Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Rama: Mirëdita të gjithëve!

Ishte me kënaqësi që sot nisëm ditën sëbashku me Komisionerin Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin dhe gjëja e parë që dëshiroj të them, jo për protokoll, as për mirësjellje formale, por për hir të një të vërtete shumë të thjeshtë, është shprehja e mirënjohjes dhe falënderimit për Komisionerin, i cili që në momentin e parë pas rënies së tërmetit që solli një tragjedi në jetën tonë, u angazhua personalisht dhe në mënyrë të vijueshme është interesuar drejtpërdrejtë, qoftë për të marrë nga unë dhe nga ne, informacion në kohë reale për ecurinë e situatës, qoftë për të sensibilizuar të gjithë të tjerët, në funksion të nevojës së madhe të Shqipërisë për mbështetje.

Po ashtu, ishte pikërisht Komisioneri që në momentin e parë vuri në lëvizje edhe mekanizmin e disbursimit të fondit të parë për të ndihmuar në atë moment emergjencën e madhe dhe së bashku sot, kemi vazhduar diskutimin për organizimin e konferencës së donatorëve, e cila do të mbahet në datën 17 shkurt, në Bruksel e për të cilën Komisioneri, sëbashku me Presidentin e Komisionit dhe të tjerët, janë tërësisht të angazhuar.

I them këto sepse në momentet e vështira që kaluam kemi pasur mundësinë të çmojmë miqtë e vërtetë të vendit tonë dhe jam shumë i kënaqur që sot, ne e presim Komisionerin këtu, si një mik të vërtetë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Shumë faleminderit edhe një herë për gjithçka ju keni bërë e po bëni në këtë aspekt!

Sigurisht që kemi diskutuar dhe për aspektin tjetër, atë të ecurisë së mëtejshme të procesit të integrimit dhe kemi ndarë sëbashku pikëpamjet lidhur me çfarë ka ndodhur në fund të vitit të shkuar dhe çfarë mund të presim nga ky vit, në këtë aspekt.

Por, ajo që është e rëndësishme është që ne, Shqipëria, do të bëjmë të njëjtat gjëra që do të bënim edhe po të ishin hapur negociatat në fund të vitit të shkuar dhe do t’i bëjmë edhe me më shumë vendosmëri sepse kjo për ne është e vetmja rrugë, pavarësisht arritjes ose mosarritjes së konsensusit brenda Këshillit Europian për të marrë vendimin formal për hapjen e negociatave.

E kam informuar Komisionerin për ecurinë e të gjitha proceseve të reformës në drejtësi në radhë të parë, si dhe për iniciativën e re që do të aktivizojmë në ditët në vijim.

Jemi duke përfunduar diskutimet dhe me ekspertizën ndërkombëtare për të hapur një ofensivë shembullore kundër krimit të organizuar dhe eksponentëve të krimit të organizuar, si dhe kundër atyre gjykatësve dhe prokurorëve, që si në rastin fare të freskët të para dy ditësh, i përkasin organizatës “Kap Çfarë të Kapësh” dhe po e përdorin autoritetin e tyre në këtë fazë të ndërmjetme mes sistemit të vjetër që po shembet dhe sistemit të ri, që po ndërtohet nga reforma, – për të bashkëpunuar hapur dhe paturpësisht me krimin.

Për më shumë do t’ia lë Komisionerit fjalën, dhe edhe një herë duke e falënderuar për vizitën, duke e falënderuar për angazhimin e tij të dyfishtë, qoftë në funksion të procesit të rindërtimit pas tragjedisë së 26 nëntorit, qoftë në funksion të procesit të integrimit, pas marrjes së detyrës nga Komisioni i ri. i shpreh dhe një herë mirëseardhjen dhe fjala është për ju!

Komsioneri Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Olivér Várhelyi: Faleminderit shumë zoti Kryeministër! Faleminderit që më keni mirëpritur sot në Shqipëri!

Në fakt, kjo është ndalesa ime e dytë në udhëtimin tim të parë jashtë shteteve anwtare të Bashkimit Europian, dhe për mua ka qenë përparësi që të vija këtu shumë herët në mandatin tim për të përforcuar mbështetjen tonë për Shqipërinë, por po ashtu për të theksuar në fakt edhe natyrën gjeopolitike të këtij Komisioni të ri.

Siç e dini, për ne, zgjerimi dhe Ballkani Perëndimor janë prioritet.

