndihmash nga BE, fonde, disa makineri. Ministrja këtu i ka marrë sa herë në dorëzim vetë, por desha t’ju pyes në përgjithësi si do ta vlerësoni qasjen e Bashkimit Europian në nga nisja e kësaj pandemie, duke filluar që me mbylljen e kufijve ndaj Ballkanit e trajtimin e tyre sikur të ishte Wuhani i Kinës e sikur virusi të kishte lindur këtu e jo në Kinë, por edhe në pjesën e vaksinave edhe të pritjes që, siç thoni ju, nuk ka akoma një afat se kur do të vijnë vaksinat e premtuara nga ta si dhe me shprehjen e famshme të presidentes së Komisionit që, nëse do të mbetet ndonjë gjë nga BE-ja, t’ia japim Ballkanit.

Kryeminsitri Edi Rama: Nuk dua të bëj më shumë komente për këtë. I kam bërë ato komente që unë mund të bëj në këtë periudhë. Sigurisht, nëse do të vijë dita e nëse do të kem pasionin për t’i shkruar këto gjëra, libri im do jetë patjetër bestseller edhe jashtë Shqipërisë, por sot nuk ka nevojë të bëjmë më shumë komente.

 Zoti Kryeministër, më parë u tha që të gjithë personat që do të vaksinohet kundër covid-19 do të kenë një certifikatë elektronike që do të hyjë në e-albania. Kjo do të thotë që të gjithë ata që refuzojnë, ndoshta në një të ardhme nuk do të marrin shërbime të tjera nga e-albania? Dhe një pyetje për ministren e Shëndetësisë, meqë sot nis vaksinimi i parë, më herët ministria e shëndetësisë ka bërë një studim serologjik sa i përket spitaleve COVID, veçanërisht infektivit. A dimë të themi se sa e kemi pozitivitetin, pra imunizimin natyral në katër spitale COVID dhe sa është lista e mjekëve dhe infermierëve që do të vaksinohen ditën e sotme? 

Kryeministri Edi Rama: Vaksina nuk është e detyrueshme, kështu që nuk ka se çfarë të ketë pasoja të asnjë natyre nga pikëpamja administrative për ata që nuk duan të vaksinohen. Pra, nëse dikush nuk do të vaksinohet, nuk ka se pse të mendohet se nuk do t’i ofrohen shërbime nga e-albania. Nuk më duket pyetje që duhet të zgjatemi, për shkakun se është e thjeshtë. Vaksina është jo me detyrim. Gjithkush vendos vetë; Dëshiron ta bëjë apo nuk dëshiron ta bëjë. Është shumë e këshillueshme, është pa diskutim arma asgjësuese e COVID-19, të tjerat janë armë mbrojtëse, por nuk janë armë ofensive. Vaksina është armë ofensive në sensin që e imunizon njeriun dhe praktikisht e asgjëson rrezikun, por patjetër që ka njerëz që kanë mendjen e tyre. Ka çuna Facebook-u, që me diplomë false rrinë nëpër kafe e i druhen Bill Gates që do t’u marri sekretet e filxhanit. Ka fallxhore që i besojnë lidhjes direkte me të plotfuqishmin dhe e konsiderojnë vaksinën një lojë të djallit. Ka të tillë, por, sidoqoftë, askush nuk është i detyruar, nuk ka problem. Kush nuk do ta bëjë, nuk do ta bëjë. Ajo që tha ministrja dhe që është e rëndësishme për t’u përsëritur është që vaksina nuk është thjeshtë e efektshme tek individi, por është pjesë e përballimit të komunitetit, sepse, duke rritur imunitetin në komunitet, ulim rrezikun apo ulim shkallën e shpërndarjes, pra, kështu ata që janë të imunizuar nuk janë më shpërndarës.

Ministrja Ogerta Manastirliu: Përsa i përket personelit mjekësor, i cili do të vaksinohet i pari, janë siç e thashë punonjësit mjekë dhe infermierë të spitaleve COVID1, COVID2, COVID3 dhe COVID4. Fillojmë sot me mjekët dhe infermierët e dy spitaleve të parë dhe më pas, gjatë ditëve shtrihemi dhe në spitalet e tjera. Janë rreth 1000 mjekë, infermierë dhe sigurisht po bëhet dhe një vlerësim i atyre, të cilët nëpërmjet analizës serologjike e kanë kaluar këtë infeksion, këtë virus, por ajo që është e rëndësishme është që sipas rekomandimeve të OBSH rekomandohet që edhe ata që e kanë kaluar dhe kanë një afat kohor të përcaktuar, ta bëjnë vaksinën e kjo do të vendoset rast pas rasti nga ekipi që po vlerëson dhe po plotëson formularët për çdo mjek dhe infermier, të cilët do të bëjnë vaksinën antiCOVID.