Ne dëshirojmë që të rrisim praninë tonë këtu dhe dëshirojmë që të kemi më shumë ndikim, më shumë influencë. Ne dëshirojmë që të jemi një partner edhe më i rëndësishëm për të gjithë rajonin dhe në lidhje me këtë unë do të punoj fort, pa pushim, me vendosmëri, sëbashku me ju Kryeministër, në mënyrë që kjo gjë të bëhet realitet.

Për ne, raporti i mëparshëm i Komisionit Europian për Shqipërinë vazhdon të jetë i vlefshëm. Pra ne vazhdojmë ta konsiderojmë Shqipërinë si një shtet, i cili është gati për të çelur negociatat me BE-në dhe ne do të punojmë fort që ky realitet të bëhet i tillë përpara Samitit të Zagrebit. Komisioni do të ketë një sërë propozimesh të reja në tre drejtime apo shtylla kryesore.

E para, do të bëhet e qartë në fakt këtë muaj dhe do të jetë një metodologji e re në lidhje me trajtimin e negociatave për anëtarësimin në BE.

Ne duhet të kuptojmë një gjë, fakti që nuk u hapën negociatat në tetor ka pasur të bëjë me shqetësime nga ana e disa shteteve anëtare. Do duhet ta shikojmë këtë gjë e këto shqetësime me vëmendje. E ne në fakt, po punojmë me miqtë tanë këtu dhe po ashtu me shtete anëtare në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje, e cila do të krijojë një mundësi të re për ne, një shans të ri në mënyrë që ne të ecim përpara me procesin e zgjerimit.

Në këtë metodologji, ne përpiqemi që të krijojmë një qasje të re, e cila do të bazohet në 4 parime bazë. 4 parime, të cilat do duhet të funksionojnë jo vetëm për vendet që dëshirojnë të anëtarësohen në BE, por dhe për shtetet anëtare. Së pari, procesi do duhet të jetë më i besueshëm, do duhet të jetë dhe më politik po ashtu e do duhet që të jetë më i parashikueshëm. Për mua, është përparësi që të bëjmë atë dhe më dinamik. Kështu që ne po përpilojmë tashmë një propozim, i cili do ti marrë parasysh të gjitha këto gjëra.

Shtylla e dytë për mua është që ne të kemi mundësinë të fillojmë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut këtë vit, përpara samitit të Zagrebit. Po punojmë për këtë çështje edhe me kryeministrin, por dhe me shtetet anëtare.

Shtylla e tretë do të jetë në fakt Samiti i Zagrebit, ku ne shpresojmë që do të flasim e do të tregojmë një plan të zhvillimit ekonomik të të gjithë rajonit në mënyrë që të përshpejtohet pikërisht kjo, ndërtimi i kësaj ekonomie që të jetë edhe më efikase, në mënyrë që këto vende të jenë më pranë standardeve tona.

Në këtë kuadër, është vendimtare që të vazhdohen reformat, të cilat po kryhen tashmë në Shqipëri dhe sot për shembull Kryeministri foli për një element të ri, njoftoi për një element të ri dhe është në fakt një domosdoshmëri absolute, jo vetëm që të vazhdohet me reformat, por pasi të jenë çelur negociatat, ju do ta shihni që do të kërkohen e do të jenë të nevojshme reforma edhe më dinamike në mënyre që të ketë rezultate edhe më të mëdha, pra pikërisht në bazë të kësaj metodologjie për të cilën fola. E për këtë arsye, unë e kam mirëpritur angazhimin e qeverisë në lidhje me këtë çështje.

Duhet që të gjitha partitë politike në Shqipëri, të ndihmojnë për ta bërë këtë realitet sepse është e qartë që pa mbështetjen e të gjitha partive politike në sferën politike shqiptare, nuk do të jetë e mundur që të ketë përparim, të ketë ecuri dhe unë po ashtu, do të flas dhe me opozitën sot, në mënyrë që të na ndihmojë që këtë çështje ta bëjmë sukses e që ta përdorim edhe këtë mundësi më tej edhe pasi të jenë çelur negociatat.

Po ashtu, unë kam mirëpritur dhe mirëpres në fakt edhe përparimin e konsiderueshëm që është arritur në reformën në drejtësi dhe mendoj që procesi i vettingut, i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ka treguar në fakt pikërisht vendosmërinë, por dhe rezultatet, për të zbatuar këtë reformë. Po ashtu, mirëpres dhe marrëveshjen e djeshme për reformën zgjedhore dhe edhe ky është një gur shumë i rëndësishëm kilometrik.