– Zoti Kryeministër, kemi më shumë se 45 minuta në konferencë dhe akoma nuk dimë numrin e saktë të dozave të vaksinës që ka marrë Shqipëria, mund të na jepni shifrën? 

Kryeministri Edi Rama: Për cilat e keni fjalën?

– Shifrat që kanë ardhur deri tani, që do të shërbejnë për personalin mjekësor. Sa është numri i dozave që kemi marrë?

Kryeministri Edi Rama: Shifra me të cilën nisim sot është 900. Saktësisht, 975 sot, ndërkohë që javën e tretë të janarit vijnë 10750 doza nga Pfizer, direkt nga kompania. Në ndërkohë, midis të sotmes dhe kësaj që thashë, presim dhe 2000 doza të tjera nga i njëjti vend mik. E në ndërkohë kemi të tjera kanale, por, për momentin, shifra e saktë është kjo që ju thashë. Sot nisim me këtë, por në ditët në vijim do të vijë duke u shtuar e do të vijmë edhe ne në kushtet kur do të kemi më shumë vaksina sesa kapacitetet vaksinues në ditë. Për këtë arsye, nëse Kosova është gati, në fillim të javës së ardhshme, me këtë pjesën tjetër, ne menjëherë një pjesë do t’ia japim Kosovës për spitalin Infektiv të Prishtinës.

 – Ju folët edhe për spitalin e Fierit. Në fakt ka pasur një protestë atje nga pronarët e tokës, të cilët shprehen se e duan këtë tokë pasi jetojnë me të, me prodhimet bujqësore të saj. Si do të zgjidhet kjo çështje? Dhe nëse mund t’ju pyesim, presidenti Erdogan do të ndërtojë 522 banesa në Laç ndërkohë dhe një spital në Fier. A ju ka kërkuar ai diçka juve për këtë bujari e për këto dhurata? 

Kryeministri Edi Rama: Në zonën ku do të ndërtohet spitali janë saktësisht 12 familje. Spitali do të jetë publik, jo privat. Do të jetë një spital i sistemit tonë publik shëndetësor, do të jetë një spital ku Republika e Turqisë do të kontribuojë jo vetëm për ndërtimin, por dhe për transferimin e teknologjisë dhe të dijes dhe për një periudhë kohe do të administrohet e do të drejtohet në pavijonet e veta nga specialistë turq. Do të punësohen në këtë spital, natyrisht, mjekë dhe infermierë shqiptarë, që në një periudhë kohe tanzicioni do të punojnë nën drejtimin e specialistëve turq. Në fund të këtij tranzicioni do të marrin, në bazë të eksperiencës që kanë marrë, edhe drejtimin e spitalit. Është shumë e rëndësishme të theksohet që spitali është publik që nga dita e parë dhe është publik, njësoj si gjithë spitalet e tjera të Shqipërisë, nën ombrellën e Ministrisë së Shëndetësisë. Që do të thotë, që për të ndërtuar një spital public, shteti ka të drejtën të vendosë ku dhe ka të drejtën të bëjë shpronësim për interes publik. Është shumë e thjeshtë, nuk ka asgjë të ndryshme nga çdo vepër publike që bëhet në Republikën e Shqipërisë. Protestat nuk funksionojnë kur nuk kanë bazë të drejtën e sanksionuar në ligj. Ndërkohë përfitoj nga rasti t’ju them këtyre familjarëve, atë që u ka thënë dje kryetari i bashkisë. Janë thirrur nga kryetari i bashkisë, janë informuar që kjo gjë nuk është për diskutim, është për zbatim, por, duke qenë se koha e procedurave të shpronësimit merr një pjesë të mirë të kohës për ndërtimin e spitalit, u është kërkuar mirëkuptimi që të firmosim një marrëveshje. Ne, sot kemi ngritur grupin për gjithë procedurat dhe ata do të shpronësohen sipas ligjit në fuqi të Republikës së Shqipërisë. Njëkohësisht u kemi thënë që në atë territor ku do të ndërtohet spitali, çdo pjesë për pjesën tjetër të pronës që u takon atyre e që nuk do shpronësohet, jemi gati t’u japim mundësinë me masterplanin e zonës që të ngrenë, nëse dëshirojnë natyrisht, njësi shërbimi që do t’i shërbejë edhe spitalit për njerëzit që vijnë e ikin. Ai spital do të jetë një spital rajonal. Do të ketë shumë kërkesa edhe për shkak të nivelit që do ketë dhe kjo është për pronarët. Madje për shkak se u është kërkuar kjo marrëveshje, u është thënë që për çdo ditë vonese nga marrëveshja, me shkrim, qeveria do të pranojë të paguajë dëmshpërblim për çdo ditë. Pra, çdo ditë që kalon nga dita që thuhet që do merrni lekët e shpronësimit, do jetë qeveria që do paguajë dëmin. Garanci më shumë se kaq nuk mund të japim për ata. Ndërkohë është shumë e qartë që spitali eshte një e mirë e madhe publike e nuk mund ta negociojmë për asnjë lloj pronari apo familjeje.