Pra, të gjitha këto janë lajme të mira, megjithatë ka ende sfida përpara.

Të gjithë ne i kemi këto sfida përpara. Duhet ende që të bëjmë shumë për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin. Duhet po ashtu që të sigurohemi që të ketë një shtet të përmirësuar të së drejtës dhe për këtë duhet të punojmë së bashku dhe shpresoj që do të mund të vazhdoj të mbështetem në bashkëpunimin e të gjitha partive politike, në këtë aspekt.

Në lidhje me përgëzimet apo lavdërimet, unë në fakt do të thoja që kam një lajm të mirë që dëshiroj ta ndaj me ju këtu sot dhe kjo ka të bëjë me faktin që duke pasur parasysh pikërisht performancën apo punën e mirë të bërë nga Shqipëria, në lidhje me punën e bërë deri më tani nga fondet e para aderimit unë kam mundësinë që nga autoriteti buxhetor të japim 28 milion euro për të ashtuquajturin shpërblim për performancën, punën e bërë, të cilat besoj që do t’ju arrijnë  së shpejti. Pra kam edhe lajm të mirë dhe pozitiv edhe nga Parlamenti Europian, por PE ka një proces të caktuar një procedurë që duhet ta ndjekin, por propozimin tashmë e kemi çuar nw PE dhe besoj gjithçka do vazhdojë shumë shpejt.

Në fund të fjalës time më lejoni të them dy fjalë në lidhje me tërmetin dhe Konferencën e Donatorëve.

Së pari, më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet e thella familjarëve që kanë humbur të afërmit e tyre, miqtë e tyre. Më lejoni t’ju siguroj që ne do të qëndrojmë në krah të Shqipërisë dhe do vazhdojmë të ndihmojmë me çfarëdolloj që të mundemi. Ne do të organizojmë Konferencën e Donatorëve në shkurt, natyrisht së bashku me Kryeministrin, në datën 17 Shkurt, në Bruksel.

Ursula Von Der Line që është presidentja e KE do jetë ajo që do të jetë edhe mikpritësja, por edhe do ta çelë këtë Konferencë dhe ne presim që të ketë rezultate shumë të mira. Do të flasim me të gjithë shtetet anëtare, me të gjithë institucionet financiare ndërkombëtare, por edhe me organizatat ndërkombëtare me të gjitha shtetet që ato të vijnë të japin kontributin e tyre, në mënyrë që të ketë një kontribut të konsiderueshëm edhe ne vetë. Po ashtu e kemi biseduar në fakt këtë gjë edhe me kryeministrin edhe për njoftimin që kemi bërë pra për shifrën 15 milionw euro që e ka thënë tashmë Komisioni Europian që në takimin e parë të Kolegjit të Komisionerëve dhe më kanë thënë që ka filluar zbatimi i kësaj shifre prej 15 milionë eurosh dhe që do të jetë në terren së shpejti për të ndihmuar vetë qytetarët në këto momente të menjëhershme.

E në fakt që nga Kryeministria ne do shkojmë në Durrës sot, në mënyrë të menjëhershme në mënyrë që edhe unë vetë të mund të shoh e të kuptoj pikërisht se cilat janë pasojat e tërmetit aty në terren dhe do ta vazhdojmë pastaj ditën me takime me Presidentin e Republikës, por edhe me opozitën. Pra, siç e thashë unë do flas me të gjithë politikanët e vendit.

Zoti kryeministër, edhe njëherë faleminderit që më keni mikpritur! Faleminderit që më keni ftuar!

-A mendoni që opinioni i Komisionit është thjesht teknik dhe nuk merr parasysh realitetin ekonomik social dhe politik në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut ashtu sikurse është shprehur edhe presidenti Macron. A keni marrë ju sinjale në rrugë formale dhe informale sa i takon heqjen së vetos nga Franca, në lidhje me çeljen e negociatave?

Komisioneri Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Olivér Várhelyi: Sic e thashë, unë do të bisedoj dhe po flas në fakt me të gjitha shtetet anëtare dhe po përpiqem t’i bind që me këtë metodologji të re, të cilën ne do të fillojmë ta përdorim, besoj që të gjithë do të mund të biem dakord për çeljen e negociatave dhe po ashtu unë po jap edhe lajme të mira, por edhe këtë përparim të mëtejshëm nga të dyja vendet, prandaj është kaq e rëndësishme që si Maqedonia e veriut ashtu edhe Shqipëria të vazhdojnë me reformat, në mënyrë që ne të kemi një marrëveshje përpara Zagrebit për çeljen e negociatave.

Kryeministri Edi Rama: Ju e dini shumë mirë që kjo nuk është një çështje e lidhur drejtpërdrejtë me Shqipërinë apo me Maqedoninë e Veriut, por është një çështje e lidhur me një diskutim të brendshëm në BE, lidhur me metodologjinë e zgjerimit.

Ajo që përbën një arsye për t’u ndjerë të inkurajuar, është pikërisht qasja e Komisionerit lidhur me jo vetëm nevojën, por dhe me krijimin e kushteve për të adoptuar dhe pranuar të gjithë së bashku një metodologji më të përshtatshme si rezultat i të cilës, përveç të tjerave mund të mendohet e arsyeshme edhe përfshirja e Francës në vazhdimin e procesit.

Por sigurisht që ky është një proces i brendshëm për të cilin fjala e Komisionerit është ajo që ka më shumë rëndësi nga të dyja përgjigjet që morët.

-Desha të di çfarë konkretisht prisni ju që të ndodhë deri në mars kur mendohet që të merret dhe vendimi për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sepse ju thoni përpara samitit të Zagrebit. Çfarë do ndodhë konkretisht që nuk ndodhi deri në tetor kur u mor vendimi refuzues për këto dy vende, përveç reformave që ju thoni duhet të vazhdojnë, një gjë konkrete dhe a ka një plan konkret përveç metodologjisë për këto dy vende?

Komsioneri Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Olivér Várhelyi: Ndoshta ju keni parë që kam qenë në Paris javën e shkuar. Kam pasur takime edhe me autoritetet hollandeze, këto dy shtete anëtare, të cilat kanë shprehur shqetësime në muajin tetor të vitit të shkuar. Ne i kemi diskutuar këto shqetësime që kanë këto dy shtete anëtare. Ndërkohë, unë në fakt po bisedoj dhe me të dy këto shtete që në fakt u ndikuan nga Samiti i Tetorit dhe ajo që po bëj është që po përpiqem të shoh ecurinë, përparimin që është arritur tashmë dhe se çfarë do të mund të arrihet gjatë kësaj periudhe.

Në fakt, jam shpresëplotë që me metodologjinë e re, me qasjen e re që do të ribalancojë, ekuilibrojë, në rast se mund ta them në këtë formë, negociatat për anëtarësim, jo vetëm për shtete që dëshirojnë të bëhen shtete anëtare, por edhe për shtetet anëtare të BE dhe po ashtu me përparimin që po vazhdon të arrihet në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut ne do të mund ta ndryshojmë klimën politike.

Pra, jam shumë shpresëplotë, jam shumë pozitiv. Kam pasur në fakt diskutime mjaft pozitivë në Paris dhe po ashtu edhe me autoritetet hollandeze, ne po punojmë fort me vendosmëri që kjo gjë të ndodhë.

Kryeministri Edi Rama: Unë dua ta përsëris atë që nuk do të lodhem së përsërituri. Ajo që ne na takon, është të bëjmë gjithçka që ne kemi në dorë dhe të garantojmë ecurinë e mëtejshme të reformave, pasi të gjitha ato që kërkohen nga BE, ne nuk i bëjmë për BE, por i bëjmë për të ardhmen e vendit tonë, për fëmijët tanë, sepse nëse ka një arsye madhore për të qenë krejtësisht të përfshirë në këtë proces dhe për t’i bërë të gjitha këto detyra, kjo arsye është përputhshmëria e plotë e këtyre objektivave të vendosura në procesin e integrimit europian me nevojën që vendi ka dhe që fëmijët tanë kanë për nesër.

Kështu që vendimin do ta marrë Këshilli Europian, por cilido qoftë vendimi ne do vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë, të ecim sa më shpejt dhe me sa më shumë rezultate në ndërtimin e Shqipërisë Europiane. Faleminderit!

* * *

Kryeministri Edi Rama priti sot në takim Komisionerin për Zgjerim të BE-së, Olivér Várhelyi, me të cilin diskutoi për hapat e përbashkët deri në Konferencën e Donatorëve për Rindërtimin, si edhe për ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit europian. Në përfundim të takimit, Kryeministri Edi Rama dhe Komisioneri Olivér Várhelyi, zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp.

Më pas, Kryeministri Edi Rama dhe Komisionerin për Zgjerim të BE-së Olivér Várhelyi vizituan zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, në Durrës.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.