Përsa i përket pyetjes tjetër, marrëdhënia ime me presidentin nuk është marrëdhënia më jep, të jap. Është shumë e thjeshtë. Shpesh herë në teoritë e konspiracionit këtu është thënë, çfarë nuk është thënë, por marrëdhëniet e mia me presidentin Erdogan e me të gjithë ata që janë në krye të vendeve të tyre e me të cilët, unë kam marrëdhënie, është një marrëdhënie reciproke, respekti dhe në raste të caktuara, miqësie. Në marrëdhëniet me homologët apo me partnerët tanë, unë jam i barabartë dhe kërkoj nga secili e kam marrë këtë, barazinë. Pastaj, pse presidenti Erdogan e bën këtë, është shumë e qartë. Është pjesë e një partneriteti dhe një miqësie tradicionale mes dy vendeve. Natyrisht, edhe e marrëdhënies që ne kemi, unë dhe ai. Është fare e qartë. Të gjitha këto bashkë ndikojnë, por thelbi është që është një marrëdhënie miqësie dhe partneriteti dhe këto janë vetëm një pjesë e gjërave që kemi rënë dakord, siç është një lajm shumë i mirë ndërtimi i spitalit. Ne kemi premtuar spitalin e Fierit, ne kemi bërë shumë përpjekje për spitalin e Fierit, por asnjëherë nuk na ka dalë llogaria për shkak se bëhet fjalë për një spital që kërkonte një financim të konsiderueshëm dhe në kushtet, kur ne kemi pasur shumë elementë të tjerë të sistemit tonë shëndetësor për të financuar. Kemi studiuar disa skema edhe me PPP dhe me financim direkt dhe nuk ia kemi dale.

Lajm po kaq i mirë është hapja në Tiranë e një dege, jo degë në kuptimin e një lënde, por të një dege ku studentët shqiptarë do të jenë në Shqipëri e do të studiojnë në Universitetin Teknologjik të Stambollit, është një nga universitetet më të mira të botës. Sot, ne kemi një marrëdhënie prej 5 apo 6 vjetësh me Universitetin Teknologjik të Stambollit për shkak të nxënësve më të mirë që kemi dërguar atje. Janë zgjedhur çdo vit, nxënësit më të mirë, ata me të gjitha 10-ta dhe u është kërkuar nëse janë të interesuar të shkojnë atje. Janë atje me bursa dhe faktikisht, prej disa vitesh, më të mirët atje janë shqiptarët. Vajzat dhe djemtë e Shqipërisë dalin më të mirët. Por sa mund të çojmë atje? Ndërkohë që duke pasur universitetin këtu, do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme që për shumë nxënës të mirë, pa shkuar jashtë shtetit dhe pa kërkuar ekstra financime, të studiojnë sikur janë jashtë shtetit. Ky është një tjetër lajm shumë i mirë dhe kjo është diçka që do të materializohet shumë shpejt. Ne presim që në javët në vijim, rektori i Universitetit dhe një grup të vijë këtu dhe do të jetë Universiteti Teknologjik i Stambollit, jo një universitet shqiptar i binjakëzuar. E po kështu kemi dakordësuar projektin e restaurimit të mëtejshëm të Beratit dhe të Gjitrokastrës, flas për lagje historike etj., por të mos shfokusohemi nga vaksina.

– Në fjalën tuaj përmendët që Greqia është ofruar të ndihmojë Shqipërinë me doza për vaksinën…

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk e thashë këtë fare. E keni thënë ju. Unë thashë që kjo s’është e vërtetë. Të arrini të dëgjoni të kundërtën dhe të thoni të kundërtën, unë nuk e kuptoj dot.

– Cilat janë vendet që kanë ofruar ndihmë për Shqipërinë në dhurimin e vaksinës.

Kryeministri Edi Rama: Unë flas, shpjegoj dhe rishpjegoj që këto janë konfidenciale, sepse janë kudo konfidenciale dhe janë për të gjithë konfidenciale, ju më pyesni në fund të konferencës “cilat janë vendet”. Por e rëndësishme është të kemi shëndetin, sot fillojmë vaksinimin, të tjerat rregullohen.

– Zoti kryeministër, në fillim të fjalës tuaj, ju thatë se do të vaksinoheshit, nëse e dëgjuam qartë. Ju jeni personi i parë që do të vaksinohet në Shqipëri, apo dikush nga spitalet COVID?

Kryeministri Edi Rama: Po më pyet që mirë që po vaksinohem sot, por a jam i pari apo do jem i dyti?

– Këtë nuk e dimë.  Nëse do të jetë një person tjetër, do të na e zbuloni identitetin, do të jetë nga dy spitalet COVID?

Kryeministri Edi Rama: Të zbulojmë identitetin e personit që do të vaksionohet sot? Jeni të zënë sot pasdite, nuk vini dot ta shikoni personin tjetër?

– Meqënëse është një ngjarje madhore në fakt. Nëse mjekët dhe infermierët refuzojnë për arsyet e tyre personale të marrin këtë vaksinë, a do të penalizohen ata?

Kryeministri Edi Rama: Vaksina nuk është e detyrueshme. Askush nuk do të penalizohet nëse nuk do të vaksinohet. Mjekët dhe inferemierët nuk kanë për të refuzuar për një arsye shumë të thjeshtë, sepse e dinë shumë mirë që kjo nuk është lojë, se kanë qarë për kolegët e tyre që kanë humbur jetën dhe nuk kanë dyshim se këtu, Bill Gates po futet me çip t’u marri formulat shkencore se si ata bëjnë vizitat. Shumë e thjeshtë. Nuk do të ketë. Por, edhe nëse ka ndonjë mjek apo infermiere që nuk do të vaksinohet, natyrisht që nuk do të penalizohet. Pse dhe si do të penalizohet, kur nuk është me detyrim?

Po të më pyesnit si Edi Rama, nuk do të doja t’i zija radhën askujt, por pikërisht se janë këto teoritë e konspiracionit dhe pikërisht sepse vaksina është e këshillueshme dhe dëshiroj që askush të mos e refuzojë nga frika se do t’i fusin çipin apo se do ta vdesin para kohe, për të ulur numrin e pensionistëve në botë etj., duke parë edhe çfarë kanë bërë, – sepse siç e thashë, në këtë punë, ne mësojmë çdo ditë, – kolegë të mi që drejtojnë vende të tjera, do të jem sot, këtu, për ta bërë.

A do e bëj i pari apo do të jem i dyti, ky nuk është problem, sepse do të jenë disa që do e bëjnë bashkë me mjekë dhe infermierë. Di që do të jetë profesoresha e shumënderuar Najada Çomo, di që do të jetë profesor Kalo. Kam ftuar një personazh historik të luftës kundër COVID, Pëllumb Piperon, meqë Pëllumb Piperion e besojnë edhe pjesa që urren Bill Gates. Unë zakonisht gjithmonë respektoj gratë, kështu që profesoreshë Najadës i takon ta bëjë e para, pastaj mes meje dhe burrave të tjerë do ta gjejmë një zgjidhje me short apo sipas gjatësisë, duke filluar nga më i shkurtri.

– Për sa orë pritet të zgjasë sot, procesi i vaksinimit, sa persona janë planifikuar që të vaksinohen ditën e sotme? Një pyetje për zonjën ministre, sa është në total numri i personave që bëjnë pjesë në grupet e riskut dhe hapësira kohore që është planifikuar për të vaksinuar pikërisht grupet e riskut, duke marrë parasysh që kjo është edhe në varësi të dozave që do të sigurojmë?

Kryeministri Edi Rama: Ju përgjigjet ministrja për këto shifra.

Ministrja Ogerta Manastirliu: Sot, në ditën e parë të vaksinimit kemi planifikuar 50 punonjës të shëndetësisë, mjekë, infermierë, për t’u vaksinuar. Duke filluar nga nesër do të kemi të tjerë, duke ezauruar kapacitetin prej 60 postacionesh. Kështu krijojmë dhe një mënyrë të mirë të eksperiencës në vaksinim, që është po kaq e rëndësishme dhe për të vlerësuar të gjithë momentet që kanë nevojë për urgjencën kombëtare, për vaksinatorët, për ndryshimin e grupeve, për mjekët që do të asistojnë dhe po kështu për të gjithë elementët e tjerë që kanë të bëjnë me regjistrimin e personelit që vjen.

Përsa i përket numrave janë 5 mijë personeli kyç, që vlerësohet të jetë prioritet i prioriteteve dhe që janë ata që janë në frontin e pare, plus COVID-it, mjekët, infermierët në shërbimet e urgjencave, në shërbimet e reanimacioneve, punonjësit e Urgjencës Kombëtare, pra, ata që janë në linjën e parë të frontit antiCOVID.

Kryeministri Edi Rama: Me lejen tuaj mund ta mbyllim që të shkoj të jap dhe amanetet, se s’dihet si shkon vaksina dhe na mbajtët shumë gjatë këtu. Se janë dhe ata që thonë, po e bëre, mund të vdesësh ne vend, kështu që t’i marrim këto masa. Aq më tepër që unë e kam dhe për herë të tretë vaksinën, sikundër e di “Syri.qimi”, kështu që 2 herë kam shpëtuar, tani herën e tretë nuk i dihet se çfarë ndodh.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.